07. Sola Gratia-Vetëm nga Hiri

07. Sola Gratia-Vetëm nga Hiri

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush. 10 Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.

Efesianeve 2:8-10

I. Çfarë është Hiri i Perëndisë

Krishti përmes Apostullit Pal na deklaron: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë.” “Të shpëtuar me anë të hirit!” Por çfarë është hiri i Perëndisë? Përkufizimi më i shkurtër që mund të jipet dhe që duhet fiksuar mirë në mëndje dhe në zemër është ky: Hiri është një dhuratë e pameritueshme që na jepet nga Perëndia. Perëndia së pari nuk i jep besimtarëve në Krisht atë që ata meritojnë, dhe lavdi Zotit për këtë pasi për shkak të mëkatit tonë, e vetmja gjë që ne meritojmë është dënimi i përjetshëm. Perëndia nuk na jep dënimin që ne meritojmë dhe kjo është pjesa e parë e hirit. Pjesa e dytë e hirit është kjo: Perëndia na jep diçka në ne në fakt nuk e meritojmë, na jep dashurinë e Tij, na jep miqësinë e Tij, na ofron që të kemi një marrëdhënie të vërtetë, të thellë dhe personale me atë, na pastron nga mëkati ynë, na i fal fajet, na adopton dhe na quan bijtë dhe bijat e tij, na ruan, na mbron, na bekon fëmijët dhe familjet, na jep Frymën e Shenjtë, dhe në fund na jep edhe jetën e përjetshme në gjirin e Tij. Të gjitha këto janë dhurata të pamerituara që vijnë nga dora e Perëndisë, dhe të gjitha këto dhurata të pamerituara quhen hiri i Perëndisë. Pra, çfarë është hiri i Perëndisë? Favori i pamerituar i Perëndisë në të cilin ne jo vetëm që nuk marrin dënimin që meritojmë por për më tepër marrin dhurata që nuk i meritojmë. Ky është hiri i Perëndisë.

a. Origjina e Hirit: Dashuria e Perëndisë

Por përse na jep Perëndia hir, çfarë e shtyn atë për ta bërë këtë gjë? Cila është origjina e hirit? Vëllezër, Hiri i Perëndisë buron nga zemra atërore plot dashuri e Perëndisë. Origjina e Hirit është dashuria e Perëndisë. Tek Efes 1:4 Pali thotë se Perëndia “…na zgjodhi në të [Krishtin] përpara se të themelohej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri,” – Ati na zgjodhi në dashuri. Tek Eph 2:4 Pali përsëri thotë “Por Perëndia …është i pasur në mëshirë, për shkak të dashurisë së tij të madhe me të cilën na deshi.” Perëndia ka mëshirë dhe hir për ne për shkak të dashurisë së tij të madhe. Ne jemi dashur në Krishtin dhe përmes Krishtit nga Perëndia, nga një qenie hyjnore, sovrane, e pavarur nga ne në të gjitha ndjenjat, dëshirat, mendimet dhe veprimet e Tij. Perëndia na ka dashur jo sepse pa ndonjë gjë të mirë në ne, por na ka dashur pasi ai është një Perëndi i dashurisë që i zgjedh që të derdhë dashurinë e Tij mbi njeriun pavarësisht nga ligësia dhe mëkati që mbizotëron në ne. “Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati,” thotë Apostulli Gjon, një dashuri pa paralel në këtë botë pasi ajo është e themeluar jo në njeriun por në vetë Perëndinë.

b. Kostoja e Hirit: Kryqi i Krishtit

Kjo është një dashuri që neve e marrim falas, është një dhuratë e pamerituar përndryshe nuk do të ishte nga hiri, por kjo dhuratë nuk është pa kosto. Dikush duhet të paguaj për këto dhurata dhe këtë pagesë e ka bërë Krishti. Kostoja e Hirit është kryqi i Krishtit. Pali thotë tek Efes 1:7 “në [Krishtin] cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurivë së hirit të tij.” Jeta dhe vdekja e Krishtit në Kryq është pagesa që Krishti pagoi me trupin e Tij me qëllim që të blejë ato gjëra shpirtërore që ju nuk mund ti fitoni kurrë, por që Krishti pasi i ka blerë me gjakun e Tij jua shpërndan fala, si një dhuratë e pamerituar, që është hiri i Perëndisë. Të krishterë, fjala Hir është një fjalë e larë në gjak dhe ju kurrë nuk duhet të mendoni mbi dhe të flisni përreth hirit duke e veçuar atë nga gjaku i Krishtit. Fjala Hir është një fjalë me tre shkronja por që i ka kushtuar Perëndisë Birin, i ka kushtuar Krishtit jetën për ti dhënë Kishës përjetësinë.

c. Pasuria e Hirit: Biri i Perëndisë

Por Bibla nuk na flet vetëm për hirin si një dhuratë e pamerituar që buron nga dashuria e Perëndisë dhe që i ka kushtuar Perëndisë Krishtin në Kryq, por flet për këtë hir si një pasuri e paçmuar për popullin e Perëndisë. Tek Efes 1:7 shkruhet se ne “kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurive së hirit të tij.” Po kështu tek Efes 2:7 thihet se ne duhet të dëshmojmë për “pasurinë e pamasë të hirit të tij.” Në çfarë konsiston pasuria e Hirit të Perëndisë? Kjo mund të duket thjesht si lojë fjalësh që Apostulli i ditur Pal bën me ne, por nuk është kështu. Pasuria e vërtetë e Hirt, dhurata e pamerituar që na jepet nga Perëndia nuk është vetëm falja e mëkateve, drejtësia përpara perëndisë, paqja me Perëndinë, birësimi që na bën ai dhe bekmet e Frymës së Shenjtë, por mbi të gjitha Perëndia At na dhuron neve vetveten. Ati na ka dhuruar Personin e dytë të Trinisë së Shenjtë, Zotin Jezus Krisht. Krishti është pasuria e pafundme e hirit të pamasë së Perëndisë pasi si Perëndi, fuqia e Krishtit është e pafundme, njohja e Tij, kujdesi i Tij, dhe dashuria e Tij është e pafundme. Perëndia na ka dhënë si një dhuratë të pameritueshme vetveten. Në Dhiatën e Vjetër Perëndia premtoi vetveten kur tha: Unë do të jem Perëndia juaj dhe i bijve tuaj. Në Dhiatën e Vjetër dhe të Re Krishti është quajtur Emanuel, Perëndia në mesin tonë. Apostulli Pjetër në predikimin e Tij të parë Apostolik i deklaroi tërë botës dhe madje edhe juve kryetarëve të familjeve në këtë sallë këtë: “Premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj, dhe madje edhe për të gjithë ata që janë larg.” Apostulli Pal gjithashtu predikoi doktrinën e prezencës së Krishtit në trupin dhe shpirtin e besimtarëve dhe këtë ai e quan një mister, një realitet që edhe pse u paratha nga Perëndia në Dhiatën e Vjetër, nuk u kuptua edhe aq mirë nga njerëzit. Dhe duke folur për misionin e tij apostolik si predikues i ungjillit Pali thotë tek Kolosiance 1:26-27 këtë: “misterin që u mbajt i fshehtë gjatë shekujve dhe brezave, por që tani iu shfaq shenjtorëve të tij, të cilëve Perëndia deshi t’ua bëjë të njohur cilat ishin pasuritë e lavdisë së këtij misteri ndër johebrenjtë, që është Krishti në ju, shpresë lavdie.” Krishti në ju, prezenca e Zotit dhe Perëndisë Bir brenda qenies së besimtarëve, dhe këtë prezencë thotë Pali është pasuria që Perëndia ju ka dhënë juve nga Hiri i tij. Krishti brenda jush që besoni është ji vetëm nga hiri i Perëndisë dhe vetë hiri i Perëndisë por është edhe pasuria që ju është dhuruar. Perëndia ju ka dhuruar juve vetveten, një favor i pamerituar nga ju por që e ka burimin në dashurinë e Perëndisë. Dhe kjo është arsyeja pse Pali thotë që ne predikojmë vetëm Krishtin, dhe atë të Kryqëzuar. Krishti është mbushullimi apo plotësia e hirit të Perëndisë në ungjillin që predikohet.

Por fatkeqësisht, sot fjala hir nuk ka shumë vlerë ne fjalorin e Kishës. Hiri i mrekullueshëm dhe madhështor i Perëndisë nuk konsiderohet edhe kaq madhështor, dhe arsyeja për këtë ndryshim ka të bëjë më këndvështrimin që njerëzimi ka për vetveten. Njerëzimi brenda dhe jashë kishës refuzon ta
shikojë veten e saj ashtu siç ëshë në të vërtetë, e ngjizur, e lindur dhe e trajnuar në mëkat, ligësi e mosbindje. Ne nuk e vlerësojmë Hirin pasi nuk ia njohim vlerën mëkatit. Sa më i parandësishëm të konsiderohet mëkati, po aq edhe më i pavlerë bëhet Hiri për njeriun. Sa më lartë ta shikojmë veten aq edhe më e panevojshme bëhet Hiri i perëndisë dhe vetë Krishti rezus dhe kryqi i tij për ne. Por cila është situata e vërtetë në të cilën ndodhet njerëzimi?

II. Cila është situate në të cilën ndodhet njerëzimi

a. Pa-aftësi Totale

Së pari Perëndia na deklaron në Bibël që njeriut dergjet në një situatë rënie totale shpirtërore, dhe në një pa-aftësi totale për të shpëtuar veten përmes meritave të veta. Tek Romakëve 3 Apostulli pal thotë për njerëzimin:

“Dënimi i këtyre është i drejtë. 9 E çfarë pra? A kemi ne ndonjë epërsi? Aspak! E kemi treguar në fakt që më përpara se si Judenjtë ashtu edhe Grekët janë të gjithë nën mëkat, 10 siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. 11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. 12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. 13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; 14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; 15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; 16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, 17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; 18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre”.”

Të gjithë pa përjashtim kemi mëkatuar ndaj Perëndisë dhe njëri tjetrit, dhe si rrjedhim të gjithë gjendemi nën dënimin e Perëndisë. “Të gjithë nën mëkat, 10 siç është shkruar: “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një.” Por jo vetëm kaq, diçka thelbësore ka ndryshuar në qenien njerëzore. Njeriu ka humbur aftësinë për të dëshiruar që të kthehet për tek Perëndia, njerëzimi ka humbur aftësinë që të kuptojë realitetin e tij shpirtëror, njeriu ka humbur aftësinë për të kërkuar Perëndinë dhe për tu bërë i dobishëm për perëndinë. “Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. 12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një” thotë Pali. Tek Zanafilla 6:5 ne lexojmë: “Dhe tani Zoti pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë.” Një pemë e mirë – tha Krishti në një nga predikimet e tij në Ungjill – mund të japë vetëm fryte të mira, një pemë e keqe mund të japë vetëm fryte të këqija. Njihini njerëzit nga frytet e tyre, dhe frytet e njerëzimit dëshmojnë se ajo nuk është në gjendje që të kërkojë dhe as të dëshirojë që të kërkojë Perëndinë. Njerëzimi nuk është në gjendje që të ndryshojë vetveten. Jeremia 13:23 thotë “A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?” Përgjigja është jo. Njerëzimi është i paftë për të ecur drejt Perëndisë. Pali thotë tek Rom 8:7-8 “Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. 8 Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.”

b. Nevoja për shpëtim dhe regjenerim

Rrjedhimisht del nevoja për shpëtim dhe për regjenerim. Krishti tha tek Ungjilli i Gjonit 3:5-6 “në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. 6 Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë.” Krishti tha: që ju të ndryshoni ju duhet të rilindi përsëri, ju duhet që të rigjeneroheni që të fitoni aftësinë për tiu afruar Perëndisë. Ju duhet që të lindni nga fryma që ti pëlqeni Perëndisë. Ju duhet që të rilindin nga Fryma e Shenjtë që mendja juaj të mos jetë më e kontrolluar nga mishi e mëkati, dhe që mendja juaj të mos dëshirojë më që të jetë në armiqësi me Perëndinë por në miqësi me Atin e dashurisë. Ne, njerëzit kemi nevojë që të shpëtohemi nga mëkati ynë, kemi nevojë që faji ynë të shpagohet, që borxhi ynë ndaj Perëndisë të lahet. Pali thotë tek Rom 6:3 që paga e mëkatit është vdekja, por si mund të paguhet kjo pagesë më vdekje kur në fakt ne dëshirojmë që të jetojmë? Por ne kemi nevojë që të shpëtohemi jo vetëm nga mëkati dhe nga paga e mëkatit por edhe nga pasojat e mëkatit në jetën tonë. Mëkati shkakton dominim. Kur ne mëkatojmë, mëkati fiton pushtet mbi ne dhe na fton dhe detyron për të mëkatuar përsëri, na thith në një rreth vicioz nga i cili nuk mund të dalim më po të mos jetë për Krishtin i cili e thyen dominimin e mëkatit mbi ne. Por mëkati gjithashtu sjell edhe zemërimin e Perëndisë ndaj nesh, ky zemërim duhet shuar, Perëndia duhet paqtuar, kjo është të kesh nevojë për shpëtim.

Jeremia 13:23 thotë “A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?” Përgjigja është jo. Krishti thotë se ka një rrugëdalje, dhe metoda e shpëtimit është kjo: Sola Gratia – Vetëm nga Hiri.

III. Përse Sola Gratia – Vetëm nga Hiri? Cila është dëshmia Biblike?

Por pse Solia Gratia – Vetëm nga Hiri? Pasi vetëm Krishti vdes në kryq për të na blerë, për të paguar borxhin tonë për ne, dhe pasi e ka bërë këtë është Ati dhe Biri që dërgojnë Frymën e Shenjtë për të na rilindur shpirtërisht, për të na rigjeneruar, për të na çliruar mendjen dhe zemrën nga dominimi i mëkatit, për të na aftësuar sytë për të parë Krishtin, për të na aftësuar zemrën për të dashur Perëndinë, për të na aftësuar vullnetin për të marrë vendimin për tju afruar Perëndisë më besim. Është për këtë arsye që Pali thotë në tekstin që kemi për sot “8 Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush.” Ju nuk mund të vdisnit në kryq për vetën tuaj, ju nuk mund të prodhonit Krishtin, ju nuk mund të urdhëroni Frymën e Shenjtë, ju nuk mund të ringjallni vetveten, ju nuk mund të rilindni vetveten. Dikush tjetër duhet ta bëjë për ju dhe ky është hiri i Perëndisë që ju nuk e meritoni. Dikush tjetër duhet të bëjë operacion zemre brenda jush dhe këtë gjë ju nuk mund tja bëni vetvetes por dikush tjetër duhet ta bëjë brenda jush dhe Kjo është Fryma e Shenjtë. Ju nuk e urdhëroni atë. Krishti tha tek Gjoni 3:8 “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma.” E pra, kjo vepër e Perëndisë nuk ndodh pasi ju e meritoni, nuk ndodh pasi ju e dëshironi, nuk ndodh pasi ju e urdhëroni por sepse Perëndia ju deshi ku ju ishit ende armiq të tij, dhe për shkak të dashurisë ai u tregua i hirshëm, ju dha një dhuratë të pamerituar. Perëndia na “zgjodhi në [Krishtin Jezus] përpara se të themeloh
ej bota, që të jemi të shenjtë dhe të papërlyer përpara tij në dashuri, 5 duke na paracaktuar që të birësohemi në veten e tij me anë të Jezu Krishtit, sipas pëlqimit të vullnetit të vet, 6 për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij, 7 në të cilin kemi shpengimin me anë të gjakut të tij, faljen e mëkateve sipas pasurive së hirit të tij,” (Efes 1:4-7). Vërtetë siç thotë Apostulli Pal “8 Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë.”

Ne besojmë në doktrinën Sola Gratia – Vetëm nga Hiri pasi hiri nëse nuk është i vetëm atëherë nuk është hir. Fjala vetëm na ndihmon që të kuptojmë dhe mbajmë mend origjinën e Hirit, ajo vjen vetëm nga Perëndia dhe jo nga Njeriu apo nga Perëndia + Njeriun. Zemra njerëzore është fabrikë idhujsh, dhe idhulli kryesor, produkti më i prodhuar i kësaj fabrike është krenaria shpirtërore. Njerëzit gjithmonë dëshirojnë që të marrin nga lavdia e të tjerëve, pa përjashtuar këtu edhe nga lavdia e Perëndisë. Por Perëndia është një person xheloz kur vjen puna tek lavdia e Tij. Nuk e ndan atë me njeriun dhe për këtë arsye na shpëton vetëm nga hiri. Pali thotë tek Rom 11:36 “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!”

IV. Cilat janë frytet e Hirit

Por së fundi, duhet që të vë në dukje që edhe pse Bibla dhe Kisha kanë besuar gjithmonë në doktrinën e Sola Gratia – Vetëm nga Hiri i Perëndisë, bibla dhe Kisha kanë besuar gjithmonë që ky Hir që vjen i vetëm prodhon fryte. Në vargun që vijon, tek Efes 2:10 Pali thotë “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.” Si vepra e Perëndisë, ne jemi të rikrijuar për perëndinë që të bëjmë vepra të mira, të japim frytë. Cilat janë këto fryte, këto vepra të mira në të cilat ne duhet të ecim?

1. Së pari hiri prodhon përulje. Kur hiri i Perëndisë pushton zemrën e besimtarit, një prej fryteve që prodhon atje është përulja shpirtërore, po mungesa e krenarisë. Efes 2:9 thotë: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush.” Dhe si të mos jetë ndryshe. E vetmja gjë që ne ofrojmë për shpëtimin tonë është mëkati ynë dhe asgjë tjetër. Edhe besimi me të cilin ne i afrohemi Perëndisë nuk vjen nga ne por na jepet apo prodhohet në ne nga Fryma e Shenjtë. Nëse ju e quani veten të Krishterë sot dhe keni krenari në zemrat tuaja atëherë ju nuk e keni kuptuar mesazhin e ungjillit, ju nuk e keni kuptuar ligësinë dhe fuqinë e mëkatit tuaj, domosdoshmërinë e hirit, dhuratën e Perëndisë dhe xhelozinë e Tij për lavdinë e Tij.

2. Së dyti, hiri prodhon sigurinë e faljes dhe të shpëtimit. Tek Rom 8:15 Pali thotë se kur ju merrni hirin e Perëndisë ju nuk merrni “një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne i thërrasim [Perëndisë]: “Aba, o Atë!”.” Pak më posh, në vargun 33 Pali thotë po “Kush do t’i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson.” Kur ne kuptojmë hirin, ne çlirohemi, dhe jo vetëm nga faji dhe fuqia e mëkatit mbi ne, por gjithashtu edhe nga frika që mëkati, faji dhe fuqia e mëkatit prodhon në ne. Hiri që na fal dhe na shpëton edhe nga çliron që të duam Krishtin, që të gëzohemi në të. Zemra që ka shijuar hirin e Perëndisë ndjehet e sigurt në krahët e plotfuqishme të Perëndisë, pasi ato tashmë nuk janë më për të krahë ndëshkimi po krahë mbrojtjeje, dhe ky është hiri sigurisë së faljes dhe shpëtimit.

3. Së treti, hiri prodhon adhurim. Kur ne kuptojmë dhe shijojmë favorin dhe dashurinë e pamerituar të Perëndisë, zemrat tona automatikisht e rrëzojnë qenien tonë në gjunjë përpara Perëndisë ashtu siç bëri edhe me Apostullin Pal, kur pasi ka analizuar në katër kapitujt e parë në librin e Romakëve ligësinë dhe fuqinë e mëkatit, dhe më pas pasi ka shtjelluar në katër kapitujt e tjerë hirin e Perëndisë në Krishtin Jezus, në fund të kapitullit të tetë përfundon në gjunjë në një shpërthim doksologjik kur e adhuron hirin e Perëndisë me një himn.

4. Së katërti, hiri prodhon dedikim. Kur hiri i Perëndisë pushton zemrat tona, zemrat tona doksologjike – plot adhurim nuk qëndrojnë vetëm në gjunj, por edhe ngrihen në këmbë. Tek Rom 12:1-2 Pali i bën thirrje Kishës, juve që për shkak të dhembshurisë dhe hirit të Perëndisë “ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.” Hiri prodhon shërbim, hiri prodhon në ne sakrifica e flijim. Nëse dy orë në Kishë ditën e Dielë është koncepti juaj i Krishterimit atëherë ju nuk e keni kuptuar dhe as përjetuar hirin e Perëndisë në jetën tuaj. Perëndia dëshiron të gjithë qenien tuaj, gjithçka që jeni dhe gjithçka që keni.

5. Së pesti, hiri prodhon transformim. Një jetë që ka përjetuar hirin e Perëndisë është një jetë që po transformohet sipas imazhit të Krishtit. Perëndia na ka zgjedhur dhe shpëtuar nga hiri që të jemi “të ngjashëm me shëmbëlltyrën e Birit të tij,” (Rom 8:29). Pali thotë që kur ne adhurojmë Krishtin “Dhe ne të gjithë, duke soditur fytyrëzbuluar lavdinë e Zotit si në pasqyrë, transformohemi në të njëjtën shëmbëllim nga lavdia në lavdi, prej Frymës së Zotit.” Jini të shenjtë siç edhe unë jam i shenjtë është urdhri i Perëndisë si në Dhiatën e Vjetër edhe në atë të Renë. Ecni siç Krishti eci urdhëron Pali. Po e mbyll duke përsëritur urdhrin që Pali na jep në pasazhin e sotëm: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë, 9 jo nga vepra, që të mos mburret askush. 10 Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.” Amen.