Qyteti i Njeriut & Qyteti i Perëndisë

Qyteti i Njeriut & Qyteti i Perëndisë

Unë besoj se si pastor jam i thirrur që të jem një shërbëtor i ungjillit dhe i Mbretërisë së Perëndisë, një ungjill që qëndron mbi liberalizmin apo konservatorizmin, mbi të majtën apo të djathtën politike. Si pastor unë kam mundësinë që tu jap ungjillin si njerëzve me pikëpamje të majta ashtu edhe të djathta. Thirrja për të instruktuar në shenjtëri dhe për të predikuar Ungjillin e mbretërisë së Perëndisë ndaj një bote komplekse dhe të thyer nga mëkati, veçanërisht në një komb të polarizuar dhe gjaknxehtë do të thotë të mbash një balancë të vështirë dhe delikate por që mund të realizohet vetëm nëse predikohet dhe kuptohet doktrina e Dy Mbretërive.

Kjo doktrinë u artikulua për Kishën për herë të parë nga Shën Augustini, teologu më i madh i Kishës së Hershme, dhe sfondi teologjik i kishës Protestante. Augustini shkroi që i Krishteri jeton njëkohësisht në dy mbretëri, apo në dy qytete, në qytetin e njeriut dhe në qytetin e Perëndisë. Si të Krishterë ne jemi qytetarë të mbretërisë së Perëndisë (Fil. 3:20) por që jemi të thirrur për të qenë qytetarë të përgjegjshëm të qytetit të njeriut në shtetin ku ne bëjmë pjesë (Rom. 13:1-7). Si rrjedhim, ne jetojmë nën një tension dhe në realitetin e dhimbshëm të botës së thyer bashkëkohore ndërsa i mbajmë sytë në atë botën e përkryer, të rindërtuar dhe të ardhshme të qiellit të ri dhe të tokës së re (Zbu. 21:1-5). Ky tension i balancuar i dy mbretërive duhet ti bëjë të krishterët si nxehtësisht shpresëplotë për të ardhmen e tyre të sigurt ashtu edhe praktikisht të dobishëm në kontekstin ku gjenden.

Kisha, si shkolla e Krishtit duhet të instruktojë të Krishterin që nga njëra unë duhet të jetë i përfshire në jetën publike të shoqërisë njerëzore, por nga ana tjetër nuk duhet që të dehet me fuqinë, autoritetin dhe idetë e politikës e kështu të pështjellohet nga axhenda e partive konkurruese në qytetin e njeriut. Shpëtimtari ynë kërkon nga ne që të jemi “kripa e tokës” dhe “drita e botës” (Mateu 5:13-14) për ta ndryshuar atë përmes Fjalës dhe Lutjes dhe jo për ta idhujtarizuar atë, luftuar për të apo për ndonjërën prej axhendave në qytetin e njeriut.

Kështu, do të ishte mosbindje ndaj Krishtit dhe dënuese për botën nëse i Krishteri do të mungonte nga arena publike. Por nga ana tjetër ne duhet ti rezistojmë tundimit për tu pushtuar nga politika dhe idetë e saj. Edhe pse politika është një aktivitet i lejuar për të Krishterin, ne nuk duhet të harrojmë se Qyteti i Perëndisë nuk varet nga se kush është në pushtet apo se nga çfarë ligjesh aprovohen apo zbatohen në qytetin e njeriut. Është e thjeshtë për tu sëmurur nga ethet e politikës, dhe i krishteri nuk është i imunizuar nga këndvështrimet jo biblike të pushtetit e politikës. Por fuqia e Ungjillit të Mbretërisë së Qiellit, edhe pse e parëndësishme për sytë e botës (Mateu 13:31-32; 1 Kor. 1:27), është më e fuqishme se fuqia çdo shteti. Ajo është një fuqi e një lloji tjetër, fuqia e Frymës së Shenjtë përmes Fjalës së Perëndisë në Popullin e Perëndisë. Këto ditë kombi po dëgjon thirrje frenetike për revolucion apo revolta. E vërteta është se edhe pse nga njëra ana i krishteri nuk duhet të përfshihet nëpër revolta, nga ana tjetër tashmë ai është i përfshirë në një revolucion të pazhurmshëm, të vazhdueshëm, total dhe gjithëpërfshirës, në të vetmin revolucion që do ti ndryshojë faqen botës, në revolucionin shpirtëror që buron nga froni i hirit të Perëndisë. Ky revolucion ndodh ditën e Diel kur ne adhurojmë publikisht dhe së bashku Perëndinë; kur studiojmë dhe i bindemi Fjalës, kur jetojmë plot shenjtëri, kur dëshmojmë, ungjillëzojmë e lutemi për këtë botë që kalbëzohet nën peshën e mëkatit të vet. Shpresa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët është vetëm ungjilli i Perëndisë, bindja nga instruktimeve të Krishtit, adhurimi i Perëndisë së vërtetë, fshehja nën petkat e Krishtit dhe ribërja e botës në ditën e madhe të shndërrimit.

Deri atëherë ne duhet që të mësojmë, praktikojmë dhe përçojmë parimet e qarta të Fjalës së Perëndisë, si standardi absolut për të tëra çështjet e besimit dhe jetës praktike, edhe pse ndonjëherë nuk e kemi të qartë se si aplikohen ato në botën komplekse të platformave politike dhe politikave publike. Thirrja për të krishterin është që si një qytetar i përgjegjshëm i qytetit të njeriut të jetojë, votojë, e përfshihet në arenën publike e politike me bindje të formuar nga Fjala e Perëndisë dhe jo nga traditat familjare, eksitimet situatsore, apo kushtëzimet sociale. Le ti kthehemi edhe një herë si të Krishterë ungjillorë, motos së madhe të Reformacionit Protestant që reformoi një Evropë të tërë dhe që ka fuqinë për të bërë të njëjtën gjë për vendin tonë – Sola Scriptura (Vetëm Shkrimi). Vetëm Shkrimi është standardi absolut i të Krishterit për të tëra çështjet e besimit dhe të jetës. Thirrja pra për ne si të krishterë në këto ditë që po përjeton qyteti i njeriut është të analizojmë e filtrojmë çdo gjë nga pozita e qytetit të Perëndisë përmes parimeve të Fjalës së Perëndisë.