Për këtë subjekt është shkruar shumë më pak se për çdo subjekt tjetër, që ka të bëjë me përsosmëritë e natyrës Hyjnore. Shumë teologë që janë zgjeruar jashtë mase mbi atributet hyjnore e kanë anashkaluar durimin e Perëndisë pa bërë asnjë koment. Nuk është e lehtë të japësh një arsye për këtë, sepse sigurisht që durimi i Perëndisë është një nga përsosmëritë e tij siç është edhe urtësia, fuqia apo shenjtëria dhe duhet admiruar njësoj prej nesh. Vërtet që këtë shprehje aktuale nuk e gjejmë po aq shpesh në konkordancë, sa ato të atributeve të tjera, por lavdia e këtij hiri shkëlqen në çdo faqe të Shkrimit. Sigurisht që humbasim shumë nëse nuk meditojmë shpesh mbi durimin e Perëndisë dhe lutemi me zjarr që zemrat dhe ecja jonë të jetë më e komformuar me të.
Ka shumë mundësi që shumë shkrime nuk kanë arritur që të na japin diçka, në lidhje me durimin e Perëndisë për shkak të vështirësisë për të dalluar këtë atribut nga mirësia e Perëndisë dhe mëshira, sidomos këtë të fundit. Durimi i Perëndisë përmendet vazhdimisht në lidhje me hirin dhe mëshirën e tij, siç mund të shihet te Eksodi 34:6, Numrat 14:18, Ps.86:15, etj. Nuk mund të mohohet se durimi i Perëndisë është një nga manifestimet e shpeshta të mëshirës së tij. Por nuk mund ta pranojmë se ky durim dhe mëshirë janë e njëjta përsosmëri dhe nuk duhet të ndahen. Megjithatë nuk është e lehtë që të dallohen dhe Shkrimi na përligj që të pohojmë disa gjëra mbi diçka, që nuk mund ta bëjmë për diçka tjetër.
Ja si e përkufizon shkrimtari puritan, Stivën Çarnok, durimin e Perëndisë:
Ёshtë pjesë e mirësisë dhe mëshirës hyjnore, e e megjithatë ndryshon nga të dyja. Perëndia, si mirësia e përkryer, ka butësinë më të madhe, butësia është gjithnjë shoku i mirësisë së vërtetë dhe sa më e madhe mirësia, aq më e madhe butësia. Kush është aq i shenjtë sa Krishti dhe kush është aq zemërbutë? Ngadalësia e Perëndisë në zemërim është një degë…e mëshirës së Tij: “Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi” (Ps. 145:8). Ndryshon nga dëshira, përsa i përket konsideratës formale të objektit: mëshira e respekton krijesën si të mjerë, durimi respekton krijesën si kriminel; mëshira e mëshiron atë në mjerimin e tii dhe durimi duron mëkatin që shkaktoi mjerimin dhe sjell edhe më shumë.
Personalisht, ne do ta përkufizonim durimin Hyjnor si atë pushtet kontrolli që Perëndia e ushtron mbi veten, duke bërë që të duroj të këqinjtë dhe të durojë gjatë pa i ndëshkuar ata. Te Nahumi 1:3 ne lexojmë: “Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh” dhe për këtë, zoti Çarnok thotë:
Njerëzit e famshëm të botës janë plot pasion dhe nuk janë të shpejtë për të falur një ofendim, apo për të duruar një ofendues, si i një rangu më të ulët. Mungesa e kontrollit që ka për veten e bën atë që të bëjë gjëra të pahijshme si rezultat i një provokimi. Një princ që mund të frenojë pasionin është mbret mbi veten, ashtu si është edhe mbi subjektet e mbretërisë së tij. Perëndia është i ngadalshëm në zemërim sepse është pushtetmadh. Ai nuk ka më pak pushtet mbi Veten nga sa ka mbi krijesat e tij.
Pikërisht këtu, besojmë se durimi i Perëndisë dallohet shumë qartë nga mëshira e tij. Megjithëse krijesa përfiton, durimi i Perëndisë kryesisht respekton veten, një kufizim që u vihet veprimeve të tij prej vullnetit të tij, kurse mëshira e tij konsumohet krejtësisht mbi krijesën. Durimi i Perëndisë është përsosmëria që e bën të durojë ofendime të mëdha pa asnjë reagim hakmarrës. Ai e ka pushtetin e durimit dhe atë të drejtësisë. Fjala hebraike për durimin hyjnor është përkthyer “ngadaltë në zemërim” te Neh.9:17, Ps.103:8, etj. Jo se natyra Hyjnore përmban pasione, por se urtësia dhe vullneti i Perëndisë kënaqet që të veprojë në përputhje me vetëpërmbajtjen dhe dinjitetin, që i ka hije madhështisë së tij të lartësuar.
Në mbështetje të përkufizimit tonë le të theksojmë se pikërisht kësaj përsosmërie të natyrës Hyjnore iu drejtua Moisiu, kur Izraeli mëkatoi rëndë në Kadesh-Barnea dhe e provokoi seriozisht Jehovahun. Zoti i tha shërbëtorit të tij: “Do t’i godas me murtajë dhe do t’a shkatërroj”. Atëherë, ndërmjetësuesi i popullit, Moisiu, si një lloj Krishti që do të vinte “Por tani, të lutem, le të shfaqet fuqia e Zotit tim në madhështinë e saj, ashtu si fole duke thënë: Zoti është i ngadaltë në zemërim” etj (Numrat 14:17). Pra, “ngadalësia e tij në zemërim” është “fuqia” e tij e vetë-përmbajtjes.
Përsëri te Rom.9:22 ne lexojmë: “Dhe çfarë të thuash nëse Perëndia, duke dashur të tregojë zemërimin e tij dhe të bëjë të njohur pushtetin e tij duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje…?”. Po t’i kishte prishur menjëherë Perëndia këto enë rebele, pushteti i tij i vetëpërmbajtjes nuk do të ishte shfaqur qartë, por duke duruar ligësinë e tyre dhe duke duruar ndëshkimin për shumë kohë, pushteti i durimit të tij u demonstrua lavdishëm. Vërtet që të këqinjtë e interpretojnë zemërgjerësinë e tij ndryshe “Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen” (Predikuesi 8:11), por syri i vajosur admiron atë që ata abuzojnë.
“Perëndia e durimit” (Rom. 15:5) është një nga titujt e Perëndisë. Së pari, sepse Perëndia është si Autori, ashtu edhe Objekti i hirit të durimit tek shenjtori. Së dyti, sepse kështu është ai në vetvete: durimi është një nga përsosmëritë e tij. Së treti, si model për ne: “Vishuni, pra, si të zgjedhur të Perëndisë, shenjtorë dhe të dashur, me dhembshuri të brendshme, mirësinë, përulësinë, zemërbutësinë dhe me durimin” (Kol.3:12). Dhe përsëri “Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur” (Efes. 5:1). Kur tundoheni që të mërziteni nga dikush, ose që t’i hakmerreni diokujt që ju ka bërë keq, kujtoni durimin dhe zemergjerësinë e pafund të Perëndisë.
Durimi i Perëndisë shfaqet në mënyrën sesi vepron me mëkatarët. Sa mrekullueshëm u shfaq ndaj atyre para përmbytjes së botës. Kur njerëzimi ishte degjeneruar mbarë botën dhe i gjithë mishi ishte i prishur, Perëndia nuk i shkatërroi ata pa i paralajmëruar dhe “priti” (1 Pjet.3:20), mbase jo më pak se 120 vjet (Zan.6:3), kohë gjatë së cilës Noueu ishte një “predikues i drejtësisë” (2 Pjet. 2:5). Pra, më vonë, kur johebrenjtë jo vetëm që adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të Krijuesit, por edhe kryen neveritë më të poshtra, që binin ndesh edhe me diktimet e natyrës (Rom. 1:19-26) duke mbushur kështu masën e paudhësive, Perëndia nuk e zhveshi shpatën për t’i shfarosur këta rebelë, Perëndia “la që të gjitha kombet të ndjekin rrugët e tyre; por nuk e la veten e vet pa dëshmi, duke bërë mirë, duke na dhënë shira prej qiellit dhe stinë të frytshme” (Veprat 14: 16-17).
Durimi i Perëndisë u shfaq mrekullisht ndaj Izraelit. Së pari, ai “për afro dyzet vjet i duroi në shkretëtirë” (Veprat 13:18). Më vonë, kur u futën në Kanaan por ndoqën zakonet e liga të kombeve që i rrethonin dhe u kthyen në idhujtari, megjithëse Perëndia i fshikulloi fort, nuk i shkatërroi krejtësisht por ngriti në pikëllimin e tyre çlirimtarë. Kur paudhësia e tyre arriti deri aty sa vetëm një Perëndi me një durim të pafund mund t’i duronte, ai i kurseu për shumë vite para se të lejonte që të shpërnguleshin në Babilon. Më në fund, kur rebelimi i tyre ndaj tij arriti kulmin, me kryqëzimin e Birit të tij, ai priti për 40 vjet, para se t’u dërgonte romakët dhe kjo, vetëm pasi nuk e kishin “çmuar veten të denjë për jetën e përjetshme” (Veprat 13:46).
Sa i mrekullueshëm është sot durimi i Perëndisë ndaj botës. Nga çdo anë njerëzit mëkatojnë pa kufi. Ligji i Perëndisë nëpërkëmbet dhe vetë Perëndia përbuzet. Sa e mrekullueshme që Perëndia nuk i godet menjëherë për vdekje ata që e kanë provokuar atë paturpësisht. Pse ai nuk i asgjëson papritmas të pabesin arrogant dhe blasfemuesin e bujshëm, siç bëri me Ananian dhe Safirën? Pse ai nuk bën që toka të hapë gojën dhe të gllabërojë përndjekësit e popullit të tij, në mënyrë që si Datani dhe Abirami, ata të zbresin të gjallë në ferr? Po për të krishterët rebelues që tolerojnë dhe praktikojnë çdo formë të mundshme të mëkatit nën mbulesën e emrit të shenjtë të Krishtit? Pse nuk u jep fund zemërimi i drejtë i qiellit neveritjeve të tilla? Ka vetëm një përgjigje: sepse Perëndia “duroi me shumë zemërgjërësi enët e zemërimit që qenë bërë për prishje?”.
Po autori dhe lexuesi? Le të shohim jetët tona. Nuk ka kaluar shumë kohë që nga koha kur ndiqnim shumicën, për të bërë të keqen, nuk donim fare t’ia dinim për lavdinë e Perëndisë dhe jetonim vetëm për të kënaqur veten. Sa me durim u soll ndaj sjelljes sonë të poshtër? Dhe tani që hiri na ka nxjerrë nga zjarri dhe na ka dhënë një vend në familjen e Perëndisë dhe na ka ngjizur në një trashëgimi të përjetshme në lavdi, sa keq e shpërblejmë. Sa e cekët mirënjohja jonë, sa e ngadaltë bindja jonë e sa i shpeshtë rebelimi ynë! Perëndia e lejon mishin që të mbetet te besimtari që të jetë i “durueshëm ndaj nesh” (2 Pjet.3:9). Duke qenë se ky atribut hyjnor shfaqet vetëm në këtë botë, Perëndia ua zbulon të “tijëve”.
Meditimet tona ndaj kësaj përsosmërie hyjnore zbutshin zemrat e ndërgjegjet tona dhe mësofshim në shkollën e përvojave të shenjta “durimin e shenjtorëve”, nënshtrimin ndaj vullnetit hyjnor dhe vazhdimësinë në veprat e mira. Le të kërkojmë hir me zell për ta ndjekur këtë përsosmëri hyjnore. “Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej” (Mat.5:48). Në kontekstin e drejtpërdrejtë të këtij vargu, Krishti na nxit që të duam armiqtë tanë, të bekojmë ata që na mallkojnë, t’u bëjmë mirë atyre që na urrejnë. Perëndia i duron shumë të këqinjtë, pavarësisht nga shumica e mëkateve të tyre dhe a do të dëshirojmë të hakmerremi për shkak të një dëmtimi të vogël?