05. Solus Christus (I): Supremacia e Krishtit mbi Gjithçka

Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri. (1 Tim 2:5:)

Pyetja më e rëndësishme që një qenie njerëzore mund të bëjë ndonjëherë është kjo: “çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” Kjo është një pyetje që rëndon në koshiencën e njerëzimit që prej krijimit të saj dhe rënies në mëkat përmes Adamit. Në Dhiatën e Vjetër ne lexojmë tek Jobi 9:2 pyetjen: “si mund të qëndrojë i drejtë njeriu përpara Perëndisë?” Po këtë pyetje bën në Dhiatën e re gardiani nga Filipi tek Veprat 16: “çfarë duhet të bëj që të shpëtohem?” i tërë njerëzimi e di që jemi të krijuar nga një Perëndi i Shenjtë. i tërë njerëzimi gjithashtu e di që nuk mund të qëndrojë përpara këtij Perëndie të shenjtë për shkak të mëkatit, rebelimit, dhe fajit që sjellin ato. Perëndia na deklaron përmes penës së Palit tek Rom 1:18-21 këtë gjë:

18 … zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli për çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, 19 meqenëse ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. 20 Në fakt cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pafalshëm. 21 Sepse, megjithëse e njohën Perëndinë, nuk e përlëvduan as e falënderuan si Perëndi, përkundrazi u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim u errësua.

Në fakt, i tërë njerëzimi e di që duhet ti gjejë një zgjidhje këtij problemi. Njerëzimi ka menduar dy zgjidhje të mundshme. Opsioni i parë është metoda e strucit – të futësh kokën në rërë dhe ti thuash vetes që Perëndia nuk ekziston. Kjo është zgjidhja që ateizmi i jep çështjes. Pasazhi që sapo lexova flet për njerëzit “që mbysin të vërtetën në padrejtësi.” Njerëzimi tenton të mohojë ekzistencën e problemit, dhe e bën këtë gje duke u munduar të fshijë nga faqja e dheut çdo gjë që ka për qëllim ti kujtojë njerëzimit mëkatin e tij dhe dënimin që po i vjen.

Opsioni i dytë është i kundërt me të parin. Opsioni i dytë është mobilizimi – mobilizimi i të tërë forcës mendore, shpirtërore dhe fizike të njeriut për të shlyer me punë mëkatin, fajin që vjen nga mëkati dhe dënimin që vjen për shkak të fajit. Kjo metodë e dytë bazohet në “logjikën” njerëzore, ka në qendër njeriun si shpëtimtar të njeriut, realizohet përmes meritave dhe vlerave që njeriu mundohet të ndërtojë apo gjenerojë, merita dhe vlera me të cilat njeriu pretendon se po të paraqitet me to përpara Perëndisë, Perëndia do të zbutet, pajtohet me njeriun, dhe si rrjedhim do ta falë atë. Për sa i përket këtij opsioni të dytë Perëndia thotë tek Isaia 64:6: “jeni të gjithë si një gjë e papastër, dhe të gjitha veprat tuaja të drejtësisë janë si një rrobe e ndotur. Fraza e fundit – një robe e ndotur – nuk është përkthyer mirë në shqip. Në hebraishten e vjetër manuskripti thotë që veprat tona, drejtësia jonë është për Perëndisë një leckë periode femërore. Me sa duket përkthyesi ka pasur turp ta përkthejë vargun fjalë për fjalë. Të gjitha religjionet e kësaj bote aplikojnë këtë opsion të dytë, dhe është për shkak të çfarë Perëndia na deklaron tek vargu i mësipërm që të tëra religjionet e tjera që gjenden në këtë botë janë të pa-pranueshme për Perëndinë.

Por përgjigja që vetë Perëndia i jep problemit tonë, dhe që është thelbi i Krishtërimit, dhe që pati humbur gjatë periudhës së errësirës mesjetare, dhe që u rizbulua nga Reformacioni Evropian është ky:

Shkoni vetëm tek Fjala – Sola Scriptura, – ku ju do të gjeni që vetëm Krishti, dhe Krishti i vetëm në kryq është zgjidhja e vetme që Perëndia i jep problemit – Solus Christus, – vetëm e vetëm për shkak të hirit të Tij sovran dhe jo për shkak të ndonjë gjëje të mirë në ne – Sola Gratia, – një Krisht që ne duhet ta marrim vetëm dhe vetëm përmes instrumentit të besimit – Sola Fide, – dhe e gjitha kjo vetëm për lavdinë e Perëndisë që ne të jetojmë vetëm për Atë – Soli Deo Gloria.

Duke filluar me sot, unë do të fokusohem në Solën e dytë të Reformacionit – Solus Christus: Vetëm Krishti. Kur ne besojmë dhe deklarojmë Solus Christus ne në fakt besojmë dhe deklarojmë se…

“…shpëtimi ynë arrihet vetëm me anë të veprës ndërmjetësuese të Krishtit historik. Vetëm jeta e tij e pamëkatë dhe shlyerja e tij zëvendësuese mjaftojnë për shfajësimin dhe pajtimin tonë me Atin.” (Deklarata e Kembrixhit)

Sot unë do të fokusohem në faktin që vetëm Krishti është Ndërmjetësi ndërmjet Perëndisë dhe Njeriut. Së pari unë do të fokusohem me arsyem përse është e mundur që Krishti mund të jetë ndërmjetësi ynë me Perëndinë. Vini re së pari që Krishti është i vetmi që na e afron Perëndinë pranë.

I. Vetëm Krishti na e afron Perëndinë pranë nesh

Apostullu Pal thotë tek 1 Tim 2:5: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” Vetëm një ndërmjetës ka Thotë Pali, personi që quhet Jezus por që quhet edhe Krisht, personi që është njeri por që është gjithashtu në të njëjtën kohë edhe Perëndi. çfarë ne shpallim kur deklarojmë – Unë besoj në Jezus Krishtin – është kjo: Unë besoj se Ndërmjetësi dhe Shpëtimtari ynë është një person me dy natyra, Ai është plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi, Ai është Perëndia-Njeri. Fjala Krisht (Kristos në greqisht) përkthen fjalën Mesia (në Hebraisht). Dhiata e Vjetër e përshkruan qartë që Mesia që duhej të vinte do të ishte një person hyjnor. Perëndia do të zbriste në tokë. Dhiata e Vjetër gjithashtu në mënyrë të qartë përcaktonte se po ky ndërmjetës, po ky Mesi apo Krisht do të ishte gjithashtu njeri. Perëndia do të mishërizohej, do ti vishte vetes si një rrobe një trup dhe një natyrë njerëzore dhe do të jetonte në mes të popullit të Tij, do ti shërbente popullit të Tij, do të vdiste për popullin e tij. Tek Isa 7:14 u profetizua: “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel” – Perëndia mes nesh. Isaia 9:6 profetizonte “Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.” Një fëmijë i lindur do të ishte gjithashtu edhe Perëndia i fuqishëm, Perëndi i Përjetshëm. Tek Zakaria 2:10-11 vetë Krishti deklaron;

Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje”, thotë Zoti. 11 “Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.

Vini re që nje person i Trinisë deklaron që do të vijë të banojë në mes të njerëzimit dhe njerëzimi do të pranojë që Ai është dërguar nga personi tjeter i trinisë – ja, unë do të vij, të banoj midis teje”, thotë Zoti…atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.” Tek Mikea 5:2 ne lexojmë fjalët e Personit të p
arë të trinisë, Atit të Përjetshëm që thotë për qytetin e Betlehemit:

“Por ti, o Betlem … megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë”.

Perëndia Ati dëshmon për përjetësinë e Perëndisë Bir në këtë varg – origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë.” Tek Malakia 3;1 Perëndia deklaron që Zoti do të vijë në tempullin e tij midis njerëzve:

“Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim për të përgatitur rrugën para meje. Dhe menjëherë Zoti, që ju kërkoni, do të hyjë në tempullin e vet, engjëlli i besëlidhjes që ju kërkoni me endje, ja, do të vijë”, thotë Zoti i ushtrive.

Lajmëtari që përgatit rrugën për zotin siç e dimë nga ungjijtë ishte Gjon Pagëzori, dhe Engjëlli i Besëlidhjes që përmend këtu Ati, personi i Parë i Trinisë është Zoti Jehova, personi i Dytë i Trinisë së Shenjtë. Titulli Engjëlli i Besëlidhjes është i barabartë në Bibël me titullin Ndërmjetës, apo Mediator. Vetë Zoti thotë Ati Perëndi do të jetë Ndërmjetësi i Besëlidhjes së Hirit, Ndërmjetësi apo Mediatori ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Krishti që duhej të vinte do të ishte vetë Zoti Perëndi, Personi i Dytë i Hyjnisë së Shenjtë, i mishërizuar, që duhej të ecte, qëndronte e vepronte në gjirin e njerëzimit, dhe duke e bërë këtë gjë Ai, Zoti Krisht do të afronte Perëndinë pranë nesh. Dhe vërtet kështu ndodhi: Krishti na e afroi Perëndinë pranë nesh, Emanuel – Perëndia mesh nesh.

Dhiata e re na konfirmon që Jezusi i Nazaretit ishte Mesia që duhej të vinte. Është e pamundur që e tërë evidenca Biblike të renditet në një predikim të vetëm. Ky është qëllimi në fakt i ungjijve, të Provojnë që Jezusi i Nazaretit është Krishti, Mesia, Perëndia i mishërizuar që duhej të vinte. Apostulli Gjon shkruan tek ungjilli (20:31) i tij arsyen e shkrimit të ungjillit:

Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij.

Ju duhet të besoni që Jezusi i Nazaretit është Krishti, Personi i Dytë i Hyjnisë, i Trinisë së Shenjtë, i cili u mishërizua që të vuante dhe të vdiste në kryq për ne dhe në vendin tonë, dhe duke besuar ju do të shpëtoheni, ju do të llogariteni nga Ati Perëndi si të larë përpara Tij, të pastër dhe të pranuar, në një paqe të përjetshme me Perëndinë.

Nëse besojmë dëshminë e Perëndisë se Krishti është Perëndia i mishërizuar, Perëndia-Njeri, dhe nëse besojmë se Krishti është Engjëlli i Besëlidhjes, Ndërmjetësi apo Mediatori i Besëlidhjes së Perëndisë me Njeriun, atëherë duhet të pranojmë dhe besojmë që Krishti është i vetmi që mund të na ndërmjetësojë me Perëndinë. Nëse Krishti është i vetmi që është edhe njeri edhe Perëndi, atëherë ne duhet të pranojmë dhe besojmë se vetëm Krishti është Ndërmjetësi (që është dhe pika ime e dytë për sot), vetëm Krishti – Solus Christus. Kjo është logjika dhe mesazhi Biblik.

II. Vetëm Krishti na Ndërmjetëson me Perëndinë

Vetëm Krishti është dhe mund të jetë Mediatori apo Ndërmjetësi ynë me Perëndinë. Kjo është çfarë Apostulli Pal shpall kaq forcërisht tek pasazhi që kemi për sot: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” Kisha Ortodokse, Kisha Katolike besojnë që Maria është gjithashtu ndërmjetësja jonë me Perëndinë, Apostujt dhe shenjtorët janë gjithashtu ndërmjetësit tanë me Perëndinë. çfarë thotë për shembull katekizma e Kishës Katolike e shkruajtur nga kardinali i cili sot është edhe papa i Kishës: Kapitulli mbi Marinë thotë që Maria dhe Krishti vazhduan që të ruanin një lidhje shpëtuese me njëri-tjetrin, dhe si të tillë ishin bashkë-shpëtimtarë të njerëzimit. Katekizmi gjithashtu thotë që kur Krishti varej në Kryq dhe vuante dënimin e mëkatit tonë nën dhunën direkte të zemërimit të Perëndisë, Maria tek këmbët e kryqit vuante gjithashtu me Krishtin, por jo thjesht siç vuan një nënë që shikon birin e saj të sakatuar në kryq por vuante në të njëjtën mënyrë dhe për të njëjtin qëllim si edhe Krishti – që është shpagimi për mëkatet e botës. Ish kardinali dhe e gjithë Kisha Katolike e Ortodokse e quan Marine Perëndi-Lindëse, e quan Marinë bashke-shpenguese me Krishtin, dhe deklaron që Maria së bashku me Krishtin është ajo që prodhon apo konverton njerëzit në Krisht. Katekizmi dhe ish-kardinali deklaron në emër të asaj Kishe që edhe pse bibla deklaron që Krishti është i vetmi njeri i pamëkatë dhe çdokush tjetër që ka ardhur nga një baba dhe nënë njerëzore është i konceptuar, lindur dhe rritur të vdekur në mëkat, Krishti nuk ishte i vetëm në pamëkatshmërinë e Tij – Maria ishte gjithashtu pa mëkat, e lindur dhe e rritur e tillë. Kur lexon faqe pas faqeje të dokumenteve teologjike të Kishës Katolike dhe Ortodokse vihet re që shumica e cilësive dhe atributeve që i përkasin Krishtit dhe vetëm Krishtit i renditen edhe Marisë. Për ta Maria është ndërmjetësuese në të njëjtin hap me Krishtin. Doktrina Solus Christus – Vetëm Krishti nuk ekziston në besimin e Kishësh Katolike dhe Ortodokse.

Si filloi e gjitha kjo? Në vitin 431 të erës sonë, Kisha i dha zyrtarisht Marisë titullin Hyjëlindëse apo Nëna e Perëndisë. Kisha i dha asaj zyrtarisht edhe statusin që si edhe Krishti ajo ishte absolutish e pa-prekur nga mëkati njerëzor. Pastaj tha që Maria është pjesëmarrëse në shpëtimin tonë me Krishtin, dhe që ne nuk duhet ti lutemi vetëm Krishtit por edhe Marisë, pasi prej saj ashtu si edhe prej Krishtit buron shpëtimi. Si rrjedhim Maria duhet adhuruar gjithashtu dhe jo vetëm Krishti. Nga viti 1993 – 1997 Kisha Katolike mori 4.3 milion firma në një peticion drejtuar Kishësh katolike dhe papës, një Peticion i drejtuar nga 500 Bishopë dhe 42 Kardinalë, që i kërkonin Papës së atëhershme që ti deklaronte Marisë titullin dhe statusin e Bashkë-Shpëtimtares dhe bashkë-Mediatores të tërë Hirit të Perëndisë, dhe Avokatja e popullit të Perëndisë. Maria është Avokatja ndërmjet Perëndisë dhe Njeriut, dhe asaj i janë dhënë çelësat e Mbretërisë së Perëndisë. Papa Leo XIII pat deklaruar që asgje nuk na jepet nga Perëndia veç përmes ndërmjetësimit të Marisë.

Maria, nëna e Jezusit të Nazaretit është shpallur të ndajë me Krishtin të tëra atributet dhe veprat shpëtuese të Krishtit, dhe madje i ka hequr Krishtit detyrën e Avokatit tonë përpara Atit. Kuptohet që jo Maria, një shenjtore dhe bashkë besimtarë në Zotin tonë Krishtin Jezus, por Kisha. Kjo është abuzimi më i madh që reformacioni adresoi kur shpalli Solus Christus – Vetëm Përmes Krishtit. Vetëm Krishti është Perëndia-Njeri, dhe si rrjedhim vetëm Krishti është Ndërmjetësuesi ynë me Atin.

Bibla deklaron në shumë vende këtë gjë: 1 Tim 2:5 thotë: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” Jezusi i tha: tek Gjoni 14:6 “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje. Krishti thotë tek Mateu 11:27 “Çdo gjë më është dhënë në dorë nga Ati im, dhe asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë.” Apostulli Pal thotë për Krishtin tek Efes 4:6: [ka] “një Perëndi i vetëm dh
e Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë.”

As edhe një rast i vetëm nuk mund të gjendet në Bibël ndonjë varg apo pasazh që mund të jetë i dyshimtë apo ngatërrues për ne. Bibla në çdo rast kur flet për Krishtin është kategorikisht ekskluzive, Solus Christus – Vetëm Krishti është Mediatori apo Ndërmjetësi ynë me Perëndinë. Për shembull Bibla deklaron që Krishti është Avokati ynë i vetëm me Perëndinë. Tek 1 Gjonit 2:1-2 Apostulli deklaron në rast se ne biem në mëkat:

Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. 2 Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.

Lexoni Librin e Hebrenjve sot kur të shkoni në shtëpi. Qëllimi dhe organizimi i Librit të Hebrenjve është ky: Krishti është më i lartë se profetët e Dhiatës së Vjetër, me i lartë se engjëjt, më i lartë se priftërinjtë e Dhiatës se vjetër, ndërmjetësi më i lartë ndërmjet Atit dhe Njeriut, i vetmi avokat dhe si rrjedhim atij dhe vetëm Atij i takon i tërë nderimi dhe adhurimi. Lexoni po sot Letrën e Palit drejtuar Kolosianëve. Aty qëllimi i Palit është që të shpallë supremacinë e Krishtit mbi gjithçka, në krijim dhe mbi krijesën si Krijuesi i saj, mbi Kishën e Tij si çliruesi i saj, dhe madje mbi të tërë botën si zotëruesi i saj. Krishti dhe vetëm Krishti mund të jetë i tillë thotë Pali dhe si rrjedhim i takon i tërë adhurimi dhe nënshtrimi ynë. Në asnjë rast, Maria dhe shenjtorët as që nuk përmenden fare. Apostulli Pal thotë tek Rom 8:33-34:

“Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson. 34 Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.”

Krishti dhe vetëm Krishti thotë Pali është ai që vdiq dhe ai që ndërmjetëson. Krishti dhe vetëm Krishti është Shpëtimtari dhe Avokati-Ndërmjetës për të gjithë ne përpara Atit. Tek Veprat e Apostujve, Apostujt Pjetri dhe Gjoni thanë këto fjalë kur ju kërkua që të heshtnin dhe të mos e përmendnin më Krishtin:

“…në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi”.

Apostujt deklaruan Solus Christus – Vetëm në Krishtin mund të këtë Shpëtim, vetëm Krishti është ndërmjetësi dhe askush tjetër, vetëm Krishti është avokati ynë me atin dhe askush tjetër, vetëm Krishti vuajti dhe vdiq në Kryq dhe askush tjetër – ”…në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi”

Vëllezër dhe Motra në Krisht, kjo është çfarë Kishti dhe Apostujt na deklarojnë, kjo është çfarë Perëndia na deklaron, kjo është çfarë na kërkohet që të besojmë, kjo është çfarë na kërkohet se si të jetomë. Besoji Krishtit dhe vetëm Krishtit, vetëm ai është Perëndia-Njeri. Besojini Krishtit dhe vetëm Krishtit pasi vetëm ai ishte i pamëkatë për ne. Besojini Krishtit dhe vetëm Krishtit pasi vetëm Ai vdiq në kryq për ju, për mëkatet tuaja, vetëm gjaku i tij ju pastron, vetëm sakrifica e tij e paqton Perëndinë ndaj jush. Kur mëkatoni tani që keni besuar, mbani mend që Krishti dhe vetëm Krishti ndërhyn për ju tek Ati. Krishti dhe vetëm Krishti është i ulur në anë të djathtë të Perëndisë në Qiell që ju përmend me emër, njëri pas tjetrit si si populli tij. Është Krishti dhe vetëm Krishti ai që ju hani dhe pini dhe përkujtoni gjatë darkës së Zotit, është Krishti dhe vetëm Kristi ai që ju prisni që të kthehet në lavdi si një mbret fitimtar. Është Krishti dhe vetëm Krishti që ju duhet ti nënshtroheni, ta adhuroni, ti shërbeni, ta duani. Amen.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: