17. Meditimi i Perëndisë – Atributet e Perendise

17. Meditimi i Perëndisë – Atributet e Perendise

Në kapitujt e mëparshëm ne kemi rishikuar disa prej përsosmërive të mrekullueshme të natyrës hyjnore. Nga meditimi i brishtë dhe i gabueshëm mbi atributet e tij, duhet të jetë e qartë për të gjithë se Perëndia është para së gjithash, një Qënie e pakapshme dhe të humbur në mirësinë e tij të pafund, ne detyrohemi që të përdorim fjalët e Zofarit: “A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit? Janë më të larta se qielli; çfarë mund të bësh? janë më të thella se Sheoli: çfarë mund të dish? Madhësia e tyre është më e gjatë se toka dhe më e gjerë se deti” (Jobi 11:7-9). Kur i kthejmë mendimet tona te përjetësia e Perëndisë, qënia e tij jomateriale, gjithprania, plotfuqishmëria e tij, mendjet tona pështjellohen.

Por pakapshmëria e natyrës hyjnore nuk është një arsye pse duhet të heqim dorë nga hulumtimi nderues dhe përpjekjet me lutje për të kuptuar atë që na ka zbuluar në fjalën e tij. Duke qenë se nuk jemi në gjendje të arrijmë njohje të përkryer, do të ishte marrëzi të konkludonim se nuk duhet të përpiqemi të arrijmë një fare shkallëzimi të kësaj njohje. Ёshtë thënë me të drejtë se “nuk ka gjë tjetër që mund ta zgjerojë intelektin, ta lartësojë shpirtin e njeriut, sesa një kërkim i devotshëm, i zellshëm dhe ngulmues i temës madhore të Hyjnisë. Studimi më i shkëlqyeshëm për zgjerimin e shpirtit është shkenca e Krishtit të kryqëzuar dhe njohja e Hyut në Trininë e lavdishme” (Spërxhën). Ja një citim tjetër nga princi i predikuesve:

Studimi i duhur për të krishterin ai i Hyut. Shkenca më e lartë, spekulimi më i lartë, filozofia më e fuqishme që mund të tërheqë vëmendjen e një biri të Perëndisë është emri, natyra, personaliteti, veprat dhe ekzistenca e Perëndisë së madh, që ai e quan Atin e tij. Ёshtë diçka mjaft ripërtëritëse për mendjen, gjatë soditjes së Hyjnisë. Një temë kjo aq e gjerë, saqë tërë mendimet tona humbasin në pafundësinë; aq e thellë sa krenaria jonë zhytet në pafundësinë e saj. Ne mund të kuptojmë dhe kapim tema të tjera, duke ndjerë një farë vetë-kënaqësie dhe të pandehim se jemi të zgjuar, por kur vijmë te kjo kryeshkencë, duke parë se matësi ynë nuk e mat dot thellësinë e saj dhe sytë tanë prej shqiponje nuk e shohin dot lartësinë, ne largohemi me mendimin “Unë i takoj së shkuarës dhe nuk njoh asgjë”.Predikim mbi Malakia 3:6 i Charles Spuregon.

Po, pakapshmëria e natyrës hyjnore duhet të na mësojë përulje,maturi dhe respekt. Pas të gjitha kërkimeve dhe meditimeve, duhet të themi me Jobin: “Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij. Ç’murmurimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?”. Kur Moisiu iu lut Jehovahut për një shfaqje të lavdisë së tij, ai iu përgjigj: “do të shpall emrin e Zotit para teje” (Eksodi 33:19) dhe siç ka thënë dikush: “emri përmbledh atributet e tij”. Me të drejtë shpall puritani Xhon Houi:

Ne mund të krijojmë një ide për lavdinë e tij, vetëm në bazë të një përmbledhje të shkurtër, siç ndodh me vëllimet e mëdha, apo kur peisazh i vogël përmbledh një vend të gjerë. Ai na ka dhënë një raport të mirëfilltë të Vetes, por jo të plotë, që të plotësojë kuptimin tonë, duke na udhëhequr që të ruhemi nga gabimet, por jo nga padituria. Ne mund të zbatojmë mendjet tona, që të sodisim përsosmëritë e ndryshme me anë të të cilave Perëndia i bekuar na zbulon në qënien e tij dhe mund t’ua atribuojmë në mendjen tonë atij, ndonëse ne kemi konceptim të kufizuar dhe difektiv të secilit prej tyre. Por për aq sa njohja jonë mund të përputhet me zbulimin që na jep në përsosmëritë e tij, ne kemi një pamje aktuale të lavdisë së tij.

Ashtu si ndryshimi është me të vërtetë i madh midis njohjes së Perëndisë që shenjtorët e tij kanë në këtë hetë dhe që do të kenë në qiell, ashtu si e para nuk duhet të nënvlehtësohet, për shkak se është e papërsosur, edhe e fundit nuk duhet të ngrihet mbi realitetin. Vërtet që shkrimi shpall se ne do ta shohim “faqe për faqe” dhe do të “njohim” ashtu sikurse njihemi (1 Kor. 13:12). Por të konkludojmë nga kjo se do ta njohim Perëndinë po aq plotësisht si Ai na njeh, është të mashtrohemi nga tingëllimi i fjalëve dhe të shpërfillim kufizimin e asaj njohjeje, që kërkohet nga forma jonë e dobët. Ka një ndryshim të madh midis përlëvdimit të shenjtorëve dhe të të kthyerit e tyre në hyjnorë. Në gjendjen e tyre të përlëvduar, të krishterët do të jenë akoma krijesa të fundme dhe si rrjedhim, jo në gjendje që të kuptojnë plotësisht Perëndinë e pafund.

Shenjtorët në qiell do të shohin Perëndinë me syrin e mendjes, sepse Ai do të jetë gjithnjë i padukshëm ndaj syrit fizik. Ata do ta shohin më qartë sesa mund ta shohin me anë të arsyes dhe besimit dhe më gjerësisht sesa zbulesa e përftuar nga veprat e tij. Por mendjet nuk do të zgjerohen aq sa të jenë në gjendje të sodisin menjëherë apo në detaje, tërë shkëlqimin e natyrës së tij.

Që të kuptojnë përsosmërinë e pafund, ata duhet të bëhen vetë të pafund. Edhe në qiell, njohja e tyre do të jetë e pjesshme, por ndërkohë, lumturia e tyre do të jetë e plotë, sepse njohja e tyre do të jetë e përkryer në këtë kuptim, do të jetë në përputhje me aftësinë e objektit, ndonëse nuk do ta konsumojë tërë objektin. Ne besojmë se do të jetë progresive dhe me zgjerimin e pikëpamjeve, edhe bekimet do të shtohen. Por nuk do të arrijë një cak, përtej të cilit nuk ka asgjë për t’u zbuluar dhe kur të kenë kaluar shekuj të tërë, Ai akoma do të jetë Perëndia i pakuptueshëm. Xhon Dik, 1840

Së dyti, nga rishikimi i përsosmërive të Perëndisë, duket se ai është një Qënie e gjithë-mjaftueshme. Ai është i gjithë-mjaftueshëm në vetvete dhe ndaj vetvetes. Si Kryeqënia, ai nuk merr asgjë nga një tjetër e as nuk kufizohet nga fuqia e një tjetri. Si i pafund që është, ai zotëron çdo përsosmëri të mundur. Kur Perëndia Trini, ekzistonte i vetëm, ai ishte gjithçka ndaj vetvetes. Njohja, dashuria, energjitë e tij gjenin te vetvetja një objekt të përshtatshëm. Po të kishte ai ndonjë nevojë për diçka të jashtme, nuk do të kishte qenë i pavarur dhe si rrjedhim nuk do të ishte Perëndi. Ai i krijoi të gjitha gjërat “për vetveten” (Kol.1:16) e megjithatë jo për të plotësuar nevojat e tij por që t’u komunikonte jetë dhe lumturi engjëjve dhe njerëzve dhe t’i pranonte në soditjen e lavdisë së tij. Vërtet që ai kërkon besnikërinë dhe shërbimin e krijesave të tij inteligjente, por megjithatë nuk merr asnjë përfitim nga ofiqet e tyre; përkundrazi përfitimet i kanë vetëm ata (Jobi 22:2-3). Ai i përdor mjetet për të përmbushur synimet e tij, por jo nga mungesa e fuqisë, por shpesh e shfaq fuqinë mbinatyrshëm nëpërmjet brishtësinë e mjeteve.

Gjithëmjaftueshmëria e Perëndia e bën të jetë Objekti Suprem që duhet të kërkohet gjithnjë. Lumturia e vërtetë konsiston vetëm në të kënaqurit e Perëndisë. Favori i tij është jetë dhe mirësia e tij është më mirë se jeta. “Zoti është pjesa ime”, thotë shpirti im, “prandaj do të kem shpresë tek ai” (Vajtimet 3:24). Dashuria, hiri dhe lavdia e tij janë objektet kryesore të dëshirave të shenjtorëve dhe burimi i kënaqësisë së tyre më të lartë. “Shumë thonë: “Kush do të na tregojë të mirën?”. O Zot, bëj që të shkëlqejë drita e fytyrës sate mbi ne. Ti më ke shtënë në zemër më tepër gëzim nga sa ndjejnë ata, kur kanë grurë dhe musht me shumicë” (Ps.4:6-7). Po, i krishteri, kur është me mendje të kthjellët, mund të thotë: “Ndonëse fiku nuk do të lulëzojë dhe nuk do të ketë asnjë fryt te hardhitë, ndonëse punimi i ullirit do të jetë zhgënjyes dhe arat nuk do të japin më ushqim, ndonëse kopetë do të zhduken nga vathat dhe nuk do të ketë më qe në stalla, unë do të ngazëllohem tek Zoti dhe do të gëzohem te Perëndia i shpëtimit tim” (Habakuku 3:17-18).

Së treti, nga një rishikim i përsosmërive të Perëndisë, duket se ai është Sovrani Suprem i gjithësisë. Ёshtë thënë me të drejtë:

Asnjë sundim nuk është aq absolut sa ai që themelohet në krijim. Ai që mund të mos krijonte asgjë, kishte të drejtë që t’i krijonte të gjitha gjërat sipas kënaqësisë së tij. Në ushtrimin e pushtetit të tij të pakontrollueshëm, ai ka krijuar disa pjesë të krijimit si materie të pajetë, me një cilësi më të përpunuar dhe të dalluar nga veti të ndryshme, por të palëvizshme dhe të pavetëdijshme. Ai ka sistemuar pjesëve të tjera dhe i ka bërë të afta për rritje dhe shtrirje, por ende pa jetë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Pjesëve të tjera u ka dhënë jo vetëm organizim, por edhe ekzistencë të vetëdijshme, organe shqisash dhe fuqi vetë-motivuese. Këtyre i ka shtuar dhuratën e arsyes dhe i ka dhënë njeriut një frymë të pavdekshme, me anë të së cilës ai bën pjesë në një rang më të lartë qëniesh që janë vendosur në sferat e epërme. Mbi botënqë ka krijuar, ai tund skeptrin e plotfuqishmërisë. “”Në fund të kësaj kohe, unë Nebukadnetsari ngrita sytë nga qielli dhe arsyeja m’u kthye, e bekova Shumë të Lartin dhe lëvdova dhe përlëvdova atë që rron përjetë, sundimi i të cilit është një sundim i përjetshëm dhe mbretëria e të cilit vazhdon brez pas brezi.Tërë banorët e dheut përpara tij konsiderohen si asgjë; ai vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t’ia ndalë dorën ose t’i thotë: “Çfarë po bën?” (Dan.4:34,35). Xhon Dik

Një krijesë, në një këndvështrim të tillë, nuk ka asnjë të drejtë. Ai nuk mund t’i kërkojë asgjë Krijuesit dhe sido që të trajtohet, nuk ka të drejtë për t’u ankuar. Megjithatë, kur mendojmë për sundimin absolut të Perëndisë mbi gjithçka, ne nuk duhet të të harrojmë përsosmëritë e tij morale. Perëndia është i drejtë dhe i mirë dhe bën gjithnjë atë që është e drejtë. Megjithatë, ai ushtron sovranitetin e tij sipas kënaqësisë së tij mbretërore dhe të drejtë. Ai i cakton çdo krijese vendin e tij, sipas dëshirës së tij. Ai i urdhëron rrethanat e ndryshme të secilës, sipas këshillës së tij. Ai e brumos çdo enë sipas zgjedhjes së tij të pandikueshme. Ai tregon mëshirë ndaj kujdto që dëshiron dhe e fortëson atë që dëshiron. Kudo që të ndodhemi, syri i tij është mbi ne. Kushdo që të jemi, jeta jonë dhe gjithçka është në dispozicionin e vet. Për të krishterin, ai është një Atë i mëshirshëm; për mëkatarin rebel do të jetë një zjarr konsumues. “Dhe Mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të ditur, i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve. Amen” (1 Tim. 1:17).