07. Pandryshueshmëria e Perëndisë – Atributet e Perendise

     Pandryshueshmëria është një nga përsosmëritë Hyjnore që nuk shqyrtohet sa duhet. Ёshtë një nga përsosmëritë e Krijuesit që e dallon atë nga krijesat e tij. Perëndia është përjetësisht i njëjtë: nuk pëson asnjë ndryshim në qenien, atributet, ose vendimet e tij. Prandaj Perëndia krahasohet me një shkëmb (Ligji i Përtërirë 32:4, etj), që nuk lëviz fare kur dallgët e detit janë në valëzim të vazhdueshëm. Megjithëse të gjitha krijesat i nënshtrohen ndryshimit, Perëndia është i pandryshueshëm. Meqenëse Perëndia nuk ka fillim dhe fund, ai nuk e njeh ndryshimin. Ai është përjetësisht “Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17).

     Së pari, Perëndia është i pandryshueshëm në esencën e tij. Natyra dhe qenia e tij janë të pafund dhe si rrjedhim nuk mund të ndryshojnë. Nuk ka patur asnjë kohë kur ai nuk ka ekzistuar dhe as nuk do të ketë ndonjë kohë në të ardhmen kur ai nuk do të ekzistojë më. Perëndia as nuk ka evoluar, nuk është rritur e as nuk është përmirësuar. Ai është sot, ashtu si ka qenë gjithnjë dhe përjetësisht do të jetë. Pohimi i tij i qartë është: “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj” (Malakia 3:6). Ai nuk mund të ndryshojë e të bëhet më i mirë, sepse është tashmë i përsosur dhe duke qenë i përsosur, nuk mund të bëhet më i keq. Duke mos u prekur fare nga çdo gjë që është jashtë vetes, përmirësimi apo degradimi është i pamundur. Ai është përjetësisht i njëjtë. Vetëm Ai mund të thotë “UNЁ JAM AI QЁ JAM” (Eksodi 3:14). Ai nuk ndikohet aspak nga kalimi i kohës. Nuk ka asnjë rrudhë në ballin e përjetësisë. Prandaj fuqia e tij nuk mund të pakësohet e as lavdia e tij nuk mund të zbehet kurrë.

     Së dyti, Perëndia është i pandryshueshëm në atributet e tij. Cilado të kenë qenë atributet e Perëndisë para se të krijohej universi, ato janë pikërisht ashtu si janë tani dhe ashtu do të mbeten përjetë. Kështu duhet të jetë sepse këto janë vetë përsosuritë, cilësitë thelbësore të qenies së tij. Në secilin prej tyre është shkruar simper idem (gjithnjë i njëjtë). Fuqia e Tij është e pacënueshme, urtësia e tij e papakësueshme dhe shenjtëria e tij e panjollë. Atributet e Perëndisë nuk mund të ndryshojnë më, ashtu si Hyjnia e tij mund të mos vazhdojë të ekzistojë. Vërtetësia e tij është e pandryshueshme, sepse Fjala e tij është e përjetshme: “Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë” (Ps. 119:89). Dashuria e Tij është e përjetshme: “të kam dashur me një dashuri të përjetshme” (Jeremia 31:3), dhe “duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund” (Gjoni 13:1). Mëshira e tij nuk mbaron, sepse është e “përjetshme” (Ps. 100:5).

     Së treti, Perëndia është i pandryshueshëm në këshillën e tij. Vullneti i tij nuk ndryshon kurrë. Ndoshta disa lexues janë gati të protestojnë se duhet të lexojmë këtë varg: “Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet” (Zan. 6:6). Përgjigja jonë e parë është: A mos kundërshtojnë Shkrimet veten? Jo, kurrsesi. Numrat 23:19 është mjaft i qartë: “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet”. Edhe te 1 Samuel 15: 29: “Lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet”. Shpjegimi është mjaft i qartë. Kur flet për veten, Perëndia e përshtat gjuhën e tij ndaj aftësive tona të kufizuara. Ai e përshkruan veten të veshur me gjymtyrë truporë, me sy, veshë, duar, etj. Ai e përshkruan veten si të “zgjuar” (Ps. 78:65), të “jetë çuar herët” (Jer. 7:13) e megjithatë ai nuk dremit. Kur ai vendos për një ndryshim në marrëdhëniet e tij me njërëzit, ai përshkruan sjelljen e tij si “pendim”.

     Po, Perëndia është i pandryshueshëm në këshillën e tij. “sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme” (Rom. 11:29). Duhet të jetë kështu, sepse “Por atij nuk i gjendet shoku, kush, pra, mund ta ndryshojë? Atë që do, ai e bën” (Jobi 23:13). Edhe në mes të ndryshimit dhe kalbëzimit, qëndroftë me ty ai që nuk ndryshon kurrë. Qëllimi i Perëndisë nuk ndryshon kurrë. Një nga këto dy gjëra bëjnë që një njeri të ndërrojë mendje dhe të ndryshojë planet, mungesa e njohurisë për t’i parashikuar gjërat, ose mungesa e pushtetit për t’i zbatuar ato. Por meqenëse Perëndia është si i gjithdijshëm, ashtu edhe i plotfuqishëm, ai nuk ka pse t’i rishikojë dekretet e tij. Jo. “Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez” (Ps. 33:11). Prandaj lexojmë për “palëkundshmërinë e vendimit të tij” (Heb. 6:17).

     Në këtë mënyrë mund të konceptojmë largësinë e pafund midis krijesës më të lartë dhe Krijuesit. Qenia krijesë dhe ndryshueshmëria lidhen me njëra-tjetrën. Nëse krijesa nuk do të ishte e ndryshueshme nga natyra, atëherë nuk do të ishte krijesë, por do të ishte Perëndi. Nga natyra ne kemi prirje drejt hiçit, sepse kemi ardhur nga hiçi. Asgjë tjetër nuk e pengon asgjësimin tonë përveç vullnetit dhe fuqisë ruajtëse të Perëndisë. Asnjë njeri nuk mund të mbahet as dhe për një çast të vetëm. Ne varemi krejtësisht nga Krijuesi për frymën që marrim. Ne e shpallim bashkë me Psalmistin se “Ai na mban gjallë” (Ps. 66:9). Kjo duhet të na bëjë që të përulemi, sepse jemi hiç para tij “në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi” (Veprat 17:28).

Si krijesa të rëna, ne nuk jemi vetëm të ndryshueshme, por gjithçka që ndodhet në ne e kundërshton Perëndinë. Si të tillë, ne jemi “yje të këputur” (Juda 13), që kemi devijuar nga orbita e duhur. “Të pabesët janë si deti i trazuar, që nuk mund të qetësohet” (Isa. 57:20). Njeriu i rënë është i paqëndrueshëm. Fjalët e Jakobit në lidhje me Rubenin zbatohen njësoj ndaj tërë pasardhësve të Adamit: “I rrëmbyer si uji” (Zan. 49:4). Prandaj, nuk është vetëm shenjë besimi, por edhe pjesë e urtësisë që të dëgjojmë urdhërin “mos kini më besim te njeri” (Isa. 2:22). Asnjë qenie njerëzore nuk duhet të besohet. “Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë (Ps. 146:3). Nëse nuk i bindem Perëndisë, atëherë meritoj që të mashtrohem dhe të zhgënjehem nga ata që më rrethojnë. Njerëzit që të pëlqejnë sot, mund të të urrejnë nesër. Turmat që thërritnin “Hosana Birit të Davidit” shumë shpejt e ndërruan në “Kryqëzojeni”.

     Natyra njerëzore nuk mund të besohet, por Perëndia po! Një e vërtetë mjaft ngushëlluese. Sado i paqëndrueshëm mund të jem unë e sado të ndryshueshëm të rezultojnë miqtë e mi, Perëndia nuk ndryshon. Po të ndryshonte si ne, po të dëshironte një gjë sot dhe një tjetër nesër, duke vepruar sipas tekave, kush do të besonte në të? Por, lavdi qoftë emrit të tij të lavdishëm, ai është gjithnjë i njëjtë. Qëllimi i tij është i fiksuar, vullneti i tij i qëndrueshëm dhe fjala e tij është e sigurtë. Pra ne kemi një shkëmb ku mund të vendosim këmbët, ndërsa rrëketë e vrullshme marrin me vete gjithçka që na rrethon. Përhershmëria e karakterit të Perëndisë garanton përmbushjen e premtimeve të tij: “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty” (Isa. 54:10).

     Në këtë atribut gjejmë inkurajim për lutje. “Çfarë ngushëllimi do të kishim po t’i luteshim një perëndie që do të ndryshonte ngjyrën çdo çast si kameleoni? Kush do t’i paraqiste peticionin e tij një princi tokësor që do të ishte aq i ndryshueshëm, sa një ditë do ta plotësonte peticionin, kurse një ditë tjetër do ta refuzonte? (Stivën Charnock, 1670). Nëse dikush do të thotë “Po ç’dobi ka lutja drejtuar dikujt që e ka tashmë vullnetin e tij të fiksuar? Ne përgjigjemi: sepse ashtu e kërkon ai. Çfarë bekimesh ka premtuar Perëndia pa i kërkuar ato? “Nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson” (1 Gjoni 5:14) dhe ai ka dëshiruar gjithçka të mirë për fëmijët e tij. Të kërkosh diçka në kundërshtim me vullnetin e tij nuk është lutje por rebelim i vërtetë.

     Në këtë atribut, kemi edhe tmerr për të këqijtë. Ata që e sfidojnë Atë, që shkelin ligjet e tij, që nuk interesohen fare për lavdinë e tij, por që jetojnë sikur të mos ekzistonte Perëndia, nuk duhet të shpresojnë se kur t’i thërrasin atij për mëshirë, ditën e fundit, se ai do të ndryshojë vullnetin e tij, do të tërheqë fjalën e vet dhe do të anullojë kërcënimet e tij të tmerrshme. Jo, ai ka shpallur: “Prandaj edhe unë do të veproj me tërbim; syri im nuk do të ketë asnjë dhembshuri dhe nuk do të kem mëshirë fare. Edhe sikur të çojnë britma të larta veshëve të mi, unë nuk do t’i dëgjoj” (Ezekiel 8:18). Perëndia nuk mund ta mohojë veten, duke kënaqur lakmitë e tyre. Perëndia është i shenjtë, e nuk mund të ndryshojë kurrë në shenjtërinë e tij. Prandaj, Perëndia e urren përjetësisht mëkatin. Kjo tregon qartë përjetësinë e ndëshkimit për të gjithë ata që vdesin në mëkatet e tyre.

“Pandryshueshmëria Hyjnore, si reja që qëndronte midis izraelitëve dhe ushtrisë egjiptase, ka një anë të errët dhe një anë të ndritshme. Siguron si zbatimin e kërcënimeve të tij, ashtu edhe të premtimeve të tij dhe shkatërron shpresën që fajtorët gëzojnë me pasion, se ai do të tregohet i mëshirshëm me krijesat e tij të brishta dhe mëkatare dhe se do t’i trajtojë ata më butë se sa ka shpallur në Fjalën e tij. Ne i kundërshtojmë këto spekulime mashtruese dhe arrogante ndaj të vërtetës solemne, se Perëndia është i pandryshueshëm në vërtetësi, qëllim, besnikëri dhe drejtësi.” Xhon Dik, 1850.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: