“Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht. 18 Ata ju thoshnin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë. 19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën. 20 Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë, 21 ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme. 22 Dhe kini dhemshuri për njëri duke përdorur dallim, 23 por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rroben e ndotur nga mishi.” Juda 17-23
Kisha ka 2.000 vjet që sulmohet si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Nga jashtë armiqtë e saj duan t’ia vrasin trupin, nga brenda armiqtë duan t’ia vrasin frymën duke ia rrëmbyer apo ndryshuar atë që apostulli Pal e ka quajtur “visarin e mirë” (letra 2 Timoteut. 1:14) që është ungjilli, doktrina e Krishtit dhe e Apostujve. Por Perëndia në besnikërinë e madhe të tij ka siguruar për kishën duke i dhënë apostuj e pastorë si Juda e Pali, të cilët e kanë paralajmëruar Kishën për prezencën dhe veprimtarinë e mësuesve të rremë e heretikë të cilët Pali i quan “ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën” (Veprat. 20:29). Ky është qëllimi i Letrës së Judës që kemi qenë duke studiuar këto katër javët e fundit. Ky qëllim shihet qartë në vargun 3 që thotë “ju bëj thirrje të luftoni për besimin, që u qe transmetuar shenjtorëve një herë e përgjithmonë.”
I Krishteri për nga natyra e tij është një ushtar. “Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit” shkruan Pali tek letra 2 Timoteut 2:3. Natyrën e saj militante Kisha e merr nga të qënit e martuar me Krishtin e kauzën e Tij. Tek Ungjilli Gjoni 15:20 Jezusi thotë “Kujtoni fjalën që ju thashë: “Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti”. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju…!” Natyrën e saj militante Kisha e merr edhe nga realiteti në të cilën ndodhet. Krishti tha tek Ungjilli Marku 9:40 “kush nuk është kundër nesh, është me ne.” Me fjalë të tjerë, neutraliteti në këtë botë është absolutisht i pamundur. Dikush ose jeton dhe vepron për lavdinë e Krishtit ose kundra tij. Tek Ungjilli Mateu 6:26 Krishti thotë “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik njerit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.” Jakobi 4:4 gjithashtu na kujton “a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.” Kështu, i Krishteri gjendet i mbërthyer në një konflikt kozmik që për nga natyra është një konflikt shpirtëror. Pali shkruan tek Efesesianeve 6;11-12 “Vishni gjithë armatimin e Perëndisë që të mund të qëndroni kundër kurtheve të djallit, 12 sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore.”
Por si duhet i Krishteri të militojë në këtë botë për lavdinë e Krishtit? Si duhet ti përgjigjemi thirrjes së Judës për të luftuar për besimin që tashmë i është transmetuar Kishës një herë dhe përgjithmonë? Në katër vargjet e para Juda na shpalos identitetin e të Krishterit. Ne duhet së pari të dimë se kush jemi dhe kujt i shërbejmë. Dhe kështu Juda na kujton që ne jemi shërbëtorë të Krishtit, të thirrur, ta dashur dhe të ruajtur prej Atit për Krishtin. Ne kemi marrë mëshirë, paqe e dashuri prej Perëndisë At, Bir dhe Frymë e Shenjtë. Neve na është dhënë gjithashtu doktrina e Apostujve dhe e Krishtit, atë që Pali e quan thesari i mirë i Kishës për të na udhëhequr në këtë konflikt. Së dyti në vargjet 5-16 Juda na jep urtësinë për të dalluar lehtësisht mësuesit e rremë, ujqërit grabitqarë që nuk e kursejnë tufën (Vep. 20:29). Pasi ka shtjelluar identitetin e të pabesëve, Juda së treti na instrukton se si duhet që të luftojmë për besimin që na është transmetuar. Juda na rendit në këto vargje shtatë taktika esenciale që ne duhet të përdorim në luftën tonë për ungjillin që na është transmetuar për shpëtimin tonë dhe të gjithë botës:
Kujtoni Mësimin Apostolik
Vargu 17 thotë: “Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht.” Ky është një urdhër apostolik. Kujtoni dhe fshihni thellë në zemër doktrinën e Krishtit dhe të Apostujve. Njohja e mesazhit është thelbësore për shpëtimin tonë dhe të Kishës. Kjo është arsyeja që Juda na jep këtë urdhër. Por më veçanërisht, çfarë Juda kë ndërmend në këtë varg është mesazhi i Krishtit dhe i Apostujve për mësuesit e rremë. Jezusi i paralajmëroi dishepujt për hyrjen e heretikëve në kishën e Tij. Tek Mateu 24:4-5 ai tha “Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Ruhuni se mos ju mashtron ndokush! 5 Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: “Unë jam Krishti” dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.” Dhe më pas në vargun 11 “Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.” Dhe më pas në vargjet 23-26 “Atëherë, në qoftë se dikush do t’ju thotë: “Ja, Krishti është këtu”, ose “Është atje”, mos i besoni. 24 Sepse do të dalin krishtër të rremë dhe profetë të rremë, dhe do të bëjnë shenja të mëdha dhe mrekulli të tilla aq sa t’i mashtrojnë, po të ishte e mundur, edhe të zgjedhurit. 25 Ja, unë ju paralajmërova. 26 Pra, në qoftë se ju thonë: “Ja, është në shkretëtirë”, mos shkoni atje: “Ja, është në dhomat e fshehta”, mos u besoni.”
Po kështu, tek Letra 2 Pjetrit.3:3-4 Pjetri deklaron “Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta, 4 dhe do të thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit” Pali i paralajmëroi pleqtë e Efesit dhe të tërë Kishave kudo nëpër botë tek Veprat 20:29-30 me këto fjalë: “Në fakt unë e di se, pas largimit tim, do të hyjnë midis jush ujqër grabitqarë, që nuk do ta kursejnë tufën, 30 edhe vetë midis jush do të dalin njerëz që do të flasin gjëra të çoroditura që të tërheqin pas vetes dishepujt.” Vetë Krishti i përshkroi këta njerëz tek Ungjilli Mateu 7:15 kështu: “Ruhuni nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju duke u shtënë si dele, por përbrenda janë ujqër grabitqarë.” Mësuesit e rremë mund të vijnë duke buzëqeshur, të veshur me këmisha të bardha e kollare dhe me mjaft edukatë duke u shtirë sikur kujdesen për delet por rezultati është shkatërrimi. Tek 1 Timoteut 4:1-2 Pali na jep një zbulesë direkt nga Fryma e Shenjtë kur thotë: “Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve, 2 që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre.” Pali këtu nuk po flet për botën por për ata që janë brenda kishës, këta paratha fryma që do të mohojnë besimin.
Është thelbësore që ne të sjellim nëpër mënd mesazhin apostolik. Por si mund të kujtojmë nëse nuk e studiojmë imtësisht Fjalën? Në Bibël të kujtosh do të thotë të ndërmarrësh veprime të menduara mirë. Heretikët sulmojnë mendje-boshët, ata që nuk dinë, që nuk studiojnë, që nuk luten që nuk besojnë. Ata e dinë që njerëz të tillë gjejnë më shumë kënaqësi në mëkat sesa në Fjalën e Perëndisë. Si rrjedhim, inkurajimi im për ju është të jeni të Krishterë që sillni ndërmend në mënyrë që të jeni të Krishterë militantë.
Dalloni të Pabesët
Vargjet 18-19 thonë “18 Ata ju thoshin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë. 19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën.” Ne duhet të dimë natyrën e vërtetë të armiqve të ungjillit. Karakteristikat e të pabesëve ne i pamë të rreshtuara në vargjet 5-16. Si rrjedhim unë nuk do të qëndroj gjatë në këtë pikë. Por disa karakteristika ia vlejnë të theksohen.
Së pari ata janë njerëz mishorë që nuk e kanë Frymën e Shenjtë. Ata janë të botës, janë shekullarë. Ata e prezantojnë veten si super-shpirtërorë, por në realitet ata janë të konsumuar nga lakmia për gjërat e kësaj bote. Ka shumë kanale televizive “të Krishtera” në Evropë dhe Amerikë. Shpesh ato transmetojnë programe apo shërbesa nga Kisha solide, por në shumicën dërrmuese të rasteve ato që flasin apo predikojnë nëpër këto televizione janë thjeshtë mbledhës parash që përdorin Emrin e Krishtit për të mbushur kuletën e tyre.
Së dyti Juda thotë që këta janë njerëz që se kanë frymën. Ata dalin nëpër sheshe e televizione duke deklaruar që mund t’ju shërojnë nëse ju i financoni ata, deklarojnë se mund të transferojnë bekime frymore mbi ju nëse i ndiqni ata, se mund t’ju bekojnë me një jetë shpirtërore më personale me Perëndinë nëse blini një shami të pagëzuar nga ata, se mund t’ju japin madje edhe vetë Frymën e Shenjtë nëse financoni shërbesat e tyre. Kjo është çfarë ju mund të shikoni në këto kanalet e “krishtera” në çdo orë të ditës me përjashtim të orëve shumë të vona të natës kur të gjithë njerëzit janë në gjumë, që është koha kur ato transmetojnë shërbesat e kishave të vërteta e solide. Sharlatanëve të tillë do të vinë edhe në Shqipëri, në mos po tashmë kanë ardhur.
Së treti vini re që të pabesët janë përçarës. Si funksionon përçarja. Mësuesit që i janë besnikë predikimit të ungjillit dhe doktrinave biblike e historike të Krishtit dhe Apostujve janë akuzuar gjithmonë nga mësuesit e rremë si përçarës pasi ata ngulmojnë në të vërtetën. Ne besojmë që uniteti është i bazuar në të vërtetën dhe jo në të qenit tolerant ndaj mëkatit e falsitetit. Kur Krishti iu lut Atit tek Ungjilli Gjoni 17 për unitetin e besimtarëve ai e tha këtë pasi ishte lutur më parë për shenjtërimin e tyre. Vargu 17 thotë “Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.” Uniteti bazohet mbi Fjalën që na shenjtëron e bashkon dhe jo mbi mëkatin e neglizhencën. Janë mësuesit e rremë që sjellin me vete shpikjet, imagjinatën dhe opinionet e pakontrolluara nga Fjala që shkaktojnë çarje në kishë. Mbajeni mënd këtë.
Por mbi të gjitha, të pabesët janë imoralë dhe tallës. Tallësit përgjithësisht e njohin Fjalën por i rebelohen asaj duke sulmuar Perëndinë, Fjalën dhe popullin e Tij. Tallësit e demonstrojnë rebelimin e tyre duke ndjekur pasione të pa-perëndishme.
Ndërtohuni në Besim
Vargu 20 thotë “Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë.” Ky është një urdhër apostolik. Fraza “besimin tuaj shumë të shenjtë” nuk i referohet aktit të besimit në Jezus Krisht si Zot dhe Shpëtimtar, por në fjalën e Perëndisë dhe Doktrinën që del nga ajo. Kujtoni dhe fshihni thellë në zemër doktrinën e Krishtit dhe të Apostujve. Njohja e mesazhit është thelbësore për shpëtimin tonë dhe të Kishës. Kjo është arsyeja që Juda na jep këtë urdhër. I Krishteri duhet të njohë të vërtetën në mënyrë që të dallojë të gënjeshtrën. Punonjësit e bankave janë gjithmonë vigjilent ndaj parave fallso. Është e pamundur që një punonjës banke të mund të dijë çdo lloj mashtrimi apo falsiteti të mundshëm në valutën ndërkombëtare. Si rrjedhim ato nuk fokusohen në studimin e parave fallso, por në studimin e bankënotave të vërteta. Ato duhet të shpenzojnë kohë me dollarin Amerikan apo me Euron Evropiane duke i prekur ato e duke i mbajtur nëpër duar gjatë ditës. Si rrjedhim, punonjësit e bankave e ndjejnë menjëherë kur u bie në dorë valutë fallso. Kështu edhe në botën shpirtërore. Ne duhet të njohim të vërtetën në mënyrë që të dallojmë të gënjeshtrën. Është jetësisht e nevojshme që ne të njohim Shkrimet, të njohim doktrinën apostolike, të njohim ungjillin e vërtetë. Me Davidin ne duhet të themi Psalmin 119:11 “E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje.” Vëllezër, e vetmja mënyrë që Kisha të rritet është që ne të përqafojmë si vizionin tonë Veprat e Apostujve 2:42, “Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje.” Kjo është metoda e dhënë nga Perëndia për mbledhjen dhe rritjen e kishave lokale. Ky është vizioni im për këtë kishë: Të jemi ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje. Leximi, studimi, mësimi e Predikimi i Fjalës, miqësia e Krishterë që duhet të kulminojnë ne takimet e së dielës, administrimi i sakramenteve të Pagëzimit dhe darkës së Zotit, dhe shërbesat e lutjes janë mënyra se si ne do të rritemi si besimtarë dhe si kishë.
Lutuni në Frymën e Shenjtë
Pasi lutja është një nga instrumentet e themelimit të kishës, Juda e përmend atë si një nga virtytet dhe taktikat e luftimit që çdo i krishterë duhet të kultivojë. Vargu 20 vazhdon “ndërtoni veten tuaj… duke u lutur në Frymën e Shenjtë.” Ne kemi nevojë për fuqinë e Perëndisë për të fituar në këtë konflikt kozmik. Ne kemi nevojë për hirin e Frymës së Shenjtë për të qëndruar deri në fund. Si e marrim këtë fuqi? Përmes lutjes. Lutja njihet në teologji si një nga mjetet e hirit, apo një nga instrumentet përmes së cilës Perëndia derdh hir mbi ne. Lutja është një mjet i hirit, dhe nën drejtimin e Perëndisë dhe në kontekstin e influencës së Fjalës, me besim dhe qëndrueshmëri ne do të qëndrojmë deri në ditën e Krishtit. Pali gjithashtu urdhëron të lutemi tek Efesianet 6:18 “… në çdo kohë dhe me çdo lloj lutjeje dhe përgjërimi në Frymën, duke ndenjur zgjuar për këtë qëllim me çdo ngulmim dhe lutje për të gjithë shenjtorët.” Tek 1 Sel. 5:17 Pali urdhëron “Lutuni pa pushim.” Tek Efesianëve 6 në lexojmë që lutja është një nga pjesët më të rëndësishme ë armaturës së Krishterë. Njerëzit që luten nuk tundohen. Ata që luten nuk mashtrohen nga mësimet e rreme. Një jetë e rregullt lutjeje është një tregues i një jete të shëndetshme kristiane. “Ata që jetojnë pa lutje, jetojnë pa Perëndi në këtë botë,” (Mathew Henry).
Ruhuni në Dashurinë e Perëndisë
Në vargun 21 Juda vazhdon “ruhuni në dashurinë e Perëndisë.” Ky është një tjetër virtyt e praktikë që ne duhet të kultivojmë. Ne duhet të mbajmë veten tonë ne sferën e dashurisë së Perëndisë. Është e vërtetë që Perëndia na deshi e na do\ ne, aq sa ai dha edhe Krishtin, Birin e Tij të vetëlindurin që të vdesë për mëkatet tona. Vargu 1, 3 dhe 17 në deklaron që ne jemi nën dashurinë e Perëndisë. Cfarë Juda urdhëron është që ju të qëndroni në këtë dashuri.
Por si bëhet kjo? Të mbash veten në dashurinë e Perëndisë do të thotë të jetosh në bindje ndaj Tij. Tek Ungjilli Mateu 22:36 një nga Farisenjtë e pyeti Jezusin “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?” Jezusi u përgjigj “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.” Tek Ungjilli Gjoni 15:9, Jezusi i urdhëroj dishepujt e Tij “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.” Si mund të bëhet kjo gjë? Vargu 10 “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.” Mësuesit e rremë deklarojnë se hiri dhe dashuria shkojnë kundra ligjit. Por nuk është kjo çfarë Krishti thotë apo jo? “Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time” tha Krishti. Të qëndrosh në dashurinë e Perëndisë do të thotë të jetosh një jetë të shenjtë në përputhje me Fjalën e Tij të Shenjtë. Sepse jemi të shpëtuar nga hiri dhe dashuria ne duhet ti themi jo pa-perëndishmërisë dhe mëkatit. Jini të shenjtë siç Perëndia është i shenjtë dhe nuk do të mund të bini nën influencën e mësuesve të rremë pasi perëndishmëria juaj do të militojë kundra pa-perëndishmërisë së tyre. Fryma juaj do të kundërshtojë të qëndruarit pranë frymës së tyre.
Prisni në Shpresë
Vargu 22 mbyllet me këto fjalë “duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme.” Juda urdhëron: Rrituni në shpresën tuaj për ardhjen e Krishtit. Po, Juda në këtë moment po flet për ardhjen e dytë të Krishtit i cili do të shfaqet ditën e konsumimit të kësaj bote. Mateu 24:30 thotë që “…të gjitha kombet e dheut…do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.” Pali shpalos Eskatologjinë Krishtianë – pra doktrinën biblike të ndodhive të fundit të kësaj epoke tek Letra 1 Selanikasve. 4 kështu: “16 sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë krye-engjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët; 17 pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. 18 Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.” Kjo është shpresa për të cilën bën fjalë Juda në këtë varg. Juda na inkurajon që të jetojmë me këtë shpresë, të presim me padurim ardhjen e dytë të Krishtit në frymën e Gjonit që thotë tek Zbulesa “Eja Zot Jezus, Eja shpejt” (Zbulesa 22:20). Ne duhet të jetojmë me këto fjalë në gojë.
Por a nuk është interesante mënyra se si e thotë këtë gjë Juda? “Duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme.” Përse e bën këtë gjë? Sepse e vetmja mënyrë që ne mund të presim me ngazëllim ardhjen përfundimtare të Krishtit është ta presësh atë në mëshirën e Tij. Ardhja e dytë është e vetmja gjë që kjo botë nuk dëshiron të përjetojë pasi është për gjykimin e saj. Bota nuk e ka përjetuar mëshirën e Tij në shpëtimin shpirtëror, dhe rrjedhimisht do të përjetojë vetëm dënimin që Krishti sjell me vete. Por ai që e ka përjetuar mëshirën e Krishtit një herë në shpëtimin e shpirtit, ardhja e Krishtit është shkalla më e lartë e përjetimit të mëshirës së Krishtit pasi ai është momenti që edhe trupat tonë shpëtohen përfundimisht me marrjen e trupave të rinj. Sepse ai u ringjall, ne do ë ringjallemi. Sepse ai mori një trup qiellor që nuk përjeton më kurrë vdekje, edhe ne do të marrim një ditë një trup qiellor që nuk do të përjetojë më kurrë as lodhje, as sëmundje, e as dhimbje. Kjo është shpresa jonë e bekuar siç thotë Pali tek Titi 2:13 ku shkruan “se ne jemi duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë të të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.”
Mëshironi për Shpëtim
Së fundi Juda jep një urdhër të fundit. Të Krishterët duhet të punojnë me durim e plot mëshirë për shpëtimin e atyre që janë të influencuar nga mësuesit e rremë. Juda thotë ne vargjet 22-23 “Dhe kini dhembshuri për njëri duke përdorur dallim, 23 por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rrobën e ndotur nga mishi.” Këto tre vargje na japin qëndrimin me të cilin ne duhet të veprojmë për shpëtimin e të tjerëve nga mësuesit e rremë. Në fakt Juda i diferencon këta në dy grupe të ndryshme.
Së pari janë ata që kanë dyshime. Vargu 22 është përkthyer shumë keq në shqip ndoshta për shkak të një ndryshimi tekstual në disa prej manuskripteve të Dhiatës së Re. Përkthimi korrekt është ky: “Kini mëshirë për ata që dyshojnë.” Ne nuk duhet të trajtojmë me egërsi apo me padurim ata që janë konfuzë nga fjalët e mësuesve të rremë. Ne duhet ti trajtojmë me mëshirë, me urtësi e zgjuarsi, duke dalluar ndërmjet atyre që janë të dobët në besim ndaj atyre që tërhiqen drejt falsitetit në mënyrë të ndërgjegjshme. Dashuria dhe mëshira do të fitojnë një frymë të mashtruar.
Por si duhet vepruar me grupin e dytë? Me ata që janë të mashtruar plotësisht nga mësuesit e rremë dhe që madje as nuk e dinë që janë në atë gjendje? Juda thotë “shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rrobën e ndotur nga mishi.” Ky grup i dytë thotë Juda po përvëlohet e shkrumbohet nga zjarri i mëkatit. Juda në fakt e merr borxh këtë shprehje nga Amosi 4:11 dhe Zakaria 3:2. Perëndia thotë që Izraeli ishte si një urë zjarri e shkëputur nga zjarri. Imazhi i zjarrit i referohet dënimit të menjëhershëm që i kanoset atyre që janë të dobët e që po digjen në mëkat. Koha është e çmuar thotë Juda. Sa më shumë një njeri të kalojë në mesin e mësuesve dhe mësimeve të gabuara aq më e vështirë është ta shkëpusësh njeriun nga atje dhe aq më e vështirë është të zhbësh dëmet e bëra në mendjen e të gënjyerve.
Së fund bëjeni këtë gjë, thotë Juda, “duke urryer edhe rrobën e ndotur nga mishi.” Në greqisht bëhet fjalë për rrobat e brendshme që janë në kontakt direkt me trupin dhe që ndoten nga rrjedhjet njerëzore. Këtë imazh Juda në fakt e huazon përsëri nga Zakaria 3:3-4 ku lexojmë që kryeprifti i tempullit “Jozueu ishte veshur me rroba të papastra dhe qëndronte drejt përpara engjëllit, 4 i cili nisi t’u thotë atyre që ishin përpara tij: “Ia hiqni nga trupi ato rroba të papastra!”. Pastaj i tha atij: “Shiko, kam zhdukur prej teje paudhësinë tënde dhe do të të bëj të veshësh rroba të shkëlqyera.” Rrobat e ndotura nga mishi këtu qëndrojnë për mëkatin e thellë. Jezusi e përdor gjithashtu këtë metaforë tek Zbulesa 3:4 kur i flet Kishës në Sardë: “Por ke disa veta në Sardë, që nuk e ndotën petkat e tyre; edhe do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë.” Përse e përdor këtë imazh Juda? Ai dëshiron që ti bëjë lexuesit e tij të ndjejnë neveri për mëkatin, madje urrejtje për të. Juda thotë: largoju çdo kontakti me mëkatin me qëllim që të të mos infektojë edhe ty. Vëllezër, mëshironi për shpëtim, punoni për shpëtimin e të tjerëve duke bërë ungjillëzim dhe dishepullizim orë e pa orë, por kini kujdes për veten tuaj dhe i kujtoni edhe të tjerëve se ne të gjithë duhet të urrejmë mëkatin po aq shumë sa do të ndjenim neveri nga të përbrendshme të ndyrosura nga sekrecionet e njeriut.
Këto janë disa nga taktikat dhe vlerat Kristiane që ne duhet të kultivojmë në luftën tonë për besimin që na është transmetuar. Kujtoni mësimin apostolik, mësoni të dalloni të pabesët e mësuesit e rremë, themelojuni fort në doktrinën e Krishtit, lutuni pa pushim në frymën e shenjtë për veten dhe të tjerët, mbani mend vizionin e Veprave 2:42, qëndroni në dashurinë e Perëndisë duke iu bindur Atij, prisni me shpresë të sigurte në ardhjen e fundit të Krishtit dhe punoni për shpëtimin e të tjerëve nga ligësia e kësaj botë plot kujdesje për shpirtin tuaj duke e urryer plot neveri mëkatin që na ngjitet ngado dhe Perëndia i mëshirave do të jete besnik ndaj jush duke ju bekuar me fryte e kurora. Amen.