Doktrina Biblike e Ngjalljes se Trupit

Doktrina Biblike e Ngjalljes se Trupit

Nga Leonard Doka

Mësimi i zakonshëm i krishterë është se kur një person vdes trupi ndahet nga shpirti dhe shkon në qiell dhe madje edhe kur flasim për ngjalljen, besojmë se do të ngjallemi në trup, nëse besojmë, sepse disa besojnë se ekzistenca edhe pas ngjalljes është si një fantazmë, thjesht shpirt i ngjallur dhe do të jemi përsëri në qiell. Shpesh idetë tona mbi ngjalljen janë njësoj me ato të grekërve të lashtë por do ta shohim këtë më vonë.

     Besimi në ekzistencën e parajsës është më i lehtë për ne por jo ai i ngjalljes në trup, sepse shkenca moderne thotë se mrekullitë nuk ndodhin dhe kjo ka ndikuar edhe Kishën. Por po të shohësh me kujdes katër ungjijtë, nuk është fjala për të shkuar thjesht në qiell kur vdes. Shumë të krishterë e ngatërrojnë gjendjen e ndërmjetme me shpresën e ngjalljes. Shumë flasin për të shkuar në qiell por shumë pak që presin me padurim ditën e ngjalljes. Kur Krishti të kthehet ne do të marrim trupa të përlëvduar. Ngjallja nuk ndodh në qiell por këtu në tokë. Kemi dy faza shprese- Pali pret me dëshirë të jetë me Krishtin por shpresa finale është Filip.3:20-21. Pra ne presim që të vijë këtu e të shndërrojë trupat. Siç e përmenda, shumë të krishterë e marrin besimin mbi gjendjen e ngjalljes nga filmat multiplikativë dhe jo nga Shkrimi. Për shkak të agnosticizmit, rrymë greke filozofie sipas së cilës ka një ndarje të materiales dhe shpirtërores, duke pandehur se shpirtërorja është e mirë kurse materialja jo, edhe të krishterët kanë një koncept të gabuar, që duket se është ndikuar edhe nga filozofi Filo, i cili e quante trupin e tashëm si burg prej nga duhet të arratisesh dhe besonte në një pas-jetë eterale dhe nga platonizmi në përgjithësi. Sipas Platos, shpirti është i përjetshëm, që ekzistonte para trupit dhe nuk mund të shkatërrohet pas vdekjes së trupit. Por si Jezusi vetë, që iu shfaq dishepujve, ata e prekën, edhe ne do të jemi në trupa të prekshëm. Sipas Biblës mishërimi i Krishtit ishte i përhershëm. Kryeprifti ynë jeton për të ndërmjetësuar për ne e në trupin e tij ka ende shenjat e kryqit. Meqë shumë besojnë se Ai u bë fantazmë pas ngjitjes, edhe ne do të bëhemi ashtu. Si të krishterë, ne nuk e pranojmë idenë pagane greke të pavdekësisë së shpirtit, në paketën greke, por sigurisht që besojmë se shpirti është i pavdekshëm por ka më shumë se kaq. Ne besojmë në ngjalljen e të vdekurve, siç pohohet te 1 Kor.15:42-44 dhe te Kredo e Apostujve. Ne do të jetojmë gjithnjë në trupa siç është edhe Krishti gjithnjë në trup, edhe pse ai është unik, si Personi i Dytë i Trinisë. Edhe kur të krishterët janë torturuar, kanë pasur shpresë se shihnin lidhjen midis çfarë bëhet në trup dhe çfarë merret në trupin e ardhshëm. Heb.11:35 thotë se ata shpresonin për një ngjallje më të mirë. Lavdia e trupit të ngjallur është një nxitje e madhe edhe për të jetuar në pastërti tani. Po të mos kesh një besim të drejtë për ngjalljen, nuk ke motivim për shenjtëri. 1 Gjoni 1:3, ata që kanë shpresën e ngjalljes pastrohen. Ne rënkojmë (Rom.8:23) tani nga dobësitë, sëmundjet por kemi mall që të çlirohemi nga kjo çadër e konsumuar dhe të mbështillemi me një trup që nuk do të konsumohet kurrë (2 Kor.5:2). Si rrjedhim, ne duhet të disiplinojmë trupat e tërë veten tonë e duhet të meditojmë mbi ngjalljen. Adhurimi ynë idhujtar i rinisë së përjetshme është pengesë ndaj këtij disiplinimi biblik, duke harruar se trupat po konsumohen dhe është bekim një fakt i tillë. Kush e do këtë trup për përjetësi? Perëndia ka premtuar një tjetër. Tomas Uatson, puritani i shquar ka thënë se siç ngrihem nga shtrati, po aq i sigurtë jam edhe që do të ngrihem nga varri. 1 Kor. 15:22-28: “Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallën në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij. Pastaj do të vijë fundi, kur ai t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çfarëdo sundimi, çdo pushtet e fuqi. Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të shkatërrohet është vdekja. Sepse Perëndia i vuri të gjitha nën këmbët e tij. Por, kur thotë se çdo gjë i është nënshtruar, është e qartë se përjashtohet ai që ia ka nënshtruar çdo gjë. Dhe kur t’i ketë nënshtruar të gjitha, atëherë Biri vetë do t’i nënshtrohet Atij që i nënshtroi të gjitha, që Perëndia të jetë gjithçka në të gjithë”.

Një pyetje interesante për të shkuar tek e vërteta biblike mbi ngjalljen që po adresojmë, është: Kush është trashëgimia jote? Shumë mendojnë se është qielli përkundrejt tokës, por në tërë Dhiatën e Re, te Rom. 8:17-25 e në fund te Zbulesa e sidomos te kapitujt e fundit shihet qartë se nuk është qielli ajo që do të marrim, trashëgojmë në fund, por krijimi i ri, apo me saktë toka e re dhe qielli i ri. Pra, e gjithë bota e restauruar apo krijimi i ri, çliruar nga prishja, vuajtjet e tanishme. Ne kemi keqkuptuar qytetarinë e qiejve, dhe themi se bota nuk është shtëpia jonë, por qielli. Por është fjala për vlera, për pikëpamje e jo si botë, si krijim fizik. Është e çuditshme që ne e dimë mirë se bota për të cilën Gjoni na thotë të mos ta duam nuk është bota fizike, por kur është fjala për gjendjen tonë të ardhshme ne e shohim botën duke përfshirë edhe trupat tanë. Por bota si krijim është po ajo që u krijua në fillim e Perëndia e shpalli të përkryer, por që u prish e u ndot e në fund do të restaurohet dhe në të do te banoje Perëndia me ne, Jerusalemi do te zbresë nga qielli. Një tjetër mënyrë e gabuar interpretimi është dhe ajo në lidhje me pasazhe që ndonëse në Bibël është e qartë se kanë të bëjnë me të ardhmen para se Krishti të kthehet, ato merren si profeci të ngjarjeve që do të ndodhin në mijëvjeçarin tokësor pas kthimit të tij në tokë, diçka brenda sistemit të së ardhmes që beson në mbretërimin e Krishtit për një mijë vjet me qendër në Jeruzalem, gjatë së cilës tempulli do të rindërtohet. Të tilla janë pasazhet e Isaias apo vende të tjera ku flitet për restaurimin e krijimit, si ai ku thuhet se nuk ka më ferra, apo ai ku thuhet se luani do të rrijë me viçin (Isaiah 11.6-9: “Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë. Lopa do të kullosë bashkë me arushen, të vegjëlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarpërit dhe fëmija e zvjerdhur do të vërë dorën e tij në çerdhen e nëpërkës.Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin”, apo që të gjithë do ta njohin nga më i madhi e më i vogli Perëndinë apo ligjin e tij (sigurisht një pjesë e mirë, por do të ketë prapë armiqësi e kundërshtarë por do jenë më pak, ndërsa Krishti avancon derisa të nënshtrojë edhe armikun më të fundit, vdekjen e ngjallja do të ndodhë) dhe ato ku bëhet fjalë për rritjen e jetëgjatësisë, që është në fakt kthim te periudha para Noeut, përmbytjes që ndodhi nga kulmi i mëkatit e i të keqes ku jetonin 130 apo më shumë vjeç.

     Sot ekziston ideja (siç pasqyrohet në filmin Left Behind) se në kthimin e Krishtit ai do të rrëmbejë të tijët e bota do të shkojë drejt rrënimit por në fakt ai nuk do të na shpëtojë nga bota por do ta shndërrojë atë. Kur Pali thotë që shpëtimi ju pret në qiell, nuk duhet kuptuar sikur flet për parajsën, si vendin përfundimtar. Dikush ka thënë bukur që nëse dikush vjen për vizitë, e thoni që kam ruajtur birrë të ftohtë për ju në frigorifer, kjo s’do të thotë që ai duhet të hyjë brenda në frigorifer e të pijë birrën, por kur të vijë në shtëpi, do ta nxjerrim atë e ta pimë në dhomën e pritjes. Po ashtu, kur thuhet për qiellin që na pret, nuk dmth që do ta marrim kur të shkojmë në qiell, por që do të vijë nga qielli, realiteti i Perëndisë, pra kur qielli e toka të jenë një, do të marrim trashëgiminë tonë. Fryma e Shenjtë do të bëjë për ne atë që bëri për Krishtin. Fuqia që ngriti Jezusin na është dhënë ne nëpërmjet Frymës. Siç thamë kjo doktrinë është mjaft ndikuese, sepse duke menduar për këtë shpresë shndërrohemi. Vërtet ne jemi duke u shndërruar nga lavdia në lavdi, ndërsa meditojmë mbi lavdinë e ardhshme, por nuk mbaron me kaq. Një tjetër e vërtetë biblike që nuk theksohet sot në Kishë është çfarë nënkuptohet me Ungjillin. Jemi mësuar me idenë se shpëtohemi, do të shkojmë në qiell e duhet ta ndajmë me të tjerët e kaq. Por shpëtimi është vetëm fillimi, bashkë me pagëzimin, ky shpëtim, apo shndërrim nuk prek veç individin, por familjen, komunitetin, kishën, biznesin, qytetin e kombe të tjera. Jemi të shpëtuar me një thirrje apo punë për të bërë, që të transformojmë kulturën e gjithçka përreth, duke qenë aktorët e Restaurimit të madh që Perëndia ka filluar të sjellë. Gjithçka do t’i nështrohet Krishtit. Nuk është e vërtetë teoria e Left behind që çdo gjë do të keqësohet dhe në fund do të vijë Krishti, por siç pamë te 1 Kor.15, gjithçka do t’i nënshtrohet Krishtit pak nga pak. Ne duhet edhe të meditojmë për përjetësinë, për gjërat atje lart, por edhe të punojmë e të shërbejmë këtu si qytetarë të mbretërisë së tij. Po të shohësh mirë në Dhjatën e re, nuk ka asgjë me atë që jemi mësuar-të shkosh në parajsë kur vdes”. Mesazhi atje është meqë Jezusi është ngjallur, Izraeli “Kisha” është shpëtuar, edhe bota dhe ne pasuesit e tij kemi një punë të re. Cila është kjo punë e re? Të sjellim jetën qiellore në realitetin tokësor e fizik. Theksimi kryesor në Bibël është të kthehemi në trup të ngjallur për të jetuar në krijimin e rilindur të Perëndisë. Ngjallja e Jezusit është fillimi i projektit të ri të Perëndisë, jo që të marrë njerëz nga toka në qiell por që të kolonizojë tokën me jetën e qiellit. Për këtë është edhe Lutja e Zotit, kur thotë që vullneti i Zotit, si në qiell të bëhet edhe në tokë. Ngjallja është në fakt themeli i një mënyre të re të jetuari dhe për botën. Kur Pali e shkroi kapitullin e tij mbi ngjalljen, nuk e përfundoi duke nxitur besimtarët që të festonin të ardhmen e madhe por duke i nxitur që të vazhdonin punën. Pse nuk ka predikime për Pashkën, mbi Romakëve 8, apo Zbulesën 21,22, duke përcjellë mesazhin e ripërtëritjes së tërë krijimit, që ne me gjithë krijesat pret me mall. Mesazhi i vërtetë i Pashkës që nuk gjendet në himnet apo predikimet tipike të Pashkës është që Krishti është i gjallë, u ngjall dhe si rrjedhim ne si dëshmitarë të kësaj ngjallje duhet ta shpallim dhe të përfshihemi në restaurimin e madh që ka filluar. Ngjallja nuk pranohet edhe pse prej saj rrjedh fakti që kulmi i historisë arriti me ditën e Ngjalljes dhe jo siç e sheh demokracia liberale perëndimore, me Revolucionin Francez apo ngjarje të tjera.

     Një tjetër fakt i shpalljes së Pashkës, është që në emrin e Jezusit falja e mëkateve për tërë ata që besojnë. Në kryq ai i mundi fuqitë e prishjes, të së keqes dhe vdekjes. Por kur shpallej falja e mëkateve në kishën e hershme, nuk ishte thjesht për individë edhe pse e përfshinte atë por ishte e përgjithshme, një mënyrë krejt e re të jetuari në besëlidhje, në të cilën restaurimi përfshin familje e komunitete, pikëpamje dhe sjellje. Pjetri i tha Kornelit “Perëndia e ngjalli dhe na urdhëroi që të dëshmojmë se ai është i caktuari nga Perëndia si gjykatës i të gjallëve e të vdekurve. Të gjithë profetët dëshmojnë për Të se çdo njeri që beson në të merr faljen e mëkateve nëpërmjet emrit të tij”. Meqë Pashka nuk është thjesht ngjallja por edhe e ardhmja e Perëndisë, atëherë ç’është kjo e ardhme? Qiejt e toka e re. Në bibël nuk flitet për një qiell jo fizik, por për qiej e tokë të re. Ne nuk e besojmë këtë se na duket njësoj me mësimet apo ato pikturat e ndritshme në revistat e Dëshmitarëve të Jehovait me fëmijët e lumtur e vilet e rrushit, që kanë të bëjnë me tokën e re. Si gjithnjë, çështja është çfarë mëson Bibla? Kjo botë e ardhshme do të jetë më reale, më solide, më e prekshme dhe e dukshme se e tanishmja, sepse e tanishmja është plot prishje, kalbje, dhunë, mëkat e vdekje. Ngjallja është një nga shenjat që krijimi i ri i Perëndisë dhe se e ardhmja ka vërshuar në të tashmen. Dikush e ka krahasuar bukur këtë me rastin e natës së fundit të vitit të vjetër, ndërsa jemi akoma në këtë vit, shohim në tv festimet që bëhen në Australi kur tashmë ka nisur viti i Ri. Ne jemi krijuar njerëz, me trupa, ndaj plotësia jonë arrihet vetëm kur do të kemi trupat tanë përsëri. Vërtet që pas vdekjes të krishterët shkojnë në parajsë te Krishti, por kjo nuk përbën fundin, se atje ata presin me mall ngjalljen. Te fundi i Zbulesës nuk bëhet fjalë për parajsën por për qiellin e tokën e re. Ngjallja skenizon në avancë pjesmarrjen tonë në botën e ardhshme. Që të jemi të plotë në mesazhin tone, duhet t’u themi njerëzve që nëse besojnë te Jezusi jo thjesht do të shkojnë në parajsë, por meqë ka nisur krijimi i ri, duhet t’u tregojmë edhe për qiejt e token e re. Mesazhi i pagëzimit, kur ai që pagëzohet shpall se do të heqë dorë nga mëkati është figurë e bukur e këtij mesazhi, që jeta e vjetër lihet pas dhe tani kemi jetën e re, për të qenë pjesë e krijimit të ri që ka nisur tashmë, edhe pse në mes të errësirës së kësaj bote, duke qenë agjentë të Restaurimit të Madh. Kjo pjesmarrje është një ripërtëritje e mandatit fillestar për të sunduar krijimin.