Si mund të qëndrojë i drejtë, njeriu mëkatar përpara Perëndisë? Si mund të bëhet i pranueshëm për të? Si mund të jetojë? Të tëra këto pyetje, dhe madje edhe çdo pyetje tjetër e natyrës shpirtërore do të gjejë përgjigje në atë që janë quajtur “Pesë Solat e Reformacionit.” Përgjigja është:
Shkoni vetëm tek Fjala – Sola Scriptura, – ku ju do të gjeni që vetëm Krishti, dhe Krishti i vetëm në kryq është zgjidhja e vetme që Perëndia i jep problemit – Solus Christus, – vetëm e vetëm për shkak të hirit të Tij sovran dhe jo për shkak të ndonjë gjëje të mirë në ne – Sola Gratia, – një Krisht që ne duhet ta marrim vetëm dhe vetëm përmes instrumentit të besimit – Sola Fide, – dhe e gjitha kjo vetëm për lavdinë e Perëndisë që ne të jetojmë vetëm për Atë – Soli Deo Gloria.
Javën e kaluar ne filluam studimin e solos së dytë, Solus Christus që përkthehet “Vetëm Krishti.”Javën e kaluar ne pamë që Bibla deklaron që Jezus Krishti është i vetmi ndërmjetës ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Ai është i vetmi ndërmjetës dhe si i tillë nuk ka nevojë për ndihmën e Marisë, papës, shenjtorëve, engjëjve apo priftërinjve apo pastorëve për të ndërmjetësuar paguar mëkatin tonë në kryq, për të na pajtuar me Atin. Javën e kaluar pamë se si arsyeja për këtë ekluzivitet të Krishtit si ndërmjetësues bazohet në atë që Krishti është. Krishti është i vetmi që është edhe njeri edhe Perëndi dhe si rrjedhim është i vetmi që mund të ndërmjetësojë ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Pali shkroi tek 2 Tim. 2:5 këtë: “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri.” Arsyeja e dytë tepër e rëndësishme që Krishti është i vetmi Ndërmjetësues bazohet mbi pamëkatshmërinë e Krishtit. Krishti është i vetmi njeri i pamëkatë. Bibla e përmban shumë qartë faktin dhe doktrinën që të tëra qeniet njerëzore pas Adamit, përfshi këtu Marien, Apostujt, Papët dhe Mitropolitët janë të lindur me mëkatin e Adamit, në fajin dhe dënimin e mëkatit dhe madje përpara Perëndisë porsa i përket mëkatit – shpirtërisht të vdekur në të. Krishti është i vetmi i pamëkatë, dhe si rrjedhim, së bashku me të qënit Perëndia-Njeri ai është i vetmi që është në pozitë për të qenë si në prezencën e Perëndisë ashtu edhe të njeriut. Krishti, për shkak të natyrës së tij mund të jetë i vetmi Ndërmjetës, i vetmi Mediator i Hirit të Perëndisë për tek njerëzit. Por Krishti nuk është Mediator vetëm për shkak të natyrës së personit të tij, por edhe për shkak të veprës së Tij. Kur ne studiojmë Krishtin, ne gjithmonë studiojmë si personin e Tij ashtu edhe veprën e Tij. Sot unë do të fokusohem në faktin që vetëm Krishti është Ndërmjetësi ndërmjet Perëndisë dhe Njeriut për shak të ofiqeve dhe veprave që Perëndia At i dha Perëndisë Bir, Krishtit Jezus për të bërë në tokë dhe më pas në qiell. Kush janë këto ofiqe, cilat janë këto vepra që i janë dhënë Krishtit nga Perëndia për të qenë Mediator apo ndërmjetës i Perëndisë me njeriun?
I. Krishti është i vetmi Krye-Prift Shpagues në Sakrificë
Krye-Prifti ka dy qëllime në shërbesën e Tij, sa pari Krye-Prifti ofron një sakrificë për popullin e Perëndisë, dhe së dyti Krye-Prifti futët në prezencën e Perëndisë dhe lutët për popullin e Perëndisë. Vepra e parë e Krishtit si kryeprift është që të ofrojë një sakrificë shpaguese për të zgjedhurit e Perëndisë. Ajo çfarë e veçon Krishti nga priftërinjtë e tjerë apo edhe të tërë kryepriftërinjtë që kanë qënë përpara dhe pas tij është fakti që ai nuk ofroi diçka apo dikë tjetër si sakrificë për të shpaguar mëkatet tona, por afroi veten e tij. Krishti ishte si kryeprifti ofrues ashtu edhe qengji i sakrificës i ofruar për shpagim, për të larë me gjakun e tij mëkatet tona. Vini re deklaratën Biblike për këtë:
Së pasi le të lexojmë një varg nga Psalmi 110 i cili është një Mesianik. Një psalm Mesianik kategorizohet ai psalm i cili ose ka në përmbajtjen e saj doktrinën e jetës dhe të veprës së Mesias, ose përmban në të dialog ndërmjet Personit të dytë të Trinisë dhe ndonjë personi tjetër. Tek Psalm 110:4 thuhet: “Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: “Ti je prift përjetë sipas urdhrit të Melkisedekut”. Këtu ne kemi Perëndinë At që duke i folur personit të dytë, Perëndisë Bir i thotë atij se e ka caktuar të jetë prifti popullit të tij, dhe mbi të gjitha një prift sipas urdhrit të Melkizedekut. Me këtë kuptojmë që priftëria e Krishtit do të vinte nga përjetësia dhe do të vazhdonte përjetësisht, e pavarur nga shugurimi që vjen nga njerëzit, Mesia do ta merrte shugurimin e tij direkt nga Perëndia At. Këtë ne e gjejmë të përmbushur në Jezus Krishtin, të vetmin Ndërmjetës dhe të përmendur shumë herë në Dhiatën e Re.
Apostulli Pal thotë tek Letra e Heb 5:8-10 që thotë:
“Edhe pse ishte Bir, mësoi të jetë i bindur nga ato që pësoi, 9 dhe, si u bë i përkryer, u bë vepronjësi i shpëtimit të amshuar për të gjithë ata që që i binden, 10 duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut.”
Vini re, Biri personi i dytë i Trinisë, is nënshtroi veten e tij përuljes dhe vuajtjes dhe u bë “vepronjësi i shpëtimit… duke qenë i shpallur kryeprift nga Perëndia sipas rendit të Melkisedekut.” Dhe për këtë arsye na inkurajon Pali po tek Heb 3:1 “Prandaj, o vëllezër të shenjtë, pjestarë të thirrjes qiellore, vështroni apostullin dhe kryepriftin e rrëfimit të besimit tonë, Jezu Krishtin,” dhe po kështu tek Heb 4:14 “Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.”
Siç thashë më parë, qëllimi i Kryepriftit njerëzor ishte të ofronte një sakrificë për mëkatet e popullit, por ka një ndryshim thelbësor ndërmjet Krishtit dhe kryepriftërinjte të tjerë që ishin në Dhiatën e vjetër dhe që e veçon Krishtin nga të tërë priftërinjtë e tjerë, që e bën Krishtin të vetmin kryeprift të vërtetë për ne. lexoni Heb 7:24-27:
“Kështu Jezusi u bë garant i një besëlidhjeje shumë më të mirë. 23 Për më tepër ata qenë bërë priftërinj në numër të madh, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithnjë, 24 kurse ai, mbasi qëndron për jetë të jetës, ka priftëri të patjetërsueshme, 25 prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta. 26 Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej, 27 i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.”
Cilat janë disa gjëra që e bëjnë Krishtin të vetmin Krye-prift dhe të vetmin Ndërmjetës? Së pari ndryshe nga të tjetër, ai është i përjetshëm, nuk vdes kurrë. Së dyti, Ai ka një priftëri të patjetërsueshme, së treti dhe si rrjedhim vetëm Ai mund të shpëtojë plotësisht, dhe së katri, ai ndërmjetëson me lutje përjetësisht, gjra që një prift tjetër nuk mund ti bëjë. Dhe kështu thotë Pali ja “ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej.” E veçantë e këtij krye-prifti: të tjerët ofronin një herë sakrificë për mëkatet e veta dhe pastaj për ato të popullit, ndërsa Krishti – Ai nuk kishte nevojë të pastronte vetën, dhe si rrjellim, sakrifica që ai ofroi vlen për një herë e mirë – “i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten.” Vëllezër, shumica e botës që nuk beson në Perëndinë dhe Krishtin nuk beson pasi figura e priftit apo e pastorit apo e imamit është e ndryrë, e përlyer në lloje lloje mëkatesh skandaloze që turpërojnë emrin e klerikut e të kishës. Por lajmi i mirë është ky, i vetmi ndërmjetës që ne kemi nevojë është Krishti, dhe i vetmi ndërmjetës që Perëndia na ka dhuruar nuk ka nevojë të falë mëkatet e tij në fillim pasi ai është i papërlyer, i pafaj, i shenjtë e i ndarë nga mëkati. Vërtetë ka shumë Priftërinj, por asnjëri prej tyre nuk i ka cilësitë morale të Krishtit, besojini Atij pasi identifikimi me të nuk do tju bëjë kurrë me turp. Krishti është i vetmi Prift ndërmjetësues i vërtetë pasi vetëm ai është plotësisht njeri e perëndi, pasi vetëm Ai është i përjetshëm, pasi vetëm ai është i një urdhri që nuk vjen nga njeriu por nga Perëndia, pasi ai është i vetmi kryeprit që jo vetëm që ka hyrë në prezencën e Perëndisë, por edhe vazhdon të jetë në prezencën e Perëndisë.
Por kjo nuk është e gjitha, Bibla thotë që Krishti pasi mbaroi ofrimin e sakrificës u ul. Në Tempullin e Dhiatës së Vjetër nuk kishte stola apo karrige ku Prifti të ulej. A e dini pse? Sepse puna e tij nuk quhej kurrë e mbaruar. Pali e përmend këtë gjë tek Heb 10:10-14:
10 Prej këtij vullneti, ne jemi shenjtëruar me anë të kushtimit të trupit të Jezu Krishtit, që u bë një herë për të gjithë. 11 Dhe ndërsa çdo prift rri përditë në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet, 12 ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë, 13 duke pritur paskëtaj vetëm që armiqtë e tij t’i vihen si ndenjëse për këmbët e tij. 14 Sepse, me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen.
Vepra e Priftit në Dhiatën e Vjetër nuk mund ta mbaronte kurrë. Vepra e Krishtit është e përfunduar. Është kjo arsyeja që kur Krishti varej në kryq, fjala e fundit që tha ishte: Ka përfunduar. Shpagimi është bërë, i plotë, deri në kërkesën e fundit. Kjo është arsyeja që Krishti, Ndërmjetësi ynë është i ulur në anën e djathtë të Ati. Ai dha një flijim të vetëm për të gjithë. “Me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen,” ata që besojnë, atë që i nënshtrohen Atij, Krishtit Jezus, Zotit dhe Shpëtimtarit tonë.
Është për këtë arsye që një nga titujt e Krishtit është Shpëtimtar, në fakt edhe emri i Tij, Jezus përkthehet shpëtimtar. A nuk është e mrekullueshme të mendosh që kur Krishti rritej në shtat dhe në frymë, Maria, Jozefi, vëllezërit dhe miqtë e tij me të cilët luante, mësonte e jetonte e thërritnin tërë ditën, pa e kuptuar plotësisht atë që po bënin Jezus, Jezus – Shpëtimtar. Tek Luka 2:11 lexojmë “sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” TekActs 5:31 lexojmë Pjetrin dhe Apostujt e tjerë të deklarojnë përpara parlamentit të Judenjve këtë: “Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.” Pali thotë tek Ephesians 5:23 “…burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.”Apostulli Gjon, deklaron tek 1 John 4:14 këtë: “Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qenë Shpëtimtar i botës.”
Po, vërtetë Krishti është i vetmi Krye-Prift Shpagues në Sakrificë, i vetmi Shpëtimtar si në emër ashtu edhe në titull e detyrë, i vetmi që është i pastër për të ndërmjetësuar, i vetmi që ofron një sakrificë një herë e përgjithmonë gjë që e bën të panevojshme meshën katolike apo ortodokse. Sipas doktrinës së këtyre dy kishave, prifti ofron si flijim në mënyrë të përsëritur, ditë pas dite, sa herë që bëhet shërbesa – Krishtin si një flijim për mëkatet tona. Dhe këtë gjë ata e bëjnë gjatë ceremonisë së Darkës së Zotit. A mos vallë fjalët e Palit nuk janë të vërteta që Krishti “me një ofertë të vetme, ai i bëri të përsosur për gjithnjë ata që shenjtërohen.” A mos valle nuk është e vërtetë bibla kur thotë “ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë?” A mos vallë nuk dinte çfarë thoshte Krishti kur deklaroi “Ka Përfunduar.” A mos vallë gënjen Perëndia At kur dëshmoi “Ja Biri im, me të cilin jam i kënaqur?” A mos vallë nuk dinte se ç’thoshte Gjon Pagëzori kur tha “Ja qengji i Perëndisë që heq mëkatet e tërë botës?” A mos vallë gënjeu Krishti kur i tha Atit “Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj?”
Por Krishti nuk është vetëm një Kryeprift që ofron një sakrificë të vetme një herë dhe përgjithmonë dhe që shpagon për të tëra mëkatet e popullit të Tij, por edhe një Krye-prift që vazhdon të lutet për ne. Në fakt Krishti është i vetmi Prift që ndërhyn në lutje për ne. Dhe kjo është pika ime e dytë për sot.
II. Krishti është i vetmi Prift Ndërhyrës në Lutje
Apostulli Pal thotë tek Rom 8:34 “Kush është ai që do t’i dënojë [bijtë e Perëndisë]? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne.” Kryeprifti në Dhiatën e Vjetër, pasi ofronte një flijim, futej në shenjtore dhe duke mbajtur një pllakë me emrat e të 12 tribuve të Izraelit lutej për popullin e Izraelit tribu pas tribune. Po të njëjtën gjë bën Kryeprifti i Përjetshëm Jezus Krisht. Pasi ka ofruar një sakrificë të vetme një herë dhe përgjithmonë, tani – i ulur në anë të djathtë të Perëndisë At, ndërhyn për ne në lutje, për gjithsecilin prej jush, në emer, pasi emri i gjithsecilit prej jush është i shkruar në zemrën e tij. Vini re rëndësinë e shërbesës lutëse të Krishtit për ju. Heb 7:25 thotë: “prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta.” Shikoni, ju jeni të shpëtuar jo vetëm sepse Krishti vdiq në kryq për ju, por sepse Krishti vdiq në kryq për ju dhe vazhdon të lutet për ju. Është Krishti që ju ruan juve deri në fund, është Krishti që jua hap zemrat për të marrë fjalën e Tij, është Krishti që ju hap sytë për ta parë atë në Bibël, është Krishti që derdh mbi ju Frymën e Shenjtë. Tek Titi 3:5-6 Pali thotë
“Ati na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë, 6 të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tone.”
Fryma na jipet me anë të Krishtit thotë Pali. Solus Christus. Vini re po në këtë pasazh Sola Graita – vetëm nga Hiri. Lexojmë: “Ati na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij.” Kështu pra, është Krishti si Profet që lutet e ndërmjetëson për ju dhe që si pasojë ju mban juve që të mos rrëzoheni. Tek Heb 12:2 ne lexojmë që Krishti është “kreu dhe plotësonjësi i besimit” tonë. Tek Filipianëve 1:6 Pali thotë [jam] “i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.” Krishti tha tek Gjoni 10:28 “dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime… Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.” Kjo vëllezër dhe motra është arsyeja përse Krishti është në anën të djathtë të Atit duke ndërmjetësuar për ju. Që ju kurrë të mos humbisni nëse i besoni Atij.
III. Krishti është i vetmi Kokë në Kishën e Tij
Së treti vini re, që Krishti është jo vetëm Krye-prift i popullit të tij, por edhe Koka e vetme e Trupit të tij që është Kisha. Kisha Anglikane deklaron që Kreu i Kishës është Mbreti…kur kanë mbret, ose Mbretëresha e Anglisë kur nuk kanë mjaftueshëm burra për mbret. Kisha Katolike beson që kreu i kishës është Papa. Kisha Ortodokse beson që edhe pse koka e padukshme e Kishës është vetë Krishti, Koka e vërtetë e kishës është Patriarku. Por çfarë thotë Fjala e Perëndisë për këtë? Mbani mend se nëse ne i drejtohemi vetem Fjalës – Sola Scriptura – për pyetjet tona aty ne do të gjejmë vetëm Krishtin – Solus Christus si përgjigja biblike. Tek Efes 1:22 ne lexojmë që Ati në Krishtin Jezus “…vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës.” Krishti është kreu i kishës.” Tek Efes 5:23 Pali vazhdon të thotë “burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.” Tek Kol 1:18 përsëri deklaron [Krishti] “vetë është kreu i trupit, pra i kishës; ai është fillimi, i parëlinduri nga të vdekurit, përderisa të ketë parësinë në çdo gjë.” Përmbi sa aspekte është Krishti kreu i kishës, apo në sa çyshtje të jetës, organizimit, funksionimit të Kishës dhe jetës së Krishterë është Krishti Koka e Kishës dhe e të Krishterit? Në pak, në disa, në shumicën? Pali thotë: Ati “vuri çdo gjë nën këmbët e tij, edhe ia dha për krye përmbi çdo gjë kishës,” përmbi çdo gjë. Krishti është e vetmja kokë, i vetmi ligjvënës në Kishën e Tij.
Sot ka një erozion të çmendur të doktrinës së Solus Christus në Kishën e Tij. Kur ne shpallin që Krishti është koka e Kishës, ne shpallim po ashtu që Krishti është mbreti i saj dhe në fakt i të tërë botës. Pjetri e quan Krishtin tek Vep. 3:15 “Princ të Jetës.” Tek Vep. 5:31 Pjetri thotë përsëri “Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.” Pali e quan Krishtin “Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve, 16 ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë.” Por Kisha e këtij mbreti, e dëshiron Krishtin të jetë Prifti i yte pasi kanë leverdi, duan dikë që ti lajë mëkatet, por nuk e donë Krishtrin për Mbret dhe kokë të Kishës, ku në mënyrë zyrtare si në Kishat Katolike dhe Ortodokse, dhe ku në mënyrë jo-zyrtare si në Kishat Protestante dhe ungjillore. Njerëzit duan të jenë të falur pasi nuk i pëlqen që të shkojnë në ferr në të ardhmen, dhe as që të jetojnë në këtë tokë në të tashmen me një ndërgjegje që i torturon. Njerëzit duan të jenë të çliruar nga pasojat e mëkatit dhe për këtë ata që janë pak më të ndriçuar në mendje e duan Krishtin, por shumica prej nesh nuk e dëshiron, në subkoshiencën tone nuk e duron dot Krishtin të jetë Koka, mbreti, Sovrani i tyre. Njeriu nuk mund të pranojë të mos jetë në timon të ngjarjeve, të etikës, të metodave, të mesazhit, të moralit, të sistemit. Njeriu e dëshiron Krishtin vetëm si prift që ta pastrojë, por jo si Profet që ta drejtojë dhe jo si Mbret që ta sundoje, njeriut nuk i pëlqen bindja, nuk i pëlqen nënshtrimi. E pra kjo është e pamundur. 1 Tim 2:5 thotë “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus.” Perëndia ka dhënë një ndërmjetës që mbart të tëra ofiqet e nevojshme për shpëtimin tonë. Krishti është Profet, Prift dhe Mbret dhe në të treja këto së bashku ai është ndërmjetësi ynë me Perëndinë. Nuk mund të pranojmë shpëtimin nga mëkatet tona për të jetuar pastaj si djaj. Krishti nuk vdiq për këtë. Tek Gjoni 17:19 Krishti i tha Atit në lutjen e Tij Priftërore për ne: “Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë.” Krishti vdiq që ju të jetoni jo sipas qejfit tuaj, por sipas urdhëresave të Krishtit. Krishti vazhdoi dhe u lut kështu: “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.” Sola Scriptura është standardi ynë i shenjtërisë. Jetoni në përputhje me Fjalën vëllezër dhe motra, dhe ju do të jetoni për Krishtin dhe për lavdinë e Perëndisë. Pali tek Rom 12:1 ju lëshon këtë thirrje: “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.” Po e mbyll me fjalët e Apostullit Gjon: “…dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.” Amen.