Pastaj ata arritën në një vend që quhej Gjetsemani; dhe ai u tha dishepujve të vet: “Uluni këtu, deri sa unë të jem lutur”. 33 Mori, pra, me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, dhe filloi ta zërë frika dhe ankthi; 34 dhe u tha atyre: “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar”. 35 Dhe, si shkoi pak përpara, ra përmbys përtokë dhe lutej që, po të ishte e mundur, të largohej prej tij ajo orë. 36 Dhe tha: “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!”. 37 Pastaj u kthye mbrapa, i gjeti dishepujt duke fjetur dhe i tha Pjetrit: “Simon, po fle? S’ke qenë i zoti të rrish zgjuar një orë të vetme? 38 Rrini zgjuar dhe lutuni që të mos hyni në tundim; sigurisht fryma është e gatshme, por mishi është i dobët”. 39 U largua përsëri dhe u lut duke thënë të njëjtat fjalë. 40 Kur u kthye, i gjeti përsëri në gjumë dishepujt, sepse sytë e tyre ishin rënduar dhe ata nuk dinin çfarë t’i përgjigjeshin. 41 Së fundi, kthehet për të tretën herë dhe u thotë atyre: “Ende po flini dhe pushoni? Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 42 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër!”. Ungjilli i Markut 14:32-42
Historia e agonisë së Zotit Krisht në kopshtin e Gjetsemanesë është një pasazhet më të thella dhe misterioze të Biblës. Ajo përmban gjëra që teologët më të mençur nuk mund ti shpjegojnë plotësisht, por me të vërteta të thjeshta për tu besuar dhe absolutisht të domosdoshme për njeriun për të jetuar. Në Darkën e Fundit, në atë të Enjte përpara se sa ta gozhdonin në kryq, Krishti u kishte folur dishepujve për bukën dhe verën si simbolet e trupit dhe gjakut të tij që do të ofrohej për shumë (Marku 14:22-24), për të tëra ata që do të besojnë. Por lëshimi i trupit të Jezusit në Golgota do të varej dhe sigurohej më parë nga dorëzimi i vullnetit të tij ndaj Atit në Gjetsemani. Ndërsa dorëzimi i dytë ndodhi mbi majën e një kodre jashtë Jerusalemit dhe përpara vëmendjes së tërë botës, dorëzimi i parë ndodhi në luginën poshtë saj, në intimitetin e Atit Perëndi. Në Ungjillin sipas Markut, vendimi për t’ia nënshtruar veten vullnetit të Atit i shkaktoi Jezusit një agoni e vuajtje të brendshme shumë më të madhe se sa kryqëzimi fizik i trupit të tij në Golgota. Kryqi është më së pari një çështje zemre përpara se sa të jetë një çështje trupi.
Kështu, pasi ka parathënë mënyrën e arrestimit dhe kryqëzimin e tij si dhe braktisjen nga të tërë dishepujt e tij (14:18-21; 27-31), Krishti i merr dishepujt e tij në një ullishte të quajtur Gjetsemani, që nga Hebraishtja përkthehet ‘shtrydhësja e ullinjve’. Aty Krishti largohet nga shumica e dishepujve i shoqëruar nga treshja e ngushtë, Pjetri, Jakobi dhe Gjoni. Ai do ti nënshtrohej sprovës më të rëndë dhe për këtë kishte nevojë për lutje, madje edhe të miqve të tij. Lutjet e Krishtit në ungjillin e Markut vendosen gjithmonë në kontekstin e krizave dhe momenteve deçizive, ku ajo e Gjetsemanisë është më traumatikja.
Në Gjetsemani, Krishti do të shikojë brenda kupës së zemëratës së Perëndisë dhe do të pushtohet nga një ankth e torturë e madhe shpirtërore. Ai e përshkruan këtë kur i thotë të tre shoqëruesve “Shpirti im është thellësisht i trishtuar, deri në vdekje; qëndroni këtu dhe rrini zgjuar.” Ai madje paloset në tokë nga hidhërimi dhe lutej. Ungjilli sipas Lukës madje thotë se “ai, duke qenë në agoni, lutej edhe më fort; dhe djersa e tij po i bëhej si gjak i mpiksur që bie për tokë,” (22:44). Isaia profetizoi 760 para tij se Krishti do të ishte “I përçmuar dhe i hedhur poshtë nga njerëzit, njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjes,” (Isaia 53:3). Por përse po e përjetonte Krishti me kaq agoni vizionin e kryqit që po i afrohej? Bota ka njohur shumë martirë që e kanë pritur vdekjen e tyre, madje edhe në kryqe të ngjashme me atë të Krishtit me shumë më shumë qetësi e guxim.
Përgjigja fshihet në faktin se Jezusi do të përballej me më shumë se sa një vdekje fizike. Tek Marku 10:45 ai kishte folur për qëllimin e kryqit që ishte të jepte jetën e tij si shpagim për shumë. Në Gjetsemani, Krishti duhej të bënte pagesën e parë të këtij shpagimi, duhej të përgatitej që të bëhej mëkat-mbajtësi për njerëzimin. Gjetsemania është përgatitja për Golgotën. Ndërsa lutej, Krishti tha “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti!” Çfarë ishte kjo kupë që i shkaktoi kaq shumë agoni Krishtit? Në mënyrë të natyrshme ne e lidhim kupën me kryqin, dhe me të drejtë. Por çfarë kishte brenda kësaj kupe? Si në Dhiatën e Vjetër ashtu edhe në Dhiatën e Re, kupa është metafora e zemëratës apo tërbimit të Perëndisë kundra mëkatit dhe mëkatarit (Psa. 75:8; Isa. 51:17; Jer. 25:15; Hab. 2:16; Zbu. 14:9-10). Kupa që Krishti duhej të pinte ishte e mbushur me zemërimin e furishëm të Perëndisë. Në kopshtin e Gjetsemanisë, Krishti pa qëllimisht brenda kupës. Është një gjë, sado e frikshme të jetë ajo, të shikosh vdekjen, është një gjë tjetër të shikosh në sy zemëratën dhe urrejtjen e Perëndisë për mëkatet e tua, dhe është një gjë akoma më e rëndë të shikosh zemërimin e Perëndisë së Shenjtë dhe të Plotfuqishëm që derdhet mbi ty pasi mbi ty janë vendosur mëkatet e tërë botës. Apostulli Pal do të shkruante më vonë “Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë. 8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne,” (Rom. 5:7-8). Nuk ishte vdekja e tij, por fakti që do të identifikohej me mëkatarët, që do të merrte mbi vete të nesërmen, mallkimin, gjykimin e dënimin për mëkatet e njerëzimit dhe kështu do të bëhej objekti i zemërimit dhe dënimit të Perëndisë kundër mëkatit – është kjo ajo që ja pushton shpirtin Krishtit “deri në vdekje.” Natyra e Shenjtë Hyjnore e Personit të Dytë të Perëndisë, edhe pse e mishëruar, dridhej nga ideja e të bërurit mëkat, edhe pse jo me mëkatin e vet. Në Gjetsemani kemi tmerrin e një Perëndie të Shenjtë që i duhet të bëhet mëkat-mbajtësi i njerëzimit. Vetëm ideja bëhet terrorizuese për Birin e Perëndisë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ky mëkat tërheq mbi veten e tij zemërimin e pafund e të përjetshëm të një Perëndie të Shenjtë. Krishtit i duhej që të bëhej gati për tërë këtë, në Gjetsemani, në lutje. Ne duhet të shikojnë në agoninë e Krishtit gjëmën e madhe të mëkatit. Kjo është një temë për të cilin bota refuzon të mendojë, prandaj dhe e mbush ditën me zhurmët e idhujve të parasë, lavdisë, pushtetit, të nevojave të përditshme e të lakmive. Kjo është një teme që madje edhe vetë i Krishteri nuk mediton sa duhet, madje tallet me mëkatin. Lehtësia me të cilin ne i kalojmë mëkatet e gojës, të syve, të mendjes, të duarve dhe zemrave tona tregojnë se ne nuk e vlerësojmë Perëndinë, shenjtërinë e tij, urrejtjen që mëkati ynë shkakton tek ai dhe rrezikun që na kanoset. Fakti që ne nuk tmerrohemi nga mëkati ynë tradhton se sa të mpira janë zemrat dhe mendjet tona nga mëkati, se sa të pashenjtëruar ne jemi përpara tij. E madhe është gjëma e mëkatit. Oh sa e tmerrshme është të mëkatosh kundra Perëndisë dhe të përjetosh urrejtjen e tij. Këtë e provojnë Gjetsemania dhe Golgota, lutja e Krishtit i palosur më dysh në tokë, dhe thirrja e tij i gozhduar lart. Sa shumë Krishti pagoi për ne, dhe sa mosmirënjohës ne jemi ndaj tij. Kjo është arsyeja pse dishepujt flenë.
Krishti po vuan kur shikon kupën e Perëndisë të mbushur plot dhe që ai duhej ta pinte deri në fund dhe përgatitet në lutje, ndërsa dishepujt flenë. Të ftuar që ti shërbejnë Krishtit me lutjet e tyre, ata flenë. Të urdhëruar që të përgatisin veten e tyre në lutje, ata flenë! Edhe pse të sapo ngritur nga Tavolina e Zotit me tërë solemnitetet e saj, të sapo paralajmëruar se do ta tradhtojnë e mohojnë atë madje tri herë, ata flenë! Këto gjëra janë shkruar për instruktimin tonë. Le të kujdesemi që këto të mos jenë shkrua më kot. Le të mos jemi letargjik në besimin tonë, në lutje, në kërkimin e shenjtërisë. “Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim; sepse fryma është gati, por mishi është i dobët,” (Mateu 26:41).
Vini re në këtë pasazh qëllimin e lutjes së Krishtit në kontekstin e marrëdhënies së tij me Atin. Ai u lut “Abba, Atë, çdo gjë për ty është e mundur; largoje prej meje këtë kupë! Por jo atë që dua unë, por atë që do ti.” Termi Abba tregon intimitetin, besimin, guximin e Krishtit që i afrohet Atit si Biri, është provë e shenjtërisë së tij, është provë e vetëdijes së Krishtit si Biri i Perëndisë, Perëndi prej Perëndisë të mishëruar në njeri, si dhe provë e vullnetshmërisë së tij për të pirë kupën e hidhur si pasojën e vendimit për t’ia besuar plotësisht veten e tij Atit dhe vullnetit të tij. Në Kopshtin e Gjetsemanisë, Biri i dorëzoi Atit prerogativat, privilegjet e hyjit dhe e la veten e tij vetëm me besimin në Atin. Për herë të parë ai ndjehet i zhveshur e i pafuqishëm dhe kjo është pika ekstreme e përuljes së tij për ne. Në këtë kontekst marrëdhënie intime me Atin, qëllimi i lutjes së Krishtit nuk ishte ndryshimi i vullnetit të Perëndisë, por i bashkimit, radhitjes apo grupimit të vullnetit, të mendjes dhe zemrës së Krishtit me atë të Atit. Lutja e Krishti është rezultati i ballafaqimit të tmerrshëm me realitetin e vullnetit të Perëndisë dhe me atë që përmban ajo. Jezusi është realisht i tunduar që të braktisë rolin e tij si shërbëtori i përvuajtur i Perëndisë. Por megjithatë, vullneti i Krishtit për t’iu bindur Atit është më e fortë se sa dëshira e tij për ti shërbyer vetvetes. “Jo atë që dua unë, por atë që do ti.” Në këtë kontekst ne kuptojmë edhe fjalët e fundit të Krishtit në këtë pasazh “Mjaft! Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 42 Çohuni, të shkojmë; ja, ai që po më tradhton është afër.” Jezusi kishte fituar mbi tundimin e tij. Ai pa brenda kupës së zemëratës së Perndisë dhe ia nënshtroi vullnetin e tij Atit, ia dorëzoi gjithçka atij, dhe tani ishte gati që të dorëzonte edhe trupin e tij. Ndryshe nga ata që e dinë se janë tradhëtuar dhe po i afrohen për ta arrestuar, ai nuk vrapoi prej tyre, por drejt tyre. Është Krishti ai që sigurohet që arrestuesit e tij të kapin njeriun e duhur. Është Krishti ai që në mënyrë aktive ecen drejt Kryqit. Sic tha Isaia “Megjithatë ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; por ne e konsideronim të goditur, të rrahur nga Perëndia dhe të përulur. 5 Por ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të…Si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që i qethin nuk e hapi gojën,” (Isa. 53:8). Kjo është ironia e thellë që fshihet pas Gjetsemanisë dhe e Golgotës. Kur ai u ndje më larg presencës së Perëndisë, ai në fakt ishte më pranë, ishte në qendër të saj. Gjetsemania është preludi i Golgotës, sepse ndërsa në një kodër mbi Jerusalem Ai dorëzoi trupin e tij, në një luginë poshtë Jerusalemit, Jezusi dorëzoi shpirtin e tij për kryqëzim.