“Bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin,” (1 Gjo. 1:3).
Apostulli Gjon na zbulon në Letrën e tij të Parë, se ku konsiston në përgjithësi kjo bashkësi me Perëndinë. Ai i siguron të Krishterët se miqësia e besimtarëve është me “Atin dhe me Birin e Tij Jezus Krisht.” Dhe për ta ngulitur këtë doktrinë në mendjet e lexuesve të tij ai shkroi “Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin,” (1 Gjo. 1:3).
Të Krishterët në ato vite ishin të varfër, të sulmuar e të përbuzur. Drejtuesit e Kishave shikoheshin veçanërisht nga bota si llumi i botës. Kështu, ftesa që u bëhej jobesimtarëve për të ardhur në besimin tek Krishti, për tu bërë pjesë e bashkësisë se Krishterë shihej nga shumë si budallallëku më i madh.
Bota mendonte “Çfarë përfitimi do të kemi nëse i bashkohemi këtyre Kristianëve? Ftesa që vjen prej tyre është ftesa për t’iu bashkuar telasheve të tyre. Përse duhet që ne të persekutohemi, të tallemi e të poshtërohemi nga bota, dhe në fund të provojmë çdo lloj ligësie të mundshme?
Këto objeksione kishte ndërmend Gjoni kur shkroi letrën e tij. Pavarësisht disavantazheve të shumta nën të cilat ndodhej bashkësia e Krishterë në ato kohë, e vërteta ishte se ata që i bashkoheshin popullit të Perëndisë gëzonin një status shumë më të nderuar, më të lavdishëm dhe më të dëshirueshëm. “Bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin,” (1 Gjo. 1:3).
Kjo bashkësi që besimtarët kanë me Perëndinë është një marrëdhënie e miqësi e shenjtë dhe shpirtërore, siç edhe do ta shikojmë më poshtë.
Për shkak të mëkatit, asnjë njeri në gjendjen e tij të natyrshme nuk ka miqësi me Perëndinë. Perëndia është dritë, ne jemi errësirë. E çfarë miqësie mund të ketë drita me errësirën? Perëndia është jetë, ne jemi të vdekur. Perëndia është dashuri, ne jemi në armiqësi me të. E çfarë miqësie mund të ketë ndërmjet Perëndisë dhe njeriut? Njerëzimi, nën këto kushte, është pa Krishtin dhe si rrjedhim edhe pa asnjë shpresë dhe madje edhe pa Perëndi në këtë botë (Efe. 2:12). Njerëzit janë “të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre,” (Efe. 4:18). “A mund të ecin bashkë dy veta, në rast se nuk janë në një mendje?” (Amos 3:3). Për aq kohë sa ekziston kjo distance e madhe ndërmjet Perëndisë e njeriut, nuk mund të ketë miqësi e bashkësi me Perëndinë. Marrëdhënia jonë e parë me Perëndinë u humb në mëkatin e parë pa asnjë mundësi për tu kthyer tek perëndia përmes forcave tona.
Rruga e vetme e kthimit për tek ajo miqësi e parë me Perëndinë është përmes besimit në Jezus Krishtin. Edhe pse besimtarët e Dhiatës së Vjetër patën miqësi me Perëndinë përmes besimit në Mesinë që do të vinte, ata nuk kishin guximin dhe sigurinë në atë miqësi. Rruga për tek shenjtëria nuk ishte hapur ende (Heb. 9:8). Nën administrimin e hirit në Besëlidhjen e Re në Krisht, kjo rrugë është e hapur dhe besimtarët kanë guximin dhe sigurinë për të hyrë në prezencën e Perëndisë (Efe. 3:12; Heb. 10:20; Efe. 2:13, 14, 18). Krishti pra është themeli i miqësisë tonë me Perëndinë dhe përmes Frymës së Shenjtë, besimtarët sot marrin guximin e besimit. Sa shumë Perëndia nga ka nderuar ne.
Mendja njerëzore shikon një mospajtim kaq të madh ndërmjet Perëndisë dhe njeriut sa që konkludon se nuk mund të ketë miqësi ndërmjet tyre. Njohuria se Perëndia dhe njeriu mund të jetojnë në një marrëdhënie me njëri-tjetrin fshihet në Krisht. Kjo është tepër e mrekullueshme për natyrën e korruptuar e të mëkatshme njerëzore për ta zbuluar. Njohja njerëzore na çon vetëm deri në frikë e terror kur mendon daljen para prezencës së Perëndisë. Por në Krisht, ne kemi një shteg për të dala para Perëndisë pa frikë.
Miqësia apo bashkësia ndërmjet dy personave është ndarja e shkëmbimi i atyre gjerave të mira që i japin kënaqësi të dyja palëve në këtë miqësi. Kështu ishte me Davidin e Jonatanin. Zemrat e tyre ishin të lidhura së bashku në dashuri (1 Sam. 20:17). Por dashuria ndërmjet dy miqve të mirë nuk është asgjë në krahasim me dashurinë që ekziston ndërmjet Perëndisë dhe popullit të tij. Kjo bashkësi dashurie është shumë herë më e mrekullueshme. Ata që e shijojnë këtë miqësi janë në mënyrë të lavdishme të bashkuar e njësuar me Perëndinë përmes Krishtit, dhe ndajnë me atë të gjitha frytet e mrekullueshme e të lavdishme të një miqësie të tillë.
Kjo miqësi me Perëndinë konsiston në Perëndinë që na dhuron veten e tij ne dhe në ne që i japim Atij veten tonë dhe gjithçka tjetër që ai kërkon prej nesh. Kjo miqësi rrjedh nga ai bashkim që ne kemi në Krishtin Jezus.
Kjo miqësi e bashkim do të jetë e përsosur dhe e plotë vetëm kur ne do të futemi plotësisht në shikimin e plotë të lavdisë së Krishtit në lavdi. Vetëm atëherë ne do të mund t’ia japim veten tonë plotësisht Krishtit duke u prehur në Atë si përmbushja e plotë e të gjitha dëshirave tona.
Kjo miqësi është e pjesshme tani vetëm sepse në këtë anë të qiellit ne shijojmë vetëm frytet e para të asaj përsosmërie të ardhshme. Shpjegimi i kësaj marrëdhënie siç mund të përjetohet këtu në tokë është qëllimi i këtij libri, Dëshira ime është që të shpalos atë marrje dhe dhënie që duhet të ekzistojë ndërmjet Perëndisë dhe shenjtorëve të Tij teksa ata ecin bashkë në një paqe të shenjtë dhe shpirtërore. Kjo besëlidhje paqeje është siguruar nga gjaku i Jezusit në Kryq. Por së pari, unë lutem që Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, i cili, përmes pasurive të hirit të tij, na ka sjellë nga gjendja e armiqësisë në këtë miqësi të lavdishme me veten e tij, t’ju japë ju një shijim të tillë të ëmbëlsisë dhe përsosmërisë së tij në këtë miqësi, sa ju të nxiteni për një mallim apo dëshirim më të madh të atij përjetimi të përjetshëm të personit të Perëndisë në lavdinë e përjetësisë. AMEN.