02. Dekretet – Atributet e Perendise

  Dekreti i Perëndisë është qëllimi ose vendimi i tij në lidhje me gjërat e të ardhmes. Ne kemi përdorur numrin njëjës, siç bën Shkrimi (Romakëve 8:28, Efesianëve 3:11), sepse ka qenë vetëm një veprim i mendjes së Tij të pafund rreth gjërave të ardhmes. Por ne sikur të ketë qenë disa veprime, pasi mendjet tona janë të afta që të mendojnë vetëm për disa kthesa rrënjësore të njëpasnjëshme, me shfaqjen e mendimeve dhe rasteve, ose në lidhje me objektet e ndryshme të dekretit të Tij, të cilat duke qenë disa objekte, duket sikur na kërkojnë një qëllim të veçantë për secilin. Por një kuptim i pafund nuk vepron me hapa, nga një faze në tjetrën: “Prej kohësh janë të njohura te Perëndia të gjitha veprat e tij” (Veprat Acts 15:18).

      Shkrimet përmendin dekretet e Perëndisë në shumë pasazhe dhe me shprehje të shumëllojshme. Fjala “dekret” gjendet te Psalmi 2:7 etj. Te Efes. 3:11 lexojmë për “qëllimin e përjetshëm” të Tij. Te Veprat 2:23 lexojmë për “këshillin e caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë”. Kurse te Efes. 1:9 për misterin e “vullnetit” të Tij. Te Rom. 8:29 lexojmë që Ai edhe i paracaktoi, ndërsa te Efes.1:9 për “pëlqimin e tij”. Dekretet e Perëndisë quhen “këshilla”, për të treguar se ato janë përsosmërisht të urta dhe quhen “vullneti” i Perëndisë, për të treguar se ai nuk ka qenë nën asnjë kontroll, por ka vepruar sipas pëlqimit të tij. Kur vullneti i njeriut e sundon sjelljen e tij ai është zakonisht tekanjoz dhe i paarsyeshëm, por urtësia është gjithnjë e lidhur me “vullnetin” dhe veprimet e Atit dhe, si rrjedhim, dekretet e Perëndisë cilësohen si “këshilla e vullnetit të tij” (Efes. 1:11).

      Dekretet e Perëndisë kanë të bëjnë me të gjitha gjërat e të ardhmes pa përjashtim: çfarëdo që bëhet në kohë është paracaktuar para fillimit të kohës. Vërtet qëllimi i Perëndisë ka të bëjë me gjithçka, qoftë e vogël apo e madhe, por ne duhet të jemi kujdesshëm që të themi se megjithëse Perëndia është vërtet Administruesi dhe Kontrolluesi i mëkatit, ai nuk është Autori i tij, ashtu si është Autori i çdo gjëje të mirë. Mëkati nuk mund të burojë nga një Perëndi i shenjtë nëpërmjet krijimit pozitiv dhe të drejtpërdrejtë, por vetëm nëpërmjet lejimit dekretues dhe veprimit negativ. Dekreti i Perëndisë është aq gjithëpërfshirës sa qeverisja e tij, sepse përfshin tërë krijesat dhe ngjarjet. Ai kishte të bënte me jetën e vdekjen tonë, me gjendjen tonë në kohë dhe përjetësi. Ndërsa Perëndia i kryen të gjitha gjërat sipas këshillës së vullnetit të tij, ne mësojmë nga veprat e tij se cila është apo ishte këshilla e tij, ashtu si gjykojmë për planin e një arkitekti duke kontrolluar ndërtesën që ishte ngritur sipas udhëzimeve.

      Perëndia nuk dekretoi thjesht që të krijonte njeriun, ta vendoste në tokë dhe pastaj ta linte atë nën drejtimin e tij të pakontrolluar, por i rregulloi të gjitha rrethanat e individëve dhe detajet që do të përbënin historinë e racës nga fillimi deri në fund. Ai nuk dekretoi thjesht që duhet të vendosen ligje të përgjithshme për qeverisjen e botës por edhe vendosi zbatimin e këtyre ligjeve në çdo rast specifik.

      Ditët tona janë të numëruara e po ashtu edhe fijet e flokëve tona. Ne mund të mësojmë se deri ku shtrihen dekretet hyjnore nga zbatimi i providencës. Kujdesi i Providencës arrin deri në krijesat më të rëndomta dhe ngjarjet më të parëndësishme si ngordhja e një harabeli dhe rënia e një fije floku.

      Le të shohim tani disa nga karakteristikat e dekreteve hyjnore. Së pari, ato janë të përjetshme. Të supozosh se ndonjëri prej tyre është shpallur në kohë, do të thotë të supozosh se të shfaqurit e një rasti të ri, një ngjarje e paparashikuar apo kombinim i rrethanave e ka shtyrë Shumë të Lartin që të marrë një vendim të ri. Por kjo do të supozonte idenë se njohja e Perëndisë është e kufizuar dhe se Ai bëhet gjithnjë e më i urtë me kalimin e kohës, që është një blasfemi e tmerrshme. Askush që beson se dituria e Perëndisë është e pafund, duke përfshirë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, nuk mund ta pranojë doktrinën e gabuar të dekreteve të përkohshme. Perëndia nuk është në padijeni të ngjarjeve të ardhshme që do të kryhen nga vullneti njerëzor sepse Ai i ka parathënë ato në raste të panumërta dhe profecia nuk është gjë tjetër veçse shfaqja e parashikimit të Tij të përjetshëm. Shkrimi e pohon faktin që besimtarët janë zgjedhur para se të krijohej bota (Efes. 1:4) dhe se hiri iu është dhënë po atëherë (2 Tim. 1:9).

      Së dyti, dekretet e Perëndisë janë të urta. Urtësia shfaqet në përzgjedhjen e qëllimeve dhe të mjeteve më të mira, të përshtatshme për t’i përmbushur ato. Duket qartë nga njohja që kemi për dekretet, se ky karakter u përket atyre. Ato na zbulohen me anë të zbatimit të tyre dhe çdo provë e urtësisë në veprat e Perëndisë është provë e urtësisë së planit të tij, në përputhje me të cilin janë kryer. Siç shpall psalmisti: “Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua”. Vërtet që vetëm një pjesë mjaft e vogël e këtyre dekreteve tërheq vëmendjen tonë, por ashtu si në raste të tjera, ne duhet të gjykojmë të tërën prej një pjese të veçantë, të gjykojmë atë që nuk njihet nëpërmjet asaj që është njohur.

      Ai që percepton veprimin e aftësive të admirueshme në pjesët e një mekanizmi që ka rastin ta analizojë, nxitet natyrshëm që të besojë se edhe pjesët e tjera janë njësoj të admirueshme. Në të njëjtën mënyrë, ne duhet të kënaqim mendjet me veprat e Perëndisë kur futen dyshime dhe t’i hedhim poshtë kundërshtimet që mund të sugjerojë diçka që nuk mund të pajtohet me konceptin që kemi me atë që është e mirë dhe e mënçur. Kur arrijmë cakun e të fundmes dhe vështrojmë drejt botës misterioze të të pafundmes, le të thërrasim: “O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij!” (Rom. 11:33).

      Së treti, ato janë të lira. “Kush i ka marrë përmasat e Frymës së Zotit, ose si këshilltari i tij i ka dhënë mësime? Me kë është konsultuar, që t’i jepte mend, t’i mësonte shtegun e drejtësisë, t’i jepte dituri dhe t’i tregonte rrugën e arsyes?” (Isa.40:13, 14). Perëndia ishte i vetëm kur i nxori dekretet dhe vendimet e tij s’u ndikuan nga asnjë shkak i jashtëm. Ai ishte i lirë të dekretonte apo që të dekretonte një gjë të caktuar dhe jo një tjetër. Këtë liri duhet t’ia atribuojmë Atij që është suprem, i pavarur dhe sovran në gjithçka që bën.

      Së katërti, ato janë absolute dhe të pakushtëzuara. Zbatimi i tyre nuk pezullohet nga ndonjë kusht që mund apo mund të mos kryhet. Në çdo rast ku Perëndia ka dekretuar një qëllim të caktuar, ai ka dekretuar edhe çdo mjet për të arritur atë qëllim. Ai që dekretoi shpëtimin e të zgjedhurve, dekretoi edhe që të vepronte besim në ta (2 Thes. 2:13). “Që shpall fundin që në fillim, dhe shumë kohë më parë gjërat që ende nuk janë bërë, duke thënë: “Plani im do të realizohet dhe do të bëj gjithçka më pëlqen” (Isa. 46:10): por kjo nuk mund të ndodhte nëse këshilla e Tij do të varej nga një kusht që mund të mos kryhet. Por Perëndia “vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efes. 1:11).

      Së bashku me pandryshueshmërinë dhe pacënueshmërinë e dekreteve të Perëndisë, Shkrimi mëson qartë se njeriu është një krijesë e përgjegjshme dhe që jep llogari për veprimet e veta. Dhe nëse mendimet tona formohen nga Fjala e Perëndisë, pohimi i njërit nuk do të pasohet nga mohimi i tjetrit. Merret si i sigurtë fakti që ka një vështirësi serioze në përcaktimin se ku një ide përfundon e ku fillon. Kështu ndodh gjithnjë ku ekziston një ndërthurje të hyjnores me njerëzoren. Lutja e mirëfilltë hartohet nga Fryma e megjithatë është thirrja e zemrës njerëzore. Shkrimet janë Fjala e frymëzuar e Perëndisë, ndonëse janë shkruar nga njerëz që nuk ishin thjesht vegla në duart e Perëndisë. Krishti është edhe Perëndi, edhe njeri. Ai është i gjithëdijshëm e megjithatë “rritej në dituri” (Luka 2:52). Ai ishte i Plotfuqishëm e megjithatë “u kryqëzua në dobësinë e tij” (2 Kor. 13:4). Ai ishte Princi i jetës e megjithatë vdiq. Këto janë mistere të mëdha por besimi i pranon ato pa mëdyshje.

Shpesh është thënë në të kaluarën se çdo kundërshtim kundër dekreteve të përjetshme zbatohet njësoj edhe kundër njohurive paraprake:

“Nëse Perëndia ka dekretuar gjithçka që do të ndodhë apo jo, të gjithë ata që pranojnë se ka një Perëndi, e pranojnë se Ai i njeh gjërat që më parë. Ёshtë e vetëkuptueshme se ai i njeh gjërat që më parë, ai ose i miraton ato, ose nuk i miraton, pra ose ai është i vullnetshëm që ato të ekzistojnë, ose nuk është i vullnetshëm. Por që të jesh i vullnetshëm që ato ekzistojnë, do të thotë që t’i dekretosh ato” (Jonathan Edwards).

      Së fundi, përpiqu të supozosh me mua dhe pastaj të meditosh të kundërtën. Të mohosh dekretet hyjnore do të thotë të parashikosh një botë me gjithçka të rregulluar prej shansit të paprojektuar ose fatit të verbër. E atëherë a do të kishte paqe, siguri dhe ngushëllim për zemrat e mendjet tona të varfëra? Do të kishte strehim ku të arratiseshim në orën e provës dhe të nevojës? Aspak. Nuk do të kishte gjë më të mirë se errësira e thellë dhe tmerri i mjerë i ateizmit. Oh, lexues i im, sa mirënjohës duhet të jemi që gjithçka përcaktohet nga urtësia dhe mirësia e pafund! Ç’lavdërim dhe mirënjohje i takon Perëndisë për dekretet e tij hyjnore. Pikërisht për shkak të tyre “Ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij” (Rom. 8:28). Le të thërrasim: “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen” (Rom. 11:36).

Këtë e pëlqejnë %d blogues: