Pabesia është një nga mëkatet më të spikatura të këtyre kohëve të liga. Në botën e biznesit, me përjashtime të rralla, fjala e njeriut nuk është më detyruese. Në botën sociale, pabesia martesore sundon kudo dhe lidhja e shenjtë e martesës prishet me aq shpërfillje sa kur flakim një rrobë të vjetër. Në sferën e kishës, mijëra pesona që kanë bërë besëlidhje solemnisht për të predikuar të vërtetën nuk kanë fare turp që ta sulmojnë apo ta mohojnë atë. Askush nuk mund të shpallë se ka imunitet të plotë nga ky mëkat i frikshëm; sa të pabesë kemi qenë ndaj Krishtit dhe ndaj dritës e privilegjeve që na ka besuar Perëndia! Sa freskuese dhe nuk mund të përshkruhet se çfarë bekimi është të ngresh sytë mbi rrënojat dhe të shohim atë që është besnik, besnik në çdo gjë, besnik në çdo kohë.
“Prano, pra, që Zoti, Perëndia yt, është Perëndia, Perëndia besnik” (Ligji i Përt. 7:9). Kjo cilësi është thelbësore për qenien e tij e pa këtë, nuk do të ishte Perëndi. Po të ishte i pabesë, Perëndia do të vepronte në kundërshtim me natyrën e tij, diçka kjo e pamundur: “Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten” (2 Tim. 2:13). Pabesia është një nga përsosmëritë e lavdishme të qenies së tij. Ai është i veshur me të: “O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo?” (Ps. 89:8). Kur Perëndia u mishërua, është thënë: “Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij” (Isa.11:5).
Çfarë fjale që kemi te Ps. 36:5. “O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë”. Mbi njohjen e kufizuar qëndron besnikëria e pandryshueshme e Perëndisë. Gjithçka rreth Perëndisë është e madhe, e gjerë dhe e pakrahasueshme. Ai nuk harron kurrë, nuk dështon kurrë, nuk lëkundet kurrë dhe nuk heq dorë kurrë nga fjala e tij. Të gjitha shpalljeve të premtimit apo profecisë Zoti u ka shtuar zotimet e besëlidhjes apo paralajmërimet që do të kryejë, sepse “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet. Kur ka thënë një gjë, nuk do ta bëjë? Ose kur ka shpallur një gjë, nuk do ta kryejë?” Prandaj besimtari deklaron: “Mëshirat e tij nuk janë mbaruar plotësisht. Përtëriten çdo mëngjes; e madhe është besnikëria jote” (Vajtimet 3:22-23).
Shkrimi është plot me ilustrime të besnikërisë së Perëndisë. Më shumë se 4000 vjet më parë, ai tha: “Deri sa të jetë toka, nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja dhe korrja, të ftohtit dhe të nxehtit, vera dhe dimri, dita dhe nata” (Zan.8:22). Çdo vit sjell një dëshmi të re të përmbushjes së premtimit nga Perëndia. Te Zanafilla 15 ne shohim se Jehovahu i shpalli Abrahamit “”Dije me siguri që pasardhësit e tu do të qëndrojnë si të huaj në një vend që nuk do të jetë i tyre, dhe do të jenë skllevër …Por në brezin e katërt ata do të kthehen këtu” (13-16). Kaluan shekuj të tërë dhe pasardhësit e Abrahamit nisën të rënkojnë nga mundimet e përgatitjes së tullave. A e ka harruar Perëndia premtimin? Aspak. Lexoni Eksodi 12:41 “Në fund të katërqind e tridhjetë vjetëve, pikërisht atë ditë, ndodhi që të gjitha radhët e Zotit dolën nga vendi i Egjiptit”. Zoti shpall nëpërmjet Isaias: “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” (7:14). Shekuj të tjerë kaluan por “kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje” (Gal.4:4).
Perëndia është besnik. Fjala që ka premtuar është e sigurtë. Ai është besnik në të gjitha marrëdhëniet me popullin e vet. Atij mund t’i besosh krejtësisht. Askush nuk i ka besuar atij më kot. Kjo e vërtetë e çmuar shprehet gati në çdo vend të Shkrimit, sepse populli i tij duhet ta dijë se besnikëria është një pjesë thelbësore e natyrës së Perëndia. Kjo është baza e besimit tonë në Të. Por ta pranosh besnikërinë e Perëndisë si të vërtetë hyjnore nuk është njësoj si të veprosh në bazë të kësaj të vërtete. Perëndia na ka dhënë shumë “premtime të mrekullueshme dhe të çmuara”, por a i besojmë seriozisht përmbushjes së tyre prej Perëndisë? A besojmë që ai të bëjë për ne gjithçka që ka thënë? A u besojmë me siguri të madhe fjalëve: “besnik është ai që premtoi” (Heb. 10:23)?
Ka periudha në jetën e çdo njeriu, kur edhe për të krishterin nuk është e lehtë që të besojë se Perëndia është besnik. Besimi ynë vihet seriozisht në provë, sytë tanë mbushen me lotë dhe ne nuk mund të dallojmë më veprat e dashurisë së tij. Veshët tanë shushaten nga zhurmat e botës dhe ngacmohen nga pëshpëritjet e pafe të Satanit, që na pengojnë të dëgjojmë zërin e tij të ëmbël. Planet e shpresuara kanë dështuar, miqtë tek të cilët jemi mbështetur na kanë zhgënjyer, një vëlla apo motër që shpall besimin në Krishtin na ka tradhëtuar. Ne tronditemi, sepse dëshironim të ishim besnikë ndaj Perëndisë por ja një re e errët na e fsheh atë. Mendja jonë mishore e ka mjaft të vështirë, madje të pamundur që të harmonizojë zemërimin e tij providencial me premtimet e tij të hirshme. O shpirt i ligështuar, shtegtar i sprovuar, kërko hir e dëgjo Isa.50:10 “Kush prej jush ka frikë nga Zoti dhe dëgjon zërin e shërbëtorit të tij? Kush ecën në terr pa asnjë dritë, le të ketë besim në emrin e Zotit dhe të mbështetet te Perëndia i tij!.
Kur tundohesh të dyshosh besnikërinë e Perëndisë, thërrit: “Shporru prej meje, djall”. Ndonëse nuk mund të harmonizosh veprimet e mistershme të Perëndisë me zotimet që ka bërë në dashurinë e tij, prit që të të jape më shumë dritë. Në kohën e tij do të ta bëjë të qartë. “”Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj” (Gjoni 13:7). E ardhmja do të tregojë se Perëndia as nuk e ka braktisur dhe as nuk e ka mashtruar fëmijën e tij. “Prandaj Zoti do të presë për t’ju dhënë hir, pastaj ai do të lartësohet, sepse i erdhi keq për ju, sepse Zoti është një Perëndi i drejtësisë. Lum të gjithë ata që kanë shpresë tek ai!” (Isa. 30:18).
“Mos e gjyko Zotin me arsyen tënde
Por besoji për hirin e tij,
Prapa zemërimit që shohim në veprat e providencës
Fshihet një buzëqeshje,
Merrni kurajo o ju shenjtorë të frikësuar,
Ato retë që ju trembin aq shumë,
Janë plot mëshirë dhe do të vërshojnë
Me bekime mbi kokën tuaj”.
“Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe” (Ps. 119:138). Perëndia jo vetëm që na ka treguar më të mirën, por edhe nuk e ka kursyer më të keqen. Ai e ka përshkruar me besnikëri rrënimin që ka sjellë Rënia në mëkat. Ai e ka zbuluar besnikërisht urrejtjen e tij të regjur ndaj të keqes dhe duhet ta ndëshkojë atë. Ai na ka paralajmëruar se “është një zjarr që konsumon” (Heb.12:29). Jo vetëm që Fjala e tij është plot me ilustrime për besnikërinë e tij në përmbushjen e premtimeve, por edhe me shembuj të shumtë të besnikërisë së tij për të realizuar kërcënimet. Çdo fazë e historisë së Izraelit e ilustron këtë fakt solemn. Po ashtu edhe me individët: Faraonin, Koreun, Akanin dhe shumë të tjerë janë prova të qarta. Dhe po ashtu do të ndodhë me ju, lexuesit e mi, nëse nuk keni apo nuk do të vraponi te Krishti, për t’u strehuar, flakët e përjetshme të Liqenit të Zjarrtë do të jenë pjesa juaj e sigurtë. Perëndia është besnik.
Perëndia është besnik në ruajtjen e popullit të tij. “Besnik është Perëndia, nga i cili jeni thirrur në bashkësinë e Birit të tij Jezu Krishtit, Zotit tonë” (1 Kor. 1:9). Në vargun e mëparshëm është premtuar se Perëndia do t’i përforcojë deri në fund të tijët. Besimi i apostullit në sigurinë absolute të besimtarëve nuk mbështetej në forcën e vendimeve, apo aftësinë e ngulmimit, por në vërtetësinë e atij që nuk mund të gënjejë. Meqenëse Perëndia i ka premtuar Birit të tij një popull të caktuar si trashëgimi të tij, që t’i shpengojë nga mëkati dhe dënimi dhe t’i bëjë pjesëmarrës të jetës së përjetshme në lavdi, është e sigurtë se nuk do të lejojë që askush prej tyre të humbasë.
Perëndia është besnik në disiplinimin e popullit të tij. Ai nuk është më pak besnik në atë që mban, sesa kur jep. Ai është po aq besnik kur dërgon si pikëllim, ashtu edhe gëzim. Besnikëria e Perëndisë është një e vërtetë për t’u rrëfyer jo vetëm kur jemi të qetë, por edhe kur ndodhemi nën qortimin më të fortë. Por, ky rrëfim nuk duhet të dalë nga goja por edhe nga zemra jonë. Kur Perëndia na godet me thuprën e ndreqjes, është pikërisht besnikëria që e ushtron atë. Ta pranosh atë do të thotë që të përulesh para tij, duke qenë të vetëdijshëm se e meritojmë plotësisht ndreqjen e tij dhe në vend që të murmurisim, ta falënderosh atë. Perëndia nuk na pikëllon asnjëherë pa arsye.
“Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe shumë vdesin” (1 Kor. 11:30), thotë Pali, duke e ilustruar këtë parim. Kur thupra e tij na godet, le të themi me Danielin “Zot, ty të përket drejtësia, por neve turpi i fytyrës” (9:7).
“Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde” (Ps.119:75). Hidhërimi dhe problemet jo vetëm që janë në përputhje me dashurinë e Perëndisë që është zotuar në besëlidhjen e përjetshme, por janë pjesë e administrimit të kësaj dashurie. Perëndia jo vetëm që është besnik edhe në mes të pikëllimeve, por besnik në dërgimin e tyre. “unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura, por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët. Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime” (Ps. 89:32-33). Ndreqja jo vetëm që përputhet me mirësinë e Perëndisë, por është efekti dhe shprehja e saj. Mendjet e besimtarëve të krishterë do të qetësoheshin nëse do të kujtonin se besëlidhja e tij e lidh atë që t’u jape ndreqjen e duhur. Pikëllimet janë të domosdoshme për ne: “Do të kthehem në vendin tim deri sa të njohin që janë fajtorë dhe do të kërkojnë me siguri fytyrën time; në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell” (Osea 5:15).
Perëndia është besnik në përlëvdimin e popullit të tij. “Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë” (1 Thes.5:24). Referenca është këtu për shenjtorët që janë të “ruajtur patëmeta deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht”. Perëndia na trajton jo në bazë të meritave tona (sepse nuk kemi asnjë të tillë), por për hir të emrit të tij. Perëndia është i qëndrueshëm ndaj vetes dhe qëllimit të tij të hirit: “ata që i thirri…ata edhe i përlëvdoi” (Rom. 8:30). Perëndia jep një demonstrim të plotë të qëndrueshmërisë së mirësisë së tij të përjetshme ndaj të zgjedhurve të tij, duke i thirrur nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme, gjë kjo që duhet t’i sigurojë ata plotësisht për vazhdimësinë e vet të sigurtë. “Themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur” (2 Tim.2:19). Pali prehej mbi besnikërinë e Perëndisë kur tha: “Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë” (2 Tim. 1:12).
Kuptimi i kësaj të vërtete të bekuar do të na ruajë nga shqetësimet. Të jesh plot merak, ta shohësh situatën nën një kënd të errët, të presësh të nesërmen me ankth, do të thotë të reflektosh jo si duhet mbi besnikërinë e Perëndisë. Ai që u kujdes për fëmijën e tij gjatë gjithë viteve, nuk do ta braktisë atë në pleqëri. Ai që ka dëgjuar lutjet tuaja në të kaluarën nuk do të refuzojë të plotësojë nevojat tuaja në krizën e tashme. Prehu mbi Jobi 5:19 “Nga gjashtë fatkeqësi ai do të të çlirojë, po, në të shtatën e keqja nuk do të të prekë”.
Kuptimi i kësaj të vërtete të bekuar do të ndalojë murmuritjet tona. Zoti e di se ç’është më e mira për secilin prej nesh dhe një nga efektet e të prehurit mbi këtë të vërtetë do të jetë qetësimi i ankesave tona idhnake. Perëndia nderohet jashtëzakonisht kur, edhe në prova dhe ndreqje, ne mendojmë si duhet për të, i japim të drejtë urtësisë dhe drejtësisë së tij dhe pranojmë dashurinë e tij në çdo qortim të tij.
Kuptimi i kësaj të vërtete të bekuar do të sjellë një besim gjithnjë e më në rritje te Perëndia. Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën” (1 Pjet.4:19). Kur i dorëzohemi me besim dhe i dorëzojmë të gjitha situatat tona në duart e tij, të bindur krejtësisht për dashurinë e besnikërinë e tij, aq më shpejt do të kënaqemi me providencat e tij dhe do të kuptojmë se “ai i bën çdo gjë përsosmërisht”.