nga Leonard Doka
Çdo gjë që ne bëjmë duhet ta dimë mirë pse e bëjmë dhe me vetëdije. Një praktikë e jona është edhe veshja e veçantë klerikale apo pastorale, siç quhet, apo ajo që pastori vesh në shërbesën e të dielës. Ajo njihet si “tunika e predikimit” apo “Rroba Gjenoveze.” Në kishën Ungjillore apo Protestante, në përputhje me traditën e Reformacionit, ne përpiqemi gjithnjë që ta bazojmë adhurimin në Fjalën e Perëndisë. Në këtë rast pyetja është: Pse pastori e vesh këtë rrobe? Çfarë kuptimi ka? A është biblike? Apo është një traditë që ka mbetur? Mos është më afër Perëndisë se një besimtar i thjeshtë? Tani ai nuk është më prift dhe sistemi i Dhiatës së Vjetër nuk qëndron më, pse atëherë?
Veshja, ndihmon sidomos në theksimin e ofiqit të pastorit përkundrejt personalitetit të njeriut. Ajo gjithnjë ka një tipar dallues. Një polic dallohet nga uniforma e tij blu, nga arma apo nga shenjat dalluese; një doktor dallohet nga rroba e bardhë, dhe po kështu edhe një gjyqtar dallohet në sallën e gjyqit gjatë ekzekutimit të prerogativave të tij dhe të fuqisë që i ka dhënë ligji nga pozicioni në të cilin gjendet në sallë dhe nga tunika e gjyqtarit. Kur hyjmë në kishë, ne e lëmë të zakonshmen dhe hymë në të shenjtën, sferën e adhurimit kolektiv. Kush është pastori që drejton shërbesën? Në kishat ungjillore nuk dihet dhe mund të jetë kushdo derisa dikush del para podiumit ose ngjitet në skenë, ose që ka veshur kollaren. Por kjo rrobë e veçantë e dallon në çast nga bashkësia. Dhe kjo jo sepse pastori dëshiron të duket, por përkundrazi sepse nuk dëshiron të duket. Ai nuk dëshiron që të jetë ai në qendër të vëmendjes por Krishti. Ai dëshiron që të humbasë në sfond dhe bashkësia të shikojë dhe fokusohet tek Krishti. Detyra e pastorit është që njerëzit të shikojnë Krishtin dhe jo njeriun që proklamon Fjalën e Perëndisë i dërguar në emër të Tij. Në këtë rast Krishti lartësohet dhe pastori del në sfond ndërsa mbetet ofiqi i tij. Kjo rrobe i kujton bashkësisë se ç’po ndodh – Fjala po del në pah. (Shih 1 Sel.2:13). Kjo thekson rëndësinë e Fjalës që duhet të dëgjohet si Fjala e Gjallë e Perëndisë. Pastori është shumë dhe duhet të jetë i afërt për familjen e tij dhe më tej edhe për tërë bashkësinë si familja e tij e besimit, por gjatë shërbesës ai nuk është më thjesht një shok apo familjar, por instrumenti që Perëndia përdor për të deklaruar hirin e Tij të pamerituar e sovran. Kur ai qëndron para jush me një rrobe të tillë, ky akt demonstron atë që diçka krejt e pazakontë do të ndodhë. Kjo i kujton bashkësisë se është i “shenjtëruar” apo i veçuar në rolin e zëdhënësit të Fjalës së Perëndisë. Kjo rrobe duke theksuar ofiqin e tij, ndihmon në respektimin më serioz të asaj që po ndodh dhe thekson faktin që autoriteti i tij vjen prej Krishtit dhe apostujve. Kjo rrobe thekson shërbesën e tij si pastor dhe e dallon atë, përkundrejt figurës së biznesmenit apo bankierit që shfaq kostumi me kollare që shihet zakonisht sot në podiume.
Në jetën e përditshme, veshja ka lidhje me mënyrën si punojmë. Psh, kur një person vjen në punë sikur sapo është ngritur nga shtrati dhe do të punojnë ashtu produktiviteti i tij është i disktueshëm. Por kur një person përgatitet mirë në veshje, krihet, rruhet dhe rregullon paraqitjen, kjo e shtyn atë dhe të tjerët me të cilët punon ai ta marrin punën seriozisht. Kur kjo vlen në vendin e punës, sa më shumë vlen në kishë për rolin e pastorit. Kjo ka qenë praktika bazë e Kishës Ungjillore apo Protestante që nga koha e Kalvinit, me të ashtuquajturën Rroba Gjenoveze. Kjo rrobe e nxjerr në pah kontrastin me “normalitetin” e Kishës ungjillore sot. Kjo rrobe krijon ndjenjën e formalitetit e solemnitetit që ka humbur me spektaklet e paradat që ndodhin sot në shërbesat e kishës ungjillore. Pastori është shërbëtori i Perëndisë për Fjalën e tij kur del para bashkësisë e nuk është më ai miku, bashkëshorti, apo kushdo tjetër. Ai kryen shërbesën solemne të thirrjes për në adhurim apo të përcjelljes së Fjalës së shenjtë të Perëndisë. Në sferën shpirtërore nuk ka asnjanësi dhe kjo përfshin edhe veshjen klerikale apo liturgjike. Sot theksohet të bërit e pastorit “gjithçka ndaj të gjithëve” duke iu përshtatur njerëzve e ku përfundon kjo logjikë? Nëse shumica e kulturës vesh diçka degraduese, mos duhet edhe pastori ta bëjë këtë?
Të vërtetat e nënshtrimit e respektimit të pleqve të kishës, të tilla si te Veprat 20:17, 28-35; 1 Kor. 12:28; 16:16; Efes. 4:11-16; 1 Sel. 5:12, 13; 1 Tim. 3:1; 4:14; 5:17; Heb. 13:7, 17; & 1 Pjet. 5:1-7., përforcohen kur pastori vesh diçka që u kujton bashkësisë thirrjen e tij të veçantë Ditën e Zotit. Në Bibël, veshja me thirrjen janë të lidhura, thirrja ose ofiqi i dikujt bashkë me atë autoritet që lidhet me ofiqin, simbolizohet shpesh nga rrobat e tij (Zan.9:20-27; 39:1-13; Ezdra 9:3-5; Ester 8:15; Isa.22:21; Luka 15:22; Zbul.1:13; 4:4). Rroba shërben të mbulojë njeriun dhe të theksojë ofiqin apo thirrjen e tij të caktuar nga Perëndia. Plaku mësues që drejton adhurimin luan një rol simbolik gjatë adhurimit. Kur ai e drejton bashkësinë në lutje para Perëndisë, ai simbolizon Krishtin që udhëheq kishën në lutje para Atit. Kur lexon e predikon Fjalën, simbolizon Krishtin, bashkëshortin, që i flet nuses së tij të shenjtë (një arsye pse gruaja nuk mund të jetë pastre, se nuk mund të paraqesë Krishtin, Dhëndrin ndaj Nuses, Kishës-Efes.5:22-33; 1 Tim.2:11-15). Rroba nuk synon ta ngrejë mbi bashkësinë por veç tyre për shkak të ofiqit të tij unik si pastor gjatë shërbesës së adhurimit Ditën e Zotit. Ja çfarë thotë teologu kalvinist francez Riçard Paquier:
“Është e natyrshme që ai i cili kryen shërbesën e adhurimit të Kishës duhet të vishet në një mënyrë që përputhet me detyrën e caktuar dhe shpreh dukshëm atë që bën. Po ashtu, kushdo që udhëheq në adhurim nuk e kryen këtë si akt privat por si shërbëtor drejtues i kishës, si përfaqësues i bashkësisë dhe zëdhënës i Zotit. Prandaj kemi dhe një veshje të posaçme, një farë “uniforme” kishtare, që i kujton besnikëve dhe vetes se në këtë akt ai nuk është zotëri filani por një shërbyes kishe, pastor në mes të një morie të tjerësh.”
Të krishterët duhet të kenë besim te ofiqi i pastorit dhe i plakut sepse Perëndia e ndërmjetëson praninë dhe autoritetin e tij përmes ofiqarëve të tij në kishë, që kanë një autoritet dytësor. Një shenjë e jashtme e këtij autoriteti i ndihmon njerëzit. Uniforma na kujton trajnimin e përkushtimin e tij. Sa e vërtetë thënia që ti je çfarë vesh dhe vesh atë që je. Ashtu si rroba e doktorit, policit, gjykatësit, edhe rrobat e tij dalluese e vesh duke qenë simbol i skllavit, sepse pastori është skllav i Krishtit. Ai përfaqëson dhe i shërben Krishtit në botë. Ashtu si një gjykatës apo polic me uniformën tregon se nuk vepron në emër të vet, edhe pastori me rroben e demonstron këtë, e në rastin tonë, ai tregon se përfaqëson ligjin dhe qeverisjen e një mbretërie tjetër dhe që është nën urdhërat e dikujt më të lartë në hierarki (2 Tim.2:3-7). Autoriteti i tij nuk rrjedh nga statusi i tij socio-ekonomik e as nga karizma e tij natyrore.
Sipas kërkimeve historike, pyetjes se a kanë veshur gjithnjë pastorët presbiterianë veshje pastorale dhe qafore, Dr.Calhoun i përgjigjet duke pohuar se praktika e të veshurit të uniformës pastorale u bë problematike në shekullin e 19-të me demokratizimin në rritje të kishës.”
Disa kundërshtime që bëhen zakonisht nga njerëz të ndryshëm janë:
(a) Kjo praktikë është tipike katolike romake. Përgjigje: Edhe pse katolikët romakë janë gabim në shumë drejtime, jo çdo praktikë e tyre është e gabuar dhe çështja është përputhja me Shkrimin. Katolikët i Besojnë Doktrinës së Trinisë së Shenjtë. A duhet Kishat Protestanto apo Ungjillore të mohojnë Trinitetin thjesht sepse e besojnë katolikët? Çfarë duhet të vihet re është abuzimi që u bë në Kishën e Romës me këto veshje, duke u bërë qëllim në vetvete, gjë që ua errësoi kuptimin simbolik. Po të kërkosh në të kaluarën, do të zbulosh se pastorët Protestantë (të Kishave Luterianë, Reformuara, Anglikane, Baptiste e Ana-baptiste, të gjithë anti-katolikë të fortë) vishnin uniforma të tilla, jo vetëm në adhurim, por edhe gjatë javës. Portrete që disponohen i shfaqin ata me rrobën klerikale apo akademike. Për shembull, piktura në kapakun e Kishës së Krishtit të James Banerman (Banner of Truth), që është një nga apologjetët më të nderuar presbiterianë skocezë për formën e qeverisjes së kishës. Piktura në kapakun e vëllimit është punuar nga Xhon Lorimer, dhe quhet “Vajosja e pleqve”. Në të pastori ka veshur një tunikë të zezë dhe ka një qafore të veçantë me dy lidhëse të bardha që dalin prej saj. Askush tjetër nuk e ka këtë veshje në shërbesë. Pastorët presbiterianë skocezë që njihen si anti-katolikë të fortë e kanë veshur gjithnjë këto rroba.
(b) Formalizmi do t’i largojë njerëzit. Përgjigje: Shumë veta mendojnë se shmangja e formalitetit dhe ceremonisë është provë e besimit thjeshtë dhe përuljes. C.S.Lewis ka thënë: “Zakoni modern i të bërit të gjërave ceremoniale në mënyrë jo-ceremoniale nuk është provë e përuljes por tregon më shumë për paaftësinë e adhuruesit për të harruar veten gjatë ritit dhe gatishmërinë e tij për t’ua prishur edhe të tjerëve balancën e duhur të ritualit”. Krahasojeni këtë prirje anti-formaliste që shihet me Heb.12 dhe Zbul.4-5. Heb.12: 22-24 përshkruan një besëlidhje të re në kontrast me adhurimin në Besëlidhjen e Vjetër që gjendet në vargjet 18-21 dhe një shërbesë adhurimi publike në Ditën e Zotit. Kur kisha mblidhet Ditën e Zotit ajo hyn në qiell me besim për të adhuruar Perëndinë me gjithë ushtrinë engjëllore dhe shenjtorët e larguar nga kjo botë. Sipas Zbul.4-5, adhurimi qiellor është një veprimtari formale dhe e koordinuar. Aty shihen reagime kooperative dhe formale nga grupe adhuruesish. Të gjithë përgjigjen së bashku me të njëjtat fjalë. Shihet pra një formë e para-fiksuar adhurimi, por kjo përbën një temë tjetër.