10. Sola Fide – Vetëm Përmes Besimit (II)

10. Sola Fide – Vetëm Përmes Besimit (II)

Shfajësimi Vetëm përmes Besimit në Drejtësinë e Krishtit

Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë. Efesianëve 2:8

Hyrje

Javën e kaluar unë u përpoqa që të shpalosja përpara jush solën e katërt të Reformacionit, Sola Fide që do të thotë se shfajësimi është vetëm përmes besimit në drejtësinë e Krishtit. Doktrina e shfajësimit vetëm përmes besimit është doktrina kryesore e Protestantizmit historik dhe biblik. Lufta për ruajtjen dhe rifitimin e kësaj doktrine është çfarë prodhoi Kishën Protestante apo ungjillore. Martin Luteri, instrumenti kryesor i Reformacionit Evropian tha që kjo doktrinë është “pika në të cilën Kisha qëndron dhe doktrina pa të cilën Kisha rrëzohet” (articulus stantis et cadentis ecclessiae). Luteri tha gjithashtu këtë për shfajësimin përmes besimit: “Kjo doktrinë është guri i qoshes në themelin e Kishës. Mbi të lind, ndërtohet, ushqehet, ruhet dhe mbrohet kisha e Perëndisë; dhe pa të ajo nuk mund të ekzistojë as edhe një orë.” John Calvin e përshkroi doktrinën e shfajësimit vetëm përmes besimit në drejtësinë e Krishtit si “boshti kryesor në të cilin i gjithë religjioni ynë varet dhe boshti në të cilën gjithçka rrotullohet.” Mbani mend përkufizimin e shfajësimit: “Shfajësimi është akti gjyqësor i Perëndisë në të cilin Perëndia i fal mëkatet e njerëzve dhe i pranon ata sikur të ishin të drejtë.” Thamë gjithashtu se baza mbi të cilën Perëndia na deklaron të shfajësuar nuk është drejtësia jonë, as besimi ynë, por drejtësia e Krishtit që na derdhet apo transferohet nga Krishti kur ne i besojmë atij. Në këtë kontekst, besimi është vetëm një instrument që bën lidhjen tonë me Krishtin, dhe si pasojë e kësaj lidhjeje, drejtësia e Krishtit na transferohet neve, dhe si pasojë e këtij transferimi, Perëndia na deklaron në gjyqin e tij të falur dhe të pranuar prej Tij. Javën e kaluar pamë që besimi është vetëm një instrument, në fakt i vetmi instrument i pranuar e i urdhëruar nga Perëndia. E gjitha kjo, e bën besimin si rrjedhim shumë të rëndësishëm për tu studiuar dhe kuptuar.

I. Instrumenti i Shfajësimit: Vetëm Besimi (vazhdim)

A. Cila është marrëdhënia ndërmjet Hirit, Krishtit dhe Besimit?

Efesianëve 2:8 thotë: “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë.” Vini re në këtë varg kreun dhe burimin e shpëtimit tonë. Jo vetëm që nuk është drejtësia dhe meritat tona që na shpëtojnë, por nuk është as besimi ynë çfarë na shpëton neve. Ne jemi të shpëtuar me anë të hirit të Perëndisë, është Perëndia shpëtimtari ynë. “Për shkak se Perëndia është i mëshirshëm, njerëzit mëkatarë janë falur, kthyer, pastruar dhe shpëtuar. Njerëzit nuk shpëtohen për shkak të besimit që gjendet në ta, por për shkak të dashurisë së pakufishme, të mirësisë, keqardhjes, dhembshurisë, mëshirës, dhe hirit të Perëndisë” (Spuregon, Tërësisht nga Hiri, kap. 7). Mbajeni mend këtë, përndryshe ju do të bini në gabim duke e mbajtur mendjen kaq shumë tek besimi që është vetëm instrumenti i shpëtimit, saqë do të harrosh shkakun e shpëtimit që është hiri i Perëndisë dhe baza e shpëtimit që është drejtësia e Krishtit.

Efes. 2:8 thotë që hiri është në fakt jo vetëm shkaku i shpëtimit, por është në fakt edhe vetë burimi i besimit tonë. “Ju në fakt, jeni të shpëtuar me anë të hirit, nëpërmjet besimit, dhe kjo nuk vjen nga ju, po është dhurata e Perëndisë.” Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Njeriu është i vdekur në mëkat, dhe me këtë gjë Bibla kupton që njeriu nga natyra e tij është i lindur pa besim në zemër dhe pa aftësinë për ti besuar predikimit të ungjillit. Krishti tha; “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” [për tek unë] (Gjoni 6:44). Pali thotë tek Rom 10:9-10: “Po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. 10 Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim.” Nëse ti sot e gjen vetën besimtar në Jezus Krisht, ka shumë mundësi që ti ja atribuon këtë gjë vetes tënde si meritë. Ti o njeri mendon se je ti që ke mundur të rrëfesh e të shpallësh Krishtin si shpëtimtarin tënd. Por vëlla apo motër, mbaj mend fjalët e Krishtit drejtuar Pjetrit. Tek Ungjilli i Mateut 16 ne lexojmë se Kur Zoti dhe Apostujt po lëviznin përmes krahinës së Cezaresë së Filipit, Zoti i pyeti ata: “Kush thoni ju se jam unë?” dhe kështu Pjetri, në emër të të gjithë apostujve dhe të të gjithë kishës rrëfeu: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.” Dhe Krishti për të mos lejuar asnjë fije krenarie në asnjërin prej nesh tha; “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej,” (Mateu 16:17). Është Ati Perëndia ai i cili nga dashuria dhe hiri i tij i përjetshëm, prodhon në ne si dhuratë, përmes Frymës së Shenjtë besimin për të ardhur tek Krishti dhe për ta rrëfyer atë. Krishti është dhurata e Perëndisë dhe po kështu është edhe besimi ynë me të cilin ne i besojmë atij.

Më ka ngelur në mendje një rast që par me sytë e mi kur isha student në Amerikë dhe frekuentoja njërën prej Kishave lokale Presbiteriane. Isha i ulur në Kishë pranë një familje me një fëmijë që nuk duhej të ishte më shumë se 2-3 vjeç. Ishte momenti i adhurimit të Perëndisë përmes të dhjetave dhe ofertave dhe kanistra po kalonte dorë më dorë përgjatë rreshtit. Kur kanistra arriti tek familja që ishte përbri meje, kryetari i familjes vendosi një zarf brenda saj, mori kanistrën dhe i drejtoi fëmijës së tij kanistrën. Fëmija mbante në dorë një monedhë të vogël me anë të së cilës edhe ajo adhuroi Perëndinë atë ditë. Kjo është çfarë ndodh edhe me ne. Ati Perëndia na dhuron monedhën e besimit me anë të së cilës ne i besojmë Krishtit dhe blejmë drejtësinë e Tij. Tek Kol 3:3 Pali thotë se “jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë,” pra duke i mbajtur sytë tek Krishti dhe jo tek besimi juaj. “Me anë të besimit çdo gjë bëhet e mundur për ne, por prapë, forca nuk është tek besimi, por tek Perëndia tek i cili besimi mbështetët” (Spuregon). Dhe si rrjedhim, ju jeni të shpëtuar dhe të bekuar nga Perëndia pavarësisht nga forca e besimit tuaj. “Një dorë që dridhet mund të marrë një dhuratë të artë” sepse është Perëndia që e jep atë.

B. Cfarë është Besimi?

Por çfarë është besimi? Çdo të thotë të besosh? Besimi i vërtetë, besimi shpëtues përbëhet nga tre elementë, njohja, pranimi dhe mbështetja në Zotin Krisht. Vini re së pari njohjen:

a. Njohja – Noticia

Ps 9:10 thotë: “Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti.” Njohja është elementi i parë i besimit të vërtetë. Njohja është ajo që vjen në fillim. Tek Rom 10:14 Apostulli Pal, duke folur për domosdoshmërinë e predikimit të Fjalës së Perëndisë shkruan: “Si do të besojnë tek Ai për të cilin nuk kanë dëgjuar?” Njeriu duhet të informohet për një fakt përpara se ta besojë atë. Njohja i referohet përmbajtjes së besimit shpëtues. Be
simi ka një objekt. Besimi nuk është i verbër, nuk beson në asgjë po në diçka. Bibla e dënon qëndrimin që kanë shumë njerëz sot që thonë: “Nuk ka rëndësi se çfarë beson, për aq kohë sa beson sinqerisht dhe me gjithë zemër.” Hitleri, në fund të jetës së tij besonte se ishte Perëndi, dhe këtë besim e kishte të sinqertë dhe me gjithë zemër. Është e mundur që ne të besojmë në diçka dhe ta kemi gabim. Është e mundur që ne të jemi të sinqertë në besimin tonë, por nëse ne i besojmë Budës për shpëtimtar, ne do ta kemi sinqerisht gabim dhe me gjithë sinqeritetin tonë ne do të përfundojmë në dënimin e përjetshëm. Bibla thotë “Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti.”

Ky parim i aplikohet edhe adhurimit të Perëndisë, në fakt çdo aspekti të jetës. Tek Gjoni 4 ne lexojmë dialogun që Krishti pati me gruan Samaritane. Tema e diskutimit ishte kjo: Ku duhet të adhurojmë dhe si duhet të adhurojmë? Gruaja samaritane i tha Krishtit “Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë?” Me fjalë ë tjera ajo i tha: Ne kështu kemi adhuruar gjithmonë dhe me gjithë zemër, dhe ti thua që e paskemi gabim? Krishti Perëndi iu përgjigj: “Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që e njohim.” Pra adhurimi dhe besimi pa njohje është e pavlefshme. Dhe pastaj Krishti vazhdon: “…adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati. 24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën”.” Këtu Krishti deklaron që nuk është e mjaftueshme që adhurimi ynë ashtu si edhe besimi të jenë vetëm të sinqerta dhe me gjithë zemër, por edhe me një njohje të saktë të asaj se kush Perëndia është, çfarë Ai ka bërë për ne dhe se çfarë Ai kërkon prej nesh.

Perëndia flet përmes profetit Isaia këto fjalë: “Vini veshin dhe ejani tek unë, dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë; dhe unë do të bëj me ju një besëlidhje të përjetshme, sipas hirit të qëndrueshëm që i premtova Davidit” (Isa. 55:3). Në këtë pasazh, përsëri Perëndia deklaron që ne bëhemi anëtarë të besëlidhjes së përjetshme të Hirit vetëm nëse ne i besojmë predikimit të ungjillit. Ne do të shfajësohemi përmes besimit i cili dëgjon, pranon dhe reagon ndaj Fjalës të Perëndisë.

Kjo ishte fjala e profetit dhe kjo është fjala e ungjillit akoma. Lexo Shkrimet dhe mëso çfarë Fryma na mëson për Krishtin. Kërko të njohësh Perëndinë: “sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë Atë,” (Heb. 11:6). Ti dëshiron që të rritesh në besim. Atëherë lexo Biblën me lutje çdo ditë. Lexo dhe mëso mbi doktrinën e Krishtit, plotësisht njeri dhe plotësisht Perëndi. Njih doktrinën e flijimit zëvendësues të Krishtit si i vetmi ndërmjetësues me Perëndinë sepse pika mbi të cilën besimi shpëtues kryesisht e ngulit vetveten është kjo: “Perëndia e ka pajtuar botën me vetën në Krishtin duke mos ua numëruar njerëzve fajet e tyre” (2 Kor. 5:19).

b. Pranimi – assensus

Besimi fillon me njohurinë dhe vazhdon me pranimin. Atë njohuri të marrë nga Fjala e Perëndisë ne duhet gjithashtu ta pranojmë si të tillë dhe duhet të pajtohemi me të. Informacioni, mesazhi i Lajmit të Mirë të ardhjes, mishërizimit, kryqëzimit, vdekjes dhe ngjalljes së Personin të Dytë të Trinisë duhet pranuar si një fakt historik, i vërtetë dhe me efekte të pamohueshme për njerëzimin. Ky pranim është një akt i mendjes së njeriut, një akt i intelektit i cili përfshin sigurinë dhe bindjen e patundur në deklaratat e Ungjillit. Ka në botë sot profesorë e teolog që japin mësim në universitete të Krishtera dhe madje edhe në seminare teologjike që kanë për qëllim përgatitjen drejtuesve në Kishë dhe që nuk i pranojnë, miratojnë e as nuk pajtohen me këtë masë informacioni dhe njohurie që gjendet në Bibël. Ata e quajnë vetën besimtarë të Krishterë, e megjithatë nuk i pranojnë si të vërteta dhe as nuk janë të bindur në vërtetësinë e ungjillit. Besimtari i vërtetë e njeh Krishtin, dhe gjithashtu edhe e pranon Atë dhe premtimet e tij si absolutisht të vërteta dhe me efekte në jetën e tij.

c. Mbështetja – fiducia[1]

Besimi fillon me njohurinë, vazhdon me pranimin – që të dyja këto akte të mendjes – dhe kulminon së treti me mbështetjen apo lëshimin e plotë të vetës në drejtësinë e Krishtit dhe dorën e Perëndisë. Elementi i trete i besimit shpëtues është i domosdoshëm për jë besim të vërtetë. Arsyeja për këtë gjendet tek Letra e Jabobit 2:19 në të cilin shkruhet: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.” Demonët e njohin personalisht Perëndinë dhe Krishtin, e kanë parë atë me sytë e tyre, e dinë shumë mirë se çfarë Perëndia është në gjendje të bëjë, e njohin shumë mirë doktrinën e Trinitetit që ne njerëzit sa mezi na e rrok mendja, e kuptojmë shumë më mirë se sa njerëzit Personin dhe Veprën e Jezus Krishtit, i kuptojmë shumë më mire se sa ne efektet e kryqit të Krishtit, dhe megjithatë Apostulli thotë: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.” Elementi i njohurisë është i pranishëm në demonë, dhe është në këtë kuptim që ne duhet ta lexojmë këtë varg, por ai nuk është i mjaftueshëm për shpëtim. Që besimi shpëtues të jetë i plotë ai duhet të përmbajë edhe elementin e tretë që është mbështetja e plotë në Krishtin për shpëtimin tënd.

Si mund ta ilustrojmë këtë koncept? “Besimi është si mbështetja e dikujt më të dobët në krahun e dikujt më të fortë duke e ditur superioritetin e tjetrit. Besimi është një i verbër që ia beson veten e tij drejtuesit të tij sepse e di që shoku i tij mund të shohë dhe duke i besuar ai shkon kudo që drejtuesi i tij e drejton.” Në mënyrë të ngjashme me të, Pali shkruan tek 2 Kor 5:7 ku thotë “sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.” “Ky është një nga përshkrimet më të mira që mund të jepet për besimin. Ne e dimë që Jezusi ka në veten e tij fuqi, meritë dhe bekime që ne nuk i kemi, dhe prandaj ne me kënaqësi ia besojmë veten tonë Atij që të jetë për ne çfarë ne nuk mund të jemi për veten tonë.”

Besimi është një kapje pas Krishtit. Mbaj mend një herë kur isha gjimnazist, që një ditë shkuam me disa shok në Currila për plazh dhe për peshkim. Peshkimi im ishte ky: Me një gur të vogël në dorë unë mundohesha që të shkëpusja nga shkëmbinjtë në ujë molusqet që ne i përdornim për karrem. Nuk është gjë e lehtë të shkëputësh moluskun nga shkëmbi. Ose do ti thyesh guaskën, ose do të thyesh shkëmbin ose do të thyesh gurin që ne në dorë. Ky është besimi. Kapja pas shkëmbit të shpëtimit që është Perëndia Jezus Krisht. Besimi është të shpallësh me Davidin fjalët e Ps 18:2 “Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.” (Ps 62:1-7; Ps 89:26; 2 Sam 2:23, 47).

Besimi është goja që përtyp dhe ushqehet në Krishtin, prandaj edhe Pali thotë tek Rom 10:8 “Fjala është pranë teje, në gojën tënde dhe në zemrën tënde. Kjo është fjala e besimit, që ne predikojmë.”

Besimi është dora që shtrëngon Krishtin dhe thotë “Ky është i imi.” Kur doja jonë kap diçka për ta përvetësuar, bën të
njëjtën gjë që besimi bën kur përvetëson Krishtin dhe bekimet e çlirimit të Tij. Besimi thotë “Jezusi është i imi, drejtësia e tij është drejtësia ime, sakrifica e Tij është shpëtimi im, ringjallja e Tij është ringjallja imë, ngritja e tij në të djathtë të Atit është për të mirën time, për trashëgiminë time, Fryma e Tij e Shenjtë është çliruesi im nga fuqia e mëkatit tim.”

II. Frytet e Shfajësimit: Veprat e Besimit

Deri tani kemi studiuar instrumentin e shfajësimit që është vetëm besimi, Sola Fide. Por, Kisha, e bazuar në Bibël, gjithmonë ka besuar që edhe pse besimi është i vetmi instrument shfajësimi, ai nuk vjen asnjëherë i vetmuar por gjithmonë i shoqëruar me frytet e bindjes ungjillore. Besimi prodhon fryte dhe nga kjo shihet që besimi ekziston. Kjo është një pikë e brishtë në Krishtërim, pasi në Bibël gjenden disa pasazhe që po të mos studiohen me kujdes nuk do të kuptohen si duhet dhe do të shtyjnë dikë të besojë që shpëtimi është përmes besimit plus veprave dhe jo vetëm përmes besimit. Një nga këto pasazhe është Jakobi 2. Vargu kryesor që krijon konfuzion atje është vargu 24: “Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.”

Nëse ky pasazh do të studiohet me kujdes do të shikojmë që nuk bie në kontradiktë me pjesën tjetër të Biblës dhe as me doktrinën tonë Sola Fide. Mjafton për këtë që të lexojmë kontekstin e këtij vargu. Vargjet 1 – 7 na instruktojnë se si ne nuk duhet që të tregojmë favorizime ndaj asnjërit në kishë pavarësisht nga statusi social, ekonomik apo arsimor. Vargjet 8 – 13 komentojnë mbi parimin biblik që nëse dikush thyen njërin nga urdhëresat e Perëndisë, ai i ka thyer ato të gjitha. Vargjet 14 – 26 flasin për marrëdhënien ndërmjet besimit dhe veprave. Jakobi e fillon këtë pasazh duke përdorur shembullin e dikujt që pretendon se beson por që nuk është në gjendje që ta provojë ekzistencën e besimit të tij. Dhe kështu Jakobi thotë “Ju shikoni, pra, se njeriu shfajësohet nga veprat dhe jo vetëm nga besimi.” Me fjalë të tjera, Jakobi adreson çështjen e besimit të vdekur, e një besimi që në fakt nuk është besim, por vetëm një deklaratë me gojë, një deklaratë boshe, pa jetë e pa vepra. Dhe kështu Jakobi fillon me një demonstrim negativ të një besimi të pa-vërtetë. Ai e krahason këtë besim me atë të demonëve. Ai thotë që deklaratat e besimit të pa vërtetuara me fryte në jetën e përditshme janë po aq shpëtuese sa edhe besimi i demonëve të cilët e dinë që Perëndia ekziston por kjo nuk prodhon asnjë ndryshim në jetën e tyre. Vargu 19: “Ti beson se ka vetëm një Perëndi. Mirë bën; edhe demonët besojnë dhe dridhen.” Së fundi Jakobi jep disa shembuj pozitiv të njerëzve që e provuan apo demonstruan besimin e tyre përmes fryteve të besimit në jetën e tyre.

Ne duhet të dimë dhe kuptojmë ndryshimin dhe marrëdhënien ndërmjet shfajësimit të deklaruar dhe shfajësimit të demonstruar. Apostulli Pal tek letrat drejtuar Romakëve dhe Galatasve flet për shfajësimin e deklaruar nga Perëndia për shkak të besimit në Jezus Krisht. Jakobi flet për diçka plotësisht tjetër por në lidhje me të. Ai flet për shfajësimin e demonstruar nga ne. Një zemër e çliruar është një zemër e çliruar për të vepruar dhe për t’ju bindur Perëndisë. Një zemër e çliruar është një zemër mirënjohëse, një zemër falënderuese, një zemër aktive, një zemër dhënëse. Kjo është çfarë Apostulli Pal gjithashtu beson, siç edhe mund shihet nga Efes 2:10 ku shkruan: “Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për veprat e mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.” Ne jemi të shfajësuar nga hiri vetëm përmes besimit për një qëllim: që të jetojmë për lavdinë e perëndisë, sipas vullnetit të Tij, për vepra të mira që ai tashmë i ka zgjedhur e renditur për ne madje edhe që përpara krijimit të botës. Kjo është arsyeja përse ne jemi shfajësuar, dhe veprat e mira janë frytet dhe prova e besimit tonë. Si rrjedhim, në mbyllje, unë ju inkurajoj që ta demonstroni shpëtimin dhe besimin tuaj dhe e bëj këtë përmes fjalëve të Apostullit Pal që shkruan tek Rom 12:1 “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur.” Vetë Zoti Krisht tha tek Gjoni 14:15: “Nëse më doni mua, zbatoni urdhërimet e mia.” Amen.


[1] Ilustrimet e mëposhtme të vendosur në thonjëza janë huazuar nga Libri i C.H. Spuregon, Tërësisht nga Hiri, kapitulli 8.