Pyetja 2: Çfarë standardi na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të?

Pyetja 2: Çfarë standardi na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të?

Pyetja 2: Çfarë standardi na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të?

Përgjigja: Fjala e Perëndisë, e përmbajtur në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër e të Re1, është i vetmi standard i cili mund të na drejtojë si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të2.

1) Efesianeve 2:20 2) 1 Gjonit 1:3

Katekizmi i Shkurter i Westminsterit

Domosdoshmëria e një Standarti Hyjnor

Së pari, kjo pyetje-përgjigje e katekizmës së Shkurtër të Westminsterit na mëson domosdoshmërinë e një standardi për të na drejtuar në lavdërimin e Perëndisë dhe gjetjen e kënaqësisë në të. Simboli i besimit Westminster, i shkruar nga grupi më i shquar dhe solid i teologëve protestant më 1642-1646 thotë:

Drita e natyrës dhe veprat e krijimit e të providencës zbulojnë mirësinë, urtësinë, dhe fuqinë e Perëndisë duke e lënë njeriun pa asnjë shfajësim; ato nuk janë të mjaftueshme të ofrojnë atë njohuri mbi Perëndinë dhe vullnetin e Tij, të domosdoshëm për shpëtim” (Westminster I:1).

Me dritën e natyrës ne kuptojmë aftësitë mendore, frymore dhe perceptuese që i përkasin njeriut nga natyra e tij. Njeriu është i lindur që nga krijimi me një masë informacioni të caktuar mbi Perëndinë dhe obligimet e tij ndaj Perëndisë. Kjo njohuri e ruajtur në frymën e njeriut, të cilin teologët e quajnë Fara Hyjnore, e bëjnë njeriun (1) një qenie morale; (2) një qenie të përgjegjshëm për të tëra veprimet e tij; (3) një qenie frymore në dijeni të ekzistencës së Perëndisë dhe të atributeve të Tij; (4) një qenie që e din fare mirë obligimin që nga ndaj Krijuesit të Tij për ta adhuruar Atë, për të jetuar për lavdinë e Tij dhe për të gjetur kënaqësi në të; (5) një qenie që nëse rebelon kundra Perëndisë mbetet pa asnjë shfajësim për fajin dhe dënimin që i takon atij. Kjo njohje e Perëndisë, obligimeve dhe fajit me ë cilin çdo njeri është i lindur ka lënë çdo njeri pa asnjë shfajësim përpara Perëndisë. Rom 1:19-21 thotë:

Ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. 20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. 21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua (2:14; 1 Kor. 1:21; Heb. 11:6; Rom 10:17; Vepr. 4:12, etj).

Me veprat e providencës ne kuptojmë qeverisjen që Perëndia i bënë të tërë krijesës së tij e cila nëse vërehet me një mendje të pa-errësuar nga mëkati duhet të na shtyjë të lavdërojmë Perëndinë dhe të gjejmë të tërë kënaqësinë tonë në të (Kol. 1:16-17; Heb. 1:3; Mateu 10:29-30; Jobi 37-38; Ps 104. Ps. 66:7; Dan. 2:21; 4:25; Zan. 50:20; Vep. 3:13; etj). Pas rënies në mëkat, mendja e njerëzimit është errësuar dhe nuk e lexon dhe interpreton siç duhet informacionin frymëzues kozmik por e interpreton atë sipas predispozitave që ai ka drejt mëkatit dhe rebelimit. Kjo zbulesë kozmike njihet në teologji si Zbulesa e Përgjithshme. Zbulesa e Përgjithshme, edhe pse i zbulon njeriut karakteristikat kryesore të Perëndisë dhe e lë atë pa asnjë justifikim përpara Tij, nuk përmban në të atë informacion shpëtues që i nevojitet njeriut për të dalë nga gjendja në të cilin ndodhet. Për më tepër, Zbulesa e Përgjithshme në natyrën e saj nuk është arkitekturuar nga Perëndia për të na zbuluar ndonjë njohuri të vlefshme për shpëtim. Qielli dhe yjet nuk mund të na zbulojnë dashurinë dhe mëshirën e Perëndisë në Krisht; nuk mund të na zbulojnë e si Perëndia dëshiron të adhurohet e lavdërohet prej nesh; nuk mund të na zbulojnë se si na kërkohet që të gjejmë kënaqësi në Perëndinë tani dhe në botën që vjen. Si rrjedhim, njeriu ka nevojë për një Zbulesë të Veçantë prej Perëndisë. Zbulesa e Veçantë, Fjala e Perëndisë e përmbajtur në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Re është standardi i dhënë nga Perëndia për të na drejtuar për tek Krishti, mënyra e shpëtimit, mënyra e adhurimit, dhe mënyra e jetesës. Fjala e Perëndisë, e përmbajtur në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër e të Re, është standardi i cili mund të na drejtojë si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të.

Përmbajtja e Standartit Hyjnor

Së dyti, katekizmi na mëson që Zbulesa e Veçantë e Perëndisë, Fjala e Tij përmbahet vetëm në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re. Simboli Westminster thotë:

“… i pëlqeu Perëndisë, që në kohëra të ndryshme, dhe në mënyra të ndryshme ti zbulojë Vetveten dhe vullnetin e Tij Kishës së Tij; dhe më pas, për ruajtjen dhe përhapjen e të vërtetës, si dhe për themelimin sa më të sigurte e ngushëllim sa më të mirë të Kishës kundër korrupsionit të mishit, dhe ligësisë të Satanit e botës, Ai e la këtë zbulesë plotësisht të shkruar; gjë që e bën Shkrimin e Shenjtë të domosdoshëm. Mënyrat e mëparshme, me anë të cilave Perëndia u zbuloi vetveten si the vullnetin e Tij popullit te Tij, tashmë kanë reshtur” (Simboli Westminster I:1).

Arsyeja përse Perëndia e përmblodhi të tërë Fjalën e Tij dhe “… e la këtë zbulesë plotësisht të shkruar” në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Re janë tre: “… (1) për ruajtjen dhe përhapjen e të vërtetës, (2) si dhe për themelimin sa më të sigurte e (3) ngushëllim sa më të mirë të Kishës kundër (a) korrupsionit të mishit, dhe (b) ligësisë të Satanit e (c) botës.” Pasi rendit të 39 Librat e Dhiatës së Vjetër dhe të 37 Librat e Dhiatës së Re, Simboli gjithashtu thotë:

“Të gjitha këto libra janë dhënë të frymëzuara nga Perëndia të jenë norma e besimit dhe jetës… Librat, të njohura me emrin Apokryfa, duke mos qenë the frymëzuara nga Perëndia, nuk janë pjesë e kanunit të Shkrimit të Shenjtë, dhe si rrjedhim nuk kanë autoritet mbi Kishën e Perëndisë, ato nuk duhen pranuar apo përdorur veçse si çdo libër tjetër njerëzor” (Simboli Westminster I:2-3).

Në fakt, librat të njohur me emrin Apokryfa nuk kanë qenë kurrë në listën e librave kanonikë (pra të dhënë me inspirimin e Perëndisë dhe si rrjedhim me autoritetin e Perëndisë për të qenë standard apo kanun) deri më 1546 kur isha Katolike Romane i deklaroi ato në Koncilin e Trentit si kanonike thjesht për ti u kundërvënë Kishave Protestante të lëvizjes së Reformacionit. Përpara kësaj, themeluesi i Myslimanizmit pati shpallur rreth viteve 600 Pas Krishtit që fjala e perëndisë ndodhej edhe brenda librave të Kuranit. Më pas, rryma të ndryshme teologjike luajtën apo e përdorën shprehjen “Fjala e Perëndisë, e përmbajtur në Shkrimet” për të futur teza rrënuese për doktrinën dhe praktikën e Krishterë. Për shembull, liberalizmi teologjik Gjerman (apo Modernizmi i Vjetër) propozoi tezën që vetëm disa pjesë të Biblës janë Fjala e Perëndisë, dhe pjesët e tjera fjala e njeriut. Pra, Bibla përmban Fjalën por jo e gjithë Bibla është Fjala. Pas kësaj, Modernizmi i Ri i quajtur ndryshe Neo-ortodoksi apo Barthianism (pas teologut të famshëm Svicerian Karl Barth, një figuro kjo jo domosdoshmërish e lavdishme për Kishën), propozoi tezën se e gjithë Bibla është fjala e njeriut, por kur njeriu e lexon këtë fjalë, Perëndia ndërhyn dhe në një farë mënyre e shndërron atë në Fjalën e Perëndisë në varësi të situatës, vendit dhe pasazhit Biblik. Përveç këtyre lëvizjeve famëkeqe teologjike dhe historike kemi dhe atë karizmatike. Kisha Karizmatike beson që Perëndia vazhdon që të prodhojë dhe ti dërgojë njerëzimit pjesëza të reja të Fjalës. Karizmatikët Ungjillorë e besojnë këtë gjë e megjithatë kanë ndershmërinë për të mos ia bashkangjitur Biblës (66 Librave të saja) këto “zbulesa” personale që kanë “marrë” nga Perëndia. Nga ana tjetër, Kisha Katolike, që teknikisht është Kishë karizmatike, beson që Perëndia i jep njerëzimit Zbulesa të reja përmes ofiqit të Koncilëve të Kishës dhe ofiqit të Papës, veçanërisht kur ai bën deklarime excathedra. Parimi interpretues në Kishat Karizmatike Ungjillore është që çdo besimtar e interpreton Biblën në mënyrë personale dhe subjektive. Në Kishën Katolike Romake, kjo është e centralizuar. Aty vetëm Papa e ka të drejtën e interpretimit personal dhe subjektiv duke imponuar veçanërisht traditën e Koncilëve të Kishës dhe të Papëve të mëparshëm, ndërsa në Kishat karizmatike ungjillore çdo besimtar është në fakt “papa” i vetvetes. Sektet Protestante nga ana tjeter, e bëjnë këtë gjë duke i shtuar Biblës “Zbulesën e Jozef Smithit” apo “Librin e Mormonëve” për Mormonët apo “Kullën e Rojes” për “Dëshmitarët” e Jehovait. Së fundi kemi edhe Neo-Gnosticizmin që beson se fjala e Perëndisë gjendet në të tëra librat e “shenjtë” të të tëra religjioneve të Botës; si edhe Humanizmit ideologjik i cili beson fjala e njeriut është autoriteti absolut për çdo gjë në këtë botë.

Kundra të tëra këtyre tezave, rrymave dhe ideve qëndron doktrina Biblike e Protestantizmit të Reformuar dhe reformues. Ne si Kishë e Reformuar besojmë në përputhje me Biblën dhe Krishterimin Historik në Tota Scriptura dhe në Sola Scriptura. Këto ishin motot e Reformacionit të shekullit të XVI që do të thonë se e gjithë Bibla (Tota Scriptura) është plotësisht dhe ekskluzivisht Fjala e Perëndisë; dhe se vetëm Bibla (Sola Scriptura) është Fjala e Perëndisë, standardi i pagabueshëm, i pagabimshëm, hyjnisht-i-frymëzuar, plot autoritet i vetë Perëndisë së Gjallë. Kjo është çfarë ne besojmë si Kishë. Së pari ne besojmë që e tërë Fjala e Perëndisë është përfshirë në Bibël dhe asnjë pjesë e Fjalës së Perëndisë nuk gjendet në Libra të tjerë. Së dyti, e gjithë bibla është e tëra Fjala e Perëndisë dhe nuk ka asnjë pjesëz së saj që nuk është Fjala e Perëndisë. Së treti, çdo fjalë, koncept, mendim dhe doktrinë në Bibël është e frymëzuar dhe dhënë nga vetë Perëndia.

Ekskluziviteti i Standartit Hyjnor

Së treti, dhe si rrjedhim i çfarë u tha më lart, katekizmi na mëson që Bibla “…është i vetmi standard i cili mund të na drejtojë si ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të.” Bibla është i vetmi standard besimi, adhurimi dhe jete e Krishterë pasi (1) vetëm Perëndia është autori i saj, (2) pasi Perëndia është ekskluziv në zgjedhjet e Tij, vetëm Perëndia ka të drejtën për të zgjedhur dhe vendosur se si i pëlqen Atij që të adhurohet prej krijesave të Tija; (3) pasi vetëm Perëndia mund të na e zbulojë këtë zgjedhje dhe vendim që Ai ka marrë për ne, jetën, besimin tonë, dhe për adhurimin që ne duhet ti ofrojmë Atij (Mikea 6:6-9; Mateu 11:25-28). Kjo bëhet akoma edhe më evidente kur marrin në konsideratë që:

1. “Autoriteti i Shkrimit të Shenjtë, për të cilën arsye Shkrimi duhet besuar dhe i duhet bindur, nuk mbështetët në dëshminë e njeriut, apo atë të Kishës; por plotësisht në atë të Perëndisë (i cili vetë është e vërteta), autorit të tij; rrjedhimisht Shkrimi duhet pranuar, sepse ajo është Fjala e Perëndisë“ (Simboli Westminster I:4). 2 Pjet. 1:19-21; 2 Tim. 3:16; 1 Gjonit 5:9; 1 Sel. 2:13.

2. Shkrimi i Shenjtë është një standard plotësisht i mjaftueshëm për të në drejtuar dhe dhënë atë njohje të Perëndisë dhe të vullnetit të Tij është i nevojshëm për shpëtimin tonë dhe lavdërimin e Tij nga ne (Gal 1:8; Gjoni 5:3).

3. Shkrimi i Shenjtë është një standard i përsosur. Simboli i Westminster thotë: “I gjithë vullneti i Perëndisë për gjithçka të nevojshme për lavdinë e Tij, shpëtimin e njeriut, besimin dhe jetën, ose është deklaruar qartë në Shkrimin, ose si një rrjedhim i pashmangshëm mund të deduktohet nga Shkrimi„ (2 Tim. 3:15-17; Gal 1:8-9). Pasi është një standard i përsosur, Autori i saj na ka urdhëruar që as të mos i shtojmë asaj dhe as të mos i heqim asaj (Bes. Rip 4:2; Zbulesa 22:18-19).

4. Shkrimi Shenjtë është një standard i qartë dhe i thjeshtë. Përsëri Simboli i Westminster na vjen në ndihmë me këtë formulim: “Në Shkrimin e Shenjtë, jo çdo gjë është njëlloj e thjeshtë në vetvete apo njëlloj e qartë për të gjithë; Megjithatë ato gjëra që janë të domosdoshme të dihen, besohen, dhe të ndiqen për shpëtim, janë ofruar kaq qartë, dhe shpjeguar nga vetë Shkrimi, sa që jo vetëm i arsimuari, por edhe i pa-arsimuari, duke përdorur mjete të zakonshme, mund të përfitojë e ti kuptojë mjaftueshëm ato„ (1 Kor. 11:11:13-14; 1 Kor. 14:26, 40). Rregulla bazë e interpretimit të biblës është aksioma e Reformacionit: Shkrimi interpreton Shkrimin. çdo varg apo pasazh duhet interpretuar në përputhje me kontekstin letrar dhe teologjik të saj, përndryshe një tekst pa kontekst kthehet në një pretekst për të bërë atë që është e pakërkuar dhe e padëshiruar nga Perëndia dhe si rrjedhim edhe e keqe në sy të Tij (lexo Kodin Priftëror 10). Aty ku një pasazh duket më i pa-penetrueshëm vazhdo të lexosh dhe një Shkrim tjetër do të të ofrojë interpretimin e saj. Mjeti më i lartë i interpretimit të Shkrimeve është vetë Perëndia i cili na drejton përmes veprës së Frymës së Shenjtë gjatë procesit të ndriçimit të brendshëm të mendjeve tona i cili është absolutisht i nevojshëm për një kuptim shpëtues të tekstit Biblik (Gjoni 6:45; 1 Kor. 2:9-12).

5. Shkrimi i Shenjtë është vetmi standard për të ndërtuar një doktrinë ashtu si edhe për ta hedhur poshtë atë (Isaia 8:20). Traditat dhe opinionet e njerëzve duhen gjykuar bazuar mbi këtë standard (Mateu 15:3), frymërat e ndryshme dhe zbulesat (1 Gjonit 4;1), duke bërë kujdes që asgjë të mos i shtohet standardit (Fjal. Urta 30:6; Zbulesa 22:18).

Aplikime

1. Mbani mend që opinionet e etërve të Kishës, dekretet e koncilëve, aktet e asambleve, besëlidhjet, predikimet e pastorëve nuk janë standardë besimi, dhe as nuk mund të lidhin ndërgjegjen e lirë të besimtarit, me përjashtim të rasteve kur ato janë në përputhje me Fjalën e Perëndisë pasi në ato raste ato janë Fjala e Perëndisë qe flet përmes instrumenteve të Tij (Isaia 6; Isaiah 8:20). 2. Ju inkurajoj dhe nxis që të lexoni dhe studioni Shkrimet e Shenjta. Lexojini dhe studiojini ato gjatë devocionit personal dhe familjar (nëse dhe kur të jeni të martuar), dhe thirrini Frymës së Shenjtë e cila edhe i dha ato, që tju ndihmojë me ndriçim të brendshëm shpirtëror. Bibla nuk është talisman që ju mbron nga syri i keq nëse e vini tek etazheri apo korskoti i makinës, por Fjala e gjallë e Perëndisë dhe vetëm si e tillë ajo ju mbron dhe bekon. 3. Shpërndajeni atë si në formë traktesh apo fletushkash ashtu Bibël të tërë. Shumë prej nesh janë shpëtuar vetëm duke e lexuar atë. 4. Besoni që gjithçka që ndodhet në Bibël është Fjala e Perëndisë. 5. Mos i bëni bisht studimit të biblës, grupeve dhe mundësive të dishepullizimit. Kërkoni në lutje, agjërime dhe studime të mësoni më shumë për vullnetin e Perëndisë për jetën tuaj si të krishterë në këtë botë. 6. Mos jini vetëm dëgjues të Fjalës por edhe bërës të saj (Gjoni 13:17; Jakobi 1:22). 7. Lavdëroni mirësinë dhe dashurinë e Perëndisë që na e siguroi fjalën e tij në të Shkruar “ për ruajtjen dhe përhapjen e të vërtetës, si dhe për themelimin sa më të sigurte e ngushëllim sa më të mirë të Kishës kundër korrupsionit të mishit, dhe ligësisë të Satanit e botës.” 8. Mësoni se çfarë është e mirë dhe e pranueshme nga Perëndia dhe se çfarë është e papranueshme dhe e pështire prej Tij dhe veproni me Perëndishmëri. 9. zbuloni dhe mësoni nga Shkrimet se cili është vullneti i Perëndisë për mënyrën se si Ai dëshiron që ne ti afrohemi Atij në adhurim dhe lavdërim (Kodi Priftëror 10).

Soli Deo Gloria

Pastor Albert Jani Kona