08. Sola Fide – Vetëm Përmes Besimit (I)

Shfajësimi Vetëm përmes Besimit në Drejtësinë e Krishtit

“Si mund të bëhet njeriu mëkatar i drejtë përpara Perëndisë së Shenjtë?” është pyetja ekzistencialiste më e rëndësishme e qenies njerëzore. Si mund të çlirohemi nga faji i mëkati tonë, nga dënimi që mëkati sjell mbi ne të gjithë, dhe nga fuqia e mëkatit në jetën tonë? Përgjigjen e kësaj pyetje, Reformacioni Evropian i shekullit të 16 – duke reaguar ndaj errësirës mesjetare dhe praktikave abuzive të Kishës – e gjeti në Fjalën e Shkruar të Perëndisë së gjallë, në Bibël. Dhe përgjigja hyjnore e problemit njerëzor është kjo: shkoni vetëm tek Shkrimi, ku do të gjeni që ne jemi të shfajësuar vetëm përmes besimitKrishtin dhe drejtësinë e Tij, vetëm nga hiri sovran i Perëndisë dhe vetëm për lavdinë e Perëndisë. Këto njihen si Pesë Solat e Reformacionit – Sola Scriptura, Solus Christus, Sola Gratia, Sola Fide, Soli Deo Gloria. Sot, duke u nisur nga Galatasve 3:6-14 unë do të shpalos përpara jush solën e katërt të Reformacionit, Sola Fide që do të thotë se shfajësimi është vetëm përmes besimit në drejtësinë e Krishtit.

Është e pamundur për mua që të shpreh në pak fjalë rëndësinë e metodës së shfajësimit nga mëkati përmes besimit në drejtësinë e Krishtit siç na është dhënë nga Perëndia. Doktrina e shfajësimit vetëm përmes besimit është doktrina kryesore e Protestantizmit historik dhe biblik. Lufta për ruajtjen dhe rifitimin e kësaj doktrine është çfarë prodhoi Kishën Protestante apo ungjillore. Martin Luteri, instrumenti kryesor i Reformacionit Evropian tha që kjo doktrinë është “pika në të cilën Kisha qëndron dhe doktrina pa të cilën Kisha rrëzohet” (articulus stantis et cadentis ecclessiae). Luteri tha gjithashtu këtë për shfajësimin përmes besimit: “Kjo doktrinë është guri i qoshes në themelin e Kishës. Mbi të lind, ndërtohet, ushqehet, ruhet dhe mbrohet kisha e Perëndisë; dhe pa të ajo nuk mund të ekzistojë as edhe një orë.” John Calvin e përshkroi doktrinën e shfajësimit vetëm përmes besimit në drejtësinë e Krishtit si “mentesha kryesore në të cilin i gjithë religjioni ynë varet dhe boshti në të cilën gjithçka rrotullohet.” Kjo doktrinë ishte thelbi i përplasjes së madhe që ndodhi në shekullin e 16 në Evropë, dhe sipas studiuesve, kjo së bashku me kthimin në Bibël si e vetmja fjalë autoritare e Perëndisë, është faktori më i rëndësishëm për të mos thënë i vetmi që i ndryshoi faqen civilizimit perëndimor. Arsyeja për këtë është kjo: Një i burgosur me zinxhirë nëpër këmbë nuk mund të ndërtojë një civilizim të suksesshëm. Vetëm një shpirt, një mëndje, një zemër, një vullnet i lirë nga supesticioni, nga mëkati dhe faji që mëkati sjell, nga barra e dënimit e cila prodhon vetëm frikë dhe paralizim, vetëm një i çliruar mund të krijojë një civilizim të tillë. Një njeri në faj përpara Perëndisë nuk ka kohë të ndërtojë por vetëm të dridhet përpara Tij, dhe kjo na sjell së pari në nevojën e njeriut për të qenë i shfajësuar përpara Perëndisë.

I. Nevoja për Shfajësim

Nevoja jonë për shfajësim përpara Perëndisë shihet kontekstin e dy gjërave: Së pari realiteti i mëkatit njerëzor i cili është universal dhe së dyti në gjykimin dhe dënimin hyjnor që po vjen. Apostulli Pal thotë në pasazhin që lexuam sot: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar ato.” Në fakt Pali po citon Bes. Rip. 27:26 dhe qëllimi i tij është të na bindë përmes Biblës që askush nuk mund ta plotësojë ligjin e Perëndisë. Askush nuk mund të përmbushë të tëra kërkesat e Perëndisë, askush nuk mund të përmbushë atë ashtu siç na kërkohet – deri në detajet më të vogla të saj. Krishti tha kur ishte në tokë: “Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji” (Luka 16:17, Mateu 5:18). Krishti na deklaron se ligji i Perëndisë duhet përmbushur në tërësinë e saj si dhe në çdo detaj të tijin. Këtë gjë thotë Pali ne nuk mund ta realizojmë dot. Dhe kjo gjë është thelbi i mëkatit. Ligji është si ajo tabela e qitjes që ne duhet ta godasim në shenjtë. Kjo “tabelë qitje” nuk përmban mundësinë për të marrë nga nota 10 deri në notën 0. Në këtë tabelë, nota është ose kalueshëm ose jo. Njerëzimi na deklaron Perëndia në Bibël ka dështuar në përmbushjen e detyrimit të tij ndaj Perëndisë. Tek Rom 3 Perëndia përmes gojës së Palit deklaron se të gjithë pa përjashtim janë nën mëkat.

Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. 11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë. 12 Të gjithë kanë dalë nga udha e tij, që të gjithë janë bërë të padobishëm, nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. 13 Gryka e tyre është një varr i hapur, me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime, ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre; 14 goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi; 15 këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; 16 në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë, 17 dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes; 18 nuk ka druajtja e Perëndisë para syve të tyre. (Rom. 3:10-18).

Por nevoja jonë për shfajësim nuk shikohet vetëm në referencë me prezencën e mëkatit që është në gjithsecilin prej nesh pa përjashtim, por së dyti edhe në gjykimin dhe dënimin që ky mëkat hedh mbi ne. Kur Pali thotë “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar ato,” dhe kur Pali thotë që askush nuk mund të plotësojë ligjin, Pali gjithashtu ka thënë: I tërë njerëzimit është tashmë i gjykuar, i dënuar dhe në pritje të ekzekutimit e tij nga dora e Perëndisë.

Por si mund ti shmangemi mallkimit të Ligjit që është dënimi dhe gjykimi për mos përmbushjen e tij? Ne duhet të shfajësohemi nga ky mallkim, të shfajësohemi nga faji i mëkatit tonë, ne duhet të çlirohemi nga përgjegjësia jonë përpara Perëndisë. Por çfarë është shfajësimi nga këndvështrimi Biblik? Cila është doktrina Biblike e shfajësimit?

II. Kuptimi i Shfajësimit

a. Përkufizimi

Së pari le të marrim një përkufizim të shkurtër të Shfajësimit: Shfajësimi është akti gjyqësor i Perëndisë në të cilin Perëndia i fal mëkatet e njerëzve dhe i pranon ata sikur të ishin të drejtë. Vini re në këtë përkufizim se shfajësimi është një akt i Perëndisë. Nuk është një process që zgjatet por një akt që Perëndia e kryen brenda një momenti. Vini re gjithashtu që Shfajësimi është një akt gjyqësor apo një akt juridik: Tek Rom 5:18 Pali deklaron “Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.” Perëndia Gjykatësi dhe Mbreti hyjnor deklaron nga froni i tij i gjykimit, i drejtësisë dhe i shenjtërisë se ne jemi të falur. Dhe jo vetëm kaq, por Perëndia nga po i njëjti fron na pranon sikur të ishim të drejtë. Në fakt, edhe pas faljes njeriu vazhdon të jetë mëkatar, ashtu siç edhe ka qenë gjithmonë. Në fakt Luteri e përmblodhi idenë e këtij akti juridik, një shfajësim juridik apo forensik me frazën e tij të famshme latine “simul iustus et peccator” – “në të njëjtën kohë edhe i dr
ejtë edhe mëkatar.” I krishteri në vetvete si njeri mbetet një mëkatar, por në marrëdhënie me Perëndinë, ai konsiderohet si i drejtë nga Perëndia për shkak të drejtësisë së Krishtit.

Imagjinoni një të burgosur përpara gjykatësit në sallën e gjyqit. Prokurori i provon të gjithëve fajin e tij. Mbrojtja nuk tenton që ta shpëtojë. Vetë i akuzuari e pranon fajin dhe lutet për mëshirë. Dhe për çudinë e të gjithëve, gjyqtari i çështjes e deklaron të akuzuarin të falur. Dhe jo vetëm kaq, por çohet në këmbë dhe i thotë që jo vetëm është i falur, por është plotësisht i pafajshëm athua se nuk ka mëkatuar kurrë, dhe sikur të mos mjaftonte as kjo, gjyqtari e merr kriminelin e falur dhe e quan birin e tij. Ky është akti juridik i shfajësimit. Kjo është çfarë bibla deklaron se Perëndia ka bërë ndaj nesh. Kuptohet se kjo mund të duket si padrejtësia e shekullt, Por Perëndia thotë Pali tek Rom 3:26 është në të njëjtën kohë edhe i drejtë edhe shfajësues pa rënë në kundërshtim me vetveten. Si e realizon Perëndia këtë? Për këtë duhet të kuptojmë bazën mbi të cilin ndërtohet shfajësimi ynë. Do t’ju jap tre “jo” dhe një “po,” apo tre përgjigje të gabuara dhe në fund përgjigjen e drejtë.

b. Baza

Së pari, baza mbi të cilin Perëndia bazon shfajësimin tonë nuk janë veprat tona apo meritat e njeriut. Apostulli Pal tek Gal 2:16 thotë “njeriu nuk shfajësohet me anë të veprave të ligjit, por me anë të besimit në Jezu Krishtin, besuam edhe ne në Jezu Krishtin, që të shfajësoheshim me anë të besimit në Krishtin dhe jo me anë të veprave të ligjit, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet me anë të veprave të ligjit.” Tek pasazhi që lexuam sot Pali thotë: “Dhe të gjithë ata që themelohen mbi veprat e ligjit janë nën mallkim, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.” Tek Rom 4:5 Pali përsëri thotë “ndërsa atij që nuk vepron, por beson në atë që shfajëson të paudhin, besimi i tij i numërohet për drejtësi.” Pra, jo ai që punon dhe përpiqet që të prodhojë drejtësinë e vet i jepet shfajësimi nga Perëndia, por atij që i beson atij. Pali gjithashtu shkruan tek Titi 3:5 “ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë.” Nuk jemi të shpëtuar me anë të drejtësisë që ne bëjmë por vetëm nga Hiri i Perëndisë.

Së dyti, baza mbi të cilin Perëndia bazon shfajësimin tonë nuk është as besimi ynë, aktin e të besuarit, ose ndonjë përgjigjetë bindur ndaj ungjillit. (PBË 11:1). Perëndia “… nuk e konsideron vetë besimin, aktin e të besuarit, ose ndonjë përgjigje të bindur ndaj ungjillit nga ana e [jonë] si drejtësinë [tonë],” (PBW XI:1). Perëndia nuk na fal thjeshtë se ne i besojmë Atij. Bibla nuk thotë se ne jemi të shfajësuar për shkak të besimit, por se jemi të shfajësuar përmes besimit. Besimi ynë nuk është shkaku i shpëtimit tonë, por thjesht instrumenti me anë të të cilit ne marrim shpëtimin. Kjo nuk duhet ngatërruar pasi janë dy gjëra të ndryshme. Besimi njerëzor nuk është i përsosur, Vetëm vepra e Krishtit dhe drejtësia e Tij është e përsosur, jo besimi ynë. Edhe në momentin e saj më të fortë, besimi ynë është i përzier me dyshime dhe si rrjedhim besimi ynë është i mëkatshëm. çfarë na shfajëson neve nuk është fuqia dhe pastërtia e besimit tonë por fuqia dhe pastërtia e veprës dhe e drejtësisë së Krishtit, i cili është objekti i besimit tonë.

Së treti, baza mbi të cilin Perëndia bazon shfajësimin tonë nuk është as derdhja e drejtësisë së Krishti brenda nesh. Ka disa Kisha që besojnë këtë gjë, në një farë mënyre ato janë më afër përgjigjes së vërtetë, pasi sa më në qendër të përgjigjes të vendosësh Krishtin dhe kryqin e Krishtit aq më shumë i afrohesh së vërtetës. Ka disa kisha që besojnë se Perëndia derdh brenda nesh, si një transfuzion gjaku drejtësinë e Krishtit. Kisha mesjetare besonte dhe vazhdon të besojë edhe sot që Perëndia injekton brenda nesh drejtësinë e Krishtit dhe na lëshon të lirë për ta fituar vetë shpëtimin tonë, shfajësimin tonë. Problemi me këtë gjë është se edhe në këtë rast, edhe pse përfshihet vepra e Krishtit, shpëtimi ynë ende bazohet në ne dhe në atë që ne do të mund të jemi në gjendje të realizojmë me këtë drejtësi të injektuar të Krishtit.

Përgjigja e duhur se mbi ç’bazë e themelon Perëndia shfajësimin tonë është kjo: Krishti përmbushi ligjin plotësisht dhe përsosmërish, duke filluar me çdo gjë që ai bëri deri në momentin e Kryqëzimit në kryq, por mbi të gjitha në Kryqin e Golgotës, Biri i Perëndisë, Jezus Krishti fitoi ato merita apo prodhoi një masë të pafundme drejtësie për mëkatarët dhe në vendin e tyre. Rom 5:8 thotë që “Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.” Tek Gal 3:13, pasazhi i sotëm, Pali thotë “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne.” për shpëtimin tonë ndodhën dy transferta hyjnore. Së pari, Krishti transferoi mbi veten e tij mëkatin tonë, fajin e mëkatit tonë, mallkimin tonë dhe dënimin që na takonte ne për shkak të mëkatit tonë dhe e tërhoqi atë zvarrë rrugëve të Jerusalemit deri në kryq. Apostulli Pjetër thotë “Krishti ka vuajtur një herë për mëkatet, i drejti për të padrejtët, për të na çuar te Perëndia” (1 Pjet. 3:18). Krishti transferoi mbi veten e tij padrejtësinë tonë dhe së dyti transferon nga vetja e tij mbi ne drejtësinë e Tij. Rom 3:22 shpall qartë transferimin e drejtësisë së Krishtit mbi të gjithë ata që besojnë: “… drejtësia e Perëndisë nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për të gjithë e mbi të gjithë ata që besojnë, sepse nuk ka dallim.” Kështu pra, ka një transfertë dyfishe që ekziston ndërmjet nesh dhe Krishtit dhe që është i detyrueshëm për shfajësimin tonë: Së pari mëkati ynë transferohet në llogarinë e Krishtit, së dyti, drejtësia e Krishtit transferohet në llogarinë tonë. Vini re që Rom 3:22 që sapo ju lexova përmend që kjo drejtësi merret jo për shkak të besimit, por nëpërmjet besimit si instrument marrës, dhe së dyti drejtësia e Krishtit nuk injektohet ndër ata që besojnë por hidhet mbi të gjithë ata që besojnë. Drejtësia e Krishtit mbulon padrejtësinë tonë, dhe është për këtë arsye që Perëndia si gjykatës na në aktin juridik të shfajësimit na deklaron të falur, dhe madje të drejtë sikur të mos kishim mëkatuar kurrë pasi Krishti nuk mëkatoi kurrë dhe gjithashtu edhe ne, të veshur me drejtësinë e Krishtit, dukemi sikur nuk kemi mëkatuar kurrë. Ky është hiri i Perëndisë për ju, kjo është arsyeja përse Krishti vdiq në kryq për ju: që ju të visheni me petkun e drejtësisë së Krishtit; që ju të dukeni të drejtë kur ende jeni mëkatarë; që ju të dukeni të bukur nga bukuria e Krishtit kur ju ende jeni të shpërfytyruar nga brenda nga barra e mëkatit dhe vuajtja shpirtërore dhe fizike që mëkati ka shkaktuar në jetën tuaj.

III. Instrumenti i Shfajësimit: Vetëm Besimi

Por lind pyetja, si transferohet kjo drejtësi e Krishtit nga Ai tek ata që e dëshirojnë këtë? Çfarë duhet të bëjmë që ti ja veshim vetes drejtësinë e Krishtit me qëllim që për tu shpëtuar e shfajësuar, me qëllim që Ati të mos na shikojë më ne dhe padrejtësinë tonë por Krishtin dhe drejtësinë e Tij? Ne duhet të përdorim të vetmin instrument transferues të drejtësisë së Krishtit për shfajësimin
tonë që është besimi. Bibla deklaron, që i vetmi instrument i shfajësimit është besimi në drejtësinë e Krishtit. Jo besimi plus veprat tona pasi kjo do të thotë drejtësia e Krishtit plus drejtësinë tonë. Rom 5:1 thotë “Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tone.” Rom 3:24 thotë për ata që besojnë në Krisht se ata “janë shfajësuar falas me anë të hirit të tij, nga shpengimi që është në Krishtin Jezus.” Këto vargje flasin për besimin si një instrument ekskluziv që nuk duhet përzier me instrumente të tjera. Ne thotë Pali tek Rom 3:28 “pra, konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit pa veprat e ligjit.” Ja pra ekskluziviteti i besimit si instrumenti nëpërmjet të cilit ne mrrim shfajësimin. Vini re që në këtë varg, Pali insiston në doktrinën e Sola Fide – Vetëm përmes Besimit duke e artikuluar çështjen si pozitivisht ashtu edhe negativisht. Në një retorikë pozitive Pali thotë “konkludojmë se njeriu është i shfajësuar nëpërmjet besimit.” Dhe pastaj, si për të hequr çdo fije dyshimi, ai shton edhe frazën mohuese “pa veprat e Ligjit.”

Kjo është doktrinë biblike e shfajësimit dhe shpëtimit vetëm përmes besimit, një besim i cili ka si objekt të vetëm drejtësinë e Krishtit dhe vetëm drejtësinë e tij. Kjo është doktrina biblike që pat humbur plotësisht në Kishën e mesjetës dhe që vazhdon të jetë e tillë edhe sot në ato kisha dhe madje edhe në shumë kisha protestante sot. Kjo është doktrina që Reformatorët dhe Reformacioni Evropian i shekullit të 16 rizbuloi në faqet e Biblës, dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi nëse ne i drejtohemi vetëm Biblës si e vetmja Fjalë hyjnore dhe plot autoritet e Perëndisë, ne do të gjejmë atje që shpëtimi është vetëm përmes besimit në të vetmin objekt – Krishtin si i vetmi shpëtimtar, profet, prift, mbret dhe avokat i popullit të tij. Kjo vëllezër dhe motra nuk është diçka që ne e kemi fituar apo merituar, por është dhurata e pamerituar e Perëndisë, është vetëm për shkak të Hirit sovran të Perëndisë që ne mund të dimë rrugën e shpëtimit, një metodë që Perëndia Triune na e ofron vetëm e vetëm që e gjithë lavdia ti shkojë vetëm Atij, Soli Deo Gloria.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: