Sa e trishtueshme të shohësh aq shumë të krishterë të shpallur që e konsiderojnë zemërimin e Perëndisë si diçka për të cilën duhet të shfajësohen, ose që së paku do të donin të mos ekzistonte. Ndërsa disa nuk do të arrinin deri aty sa ta pranonin haptazi se e shohin si të metë të natyrës hyjnore e megjithatë nuk e shohin aspak si diçka ku mund të kënaqen; ata nuk duan të mendojnë për të dhe rrallë e dëgjojnë të përmendet pa një inat të fshehtë në zemrat e tyre kundër këtij atributi. Edhe ata që janë më të pjekur në gjykim, pandehin se është e frikshme që të reflektojnë me dobi mbi këtë temë, sepse zemërimi hyjnor është diçka e rëndë. Kurse të tjerë mashtrohen nga ideja se zemërimi i Perëndisë nuk pajtohet me mirësinë e tij dhe përpiqen ta flakin nga mendimet e tyre.
Por ka dhe shumë që e shmangin idenë e zemërimit të Perëndisë, sikur të jenë thirrur që të gjejnë ndonjë të metë në natyrën apo qeverisjen e tij. Por çfarë thotë Shkrimi? Ndërsa u kthehemi shkrimeve, shohim se Perëndia nuk ka dashur që të fshehë faktet në lidhje me zemërimin e tij. Ai nuk ka turp që të zbulojë se haku dhe furia i përkasin atij. Ja sfida e tij: “Tani e shikoni që unë jam Ai dhe që nuk ka Perëndi tjetër përbri meje. Unë të bëj që të vdesësh dhe të jetosh, unë të plagos dhe të shëroj, dhe nuk ka njeri që mund të të lirojë nga dora ime. Po, unë ngre dorën time në drejtim të qiellit dhe them: Unë jetoj për gjithnjë, kur të mpreh shpatën time dhe dora ime të përgatitet të gjykojë, do të hakmerrem me armiqtë e mi dhe do të shpërblej ata që më urrejnë” (Ligji i Përt. 32: 39-41). Një studim i konkordancës do të zbulojë se ka më shumë referenca te Shkrimi ndaj zemërimit, furimit dhe zemëratës të Perëndisë, sesa ka ndaj dashurisë dhe butësisë së tij. Meqë Perëndia është i shenjtë, ai e urren çdo mëkat dhe meqë urren çdo mëkat, zemërimi i tij digjet kundër mëkatarit (Ps. 7:11).
Në fakt, zemërimi i Perëndisë është një atribut po aq hyjnor sa besnikëria, fuqia apo mëshira e tij. Kështu duhet të jetë, pasi nuk ka asnjë të metë, në natyrën e Perëndisë, por nëse “zemërimi” nuk do të ishte i pranishëm në të, do të kishte të meta! Indiferenca ndaj mëkatit është një e metë morale dhe ai që nuk e urren atë është një lebroz nga ana morale. Si mundet që Kreu i çdo përsosmërie t’i shikojë njësoj si virtytin edhe vesin, si urtësinë ashtu edhe marrëzinë? Si mundet që ai i cili është pafundësisht i shenjtë ta shpërfillë mëkatin dhe të refuzojë shfaqjen e “rreptësisë” së tij (Rom.9:22) ndaj tij? Si mundet ai që kënaqet vetëm në atë që është e pastër dhe e dashur, të mos ta urrejë atë që është e papastër dhe e poshtër? Vetë natyra e Perëndisë e bën ferrin po aq të domosdoshëm, urgjent dhe përjetësisht të nevojshme sa ç’është qielli. Jo vetëm që nuk ka të meta te Perëndia, por nuk mund të ketë të metë tek ai që është më pak i përsosur sesa tjetri.
Zemërimi i Perëndisë është neveria e përjetshme që ai ka ndaj çdo padrejtësie. Ёshtë pakënaqësia dhe indinjata e barazisë hyjnore kundër të së keqes. Ёshtë shenjtëria e Perëndisë që vihet në veprim kundër mëkatit. Ёshtë shkaku që e nxit Perëndinë që të shpallë vendimin ndaj keqbërësve. Perëndia është i zemëruar me mëkatin, sepse është rebelim kundër pushtetit të tij, mëkat ndaj sovranitetit të tij të pacënueshëm. Kryengritësit kundër sundimit të Perëndisë do ta marrin vesh se Perëndia është Zoti. Do ta kuptojnë mirë sesa i madh është i Lartmadhërishmi, të cilin ata përbuzin dhe sa e tmerrshme është zemërata e tij kërcënuese, që ata e kanë shpërfillur. Jo se zemërimi i Perëndisë është një hakmarrje keqdashëse dhe plot ligësi, duke shkaktuar të keqen për shkak të së keqes së bërë ndaj tij. Jo, aspak, Perëndia do të përligjë sundimin e tij, si Sunduesi i gjithësisë, pa qenë hakmarrës.
Ky zemërim hyjnor është një nga përsosmëritë e Perëndisë dhe kjo nuk shihet vetëm nga çfarë konsideruam më lart, por edhe nga deklaratat e qarta të Fjalës së tij. “Sepse zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli” (Rom.1:18). Ja çfarë komenton mbi këtë varg Robert Haldein:
U zbulua kur dënimi me vdekje u shpall për herë të parë, toka u mallkua dhe njeriu u dëbua nga parajsa tokësore dhe më pas nga shembuj të tillë të ndëshkimit, si ato në rastin e përmbytjes dhe shkatërrimit të qyteteve të Rrafshinës me zjarr nga qielli, por sidomos nga mbretërimi i vdekjes në botë.U shpall në mallkimin e ligjit mbi çdo shkelje dhe u mishërua në institucionin e flijimeve dhe në të gjitha shërbimet e periudhës së Moisiut. Në kapitullin e tetë të kësaj letre, apostulli u tërheq vëmendjen besimtarëve me faktin se i tërë krijimi i është nënshtruar kotësisë dhe rënkon në dhimbje. Po ai krijim që shpall se ka një Perëndi dhe zbulon lavdinë e tij, provon gjithashtu se Ai është Armiku i mëkatit dhe Hakmarrësi i krimeve të njerëzve…Por mbi të gjitha, zemërimi i Perëndisë u zbulua nga qielli kur Biri i Perëndisë zbriti në tokë për të shfaqur natyrën hyjnore dhe kur zemërimi u shfaq në vuajtjet dhe vdekjen e tij, më tmerrësisht sesa të gjitha shenjat e dhëna më parë nga Perëndia, për pakënaqësinë e tij kundër mëkatit. Po ashtu, dënimi i ardhshëm dhe i përjetshëm i të këqinjve shpallet tashmë në mënyrë më solemne dhe të qartë sesa më parë. Në këtë periudhë të re, ka dy zbulesa të dhëna nga qielli, ai i zemërimit dhe ai i hirit.
Përsëri, fakti që zemërimi i Perëndisë është një përsosmëri hyjnore shfaqet qartë nga çfarë lexojmë te Ps. 95:11: “Prandaj u betova në zemërimin tim”. Perëndia “betohet” kur bën premtime (Zan.22:16) dhe shpall gjykime (Ligji i Përt.1:34 e në vijim). Në rastin e parë, u betohet bijve të tij në mëshirë, kurse në të dytin, betohet që t’ia heqë trashëgiminë një brezi të lig, për shkak të murmuritjeve dhe mosbesimit. Një betim është për miratim solemn (Heb. 6:16). Te Zanafilla 22:16, Perëndia thotë “Unë betohem për veten time”. Te Ps. 89:35, ai shpall “Jam betuar një herë për shenjtërinë time”. Pra, Perëndia Jehova flet vetë për “zemërimin” e tij, si për një përsosmëri të barabartë me “shenjtërinë” e tij: ai betohet edhe për shenjtërinë, edhe për zemërimin!. Përsëri, duke qenë se në Krishtin “banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kol.2:9) dhe ashtu si të gjitha përsosmëritë hyjnore shfaqen në mënyrë ilustruese prej tij (Gjoni 1:18), prandaj ne lexojmë për “zemërimin e Qengjit” (Zbul.6:16).
Zemërimi i Perëndisë është një përsosmëri e natyrës hyjnore mbi të cilën duhet të meditojmë shpesh. Së pari, që zemrat tona të impresionohen si duhet nga urrejtja që Perëndia ka për mëkatin. Ne jemi gjithnjë të prirur ta konsiderojmë mëkatin lehtë, të lustrojmë shëmtinë e tij-të nxjerrim pretekste ndaj tij. Por sa më shumë që studiojmë dhe reflektojmë për urrejtjen e Perëndisë ndaj mëkatit dhe zemërimin e tij të tmerrshëm ndaj tij, aq më shumë e kuptojmë neverinë e tij. Së dyti, që të kultivojmë një frikë të vërtetë në shpirtrat tanë për Perëndinë: “Prandaj, duke marrë mbretërinë të patundur, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë, sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon” (Heb.12:28-29). Ne nuk mund t’i shërbejmë atij “në një mënyrë të pëlqyeshme” pa “nderim” për Madhështinë e tij të tmerrshme dhe “frikën e perëndishme” ndaj zemërimit të tij të drejtë, të cilat nxiten nga vetëdija se “Perëndia ynë është një zjarr që konsumon”. Së treti, të tërheqë shpirtrat tanë në lavdërim të zjarrtë për çlirimin nga “zemërimi që do të vijë” (1 Thes.1:10).
Gatishmëria apo ngurrimi ynë për të medituar mbi zemërimin e Perëndisë bëhet një test i sigurt për qëndrimin e vërtetë të zemrave tona ndaj tij. Nëse nuk gëzohemi me të vërtetë te Perëndia, për atë që ai është në vetvete dhe kjo për shkak të të gjitha përsosmërive që banojnë përjetësisht te ai, atëherë si mund të banojë te ne dashuria e Perëndisë? Secili prej nesh duhet të jetë vigjilent me shumë lutje kundër sajimit të një shëmbëllimi të Perëndisë në mendimet tona, që është modeluar pas prirjeve tona të këqija. Nga përjetësia Zoti ankohet “Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty” (Ps.50:21). Nëse nuk ngazëllohemi në “emrin e tij të shenjtë” (Ps. 97:12), nëse nuk gëzohemi dhe nuk e dimë se shpejt, do të vijë dita kur Perëndia do të shfaqë lavdishëm zemërimin e tij, duke u hakmarrë mbi tërë ata që e kundërshtojnë tani atë, tregon qartë se zemrat tona nuk u nënshtrohen atij, jemi ende në mëkatet tona dhe se na presin flakët e përjetshme.
“Gëzohuni, o kombe, bashkë me popullin e tij, sepse Zoti merr hak për gjakun e shërbëtorëve të tij, merr hak kundër kundërshtarëve të tij” (Ligji i Përt. 32:43). Përsëri lexojmë: “Dhe pas këtyre dëgjova në qiell zërin e madh të një turme të shumtë, duke thënë: “Aleluja! Shpëtimi, dhe lavdia, dhe nderimi, dhe fuqia i përkasin Zotit, Perëndisë sonë, sepse të vërteta dhe të drejta janë gjykimet e tij! Ai në fakt gjykoi laviren e madhe, që e prishi dheun me kurvërinë e saj, dhe mori hak për gjakun e shërbëtorëve të vet të derdhur prej dorës së saj”. Dhe thanë për të dytën herë: “Aleluja!” (Zbul.19:1-5). I madh do të jetë gëzimi i shenjtorëve atë ditë kur Zoti do të përligjë madhështinë e tij, do të ushtrojë sundimin e tij të tmerrshëm, do të lartësojë drejtësinë dhe do të rrëzojë rebelët arrogantë që kanë guxuar ta provokojnë atë.
“Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot? (Ps.130:3). Le ta bëjë secili prej nesh këtë pyetje, sepse është shkruar “të pabesët nuk do të përballojnë gjykimin” (Ps.1:5). Sa i rënduar ishte shpirti i Krishtit me mendimet e paudhësive të popullit të Perëndisë që u vunë mbi të! “Filloi ta zërë frika dhe ankthi” (Marku 14:33). Agonia e tij e tmerrshme, djersa e përgjakur, britmat dhe përgjërimet e tij të fuqishme (Heb. 5:7), lutjet e tij të vazhdueshme (“Po të jetë e mundur, largoje këtë kupë prej meje”), thirrja e tij e fundit e tmerrshme (“Perëndia im, Perëndia im, përse më ke braktisur?”, të gjitha këto se çfarë ideje të frikshme kishte ai për atë se çfarë do të thoshte që Perëndia të “merrej me mëkatet”. Mëkatarët e shkretë le të thërrasin “Kush do të qëndrojë o Zot”, kur vetë Biri i Perëndisë u drodh nën peshën e zemërimit të tij! Nëse, ti, lexuesi im, nuk ka “ikur për t’u strehuar” te Krishti, i vetmi Shpëtimtar, “çfarë do të bësh kur Jordani do të fryhet?” (Jer.12:5).
Kur unë shoh sesi mirësia e Perëndisë abuzohet nga shumica e njerëzve, nuk mund të mos jem me një mendje me atë që ka thënë se mrekullia më e madhe në botë është durimi dhe mirësia e Perëndisë ndaj një bote mosmirënjohëse. Nëse një princ ka një armik në një nga qytetet e tij, ai nuk u sjell ushqime, por e rrethon fort vendin dhe bën çmos që ata të vdesin urie. Por, Perëndia i madh, që mund t’i shkatërrojë të gjithë armiqtë e tij në çast, i duron dhe i ruan ata çdo ditë. Vërtet që mund të na urdhërojë që të bekojmë ata që na mallkojnë, ai që u bën mirë keqbërësve dhe mosmirënjohësve. Por mos mendoni, mëkatarë se do të shpëtoni lehtë, vërtet që mulliri i Perëndisë punon ngadalë por bluan imët; sa më i admirueshëm të jetë durimi dhe mirësia e tij tani, aq më e tmerrshme dhe e padurueshme do të jetë tërbimi i tij, i nxitur nga mirësia e tij e abuzuar. Nuk ka gjë më të butë se deti, por kur trazohet gjatë stuhisë, nuk ka gjë më të tërbuar. Nuk ka gjë më të ëmbël se durimi dhe mirësia e Perëndisë, por nuk ka gjë më të tmerrshme se zemërimi i tij kur merr zjarr. Uliam Garnëll, 1660
Pra, “Rend”, lexues, te Krishti: “’t’ i arratiseni zemërimit që po vjen” (Mat.3:7), para se të jetë shumë vonë. Mos kujto, ju përgjërohem, se ky mesazh është për dike tjetër, por për ty! Mos u kënaq me idenë se je arratisur tashmë te Krishti, por sigurohu! Lutu Zotit të shqyrtojë zemrën dhe të të zbulohet.
Një fjalë për predikuesit. Vëllezër, a predikojmë ne në shërbesën tonë gojore, aq shumë mbi këtë subjekt solemn, sa duhet? Profetët e Dhjatës së Vjetër u thoshin shpesh dëgjuesve të tyre se jetët e tyre të liga e provokonin të Shenjtin e Izraelit dhe se ata po mblidhnin zemërimin për ditën e gjykimit. Dhe sot gjendja në botë nuk është më mirë sesa ka qenë atëherë! Asgjë nuk i nxit mospërfillësit dhe shpallësit mishorë të besimit që të shqyrtojnë zemrat, sesa meditimi mbi faktin se “Perëndia është i zemëruar me të këqinjtë çdo ditë” (Ps.7:11). Pararendësi i Krishtit i paralajmëroi dëgjuesit që t’i “arratiseshin zemërimit që po vjen” (Mat.3:7). Shpëtimtari i urdhëroi dëgjuesit: “Unë do t’ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë: druani nga ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në Gehena; po, po ju them, nga ai të keni frikë” (Luka 12:5). Apostull Pali tha: “Duke e njohur frikën e Zotit, ne bindim njerëzit” (2 Kor. 5:11). Besnikëria kërkon që të flasim po aq qartë për ferrin, sa dhe për qiellin.