Besimi i Krishterë mbi Perëndinë mund të përmblidhet vërtetësish në këtë frazë të Kredos: ‘Unë besoj në Perëndinë, Atin!’ Kjo frazë shpreh marrëdhënien që ka Perëndia At me gjithçka që e rrethon atë. Në këtë kapitull do të shikojmë vetëm disa prej tyre, edhe pse duhet thënë që në fillim, se titulli At, ka të bëjë në radhë të parë me marrëdhënien që Personi i Parë i Trinisë ka me Personin e Dytë, Birin.
Ati i Botës
Jezusi nuk ishte i pari ai që e quajti Perëndinë, At, edhe pse kuptimi e përmbajtja që ai i dha këtij termi është krejt tjetër nga sa do të përshkruajmë në këtë pikë të parë të kapitullit. Perëndia është ati i tërë botës dhe i çdo krijese sepse Ai është Krijuesi i gjithësisë. Pali shkroi “për ne s’ka veçse një Perëndi, Ati nga i cili janë të gjitha gjërat dhe ne në të” (1 Kor. 8:6), dhe “nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë” (Efe. 3:14-15). Kjo ishte një njohje instiktive në ndërgjegjen e çdo njeriu, e mbjellë atje nga vetë Perëndia. Autori i Hebrenjve e quan atë me të drejtë “Ati i shpirtrave’ (Heb. 12:9). Teologu e Reformatori Xhon Kalvin e quajti këtë informacion “fara hyjnore e besimit (në ekzistencën e Hyjit) e mbjellur në shpirtin e njeriut.” Kjo shpjegon se përse çdo komb, tribu a civilizim reflekton në një mënyrë apo në një tjetër, madje edhe kundra dëshirës së njerëzimit, ekzistencën e Perëndisë si Ati Krijues i gjithë botës. “Çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi” (Jak. 1:17). Sigurisht që për ata që nuk e kanë apo nuk e pranojnë zbulesën e veçantë të Perëndisë në Personin e Krishtit dhe Biblën, ky informacion mbetet jo vetëm i pamjaftueshëm për një njohje shpëtuese të por edhe i shtrembëruar. Për këtë arsye Grekët e lashtë e quanin Zeusin si Atin e perëndive të tjera të panteonit Greko-Romak.
Ky kuptim i Atësisë së Perëndisë u kthye në pikë debati nga shumë teologë e antropologë në shekullin e tetëmbëdhjetë dhe përsëri në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Unitarianizmi ishte një rrymë ne shekullin e tetëmbëdhjetë që pati si qëllim që ta poziciononte veten si një alternativë e Krishterimit Biblik. Kredoja e kësaj lëvizjeje ishte: Atësia universale e Perëndisë dhe vëllazëria universale e njeriut. Kjo kredo prej dy pikash ishte edhe fokusi i studimeve antropologjike të fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë përgjatë zhvillimit të “shkencës së religjioneve të krahasuara.” Qëllimi i kësaj lëvizjeje ishte distilimi i një besimi universal nga të gjitha religjionet e botës dhe gjetja e një doktrine të përbashkët që do të ishte në gjendje që të unifikonte tërë religjionet e botës, të paktën në mënyrë konceptuale. Nëse do të tregohej se Perëndia ishte ati i tërë njerëzimit, atëherë tërë njerëzit ishin në një lidhje vëllazërimi universal dhe kështu askush nuk mund të deklarone njohjen ekskluzive të Perëndisë apo të së vërtetës.
Atësia universale e Perëndisë dhe vëllazëria universale e njeriut ishte edhe një prej komponentëve kryesorë të lëvizjeve kulturore në Botën Perëndimorë të viteve 60-70 siç edhe u artikulua në tekstin e këngës së John Lennon- Imagine (1971). Problemi me këtë lloj uniteti dhe universalizmi është se nuk i korrespondon realitetit të shenjtërisë së Perëndisë dhe është plotësisht e shkëputur nga realiteti njerëzor.
Është e vërtetë që Perëndia është Ati i tërë botës si krijuesi i saj. Pali deklaroi tek predikimi në Areopag: “Ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre, që të kërkojnë Zotin, mbase mund ta gjejnë duke prekur, ndonëse ai nuk është larg nga secili prej nesh. Sepse në të ne jetojmë, lëvizim dhe jemi, sikurse kanë thënë edhe disa nga poetët tuaj: ‘Sepse jemi edhe ne pasardhës të tij’,” (Vep. 17:26-28). Për këtë arsye, Perëndia është i mirë dhe atëror ndaj të gjithëve. “Ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët” (Mateu 5:45).
Por Bibla gjithashtu na deklaron se diçka më shumë i duhet njeriut për të pasur një marrëdhënie të vërtetë At e bir me Perëndinë. Ajo çfarë i mungon njerëzimit është një marrëdhënie personalë që nuk mund të pretendohet jashtë një marrëdhënie personale me birin e vërtetë të Atit, Krishtin.
Ky ishte në thelb gabimi i Judenjve dhe vazhdon të jetë. Në Dhiatën e Vjetër termi At u përdor edhe në marrëdhënien që Perëndia vendosi me popullin e zgjedhur të Izraelit. Unë “jam një Atë për Izraelin, dhe Efraimi është i parëlinduri im,” (Jer. 31:9) pat deklaruar Perëndia. “Sepse ti je ati ynë, megjithëse Abrahami nuk na njihte dhe Izraeli nuk e di se ekzistojmë. Ti, o Zot, je ati ynë, Çliruesi ynë, emri yt vazhdon ngaherë” (Isa. 62:16). Perëndia ishte Ati i Izraelit, por edhe i mbretërve të tij. Perëndia i tha Davidit për Solomonin, “Unë do të jem për të një baba dhe ai një djalë për mua” (2 Sam. 7:14). Por në Dhiatën e Vjetër atësia e Perëndisë nuk ishte asnjë herë e individualizuar. Kjo marrëdhënie i përkiste një individi për aq kohë sa individi i përkiste kombit të Izraelit. Njeriu mund të ketë një marrëdhënie personale At-bir me Perëndinë vetëm në Krisht.
Kjo ishte thelbi i përplasjes ndërmjet Krishtit dhe Judenjve të kohës së tij siç lexojmë edhe tek Gjoni 8:39-44. Për ti shpëtuar padisë që Jezusi i bëri skllavërisë së tyre ndaj mëkatit, Judenjtë iu apeluan marrëdhënies që ata kishin me patriarkët. Perëndia i pat dhënë Abrahamit premtimet e besëlidhjes, dhe kështu ata thirrën “Abrahami është ati ynë.” Por Jezusi iu përgjigj:
“Po të ishit bij të Abrahamit, do të bënit veprat e Abrahamit, por ju tani kërkoni të më vrisni mua, që ju kam folur të vërtetën që kam dëgjuar nga Perëndia; Abrahami këtë nuk e bëri. Ju bëni veprat e atit tuaj’’.
Prandaj ata i thanë: “Ne nuk lindëm nga kurvërimi; ne kemi një Atë të vetëm: Perëndinë’’.
Atëherë Jezusi u tha atyre: “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit, sepse kam dalë dhe kam ardhur nga Perëndia; nuk kam ardhur, pra, nga vetja ime, por ai më ka dërguar. Përse nuk e kuptoni thënien time? Sepse nuk mund të dëgjoni fjalën time.”
Jezusi, së pari, mohon atësinë universale të Perëndisë. Të qenit një bir apo bijë e Perëndisë është e lidhur me bindjen ndaj Tij. Ne në fakt, jemi bij të asaj që duam dhe i shërbejmë më shumë. Të nderosh Atin do të thotë të nderosh Birin. Të deklarosh se ke Perëndinë për At dhe të mos i besosh Birit është të mos kuptosh thelbin e atësisë së vërtetë të Perëndisë. Jezusi tha “kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar” (Gjo. 5:23). Kjo doktrinë ekskluzive e atësisë së Perëndisë ishte gur pengese për Judenjtë e asaj kohe, si dhe e Judenjve, Myslimanëve dhe këdo tjetër edhe sot. Bibla bën dallimin ndërmjet “bijve të dritës” dhe “bijve të errësirës.” Ne nuk lindemi bij të Perëndisë. Gabini i Judenjve ishte se supozonin gabim një marrëdhënie automatike familjare me Atin mbi bazën e gjenealogjisë. “Ne ishim,” tha Pali, “nga natyra fëmijë të zemërimit” (Efe. 2:3). Birësimi i vërtetë vjen vetëm përmes besimit në Birin e vërtetë të Perëndisë. Por për këtë duhet kuptuar më parë kjo marrëdhënie ndërmjet Atit dhe Birit.
Ati i Birit
Kur Kredoja flet për Perëndinë si At, në radhë të parë dhe mbi të gjitha kupton “Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Pje. 1:3). Shkrimi insiston qartë se emri “Ati” përshkruan marrëdhënien që Personi i Parë i Trinisë ka me Personin e Dytë të Trinisë. Kjo është në thelb atësia e Perëndisë. Ati është për dhe do së pari dhe mbi të gjitha Birin e tij. (Gjo. 5:19; 10:17). “Sepse ti më ke dashur para themelimit të botës” tha Jezusi kur u lut për Kishën e Tij (Gjo. 17:24). Ky fakt është i rëndësishëm. Perëndia nuk u bë At pasi krijoi botën. Ai nuk u bë Ati i Birit pasi u mishërua e u lind Krishti. Dhe aq më pak nuk u bë Ati i Birit pasi pa bindjen e tij deri në Kryq.
Personi i Parë i Trinisë ishte Ati, përpara se sa të krijohej koha e hapësira. Ai ishte At që prej përjetësisë. Ai ishte At ndaj Birit që nga përjetësia. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë…Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë,” (Gjo. 1:1,2,14). Ati i kishte këtë marrëdhënie me Birin që nga Përjetësia. Ai ka qenë Ati i Birit gjithnjë dhe do të jetë.
Kur vargu 14 përdor termin “i vetëlinduri,” nuk i referohet mishërimit të Personit të Dytë të Trinisë përmes lindjes nga Maria, por faktit se qenia e Birit buron përjetësisht prej qenies së Atit. Kjo është një doktrinë e pakuptueshme e madje misterioze për për ne. Në doktrinën e Trinitetit njihen dy terma. Triniteti ontologjik dhe Triniteti ekonomik. Triniteti ontologjik është se si është Perëndia në të vërtetë dhe që ne nuk mund ta dinë. Triniteti ekonomik si Perëndia na është zbuluar në Shkrimin e Shenjtë, dhe se si ne duhet ta kuptojmë e besojmë.
Kështu sipas Shkrimit, qenia e Birit buron nga qenia e Atit prej përjetësisë. Për të përshkruar këtë marrëdhënie, Perëndia përdor emrat At dhe Bir. Ata ndajnë të njëjtën esencë hyjnore, të njëjtën lavdi, të njëjtat atribute. Prandaj Krishti u lut “Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota,” (Gjo. 17:5). Ndërsa në marrëdhëniet njerëzore, etërit tokësorë ekzistojnë përpara bijve të tyre. Në marrëdhënien hyjnore Ati dhe Biri kanë bashkekzistuar në të njëjtën kohë dhe përjetësisht. Askush prej tyre nuk ka prioritet në kohë. Ndërsa në marrëdhëniet tokësore, etërit sjellin në jetë bijtë dhe vazhdojnë dy ekzistenca të ndryshme dhe janë dy njësi të ndryshme, në këtë marrëdhënie hyjnore dhe trinitariane, edhe pse ata janë dy persona të ndryshëm, ata kanë të njëjtin ekzistencë dhe përbëjnë të njëjtin Perëndi. Kështu mund të themi se ekzistenca e Birit e bën Personin e Parë të Trinisë At. “Unë dhe Ati im jemi një” dëshmoi Krishti. Ati, përjetësisht ‘vetëmlind” Birin, por jo duke e nxjerrë jashtë qenies së Perëndisë por në qenien e Perëndisë. Po kështu, Shkrimi insiston edhe që në këtë vetëmlindje të përjetshme dhe të vazhdueshme, Ati i komunikon tërë qenien apo esencën e Tij hyjnore Birit, dhe jo një pjesë të Tij siç bëjnë etërit tokësorë. Pali na instrukton se “Atit i pëlqeu që në të të banojë e gjithë plotësia” (Kol. 1:19), dhe se tek Biri “banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë” (Kol. 2:9). Ati përjetësisht dhe pafundësisht i komunikon Birit tërë qenien e Tij. Kjo doktrinë është një prej mistereve të besimit se si e tillë mbetet përtej kuptimit tonë të plotë njerëzor. Pranimi i kësaj doktrinë është çelësi i kuptimit të shumë pasazheve Biblike të keqkuptuara dhe të keqinterpretuara nga shumë. Por çfarë ka shumë rëndësi për njeriun është marrëdhënia që ne mund të përfitojmë me Perëndinë për shkak të marrëdhënies që Biri ka me Atin.
Ati i Besimtarëve
Sepse Perëndia është një At ndaj Birit, Ai mund të jetë At edhe ndaj nesh. Kjo është gjëra e tretë që deklarojmë kur themi “Unë Besoj në Perëndinë, Atin.” Ne besojmë në zemrën atërore shpëtuese të Perëndisë. Ne besojmë se Perëndia është Ati ynë personal, dhe se të birësuar prej tij, prej hirit, ne jemi në një marrëdhënie të re me të.
Por çfarë e bën Perëndinë atin tonë? Përgjigja e shkurtër është:-Besimi! Ateistët e besimtarët e feve të tjera e shikojnë Perëndinë si Krijues dhe si rrjedhim edhe si Gjykatës, por jo një Atë. Vëtëm i Krishteri e njeh atë si një At. Vetëm përmes besimit në Birin, ne mund të kemi union shpirtëror me Krishtin, Birin e Perëndisë, gjë që na bën ne bij dhe bija të Perëndisë Atit. Kjo është rruga biblike e shpëtimit, birësimit dhe bekimit. Kjo shpjegon trullosjen e Nikodemit.
Nikodemi ishte një drejtues shpirtëror i kombit të Judenjve. Nën mbulesën e errësirës ai shkoi tek Krishti për të kuptuar të veën e Krishtit dhe të mesazhit të Tij. Ai shikonte qarte te Krishti një dimension tjetër të njohjes së Perëndisë që ai dhe drejtuesit e tjerë nuk e kishin. Ai kuptonte se kishte një lidhje të veçantë ndërmjet Krishtit dhe Perëndisë At. Ai kuptonte se mesazhi i Krishtit ishte radikal dhe përfshinte edhe mënyrën e birësimit të njeriut me Atin. Por se si ndodhte kjo, dhe se përse Krishti ishte i tillë, ishte ende një mister për të. Kështu që Jezusi i tha:
“Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.”
“Po si mund të lindë njeriu kur është plak?-e pyeti Nikodemi-A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?”
Jezusi u përgjigj: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë.” (Gjo. 3:3-6)
Krishti e lidh birësimin e besimtarëve me një lindje radikale dhe po aq të mrekullueshme sa edhe të lindjes së një fëmije. Birësimi nuk është diçka automatike por është vepër e Frymës së Shenjtë. “Të gjithë atyre që e pranuan, Ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia” (Gjo. 1:12-13). Kjo rilindje shpirtërore nuk mund të realizohet nga përpjekja njerëzore, as trashëgimore dhe as e merituar. Është përmes fuqisë së Frymës së Shenjtë që ne bëhemi fëmijë të Perëndisë. Pali na instrukton më tej tek Romakëve 8:14-17:
Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë janë bij të Perëndisë. Sepse ju nuk keni marrë një frymë robërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: “Aba, o Atë!”. Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë se ne jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë më të dhe lavdohemi me të.
Besimi tek Biri i Atit është instrumenti që na bën ne bij e bija të Atit. “Të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti” (Gal. 3:26). Dhe kjo vjen me shume bekime e përfitime për fëmijët e Atit. Sepse Perëndia është Ati ynë, ai do të na instruktojë e nuk do të na lërë në errësirën dhe injorancën e mendjeve dhe zemrave tona (LRip. 4:10; Isa. 48:17). Sepse Perëndia është Ati ynë, ai do të jetë gjithnjë dhe vetëm dashuri ndaj nesh. Prandaj Pali e quan “Ati i të mëshirave dhe Perëndia e çdo ngushëllimi” (2Kor. 1:3), dhe lutet që Kishat dhe të Krishterët të njohin “dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë” (Efe. 3:19). Sepse Perëndia është Ati ynë, të gjitha premtimet e Biblës na përkasin ne. “Do t’i pastroj nga çdo paudhësi e tyre me të cilën kanë mëkatuar kundër meje dhe do t’ua fal të gjitha paudhësitë e tyre me të cilat kanë mëkatuar dhe me të cilat kanë ngritur krye kundër meje,” (Jer. 33:8). Sepse Perëndia është ati ynë, ai edhe do të na korrigjojë e qortojë e disiplinojë për të mirën tonë, (Heb. 12:7-11). Sepse Perëndia është Ati ynë, Ai edhe na jep privilegjin e lutjes. Ne mund dhe duhet të shkojmë plot siguri e gëzim tek Ai me të gjitha peticionet, kërkesat e nevojat tona. Kur Krishti na urdhëroi “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mat. 7:7), ai e bëri këtë të shoqëruar me sigurinë se “në qoftë se ju, që jeni të këqij, dini t’u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t’u japë gjëra të mira atyre që ia kërkojnë,” (Mat. 7:11). Prandaj dhe na instruktoi që të lutemi duke thënë “Ati ynë që je në qiell.” Autori i Hebrenjve na shpjegon se “duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit, me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij, edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë, le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar,” Heb. 10:19-22).
I dashur lexues, ky është lajmi më i mirë që mund ti vijë njerëzimit nga Perëndia. Ai që na krijoi dhe na gjykon, edhe na shpëton. Ai i cili më shumë të drejtë duhet të na kërkojë llogari dhe dërgojë në dënimin e përjetshëm për shkak të mëkateve tona të shumta si të qëllimshme ashtu edhe të paqëllimshme, si të mendjes, ashtu edhe të gojës dhe të veprave, për shkak se është i hirshëm, na ka birësuar në familjen e tij, përmes Jezus Krishtit, përmes besimit në të. Përmes Krishtit, Ati, Krijuesi dhe Gjyqtari është bërë Ati ynë, Shpenguesi, Adoptuesi, dhe ky është lajmi më i mirë që mund të ekzistojë për njerëzimin.
Kuptohet që kushti është besimi në Birin e Perëndisë. Vetëm “të gjithë atyre që e pranuan, ai u dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij,” (Gjo. 1:12). o ë gjithë janë automatikisht të shpëtuar. Vetëm ata që pranojnë Krishtin e që e hedhin veten e tyre trup dhe shpirt në krahët e Krishtit. Nëse ia ke besuar vetën në këtë mënyrë Krishtit, dashuria që Ati ka për Birin do të jetë e njëjtë edhe për ty. Ati do të të dojë po aq sa do edhe Birin, me to të njëjtën forcë e dashuri që e deshi Atë që nga Përjetësia.