Edhe pse disa prej cilësive të tij, Perëndia tashmë na i ka bërë të njohura përmes veprës së krijimit (Rom. 1:20), cilësi si “fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij,” njohja e Perëndisë përmes krijesës ngelet e kufizuar për shkak të natyrës së kufizuar të krijesës për të shpjeguar apo shpalosur saktë natyrën e Perëndisë; si dhe për shkak të mëkatit që prek mendjen e njeriut si instrumenti interpretues i tërë këtij informacioni. Si rrjedhim, për shkak të mëshirës dhe dashurisë së Tij të madhe ndaj njeriut, Perëndia këlon hendekun, vjen tek njeriu, dhe na është vetë-zbuluar përmes Fjalës dhe Birit (Heb. 1:1). Tek historia e çlirimit të Popullit të Perëndisë përmes ndërmjetësimit të Moisiut, lexojmë për një prej momenteve më të jashtëzakonshme të këtij vetë-zbulimi. Pasi ka urdhëruar Moisin që të shkojë si i dërguari i Perëndisë, Moisiu rrëfen pyetjen thelbësore që ka munduar njerëzimin prej shekujsh, “Si është Perëndia?”:
-Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: “Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju.” – po të jetë se ata më thonë: “Cili është emri i tij?” – ç’përgjigje duhet t’u jap?
-Perëndia i tha Moisiut: “UNÉ JAM AI QÉ JAM.” Pastaj tha: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: UNÉ JAM-i më ka dërguar tek ju.” Perëndia i tha akoma Moisiut: “Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë.”
Termi që Perëndia përdori për të na u zbuluar ka katër shkronja YHVH – יְהֹוָה. Ky është emri i Perëndisë së Besëlidhjes, emri që ai ka për vetveten, termi përmes së cilës Ai na zbulon se kush ky Perëndi është në thelb. Dukë na thënë se emri i Tij është Jehovah (transliterimi në Shqip) – “UNÉ JAM AI QÉ JAM,” ai na ka zbuluar një numër cilësish, apo siç njihen teknikisht nga teologët dhe studiuesit e Biblës, një numër atributesh.
Vetë-Ekzistues dhe i Vetë-Mjaftueshwm
Së pari, Ai është Vetë-Ekzistues dhe i Vetë-Mjaftueshëm. Ndryshe nga njeriu, Ai nuk është i krijuar nga asgjë. Ai ekziston nga domosdoshmëria e qënies së Tij. Ai nuk ka fillim, dhe as nuk është shkaktuar nga ndonjë gjë jashtë Tij. Perëndia është në dhe nga vetja e Tij. Tomas Akuinas tha, “Ai është Shkaku i Parë, vetë i pashkaktuar nga asgjë.” Ai është יְהֹוָה – Jehovah, “Ai që Gjithmonë është.” Kjo do të thotë që Ai është jovetëm e vetmja qenie e pavarur nga gjithçka tjetër jashtë Tij, por Ai është gjithashtu i pavarur edhe në të tëra veprimet, virtytet, planet e qëllimet, dhe madje Ai bën që e tëra krijesa të varet prej tij plotësisht. Pali tha “Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës, nuk banon në tempuj të bërë nga duart e njeriut, dhe as shërbehet nga duart e njerëzve, sikur të kishte nevojë për ndonjë gjë, sepse ai u jep të gjithëve jetë, hukatje dhe çdo gjë” (Vep. 17:24-25).
Jehovah është Emri i Tij i Besëlidhjes. Ai është një Perëndi që i qënbdron besnik Besëlidhjes që Ai bëri me popullin e Tij. Dhe fakti që Ai është Vetë-Ekzistues dhe i Vetë-Mjaftueshëm, besëlidhja që Ai bën me të zgjedhurit e Tij qëndron përjetë pasi Ai vetë është garanti i saj, dhe Ai që e konsumon plotësisht këtë Besëlidhje për ne. Prandaj, edhe “kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s’kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij,” (Heb. 6:13).
Jesuzi tha “Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete,” (Gjo. 5:26). Ati është Ai që është nga vetja e Tij. Sepse Ai është Vetë-Ekzistues dhe i Vetë-Mjaftueshëm, vetëm Ai është dhënësi i jetës. “Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër; jashtë meje nuk ka Perëndi. Të kam rrethuar, ndonëse ti nuk më njihje, me qëllim që nga lindja në perëndim të pranohet që nuk ka asnjë Perëndi përveç meje. Unë jam Zoti dhe nuk ka asnjë tjetër. Unë formoj dritën dhe krijoj terrin, sjell mirëqënien dhe krijoj fatkeqësinë. Unë, Zoti, i bëj të gjitha këto gjëra” (Isa. 45:5-7). “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë!” (Rom 11:36).
“Unë jam Jehovah, ky është emri im; nuk do t’i jap lavdinë time asnjë tjetri, as lavdërimet e mia shëmbëlltyrave të gdhendura,” deklaron Ai xhelozine e Tij për lavdinë e Tij (Isa. 42:4). Dhe sepse Ai është Jehovah, Ai është gjithashtu edhe Shpëtimtari ynë (Isa. 43:11).
Kjo është arsyeja përse Farisenjtë u skandalizuan aq shumë nga retorika e Krishtit dhe donin ta vrisnin me gurë. Sepse “Jezusi u tha atyre: Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: para se të kishte lindur Abrahami, UNë JAM,” (Gjoni 8:58). Krishti u deklaroi, Unë Jam Ai që Jam – Jehovah. Krishti u deklaroi se Ai ishte vetë Perëndia që u ishte zbuluar atyre në forma të ndryshme në Dhiatën e Vjetër, dhe se ishte mishëruar për t’iu zbuluar më mirë dhe më afër. “Tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë,” (Kol. 2:9).
I Përjetshëm dhe i Pafund
Sepse Ai është Jehovah – Unë Jam Ai Që Jam, Perëndia është gjithashtu i pakufuzuar edhe në marrëdhënie me kohën dhe hapësirën. Në marrëdhëni me kohën ai është i perjetshëm, ndërsa në marrëdhënie me hapësirën Ai është i pafund. Në fakt Perëndia jo vetëm mbush tërë kohën dhe hapësirën, Ai shtrihet përtej tyre dhe nuk kufizohet prej tyre. Në fakt, është Ai që ka krijuar kohën dhe hapësirën kur krijoi gjithësinë, dhe si i tillë Ai na vjen përtej tyre dhe shtrihet përtej tyre. “Përjetësia është ai atribut i Perëndisë me anë të së cilës Ai mgrihet mbi tërë kufinjtë kohorë dhe mbart të tërë ekzistencën e Tij në një të tashme të pandashme.” Prandaj edhe Pjetri thotë se “për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë,” (2 Pjet. 3:8). Kjo është se si Perëndia e përjeton ekzistencën e tij. “Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë,” (Psa. 90:4). “Nga përjettësia në përjetësi, Ti je Perëndi,” (Psa. 90:2). Në Hebraisht fjala përjetësi përkthehet olam. Dhe kështu Ai na zbulohet tek Zan. 21:33 dhe Isa. 40:28 si El-olam, Perëndia i Përjetësisë. “Nuk e di ti, vallë, nuk e ke dëgjuar? Perëndia i përjetësisë, Zoti, krijuesi i kufijve të tokës, nuk mundohet dhe nuk lodhet, zgjuarësia e tij është e panjohshme.”
Po kështu, sepse Ai është Perëndia i Perjetësisë, edhe jeta që Ai na jep përmes Birit të Tij është e përjetëshme. “Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme…Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të” (Gjoni 3:16, 36).
I Pandryshueshëm
Sepse Ai është Jehovah – Unë Jam Ai Që Jam, Perëndia është edhe i pandryshueshëm. Kjo është një nga atributet e Krijuesit që e dallon atë nga krijesat e tij. Perëndia është përjetësisht i njëjtë: nuk pëson asnjë ndryshim në qenien, atributet, ose vendimet e tij. Prandaj Perëndia krahasohet me një shkëmb (Ligji i Përtërirë 32:4, etj), që nuk lëviz fare kur dallgët e detit janë në valëzim të vazhdueshëm. Megjithëse të gjitha krijesat i nënshtrohen ndryshimit, Perëndia është i pandryshueshëm. Meqenëse Perëndia nuk ka fillim dhe fund, ai nuk e njeh ndryshimin. Ai është përjetësisht “Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jakobi 1:17). Por si është Perëndia i pandryshueshëm? Pastori dhe teologu i njhour Baptist, Artur Pink veçon këto aspekte:
Së pari, Perëndia është i pandryshueshëm në esencën e tij. Nuk ka patur asnjë kohë kur ai nuk ka ekzistuar dhe as nuk do të ketë ndonjë kohë në të ardhmen kur ai nuk do të ekzistojë më. Perëndia as nuk ka evoluar, nuk është rritur e as nuk është përmirësuar. Ai është sot, ashtu si ka qenë gjithnjë dhe përjetësisht do të jetë. Pohimi i tij i qartë është: “Unë jam Zoti, nuk ndryshoj” (Malakia 3:6). Ai nuk mund të ndryshojë e të bëhet më i mirë, sepse është tashmë i përsosur dhe duke qenë i përsosur, nuk mund të bëhet më i keq. Ai është përjetësisht i njëjtë. Vetëm Ai mund të thotë “UNЁ JAM AI QЁ JAM” (Eksodi 3:14). Ai nuk ndikohet aspak nga kalimi i kohës. Nuk ka asnjë rrudhë në ballin e përjetësisë. Prandaj fuqia e tij nuk mund të pakësohet e as lavdia e tij nuk mund të zbehet kurrë.
Së dyti, Perëndia është i pandryshueshëm në atributet e tij. Cilado të kenë qenë atributet e Perëndisë para se të krijohej universi, ato janë pikërisht ashtu si janë tani dhe ashtu do të mbeten përjetë. Kështu duhet të jetë sepse Perëndia është vetë atributet e Tij. Fuqia e Tij është e pacënueshme, urtësia e tij e papakësueshme dhe shenjtëria e tij e panjollë. Atributet e Perëndisë nuk mund të ndryshojnë më, ashtu si Hyjnia e tij mund të mos vazhdojë të ekzistojë. Vërtetësia e tij është e pandryshueshme, sepse Fjala e tij është e përjetshme: “Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë” (Ps. 119:89). Dashuria e Tij është e përjetshme: “të kam dashur me një dashuri të përjetshme” (Jeremia 31:3), dhe “duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund” (Gjoni 13:1). Mëshira e tij nuk mbaron, sepse është e “përjetshme” (Ps. 100:5).
Së treti, Perëndia është i pandryshueshëm në vullnetin e tij. Por si shpjegohen vargje si “Dhe Zoti u pendua që kishte krijuar njeriun mbi tokë dhe u brengos për këtë në zemër të vet” (Zan. 6:6). Së pari Bibla nuk ka kontradikta. “Perëndia nuk është një njeri, që mund të gënjejë, as edhe bir njeriu që mund të pendohet” (Num. 23:19). Tek 1 Samuel 15: 29 lexojmë se “…lavdia e Izraelit nuk do të gënjejë, dhe nuk do të pendohet, sepse ai nuk është njeri që pendohet”. Kur flet për veten, Perëndia e përshtat gjuhën e tij ndaj aftësive tona të kufizuara, Ai përdor antropomorfizma. Ai e përshkruan veten të veshur me gjymtyrë truporë, me sy, veshë, duar, etj. Kështu, kur ai vendos për një ndryshim në marrëdhëniet e tij me njërëzit, ai përshkruan sjelljen e tij si “pendim”.
Po, Perëndia është i pandryshueshëm në këshillën e tij. “sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme” (Rom. 11:29). Dy gjëra bëjnë që një njeri të ndërrojë mendje dhe të ndryshojë planet, mungesa e njohurisë për t’i parashikuar gjërat, ose mungesa e pushtetit për t’i zbatuar ato. Por Perëndia është si i gjithdijshëm, ashtu edhe i plotfuqishëm, ai nuk ka pse t’i rishikojë dekretet e tij dhe as të pendohet apo ndryshjë planin e Tij. “Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez” (Ps. 33:11). Prandaj lexojmë për “palëkundshmërinë e vendimit të tij” (Heb. 6:17).
Tre aplikime apo inkurajime mund të veçojmë nga pandryshueshmëria e Perëndisë. Së pari, pandryshueshmëria e Perëndisë është një e vërtetë mjaft ngushëlluese. Sado i paqëndrueshëm mund të jem unë e sado të ndryshueshëm të rezultojnë njerëzit që na rrethojnë, Perëndia nuk ndryshon. Ndryshe si mund ti besohej Atij. Por, lavdi i qoftë emrit të tij të lavdishëm,Jehovah-Ai është gjithnjë i njëjtë. Qëllimi i tij është i fiksuar, vullneti i tij i qëndrueshëm dhe fjala e tij është e sigurtë. Ne kemi një shkëmb ku mund të vendosim këmbët, ndërsa rrëketë e vrullshme marrin me vete gjithçka që na rrethon. “Edhe sikur malet të zhvendoseshin dhe kodrat të luanin nga vendi, dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti, që ka dhëmbshuri për ty” (Isa. 54:10).
Së dyti, në këtë atribut gjejmë inkurajim për lutje. Çfarë sigurie do të kishim po t’i luteshim një perëndie tekanjoz? Kush do t’i paraqiste peticionin e tij një princi tokësor që do të ishte aq i ndryshueshëm, sa një ditë do ta plotësonte peticionin, kurse një ditë tjetër do ta refuzonte? Po ç’dobi ka lutja drejtuar dikujt që e ka tashmë vullnetin e tij të fiksuar? Kjo është çfarë Perëndia kërkon, kjo është çfarë ne bëjmë. Perëndia na i ka premtuar bekimet e Tij, por me kusht që ne ti kërkojmë ato në lutje. “Nëse kërkojmë diçka sipas vullnetit të tij, ai na e plotëson” (1 Gjoni 5:14) dhe ai ka dëshiruar gjithçka të mirë për fëmijët e tij.
Së treti, në këtë atribut dhejmë edhe paralajmërimë për ata që i rebelohen Perëndisë. Ata që e sfidojnë Atë, që shkelin ligjet e tij, që nuk u interesohen lavdia e Tij, e që jetojnë sikur të mos ekzistonte Perëndia, nuk duhet të shpresojnë se kur t’i thërrasin atij për mëshirë, ditën e fundit, se ai do të ndryshojë vullnetin e tij, do të tërheqë fjalën e vet dhe do të anullojë kërcënimet e tij të tmerrshme. Ai ka shpallur: “Prandaj edhe unë do të veproj me tërbim; syri im nuk do të ketë asnjë dhembshuri dhe nuk do të kem mëshirë fare. Edhe sikur të çojnë britma të larta veshëve të mi, unë nuk do t’i dëgjoj” (Ezekiel 8:18). Perëndia nuk mund ta mohojë veten, duke kënaqur lakmitë e tyre. Perëndia është i shenjtë, e nuk mund të ndryshojë kurrë në shenjtërinë e tij. Prandaj, Perëndia e urren përjetësisht mëkatin. Kjo tregon qartë përjetësinë e ndëshkimit për të gjithë ata që vdesin në mëkatet e tyre.
Atributet dhe Ungjilli
E gjitha kjo na sjell tek Ungjilli dhe ftesa që Perëndia bën përmes saj. Sepse Perëndia është i pandryshueshëm në shenjtërinë e Tij, ai nuk mund ta kthejë kokën nga ana tjetër ndaj mëkatit tonë. Kur Jehova kaloi para Moisiut në malin Sinai, thirri “Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri, që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin,” (Eks. 34:6-7). Si është e mundur që nga njëra anë ai është i shjenjtë dhe nga ana tjetër Ai është Shpëtimtari? “Jehovah është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun” (Nahum 1:3). Si është e mundur që tek Jehovah “…mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën” (Psa. 85:10)? Drejtësi dhe paqja?
Jehovah mori mbi veten e tij natyrën tonë, u bë njeri. Si i tillë, Krishti jetoi përmes besimit dhe fuqisë së Frymës, dhe vdiq në Kryq në vëndin tonë. Ndërsa nga njëra anë, Ati na dënonte në Birin ne dhe mëkatin tonë, duke përmbushur kështu kërkesën e shenjtërisë së Tij, drejtësinë dhe dënimin e mëkatarit, po më kryq Perëndia absorvoi mbi veten e Tij dënimin që na takonte ne. Dhe kështu, “tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu” (Rom. 8:1). “Sepse ai bëri të jetë mëkat për ne ai që nuk njihte mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në të,” (2 Kor. 5:21). Drejtësia e Shenjtërisë së Perëndisë u përmbush mbi trupin e Krishtit, dhe kështu ne mund të kemi paqe me Perëndinë përmes Tij. “drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën” në trupin e Krishtit, Perëndisë-Njeri. Prandaj dhe ftesa e Ungjillit për ne është kjo: “Kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet” (Vep. 2:21). “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni, ju mbarë skaje të tokës. Sepse unë jam Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër. Jam betuar në veten time, nga goja ime ka dalë një fjalë drejtësie dhe nuk do ta tërheq; çdo gju do të përkulet para meje dhe çdo gjuhë do të betohet për mua.” (Isa. 45:22-23). Krishti premtoi “ai që beson dhe është pagëzuar, do të jetë i shpëtuar; por ai që nuk ka besuar, do të jetë i dënuar” (Marku 16:16). “Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij” (Gjo. 3:17). “Beso në Zotin Jezu Krisht dhe do të shpëtohesh ti dhe shtëpia jote” (Vep. 16:31). “Po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh. Sepse me zemër, njeriu beson në drejtësi dhe me gojë bëhet rrëfim për shpëtim,” sepse Shkrimi thotë “Kushdo që beson në të, nuk do të turpërohet…kushdo që do ta thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet” (Rom. 10:9-13).