09. Fuqia e Perëndisë – Atributet e Perendise

    Ne nuk mund të kemi një konceptim të drejtë të Perëndisë, nëse nuk e shohim atë si të plotfuqishëm, ashtu edhe të gjithëditur. Ai që nuk mund të bëjë atë që do dhe të kryejë gjithçka që dëshiron, nuk mund të jetë Perëndi. Ashtu si Perëndia ka një vullnet për të vendosur atë që e gjykon të mirë, ashtu ka dhe fuqinë për të zbatuar vullnetin e tij.

Fuqia e Perëndisë është aftësia dhe forca me anë të së cilës ai mund të përmbushë çfarëdo që dëshiron, çfarëdo që vendos urtësia e tij e pafund dhe çfarëdo që mund të vendosë pastërtia e pafund e vullnetit të tij…Ashtu si shenjtëria është bukuria e tërë atributeve të Perëndisë, po ashtu është ajo që u jep jetë dhe veprim tërë përsosmërive të natyrës hyjnore. Sa të kota do të ishin këshillat hyjnore nëse fuqia nuk do të  ndërhynte për t’i zbatuar ato. Pa fuqi, mëshira e Tij do të ishte thjesht një besim i brishtë, premtimet e tij një tingull i zbrazët dhe kërcënimet e tij nuk do të ishin veçse një dordolec. Fuqia e Perëndisë është si Vetja: e pafund, e përjetshme dhe e pakuptueshme, as nuk mund të kontrollohet, kufizohet e as të cënohet nga krijesa. Stivën Çarnok

     “Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë” (Ps. 62:11). “Perëndia ka folur një herë”: nuk ka më asgjë të nevojshme! Qielli dhe toka do të zhduken, por fjala do të qëndrojë përgjithnjë. “Perëndia ka folur një herë”: sa me vend madhështia e tij Hyjnore! Ne të vdekshmit e shkretë mund të flasim shpesh por nuk dëgjohemi, kurse Ai flet flet vetëm një herë dhe gjëmimin e fuqisë së tij e dëgjojnë njëmijë kodra. “Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij. Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap. Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan” (Ps. 18:13-15).

     “Perëndia ka folur një herë”: shikoni autoritetin e tij të pandryshueshëm. “Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?” (Ps. 89:6). “Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: “Çfarë po bën?” (Dan. 4:35). Kjo u zbulua haptazi kur Perëndia u mishërua dhe banoi ndër njerëzit. Lebrozit i tha: “Po, unë dua, shërohu”. Dhe në atë çast u shërua nga lebra e tij” (Mat. 8:3). Atij që kishte katër ditë që dergjej në varr, i tha: “Llazar, dil” dhe i vdekuri doli. Era e stuhishme dhe dallgët e tërbuara u qetësuan vetëm nga një fjalë e tij. Një legjion demonësh nuk mund ta kundërshtonte urdhërin e tij autoritar.

     “Fuqia i përket Perëndisë” dhe vetëm atij, Asnjë krijesë në gjithë universin nuk ka ndonjë atom fuqi, përveç asaj që Perëndia jep. Por fuqia e Perëndisë nuk fitohet, e as varet nga pranimi prej ndonjë autoriteti tjetër. Ajo i përket atij në mënyrë të qenësishme.

Fuqia e Perëndisë është si ai Vetë, vetë-ekzistuese dhe e vetë-mbështetur. Më i fuqishmi ndër njerëzit nuk mund t’i shtojë asgjë fuqisë së të  Plotfuqishmit. Ai nuk ka nevojë të ulet mbi një fron me mbështetëse dhe as  nuk ka nevojë për askënd ta ndihmojë. Oborrin nuk ia drejtojnë oborrtarët e  as nuk ka nevojë të huazojë shkëlqim nga krijesat. Ai është Vetë burimi i  madh i çdo gjëje dhe burimi fillestar i çdo fuqie.  C.H. Spërxhën

     Jo vetëm që i gjithë krijimi dëshmon për fuqinë e madhe të Perëndisë, por edhe për pavarësinë e tij të plotë prej çdo gjëje të krijuar. Dëgjoni sfidën e tij: “Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi. Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur? Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes” (Jobi 38:4-6). Si përfundon në pluhur e hi krenaria e njeriut!

Fuqia përdoret gjithashtu si emër i Perëndisë. “Birin e njeriut të ulur në të djathtën e Pushtetit” (Marku 14:62), pra në krahun e djathtë të Perëndisë. Perëndia dhe fuqia janë aq të pandashme saqë janë të alternuara me njëra-tjetrën. Ashtu si esenca e Tij është e pafundme, e pakufizueshme në vend, ashtu si është e përjetshme, e pamatshme në kohë, po ashtu është edhe e plotfuqishme, e pakufizueshme në veprim. Stiven Çarnok

     “Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç’murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?” (Jobi 26:14). Kush mund të numërojë të gjjitha monumentet e fuqisë së tij? Edhe ajo që shfaqet nga fuqia e tij në krijimin e dukshëm është krejtësisht e pakuptueshme nga aftësitë tona e aq më pak që mund ta konceptojmë vetë plotfuqishmërinë. Në natyrën e Perëndisë, ka pafundësisht më tepër fuqi sesa shprehet në të gjitha veprat e tij.

     Ne shohim “pjesë të mënyrave se si vepron ai” në krijim, providencë, shpengim, por vetëm një “pjesë të vogël” të fuqisë së tij mund të shihet në to. Kjo shprehet qartë te Habakuku 3:4 “dhe aty fshihej fuqia e tij”. Zor se mund të përfytyrosh diçka më fjalëmadhe sesa shëmbëlltyrën e tërë kapitullit e megjithatë nuk ka asgjë në të që t’ia kalojë fisnikërisë së kësaj deklarate. Në vegim, profeti vështron fuqinë e Perëndisë nëpër kodra dhe male, që mund të shihet si një shfaqje e mrekullueshme të fuqisë së tij. Por jo, në këtë varg thuhet se kjo është thjesht “fshehja” e fuqisë së tij dhe jo shfaqja e fuqisë së tij. Çfarë do të thotë? Fuqia e Hyjnisë është aq e pakonceptueshme, aq e pafund dhe aq e pakontrollueshme, saqë veprimet e tij të frikshme që shohim në natyrë më shumë fshehin sesa zbulojnë nga forca e tij e pafund!

     Ёshtë e mrekullueshme të lidhësh së bashku pasazhet e mëposhtme: “I vetëm shpalos qiejt dhe ecën mbi valët e larta të detit” (Jobi 9:8), që shpreh fuqinë e pakontrollueshme të Perëndisë. Ai “shëtit mbi kupën e qiejve”, që na tregon për pakufishmërinë e pranisë së tij. “Ecën mbi krahët erës” (Ps. 104:3), gjë që tregon shpejtësinë e mahnitshme të veprimeve të tij. Kjo shprehje e fundit është mjaft e dukshme. Jo se “fluturon” apo “vrapon” por që “ecën” dhe pikërisht mbi “krahët e erës”, pra mbi elementet më të vrullshme, hidhet me furi të madhe dhe lëviz me një shpejtësi të pakonceptueshme e megjithatë, ato janë nën këmbët e tij, në kontrollin e tij të përsosur!

     Le të shohim tani fuqinë e Perëndisë në krijim. “Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të. Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tend” (Ps. 89:11,12). Para se njeriu të punojë, ai duhet t’i ketë edhe mjetet, edhe materialet, por Perëndia vetëm me anë të fjalës së tij krijoi gjithçka nga hiçi. Intelekti nuk mund ta kapë dot. Perëndia “Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq” (Ps. 33:9). Materia e qëmotshme e dëgjoi zërin e tij. “Perëndia tha: “U bëftë …dhe …u bë” (Zan.1). Ne mund të thërrasim: “Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell” (Ps. 89:13).

Kush mund të vështrojë mrekullitë e qiellit të mesnatës, kush mund të hetojë për të ditur se nga u krijuan orbitat e fuqishme? Ёshtë e mahnitshme ta  përshkruash, por ato u krijuan pa asnjë material. Ato thjesht rrodhën nga  zbrazëtia. Fabrika madhështore e natyrës universale doli nga hiçi. Çfarë  mjetesh përdori Arkitekti Suprem për të modeluar pjesët e veçanta me një  përpikëri fine dhe për t’i dhënë një shkëlqim kaq të mrekullueshëm  të tërës? Si u lidh në një strukturë të përpjesëtuar me kaq delikatesë dhe të  lëmuar me një madhështi të tillë? Vetëm një dekret e përmbushi gjithçka.  Perëndia tha: Le të krijohen. Ai nuk shtoi asgjë më shumë dhe menjëherë, u  shfaq ngrehina e mrekullueshme, zbukuruar me çdo bukuri, me përsosuri të  panumërta, duke deklaruar në mes të serafinëve të ngazëllyer lavdet e  Krijuesit të madh. “Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij” (Ps.33:6). Xheims Hervei 1789

     Konsideroni fuqinë e Perëndisë në ruajtje. Asnjë krijesë nuk ka fuqi për të ruajtur vetveten. “A mund të rritet papirusi jashtë moçalit dhe a mund të zhvillohet xunkthi pa ujë?” (Jobi 8:11). Si njerëzit ashtu edhe bishat do të shfaroseshin po të mos kishte bar për ushqim dhe barërat do të vyshkeshin nëse toka nuk do të freskohej me vërshime të bollshme. Prandaj Perëndia quhet Ruajtësi i “njerëzve dhe kafshëve” (Ps. 36:6). “Duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij” (Heb. 1:3). Sa e mrekullueshme është jeta e foshnjes para se të lindë, mrekulli e fuqisë hyjnore! Fakti që një foshnje mund të jetojë dhe madje për shumë muaj, në një vend aq të ngjeshur të ndotur dhe pa marrë frymë, është i pakonceptueshëm pa fuqinë e Perëndisë. Ai me të vërtetë “na mban gjallë” (Ps.66:9).

     Ruajtja e tokës nga dhuna e detit është një rast tjetër i qartë që tregon për fuqinë e Perëndisë. Si mund të mbahet i mbyllur ky element i tërbuar brenda kufijve në të cilat ai ka qëndruar, duke vazhduar rrugën, pa përmbytur terë botën dhe pa copëtuar pjesën më të ulët të krijimit? Uji normalisht duhet të jetë mbi tokë, sepse është më i lehtë dhe duhet të jetë nën ajër, sepse është më i rëndë. Kush mund t’i mbajë nën kontroll vetitë natyrore të tij? Sigurisht që njeriu nuk mundet. Vetëm dekreti i Krijuesit të tij e mban atë në kontroll: “Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!”? (Jobi 38:11). Ç’monument i rëndësishëm i fuqisë së Perëndisë është ruajtja e botës!

     Konsideroni fuqinë e Perëndisë në qeverisje. Konsidero frenimin që i bën ligësisë së Satanit. “Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë”. Ai është plot urrjetje kundër Perëndisë dhe plot armiqësi të egër kundër njeriut, sidomos kundër shenjtorëve. Ai që pati zili Adamin në parajsë, ka zili që ne kënaqemi me bekimet e Perëndisë. Po të lihej i lirë, ai do të dërgonte zjarr nga qielli mbi frutat e tokës, do të shkatërronte tërë bagëtitë, do të rrëzonte shtëpitë tona me erën e fortë dhe do të mbulonte trupat tanë me plagë. Por, megjithëse njeriu nuk e kupton, Perëndia e frenon atë jashtëzakonisht, e pengon atë nga zbatimi i skemave të tij të këqija dhe e kufizon atë brenda urdhërave të tij.

     Perëndia e kufizon prishjen natyrore të njeriut. Ai i lejon shpërthimet e mëkatit që të tregojë se çfarë kaosi i tmerrshëm është shkaktuar nga rebelimi i njeriut ndaj Krijuesit të tij, por kush mund ta imagjinojë se ku mund të përfundojë njeriu nëse Perëndia do ta largonte dorën e tij frenuese? “goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak” (Rom. 3:14-15). Kjo është natyra e çdo pasardhësi të Adamit. Çfarë shthurje dhe marrëzie e shfrenuar dhe kokëfortë do të triumfonte në botë, nëse fuqia e Perëndisë nuk do të ndërhynte që të mbyllte portat e saj! Shih Ps. 93:3-4.

     Shqyrtoni fuqinë e Perëndisë në gjykim. Kur ai godet, askush nuk mund t’i rezistojë atij: shih Ezekiel 22: 14. Sa tmerrësisht ilustrohet kjo gjatë përmbytjes! Perëndia hapi dritaret e qiellit dhe dhe vërshuan burimet e thella të ujërave dhe përveç atyre që ndodheshin në arkë, e tërë raca njerëzore u fshi nga faqja e dheut, e paaftë për të bërë asgjë para stuhisë së zemërimit. Breshëri zjarri dhe squfuri ranë nga qielli dhe qytetet u shfarosën. Faraoni dhe tërë ushtritë e tij ishin të pafuqishëm kur Perëndia i hodhi ata në Detin e Kuq. Çfarë fjale të tmerrshme që lexojmë te Rom.9:22: “Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?”. Perëndia do ta zbulojë fuqinë e tij të madhe mbi të pabesët jo thjesht duke i burgosur ata në Gehena, por duke i ruajtur mbinatyrshëm trupat dhe shpirtrat e tyre në mes të zjarrit të përjetshëm në Liqenin e Zjarrtë.

     Të gjithë duhet të dridhen para një Perëndie të tillë! Të trajtosh paturpësisht atë që mund të na shtypë më lehtë sesa shtypim një flutur nate është vetvrasje. Ta kundërshtosh haptazi atë që është veshur me plotfuqishmëri e që mund të na bëjë copa copa ose mund të na hedhë në ferr, kur të dojë, është çmenduri e vërtetë. Ёshtë urtësi që t’i vëmë veshin urdhërimit të tij “Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast” (Ps. 2:12).

     Shpirtrat e ndriçuar ta adhurojnë një Perëndi të tillë! Përsosmëritë e mrekullueshme dhe të pafund të një Qenie të tillë kërkojnë një adhurim të zjarrtë. Nëse njerëzit e famshëm dhe me pushtet kërkojnë admirimin e botës, sa më shumë duhet të na mbushë fuqia e të Plotfuqishmit me nderim dhe mahnitje. “Kush barazohet me ty midis perëndive, o Zot? Kush barazohet me ty, i mrekullueshëm në shenjtëri, i madhërishëm në lëvdata, o çudibërës?” (Eksodi 15:11).

     Shenjtorët duhet t’i besojnë një Perëndie të tillë! Ai është i denjë për një besim të patundur. Asgjë nuk është e vështirë për të. Nëse Perëndia do ta kishte të kufizuar fuqinë ne do të binim në dëshpërim, por kur shohim se është i veshur me plotfuqishmëri, asnjë lutje nuk është e vështirë që ai të përgjigjet, asnjë nevojë nuk është shumë e madhe që të mos ta plotësojë, asnjë pasion aq i fuqishëm që të mos frenohet prej tij; asnjë tundim aq i fuqishëm prej nga i cili të mos të të çlirojë e asnjë mjerim aq i madh prej nga i cili të të ngushëllojë. “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë?” (Ps.27:1). “Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen” (Efes.3:20-21).

Këtë e pëlqejnë %d blogues: