Tre gjëra na thuhen në shkrimet e shenjta në lidhje me natyrën e Perëndisë. Së pari, “Perëndia është frymë” (Gjoni 4:24). Në greqisht, nuk ka nyje të shquar dhe të thuash “Perëndia është frymë” është shumë e kundërshtueshme, sepse e vë në një rang me të tjerët. Perëndia është “frymë” në kuptimin më të lartë. Meqë është “frymë”, ai është pa trup, pa asnjë substancë të dukshme. Po të kishte trup të prekshëm, nuk do të ishte i gjithpranishëm, por do të kufizohej ndaj një vendi të caktuar sepse është “frymë”, mbush qiellin e tokën. Së dyti, “Perëndia është dritë” (1 Gjoni 1:5), që është e kundërta e errësirës. Te Shkrimi, “errësira” simbolizon mëkatin, të keqen, vdekjen, ndërsa “drita” shenjtërinë, mirësinë dhe jetën. Së treti, “Perëndia është dashuri” (1 Gjoni 4:8). Jo se Perëndia “do” por ai është vetë dashuria. Dashuria nuk është thjesht një nga atributet e tij, por vetë natyra e tij.
Ka shumë sot që flasin mbi dashurinë e Perëndisë, të cilët janë krejt të huaj ndaj Perëndisë së dashurisë. Dashuria hyjnore shihet zakonisht si një farë dobësie e këndshme, një farë plotësimi i natyrshëm, që kthehet në një sentiment të thjeshtë të sëmurë, që imiton emocionet njerëzore. Por në fakt, edhe këtu si kudo gjetkë, mendimet tona duhet të formohen e rregullohen nga zbulesa e Shkrimeve. Domosdoshmëria urgjente për këtë, shihet jo vetëm nga padituria që mbizotëron zakonisht, por edhe nga niveli i ulët i përshpirtshmërisë që shfaqet kudo, në mes të krishterëve të shpallur. Sa pak dashuri të vërtetë ka për Perëndinë. Një nga arsyet kryesore për këtë është interesimi shumë i vogël i zemrave tona për këtë dashuri të mrekullueshme ndaj popullit të tij. Sa më shumë njihemi me dashurinë e tij, karakterin, plotësinë e bekimin e tij, aq më shumë do të tërhiqen zemrat tona ndaj tij me dashuri.
1. Dashuria e Perëndisë është e pandikueshme. Me këtë duam të themi, se nuk kishte asgjë në objektet e dashurisë së tij që ta nxiste zbatimin e saj, asgjë në krijesat për ta joshur ose nxitur atë. Dashuria që ka një krijesë për një tjetër ndodh për shkak të diçkaje që sheh te objekti, por dashuria e Perëndisë është e lirë, spontane, e pa nxitur nga ndonjë shkak. Arsyeja e vetme pse Perëndia do dikënd ka lidhje me vullnetin e tij sovran: “Zoti nuk e ka vënë dashurinë e tij mbi ju, as nuk ju ka zgjedhur, sepse nuk ishit më të shumtë nga asnjë popull tjetër; ju ishit në fakt më i vogli i të gjithë popujve; por sepse Zoti ju do” (Ligji i Përt. 7:7-8). Perëndia e ka dashur popullin e tij nga përjetësia dhe prandaj, asgjë që ka të bëjë me krijesën nuk mund të jetë shkak i asaj që gjendet te Perëndia. Ai do për shkak të vetvetes: “sipas qëllimit të tij” (2 Tim.1:9).
“Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari” (1 Gjoni 4:19). Perëndia nuk na deshi, sepse ne e deshëm, por na deshi para se të kishim një farë dashurie për të. Po të na donte Perëndia si shpërblim për tonën, atëherë nuk do të ishte spontane nga ana e tij, por sepse na deshi kur nuk ishim për t’u dashur, është e qartë se dashuria e tij është e pandikueshme. Ka shumë rëndësi, që Perëndia të nderohet dhe zemra e fëmijës të forcohet, që të jemi të qartë mbi këtë të vërtetë të çmuar. Dashuria e Perëndisë për mua dhe për secilin prej të “tijëve” nuk u ndikua fare nga diçka që gjendej në ne. Cila ishte ajo gjë tek unë që preku zemrën e Perëndisë? Absolutisht asgjë. Përkundrazi, çdo gjë te unë e largonte atë, i sillte urrejtje, një qënie mëkatare, e prishur, pa “asgjë të mirë” në vetvete.
Çfarë mund të meritonte tek unë nderim
Ose mund t’i jepte Krijuesit kënaqësi?
Por të pëlqeu ty o Atë,
Ndaj unë përjetë do të të këndoj lavde
2. Ёshtë e përjetshme. Kështu duhet të ndodhte, sepse Perëndia është vetë i përjetshëm dhe Perëndia është dashuri, prandaj, ashtu si vetë Perëndia nuk ka patur fillim, edhe dashuria e tij nuk ka fillim. Duke qenë se një koncept i tillë e tejkalon kuptimin e mendjeve tona të brishta, ne duhet të përkulemi në adhurim, atëherë kur nuk mund të kuptojmë. Sa e qartë është dëshmia te Jeremia 31:3. “të kam dashur me një dashuri të përjetshme; prandaj të kam tërhequr me dashamirësi”. Ç’bekim të dish se Perëndia i madh e i shenjtë i deshi të tijët, edhe para se të krijoheshin qielli e toka, se e fiksoi zemrën e tij mbi ta, që nga përjetësia. Këtë e tregon qartë fakti që dashuria e tij është spontane, sepse i ka dashur shekuj para se të ekzistonin.
Po kjo e vërtetë e çmuar na paraqitet te Efes.1:4-5: “sikurse na zgjodhi në të përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri, duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet”. Ç’lavdërim duhet të nxisë kjo te fëmijët e tij! Sa qetësuese kjo për zemrën: meqenëse dashuria e Perëndisë ndaj meje nuk kishte fillim, nuk do të ketë as fund!. Meqenëse është e vërtetë se “nga përjetësia në përjetësi” ai është Perëndi dhe meqenëse Perëndia është “dashuri”, atëherë është po aq e vërtetë se “nga përjetësia në përjetësi” ai i do të tijët.
3. Ёshtë sovrane. Kjo është vetë-dëshmuese. Vetë Perëndia është sovran, nuk i ka kujt detyrim, është vetë ligj-vënësi, duke vepruar gjithnjë sipas kënaqësisë së tij mbretërore. Meqë Perëndia është sovran dhe dashuri, rrjedh domosdoshmërish se dashuria e tij është sovrane. Meqë Perëndia është Perëndi, ai bën ç’të dojë. Ja çfarë pohon vetë: “E desha Jakobin dhe e urreva Ezaun” (Rom.9:13). Te Jakobi nuk gjendeshin më shumë merita që të ishte ishte objekt i dashurisë hyjnore sesa te Esau. Kishin të njëjtët prindër dhe kishin lindur në të njëjtën kohë, ishin binjakë dhe megjithatë Perëndia deshi njërin dhe urreu tjetrin. Pse? Sepse kështu i pëlqeu.
Sovraniteti i dashurisë së Perëndisë rrjedh domosdo nga fakti që është i pandikueshëm nga çdo gjë që gjendet te krijesat. Pra, të pohosh se shkaku i dashurisë së tij gjendet te vetë Perëndia, do të thotë të thuash se ai do atë që i pëlqen të dojë. Supozo të kundërtën për një çast. Supozo sikur dashuria e Perëndisë të përcaktohej nga çdo gjë tjetër përveç vullnetit të tij, atëherë ai do të donte me sundim force dhe duke dashur me sundim force, do të ishte nën ligjin e dashurisë e si rrjedhim, në vend që të ishte i lirë, vetë Perëndia do të sundohej nga ligji. “në dashuri, duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas”…kujt?. Ndonjë cilësie të përsosur që kishte paraparë në ta? Aspak! E po atëherë? “Sipas pëlqimit të vullnetit të vet” (Efes.1:4-5).
4. Ёshtë e pafund. Gjithçka rreth Perëndisë është e pafund. Esenca e tij mbush tokën dhe qiellin. Urtësia e tij është e pakufizueshme, sepse njeh gjithçka nga e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Pushteti i tij është i pakufizuar, sepse nuk ka asgjë të vështirë për të. Pra dashuria e tij është pa kufi. Ka një thellësi që askush nuk mund ta nxërë, ka një lartësi së cilës askush nuk mund t’i ngjitet, ka një gjatësi dhe gjerësi që nuk mund të matet me anë të ndonjë standardi krijesash. Kjo shprehet bukur te Efes.2:4 “Por Perëndia, që është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi”: fjala “madhe” është e ngjashme me “Perëndia e deshi aq” te Gjoni 3:16. Na thuhet se dashuria e Perëndisë është ashtë e paparritshme, sa nuk mund të matet.
Asnjë gjuhë nuk mund ta shprehë plotësisht pafundësinë e dashurisë së Perëndisë e asnjë mendje nuk mund ta kuptojë atë sepse e “tejkalon njohjen” (Efes. 3:19). Idetë më të gjera që një mendje e fundme mund të formojë mbi dashurinë Hyjnore, janë pafundësisht nën natyrën e vërtetë. Qielli nuk është aq larg tokës sa mirësia e Perëndisë është përtej konceptimeve që ngrihen më shumë, të cilat ne mund t’i formojmë. Ёshtë një oqean që dallgëzohet më lart sesa të gjitha malet e kundërshtisë ndaj objekteve të saj. Ajo është një burim prej nga rrjedh çdo gjë e mirë e domosdoshme për ata që janë të interesuar ndaj saj. Xhon Brain, 1743
5. Ajo është e pandryshueshme. Ashtu si vetë Perëndia, “nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17), edhe dashuria e tij nuk njeh as ndryshim e as pakësim. I mjeri Krimbi Jakob jep një shembull të fuqishëm të kësaj: “Jakobin kam dashur” shpalli Jehovahu dhe pavarësisht nga mosbesimi dhe kokëfortësia, ai nuk rreshti kurrë së dashuri atë. . Gjoni 13:1 na jep një tjetër ilustrim tjetër të bukur. Po atë natë kur një nga apostujt tha “Zbulona Atin”, një tjetër e mohoi me mallkime. Të gjithë u skandalizuan dhe e braktisën. Por “duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund”. Dashuria hyjnore nuk njeh ndryshueshmëri por është e “fortë si vdekja…shumë ujëra nuk mund ta mposhtin” (Kënga e Këngëve 8:6-7). Asgjë nuk mund të na ndajë prej saj (Rom. 8:35-39).
“Dashuria e tij nuk njeh as fund e as masë,
Asgjë nuk ia ndërron drejtimin,
Njësoj rrjedh përjetësisht,
Nga një burim i përjetshëm në tjetrin”.
6. Ёshtë e shenjtë. Dashuria e Perëndisë nuk diktohet nga tekat, pasionet apo ndjenjat, por parimi. Ashtu si hiri i tij mbretëron jo për llogari të saj, por “përmes drejtësisë” (Rom.5:21), edhe dashuria e tij nuk bie kurrë në kundërshtim me shenjtërinë e tij. “Perëndia është dritë” (1 Gjoni 1:5) përmendet para “Perëndia është dashuri” (1 Gjoni 4:8). Dashuria e Perëndisë nuk është thjesht një dobësi e përzemërt apo butësi femërore. Shkrimi shpall: “sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen” (Heb.12:6). Perëndia nuk e toleron mëkatin, edhe atë të të tijëve. Dashuria e tij është e pastër, e papërzier me çdo sentimentalizëm qaravitës.
7. Ёshtë e hirshme. Dashuria dhe favori i Perëndisë janë të pandashme. Kjo shfaqet qartë te Rom.8:32-39. Mund të kuptohet se cila është kjo dashuri, prej nga nuk ka “ndarje”, konceptohet lehtë nga qëllimi e kontekstit të drejtpërdrejtë: është mirëdashja dhe hiri i Perëndisë që e nxiti të jepte Birin e tij për mëkatarët. Kjo dashuri ishte fuqia impulsive e mishërimit të Krishtit: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin” (Gjoni 3:16). Krishti vdiq jo që të bënte Perëndinë të na donte, por sepse i desh të tijët. Kalvari është demonstrimi supreme i dashurisë hyjnore. Sa herë që tundohesh për të dyshuar dashurinë e Perëndisë, lexues i krishterë, kthehu te Kalvari.
Ja sa shumë arsye për të besuar e duruar nën pikëllimin hyjnor. Krishti ishte në dashurinë e Atit e megjithatë nuk u përjashtua nga varfëria, sëmundja dhe përndjekja. Ai kishte uri dhe etje. Kur Krishti i lejoi që të pështynin mbi të dhe ta godisnin, nuk ishte e papajtueshme me dashurinë e Perëndisë. Atëherë asnjë i krishterë të mos ta vërë në pikëpyetje dashurinë e Perëndisë kur kalon përmes mundimeve e provave të dhimbshme. Perëndia nuk i dha Krishtit në jetën tokësore begati të përkohshme, sepse “nuk kishte ku të vinte kokën”. Por i dha Frymën “pa masë” (Gjoni 3:3:34). Mësoni atëherë që bekimet frymërore janë dhuratat kryesore të dashurisë hyjnore. Ç’bekim të dish se kur bota na urren, Perëndia na do!