06 Bekimi i Perendise (II)

06 Bekimi i Perendise (II)

Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim, 25 të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, përmes Jezus Krishtit Zotit tonë, tani dhe përjetë. Amen.

Javën e kaluar pame që ne letrën e Juda 24-25 është një doksologji dhe një bekim. Ajo teknikisht është një doksologji, pra një shpërthim adhurimi ndaj Perëndisë Triune, të përjetshme, sovrane e plot-mëshirë për të tëra bekimet që ka hedhur mbi ne me shumicë. Psalmi 22:26 thotë “Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë;  e zemra e tyre do të jetojë përjetë.” Psalmi 28:7 thotë “Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.” Kjo është pikërisht çfarë Juda bën në këto dy vargje të fundit të letrës së tij, dhe e bën këtë edhe si shembull instruktues për ne. Ne, në çdo gjë, kurdo dhe kudo duhet të përmbushim qëllimin e jetës tonë, lavdërimin e Perëndisë. Jeta jonë duhet të ketë karakter doksologjik, zemra jonë duhet të jetë e mbushur me falënderime, goja jonë duhet të nxjerrë lavdërime, veprimet tona duhet të jenë këngë adhurimi sepse siç thotë Psalmi 18:3 Ai “është i denjë për t’u lëvduar.” Na fakt 1 Pjetrit 2:9 thotë që lavdërimi i Perëndisë është profesioni ynë apo thirrja jonë në këtë jetë: “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme.”

Por kjo doksologji është edhe një bekim për ne pasi edhe pse i drejtohet Perëndisë ajo na kujton deklarimin e bekimit që Perëndisë na jep në përfundim të shërbesës hyjnore të adhurimit çdo të Diele. Në fakt, Perëndia bekohet e lavdërohet në këtë doksologji për shkak të bekimeve të tij ndaj nesh. Kjo është në përputhje me Letrën e 1 Gjonit. 4:19  që thotë “Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.” Ne e bekojmë Atë pasi Ai na bekoi i pari. Kjo doksologji fokusohet në Perëndinë, ajo ngre lart fuqinë dhe lavdinë e Perëndisë. E teksa e bën këtë gjë, kjo doksologji kthehet në një bekim për ne pasi na ankoron në dashurinë e Perëndisë, na siguron në fuqinë e Perëndisë dhe në shpresën e besimtarit në lavdinë e Perëndisë që po vjen.

Kjo doksologji ka pesë pjesë. Javën e kaluar pamë lavdërimin e Perëndisë që na ka ruajtur nga rrëzimi dhe së dyti lavdërimin e Perëndisë për hirin e tij përsosësh. Sot do të fokusohem në vargun 25 ku mund të vëmë re tre momente kryesore. Së pari, lavdëroni të vetmin Perëndi. Së dyti, lavdëroni Perëndinë për ndërmjetësimin shpëtues të Krishtit. Dhe së fundi, lavdëroni Perëndinë për vlerën e pafundme që Ai ka.

 

Lavdëroni të Vetmin Perëndi

Juda ne vargun 25 thotë “të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, përmes Jezus Krishtit Zotit tonë, tani dhe përjetë. Amen.” Vini re fjalën “të vetmit.” Ajo na kujton atë thirrjen e Reformacionit: Soli Deo Gloria – “Vetëm Perëndisë i Qoftë Lavdia,” vetëm Perëndia marrtë lavdi, vetëm Perëndia u adhuroftë në këtë botë ashtu si edhe në atë që vjen. Ky është momenti i parë doksologjik i Judës në këtë varg. Krishterimi i vërtetë është një religjion me karakter ekskluziv, përjashtues, dhe madje këtë në shumë nivele. Bibla deklaron se ka vetëm një Perëndi. Besëlidhja e Rip 6:4 thotë thirrjen më të rëndësishme për Judenjë e Dhjates Vjetër që është  “Dëgjo, Izrael, Zoti, Perëndia ynë, është një i vetëm.” Perëndia ynë nuk toleron rivalë. Tek 2 Mbretërve. 19:15 profeti Ezekia u lut para Zotit duke thënë: “O Zot, Perëndia i Izraelit, që ulesh mbi kerubinët, ti je Perëndia, i vetmi, i të tëra mbretërive të tokës. Ti ke bërë qiejt dhe tokën.” Ekzaktësisht të njëjtën fjali thotë edhe Isaiah 37:16. Tek Psalmi 86:10 lexojmë “Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia.”

Perëndia ynë nuk pranon që të ketë rivale dhe këtë e shpreh në emrin që Ai vetë i a ka dhënë vetes q është Xhelozi. Tek Dalja 34:14 lexojmë që Perëndia urdhëron “nuk do t’i përulesh një perëndie tjetër, sepse Zoti, emri i të cilit është “Xhelozi”, është një Perëndi xheloz.” Bes.Rip 4:24 përsërit “Sepse Zoti, Perëndia yt, është një zjarr që të konsumon, një Zot ziliqar.” Perëndia i vërtetë, i vetmi Perëndi jo vetëm që përjashton idhujt e bërë nga njeriu, qofshin ato prej druri, ari, mermeri apo idhuj të fshehtë ne zemrën e gjithsecilit prej nesh, pasi siç ka deklaruar tek Isaia 42:8 “Unë jam Zoti, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura,” – por ky Perëndi gjithashtu për të ruajtur ekskluzivitetin e tij në këtë gjithësi ai edhe kërcënon ata që përpiqen ti marrin nga lavdia e Tij. Tek Naumi 1:2 profeti thotë “Zoti është një Perëndi xheloz dhe hakmarrës; Zoti është hakmarrës dhe plot tërbim. Zoti hakmerret me kundërshtarët e tij dhe e ruan zemërimin për armiqtë e tij.”

Perëndia është ekskluziv në natyrën e tij, Ai është përjashtues, nuk pranon të dytë. Në fakt ky është përkufizimi i mëkatit dhe si rrjedhim shenjtorët  e Dhiatës Re veprojnë me kujdes në këtë drejtim. Kjo është arsyeja që Juda shkruan “të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, përmes Jezus Krishtit Zotit tonë, tani dhe përjetë. Amen.” Për këtë arsye shkruan Pali tek Letra e 1 Timoteut. 1:17 “Dhe Mbretit të amshuar, të pavdekshmit, të padukshmit, të vetmit Perëndi të ditur, i qoftë nder e lavdi në shekuj të shekujve.” Tek Rom 11:36 Pali në tre fraza bën atë që filozofët nuk kanë mundur të bëjnë në 4.000 vjetët e fundit, Ai artikulon origjinën, arsyen dhe të ardhmen e këtij universi kur thotë “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë!”

Por a është kjo çfarë bota beson sot? Virtyti më i lart për botën sot nuk është të lavdëruarit e Perëndisë, por e të qenit tolerant. Intoleranca është mëkati më i madh për këtë botë. Si rrjedhim i krishteri sot e gjen veten nën një presion të madh dhe të vazhdueshëm për t’ju bashkangjitur kësaj bote në atë që në fakt është intolerancë ndaj Perëndisë. Ateizmi është një idhull po aq xheloz, ekskluziv dhe hakmarrës sa edhe i vetmi Perëndi. Ajo nuk mund ti lejojë hapësirë predikimit të ungjillit nëpër shkolla, artikujve të krishterë nëpër gazetat kombëtare, diskutime të hapura në kohën televizive, ligjshmëri të plotë në kushtetutë e kode. Anti-perëndishmëria është ekskluzive, përjashtuese, dhe xheloze për principatën e saj. Perëndia e Kisha janë në një përplasje frontale me këtë univers, me drejtuesit dhe princërit e kësaj bote.

Të Krishterë, në çdo gjë gjë që bëni, në çdo fjalë që thoni, në çdo hap që hidhni, në çdo mendim që keni, kudo dhe kurdoherë ju ose i sillni lavdi perëndisë ose i sillni lavdi kësaj bote. Neutraliteti është i pamundur për shkak të natyrës së realitetit kozmik në të cilin ne gjendemi. Ky është problemi juaj ekzistencialist. A adhuroni ju vetëm Perëndinë e vërtetë?…apo adhuroni punën, shkollën, familjen e arritjet tuaja në këtë jetë? A adhuroni ju shtetin e shoqërinë civile duke pasur frikë prej saj, duke i bërë qejfin herë pas here, duke ju nënshtruar kulturës, traditës e kontekstit në të cilin jetojmë? Neutraliteti është i pamundur. Ju ose i shërbeni Perëndisë ose i shërbeni dikujt a diçkaje tjetër. Ju ose adhuroni vetëm Perëndinë ose adhuroni vetëm diçka tjetër, nuk mund ti bëni dot të dyja. Krishti nuk jua pranon gjërat e përziera. Ai tha tek Mateu 6:24 “6:24 Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do ta dojë tjetrin; ose do t’i qëndrojë besnik njërit dhe do të përçmojë tjetrin; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.” Çfarë duhet të bëjmë? Pali thotë tek Letra 2 Korintasve. 10:5 se ne duhet “të hedhim poshtë mendimet dhe çdo lartësi që ngrihet kundër njohjes së Perëndisë dhe t’ia nënshtrojmë çdo mendim dëgjesës së Krishtit.” Përpara çdo fjale a veprimi kontrolloni në mendjen tuaj nëse ajo gjë do ti japë lavdinë ekskluzive Krishtit ose jo? Kontrolloni mendimet tuaja, aty zhvillohet beteja? Nënshtrojani çdo mendim dëgjesës së Krishtit. Hidhni poshtë si idhujtari çdo fjalë, mendim a veprim që do të shkonte kundër njohjes nga të tjerët të Perëndisë ashtu siç Perëndia është në të vërtetë, ashtu siç Ai na është shpallur në Bibël. Kjo duhet të jetë mënyra se si ju duhet të veproni në çdo moment: Pyesni: Kush e merr lavdinë nëse përgjigjem kështu apo ashtu? Dhe pastaj veproni. Kjo është thirrja jonë.

 

Lavdëroni Shpëtimtarin Perëndi

Juda shkruan “të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, përmes Jezus Krishtit Zotit tonë, tani dhe përjetë. Amen.”  Juda na kujton në këtë varg që Perëndia është Ai ynë, Shpëtimtari ynë pasi ai është Shpëtimtar-dhënësi ynë. Ati është burimi i shpëtimit tonë. Gjoni 3:16 thotë Se Perëndia At aq shumë e deshi botën sa dha Birin e Tij për shpëtimin tonë. Kështu fokusi i doksologjisë tonë në këtë moment është ajo çfarë Perëndia ka bërë për ne. Kjo nuk është një mënyrë egoiste për ta lavdëruar Perëndinë. Në Dhjaten Vjetër Davidi i shtyrë nga Fryma e Shenjte lavdëroi po kështu Perëndinë. Tek Psalmi 18 Davidi adhuron kështu “Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë… Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!” A e mani mend Psalmi 136? Aty psalmisti për 26 vargje rradhazi numëron veprat shpëtuese që Perëndia pat bërë për Izraelin dhe pas çdo vargu përsërit “sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.” Juda na kujton në këtë varg që ne duhet ti ngremë sytë vetëm tek Perëndia për shpëtimin tonë. Vetëm Perëndia shpëton. Perëndia ynë dashuron më shumë mbi çdo gjë popullin e Tij, shpëtimin e Tij, dhe madje Ai gjen kënaqësi në veprën e shpëtimit.

Por ju duhet të vini re në këtë varg që Juda nuk thotë “të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë,” siç e keni të shkruar në biblat tuaja për shkak të një gabimi, por “të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, përmes Jezus Krishtit Zotit tonë, tani dhe përjetë.” Përmes Jezus Krishtit është fraza përcaktuese ne kete moment. Shpëtimi është vetëm përmes Jezus Krishtit. Ai është i vetmi ndërmjetës ndërmjet Perëndisë dhe njeriut. Ky është një moment tjetër ku Krishterimi është një religjion ekskluziv, përjashtues e përcaktues. Sot bota thotë: “Një është Perëndia, rëndësi ka të besosh dhe të jesh i mirë. Buda, Muhameti, Krishti, këto janë shprehje të ndryshme të të njëjtit realitet, të asaj që ne duhet të jemi të mirë dhe ti besojmë Perëndisë.” Por a është kjo çfarë thotë vetë Perëndia? Tek Isaia 7:14 lexojmë “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emanuel që do të thotë: “Zoti me ne.”Ne letrën e 1 Timoteut 2:5 thotë “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus.” Vetë Krishti tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje” (Ungjilli i Gjonit 14:6). Ja ekskluziviteti i Krishtit dhe i Krishterimit. Ajo është përmbledhur nga Reformacioni në thirrjen Solus Christus – Vetëm Krishti. Vetëm Krishti ndërmjetësoi për ne në Kryq, vetëm Krishti u ringjall nga të vdekurit, vetëm Krishti është i gjallë dhe në anë të djathtë të Atit duke ndërmjetësuar për ne në lutje, vetëm Krishti na shpëton përmes drejtësisë së Tij që Ai akumuloi përmes bindjes së Tij në tokë, vetëm Krishti është rruga për tek Ati, madje edhe për ta lavdëruar atë. Prandaj edhe Juda thotë “të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, përmes Jezus Krishtit Zotit.” Adhurimi ynë mund të pranohet nga Ati vetëm nëse vjen në emër të Krishtit dhe për lavdi të Krishtit. Kjo pasi  Ati lavdërohet e gjen kënaqësi vetëm në Krishtin Birin e Tij siç edhe deklaroi ditën e pagëzimit të Krishtit kur tha: “Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur” ( Ungjilli i Markut 1:11), apo në rastin e transfigurimit tek Ungjilli Mateut 17 kur Ati Perëndi dëshmoi: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni Atë!” Solu Christus.

Në fakt vetë Zoti ynë Jezus e përdor thirrjen Solus Christus në kontekstin e Soli Deo Gloria. Shumë njerëz thonë: Unë i besoj Perëndisë. Krishti pyet: a i beson Krishtit? Nëse po i beson Perëndisë. Tek Ungjilli Gjonit 5:43-47 lexojmë:

Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit. 44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?

Këtu Krishti thotë: Së pari ju i vidhni Perëndisë lavdinë e Tij. Këtë e bëni duke mos ia pranuar birin, që është lavdia e Tij. Tek Letra 2 Korintasve. 4:6 Pali thotë “Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë”, është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.” Vini re pra, Perëndia Krijuesi është edhe Shpëtimtari i cili e shpall lavdinë e Tij në qenien e Jezus Krishtit. Krishti është lavdia e Atit Perëndi dhe vetë Perëndia Shpëtimtari.

 Lavdëroni Perëndinë për vlerën e pafundme që Ai ka

Në fundin e vargut 25 ne përsëri shikojmë substancën e doksologjisë së Judës dhe të çdo besimtari. “të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, përmes Jezus Krishtit Zotit tonë, tani dhe përjetë. Amen.”  Juda e adhuron Perëndinë për atë çfarë Ai tashmë është. Në adhurimin tonë ne nuk i atribuojmë Perëndisë diçka që Ai nuk e ka, ne thjesht sa shpallim ato vlera që Ai i ka në të vërtetë dhe që tashmë Ai i ka shpallur e provuar si të tilla. Ne i atribuojmë atij atë lavdi që Emri i Tij meriton. Kështu Juda lavdëron Perëndinë për atributet që Ai i pa pafundësisht dhe përjetësisht si në masë ashtu edhe në jetëgjatësi. Ne nuk e lavdërojmë Perëndinë pasi Ai na jep bukën e përditshme, pasi na jep shpëtimin, familjet, shoqërinë, jetën e shërimin, por mbi të gjitha pasi lavdërimi ynë i takon për shkak të çfarë Ai vetë është në vetvete. Kjo është zemra e doksogjisë.

Në këtë varg Juda përmend vetëm katër nga cilësitë më të spikatura të Perëndisë dhe që përmenden më shumë nga çdo cilësi tjetër në Bibël. Lavdia, Madhështia, Sundimi dhe Pushteti. Për cilësinë e parë fola më lart. Madhështia është një cilësi që në mënyrë të veçantë i atribuohet Perëndisë Atë, personit të Parë të Trinisë. Ajo përmendet tre herë në Dhjaten e Re. Pali flet për uljen e Krishtit në të Djathtë të Atit tek Hebrenjte1:3 duke e quajtur Atin Madhështi: [Krishti] “mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,” Po kështu e përdor termin Madhështi edhe tek Hebrenjte 8:1.

Dy cilësitë e tjera të Perëndisë, sundimi dhe pushteti janë pak a shumë e njëjta gjë. Perëndia është i vetmi i plotfuqishëm në këtë botë, si rrjedhim Ai është i vetmi Sovran e kështu i vetmi Mbret. Është ai i vetmi që drejton pasi është Ai i vetmi që zotëron. Le të mos harrojmë që sundmi i Perëndisë në këtë botë kryhet përmes Jezus Krishtit, Ai të cilin Perëndia e quan Princ i Paqes, Mbret mbi Mbretër, Alfa dhe Omega, Fillimi dhe Mbarimi. Është Krishti Mbreti i Kishës që është gjithashtu edhe mbreti i kësaj bote. Tek Mateu 28:20 Ai tha para se të ngrihej lart në të djathtë të Madhështisë: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. 19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, 20 dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës.”

Në doksologjinë tonë, Juda na drejton jo drejt lavdisë tonë por drejt lavdisë së Perëndisë, jo drejt statusit tonë por drejt statusit të Perëndisë, jo drejt kontrollit tonë por të Perëndisë, jo drejt fuqisë sonë por drejt fuqisë së Perëndisë. Ky libër që ne lexojmë çdo ditë dhe predikojmë prej saj çdo të diele është në radhë të parë një libër përreth Perëndisë e Krishtit, është në radhë të parë rreth personit të Tij, mendimeve të Tija, ndjenjave të Tija, veprimeve të Tija, dëshirave të Tija e qëllimeve të tija për këtë univers. Apostulli Pal ne letrën drejtuar Romakeve 1:36 është e vërtetë thotë: “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!”