Në një nga letrat dërguar Erazmit, Luteri thotë: “Mendimet e tua për Perëndinë janë shumë njerëzore”. Fakti që Luteri ishte i biri i një minatori, e shtyu ndoshta studiuesin e famshëm që ta refuzonte qortimin e tij, por në fakt, ai e meritonte atë. Edhe ne, megjithëse nuk jemi në të njëjtën rang me udhëheqësit fetarë të kësaj epoke të degjeneruar, preferojmë të njëjtën padi ndaj shumicës së predikuesve të sotëm dhe kundër atyre që, në vend që t’i studiojnë vetë Shkrimet, pranojnë me dembelizëm mësimet e të tjerëve. Idetë më çnderuese dhe degraduese të sundimit e mbretërimit të të Plotfuqishmit besohen tashmë kudo. Për mijëra e mijëra persona, madje edhe ndër ata që pretendojnë se janë të krishterë, Perëndia i Shkrimit është thuajse i panjohur.
Para shumë kohësh, Perëndia ankohet për Izraelin rebel: “Ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty” (Ps. 50:21). I tillë duhet të jetë edhe sot gjykimi i tij kundër një krishtërimi rebel. Njerëzit imagjinojnë se Shumë i Larti shtyhet nga ndjenjat, kur në fakt ai vepron në bazë të parimeve. Ata kujtojnë se plotfuqishmëria e Tij është një pjellë e imagjinatës dhe Satani është duke ia prishur vazhdimisht planet. Ata pandehin se kur Ai harton ndonjë plan, duhet të jetë medeomos një plan që ndryshon vazhdimisht, si planet e tyre. Ata shpallin haptazi se çfarëdo pushteti që ai ka, duhet të kufizohet, sepse ndryshe do të pushtonte fortesën e “vullnetit të lirë” të njeriut dhe atëherë njeriu do të kthehej në një “robot’. Ata e zhvlerësojnë Shlyerjen tërësisht të efektshme, që ka shpenguar në fakt çdo njeri për të cilin është kryer, duke e kthyer thjesht në një “formulë”, të cilën shpirtrat e sëmurë nga mëkati mund ta përdorin nëse ndjehen të disponueshëm, duke e reduktuar veprën e paepur të Frymës së Shenjtë në një “ofertë” të Ungjillit, që mëkatarët mund ta pranojnë ose mund ta refuzojnë, sipas dëshirës së tyre.
“Perëndia” i këtij shekulli nuk i ngjan më Sovranit Suprem të Shkrimeve të Shenjta, ashtu si flaka e një qiriri nuk i afrohet aspak lavdisë së diellit të mesditës. “Perëndia” për të cilin flitet zakonisht në podiumet e sotme , në mësimin e të dielës, në pjesën më të madhe të literaturës së sotme fetare dhe për të cilin predikohet në pjesën më të madhe të të ashtuquajtuarve konferenca biblike është pjellë e imagjinatës njerëzore, një sajim i sentimentalizmit. Paganët jashtë territorit të krishtërimit formojnë “perëndi” nga druri dhe guri, kurse miliona paganë brenda radhëve të krishtërimit sajojnë një “perëndi” prej mendjes së tyre mishore. Në fakt, ata nuk janë veçse ateistë, sepse nuk ka alternativë tjetër midis një Perëndie absolutisht suprem dhe një Perëndie që nuk ekziston. Një “perëndi”, vullneti i të cilit mund të kundërshtohet, planet e të cilit mund të prishen, qëllimi i të cilit mund të dështojë, nuk e gëzon të drejtën që të jetë Perëndi dhe duke mos qenë aspak një objekt i denjë adhurimi, nuk meriton gjë tjetër përveç përbuzjes.
Epërsia e Perëndisë së vërtetë dhe të gjallë mund të argumentohet nga largësia e pafund që ndan krijesat më të fuqishme nga Krijuesi i plotfuqishëm. Ai është Poçari, ndërsa ata janë veçse argjila në duart e tij, që ose mund të kthehen në enë nderimi, ose mund të bëhen copë-copë (Ps. 2:9), si të dojë ai. Sikur të gjithë banorët e qiellit dhe të tokës të bashkoheshin në kryengritje ndaj tij, nuk do t’i shkaktonte asnjë trazirë atij dhe do të kishte më pak ndikim në fronin e tij të përjetshëm dhe të pakundërshtueshëm se spërkat e dallgëve të Mesdheut mbi shkëmbinjtë vigane të Gjibraltarit. Aq foshnjore dhe të pafuqishme janë përpjekjet e krijesës për të ndikuar te Shumë i Larti, sa vetë Shkrimi na tregon se kur krerët e të pafeve bashkohen me Izraelin rebel, që të sfidojnë Jehovahun dhe Krishtin e tij, “Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta” (Ps. 2:4).
Epërsia absolute dhe universale e Perëndisë pohohet qartë dhe konkretisht në shumë pasazhe të shkrimit. “Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithshka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithshka…ti sundon mbi gjithçka” (1 Kronikave 29:11-12) – vini re se “sundon” tani e jo “do të sundojë gjatë mijëvjeçarit”. “”O Zot, Perëndia i etërve tanë, a nuk je ti Perëndia që është në qiell? Po, ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve, në duart e tua janë forca dhe fuqia dhe nuk ka njeri (as edhe vetë Djalli) që mund të të rezistojë” (2 Kronikave 20:6). Para tij presidentë dhe papë, mbretër dhe perandorë janë më pak se karkaleca.
“Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën” (Jobi 23:13). Ah, lexuesi im, Perëndia i Shkrimit nuk është një monark imagjinar, por Mbreti i mbretërve dhe Zoti i Zotërve. “E pranoj që mund të bësh gjithçka, dhe që asnjë nga planet e tua nuk mund të pengohet” (Jobi 42:2). Ai bën gjithçka që ka planifikuar. Ai kryen gjithçka që ka dekretuar. “Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë” (Ps. 115:3); dhe pse ndodh kjo? Sepse “nuk ka as dituri, as zgjuarësi dhe as këshillë kundër Zotit” (Fjalët e Urta 12:30).
Epërsia e Perëndisë mbi veprën e duarve të tij është përshkruar gjallërisht në Shkrim. Materia e pajetë, krijesat e paarsyeshme, kryejnë urdhërat e Perëndisë. Sipas dëshirës së tij, Deti i Kuq u nda dhe ujërat u n
gr
itën si një mur (Eksodi 14); dhe toka hapi gojën dhe rebelët fajtorë shkuan të gjallë në gropë (Numrat 16). Kur ai urdhëroi, dielli ndaloi (Jozueu 10) dhe një herë tjetër u spraps dhjetë shkallare mbi shkallarët e Ashazit (Isa. 38:8). Për të ilustruar epërsinë e tij, ai bëri që korbat t’i sillnin ushqim Elias (1 Mbret. 17), bëri që hekuri i sëpatës të notonte mbi ujë (2 Mbret. 6:5), bëri që luanët të zbuteshin kur Danielin e hodhën në shpellën e tyre, e zjarri të mos digjte tre hebrejtë që u hodhën në flakët e tij. Prandaj, “Zoti bën ç’të dojë në qiell dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha humnerat” (Ps. 135:6).
Epërsia e Perëndisë shfaqet edhe në sundimin e tij të përsosur mbi vullnetin e njerëzve. Le të meditojë lexuesi mbi Eksodi 34:24. Tre herë në vit, tërë meshkujt duhet të linin shtëpitë dhe të shkonin në Jeruzalem. Ata jetonin në mes të njerëzve armiqësorë, që i urrenin sepse u kishin marrë tokat. Çfarë i pengonte kanaanitët që të shfrytëzonin rastin dhe kur të mos ishin burrat, të vrisnin gratë e fëmijët dhe t’u rmerrnin fermat? Nëse dora e të Plotfuqishmit nuk ndodhej madje edhe mbi vullnetin e njerëzve të këqij, si mund ta bënte ai këtë premtim që më parë, që askush nuk duhet të “dëshirojë” tokat e tyre? Ah, “Zemra e mbretit në duart e Zotit është si rrjedhat e ujit; atë e drejton ngado që do ai” (Fj. Urta 21:1).
Por mund të protestojë dikush, a nuk lexojmë vazhdimisht në Shkrim, për ata që kanë sfiduar Perëndinë, kanë kundërshtuar vullnetin e tij, kanë shkelur urdhërimet e tij, kanë shpërfillur paralajërimet dhe nuk i kanë dëgjuar fare këshillat e tij? Sigurisht që po. Por a e zhvlerëson kjo gjithçka që u lartpërmend? Nëse po, atëherë Bibla bie qartë në kundërshtim me veten, diçka kjo e pamundur. Argumenti i atij që proteston ka të bëjë thjesht me ligësinë e njeriut kundër fjalës së dukshme, kurse ne kemi folur për atë që Perëndia ka vendosur në vetvete. Standartin e qëndrimit, që na ka dhënë nuk e përmbush askush përsosmërisht, kurse “këshillat” e tij të përjetshme zbatohen deri në detajet më të imta.
Epërsia absolute dhe universale e Perëndisë pohohet po aq qartë edhe në Dhjatën e Re, ku na thuhet se Perëndia “vepron të gjitha sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efes. 1:11). Në greqisht, fjala “vepron” do të thotë “të veprosh efektivisht”. Për këtë arsye lexojmë: “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!” (Rom. 11:36). Njerëzit mund të mburren se janë të lirë, kanë vullnet të lirë që të vendosin ç’të duan dhe të bëjnë ç’të duan, por Shkrimi u thotë atyre që mburren se “Do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë… Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti” (Jakobi 4:13, 15)!
Ja pra një vend i sigurtë ku mund të prehet zemra. Jetët tona nuk janë as produkt i fatit të verbër e as i shansit tekanjoz, por çdo detaj i tyre është paracaktuar nga përjetësia dhe administrohet nga Perëndia i gjallë që mbretëron. As dhe një fije floku nuk mund të preket pa lejen e tij. “Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij” (Fj. Urta 16:9). Ç’siguri, ç’ forcë e ç’ ngushëllim duhet t’i japë kjo të krishterit të vërtetë! “emra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij” (Ps. 31:15). Pra, “rri në heshtje para Zotit dhe prite atë” (Ps. 37:7).