Letra drejtuar Hebrenjve konsiderohet nga shumë studiues, teologë e pastorë si një nga dy librat më të rëndësishëm të Dhiatës së Re (libri tjetër është Letra e Palit drejtuar Romakëve). E megjithatë, kjo është letra më e neglizhuar e Dhiatës së Re. Arsyet mund të jenë të shumta. Përmes kësaj letre ne futemi në botën e çuditshme dhe të pastudiuar nga shumë prej nesh të Melkizedekut, të Aronit, Moisiut, engjëjve, sakrificave të Dhiatës së Vjetër dhe sistemit priftëror të saj. Tingëllon kaq Dhiatë e Vjetër, kaq e ndërlikuar dhe hutese, madje një labirint në të cilin kemi frikë të futemi. Ajo në fakt mbështetet dhe citon shumë nga Dhiata e Vjetër, dhe këtë e bën me intensitet që në kapitullin e parë të saj. Kjo mund të stepë atë që nuk e njeh Dhiatën e Vjetër, dhe veçanërisht Librin e Levetikut, një tjetër libër që të Krishterët kanë frikë ti afrohen e studiojnë. Për disa të tjerë, gjatësia e kësaj letre është faktori stepës. Për disa të tjerë është fakti që nuk dihet me siguri se kush është në të vërtetë autori i kësaj letre, kujt ia drejtoi dhe se cila ishte situata e letër-marrësve. Me pak fjalë, ne mund të mos e shikojmë menjëherë aplikueshmërinë dhe vlerën e këtij libri për kontekstin tonë modern Shqiptar.
Pse Duhet Studiuar Kjo Letër
Por përse duhet studiuar kjo letër? Faktit që na është dhënë nga Perëndia, dhe që është një argument i mjaftueshëm në vetvete, duhet të na kujtojë se është dhënë për bekimin dhe inkurajimin tonë. Perëndia na e dha këtë letër që të jetë “i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Tim. 3:16-17). Në fakt arsyen e shkrimit dhe rrjedhimisht edhe të studimit të Hebrenjve e gjejmë të thënë qartë: Me qëllim që ne “…të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi. Dhe…[që] të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira,” (Heb. 10:23-24).
Por le të vëmë re edhe disa arsye të letrës që duhet ta bëjnë atë të mrekullueshme në sytë tanë. Në fakt Hebrenjve është një thesar i vërtetë nga i cili do të veçoj këto pesë diamante kryesore:
Së pari, ky libër është plot me Krishtin dhe na shpalos në mënyrë të mrekullueshme bukurinë dhe madhështinë e Tij. Mesazhi i letrës është supremacia e personit të Krishtit, dhe mjaftueshmëria e plotë dhe përfundimtare e veprës së Tij, si dhe domosdoshmëria e të besuarit në Krishtin për shpëtimin tonë. Ndërsa e studiojmë, zbulojmë se, si kjo letër ashtu edhe tërë Dhiata e Vjetër nuk ka në fokus të saj as Moisiun, as engjëjt, as Melkizedekun dhe as sistemin priftëror të Dhiatës së Vjetër, por vetë Krishtin. Krishti është mesazhi i Dhiatës së Vjetër, çelësi i kuptimit dhe i interpretimit, si dhe përmbushja e plotë e saj. Ditën e Ngjalljes nga të vdekurit, Krishti ua zbërtheu po në të njëjtën mënyrë, atyre dy dishepujve që iu shfaq rrugës për në Emaus, se e gjithë Bibla flet për Krishtin. “Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij” (Luka 24:27). Disa ditë më vonë u tha përsëri atyre “‘Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet.’ Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet,” (Luka 24:44-45). E vërteta është se Ati e planifikoi kursin e historisë së shpengimit në një mënyrë të tillë që mesazhi, fokusi, thelbi dhe përmbushja e gjithçkaje të ishte Krishti. Kështu, çdo kapitull na shpalos lavdinë e Krishtit (1:3; 2:9; 3:3; 4:14; 5:9; 6:20; 7:22; 8:1; 9:15; 10:12; 11:40-12-2; 13:8). “Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.” Ai na u zbulua në mënyrë të koduar e fragmentarizuar paraprakisht në besëlidhjen e vjetër, por na është zbuluar plotësisht në besëlidhjen e re. Veçanërisht në përshkrimin e detajuar të Tij si kryeprifti ynë i përsosur-prezantimi më i spikatur i këtij ofiqi në tërë biblën-ne mësojmë se përse “mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë” (Heb. 7:25).
Së dyti, dhe e lidhur ngushtë me pikën e parë, Letra drejtuar Hebrenjve na zbulon lidhjen ndërmjet besëlidhjes së vjetër dhe asaj të re, nga njëra anë unitetin dhe vijueshmërinë me njëra-tjetrën, dhe nga ana tjetër, pikat e ndryshimit dhe të pavazhdimësisë.
Krishti është çelësi i interpretimit të Dhiatës së Vjetër (Luka 24:27, 44-45). Si rrjedhim, studenti i Letrës drejtuar Hebrenjve, do të fitojë një njohje të detajuar të Izraelit të Dhiatës së Vjetër, dhe një depërtim të ri biblik në qëllimet e Perëndisë në besëlidhjen e vjetër. Në këtë libër do të gjejmë të na shpaloset teologjia e besëlidhjes siç është në të vërtetë, e fokusuar në Krishtin dhe veprën e Tij. Hebrenjve luan rolin e një ciceroni, që duke na shëtitur përmes korridoreve të historisë antike të popullit të Perëndisë, na shpjegon se si elementet e ndryshme të saj, ndërthuren me njëra-tjetrën për të na sjellë tek Krishti-e tërë historia e saj, liturgjia e Tabernakullit dhe e Tempullit, tipologjia e profecia e saj, ndërthuren në një portretizim harmonik të kuptimit dhe rëndësisë së shërbesës së Krishti. Marrëdhënia e dy Dhiatave dhe e dy besëlidhjeve na shpaloset që në dy vargjet e para të saj. “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë” (Heb. 1:1-2). Me fjalë të tjera, zbulesa e Dhiatës së Vjetër është e pjesshme dhe e shumëfishtë, por Jezusi është i plotë dhe përfundimtar. Ai na e zbulon Perëndinë përsosmërish sepse Ai është “shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij” (1:3). Ndërsa Dhiata e Vjetër është kopja dhe hija e gjërave që do të vinin, ndërsa vetë Krishti është realiteti dhe origjinali që këto shembuj parathanë (9:23; 10:1).
Së treti, Letra drejtuar Hebrenjve na përshkruan në mënyrë prekëse realitetin e natyrës njerëzore të Krishtit. Biri i Perëndisë bëhet si ne, tundohet, vuan, dhe madje edhe vdes si tërë njerëzimi (2:10, 11, 14, 18). Ai u bë vëllai ynë (2:17), dhe për këtë arsye ai është në gjendje që ti ndihmojë të tunduarit (18).
Biri i Perëndisë gjithashtu ndau me ne edhe dobësitë tona, dhe madje ka marrë me vete në qiell natyrën tonë njerëzore në të cilën ai përjetoi ato. Përmes Tij ne mund të vijmë plot siguri tek froni i Perëndisë, duke e ditur se atje mund do të gjejmë mëshirë për dobësinë tonë, dhe hir për mëkatin tonë (4:14-15).
Biri i Perëndisë u bë gjithashtu edhe njeri i lutjeve dhe i lotëve. Ai qëndroi në bindje ndërsa vuante. Si rrjedhim, ne mund ti besojmë Atij si burimi i shpëtimit tonë (5:7-9).
Kjo është rëndësia praktike e doktrinës së natyrës njerëzore të Krishtit. Siguria e shpëtimit, paqja me Perëndinë, futja në fronin e Perëndisë, njohja që Ai është Ati ynë, forca për të fituar mbi tundimin, të gjitha këto bazohen në këtë: Biri i Perëndisë u bë njeri si ne, mbajti mëkatet tona në një mënyrë të tillë që çdo sakrificë e mëtejshme është jo vetëm e panevojshme, por edhe paimagjinueshme. Ai vdiq vdekjen tonë, vazhdon të veshë natyrën tonë përgjithmonë, dhe në të jeton për ne në prezencën e Perëndisë At.
Së katërti, Letra drejtuar Hebrenjve, nuk na shpalos vetëm se përse duhet të qëndrojmë në Krisht, por edhe se në se si duhet bëhet kjo, përmes besimit në Krishti, siç bënë edhe pararendësit tanë. Letra na paralajmëron për grackat që na rrethojnë dhe që kanë për qëllim rrënimin e shpirtrave tona, por edhe na rendit burimet e pasuritë që kemi në Perëndinë në rrugëtimin tonë të besimit në këtë jetë. Në fakt kjo nuk është një letër si ato të Palit apo të Pjetrit, se sa është një predikim i shkruar nga një pastor apostolik, nën frymëzimin e Frymës për bekimin tonë. Autori ë cilëson atë të jetë “një fjalë këshillimi” (13:22) që ishte termi teknik i asaj kohe për aktin e predikimit. Por Hebrenjve është jo vetëm modeli apostolik i ndjeshmërisë, i inkurajimit dhe i këshillimit biblik për tërë drejtuesit e kishave lokale sot, por ajo është edhe shpjegimi i natyrës së besimit në Krishtin. Marrësit e këtij predikimi të shkruar ishin në një presion të madh për tu dorëzuar dhe për tu kthyer në format e mëparshme të religjionit të Dhiatës së Vjetër. Pastori apostolik nga ana tjetër u kujton se pavarësisht tundimeve dhe rënieve momentale, shpëtimi ishte i tyre sepse Perëndia u pat dhënë atyre atë lloj besimi që do ti çonte deri në fund (Heb. 6:11). Në këtë gjë, ata ishin të barabartë me heronjtë e tyre, nga Abeli e deri tek profetët e mëvonshëm, të cilët, në përputhje me masën e zbulesës që patën marrë nga Perëndia, shikonin përpara për plotësimin e premtimeve që patën marrë për Krishtin. Fiksoni vështrimin tuaj tek Krishti-na urdhëron pastori apostolik-tek Apostulli dhe Kryeprifti i rrëfimit tonë (3:1), Themeluesi dhe Plotësonjësi i besimit tonë (12;2). Shiko çdo gjë nën dritën e se kush Jezusi është, dhe se çfarë Ai ka bërë dhe vazhdon të bëjë për ne.
Cili Është Sfondi Historik i Letrës
Autorësia: Nuk dihet me siguri se cili është autori njerëzor i këtij libri. Vetë letra nuk na e thotë, dhe as nuk përmban ndonjë përshëndetje hapëse apo shënime mbyllëse që mund të na ndihmojnë në identifikimin e autorit, siç është rasti me të gjitha letrat e Palit apo me ato të Pjetrit. E megjithatë, kandidatët nuk kanë qenë të pakët.
Një nga kandidatët më të hershëm për autorësinë e kësaj letre, që Kisha ka nominuar që në fillimet e saj ka qenë vetë Apostulli Pal. Kjo sepse, së pari, një pjesë e përmbajtjes së letrës tingëllon Pauliniane. Heb 13:23 përmend Timoteun që dihet që ishte protozheu e Palit, dhe tema e gëzimit në mes të vështirësive, që gjendet në kapitullin 10, të kujton qëndrimin praktik dhe instruktimet e Palit. Arseja e dytë për një autorësi Pauliniane ka të bëjë me kanonicitetin e saj. Përfshirja e kësaj letre në Dhiatën e Re nuk u bë pa debate, dhe njësimi i saj me Palin ishte një arsye më tepër për kanonizimin e saj.
Por ka edhe shumë arsye që e bëjnë gati të sigurt që Pali nuk është autori i kësaj letre. Së pari, Pali gjithnjë e identifikon veten e tij si autori i shkrimeve të tij. Ai gjithnjë e në mënyrë gati të zhurmshme, mbron dhe shpall autoritetin e tij apostolik, me qëllim që më vonë, ti apelohet atij për të argumentuar apo insistuar në gjërat që do ai. Së dyti, stili letrar i greqishtes që përdoret në këtë letër nuk është ai i Palit. Në fakt është e një klasi tepër të lartë dhe jo e asaj greqishtes së përditshme për përdorte Pali në letrat e tij. Së treti, struktura letrare e letrës, me nxitjet dhe aplikimet e shpërndara e të ndërthurura përgjatë tërë letrës, është tepër e ndryshme nga stili i Palit i cili i ruante aplikimet e doktrinës që ai përçonte për në fund. Por mbi të gjitha, autori deklaron se ai nuk e pat dëgjuar ungjillin direkt nga Krishti, por i përkiste gjeneratës së dytë të besimtarëve dhe e pat marrë ungjillin nga ata që e patën dëgjuar nga vetë Krishti. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi jo vetëm që nuk përkon me historinë e Palit, por është edhe madje edhe pika e grindjes që Pali kishte me kundërshtarët e tij. Në mbrojtje të akuzave që i bëheshin, Pali insistoi tek Gal. 1:12, se ai e pat marrë zbulesën e tij direkt nga vetë Krishti dhe jo prej apostujve të tjerë.
Kandidatë të tjerë për autorësi janë Luka, Baraba dhe Apollo. Heb. 13:22 e përshkruan letrën si një fjalë inkurajimi, dhe Baraba njihej si “biri i inkurajimit.” Baraba ishte jo vetëm një bashkëpunëtor i ngushtë i Palit, por edhe si një Levit, ai duhet të kishte një njohje të mirë liturgjisë dhe sistemit priftëror të Dhiatës së Vjetër. Por sugjerimi më intrigues vjen nga Martin Luteri, në favor të Apollos i cili ishte gjithashtu një bashkëpunëtor i Palit. Vep. 18:24 e identifikon atë si një jude “i lindur në Aleksandri, njeri orator dhe njohës i Shkrimit.” Të trija këto cilësi e kualifikojnë atë që të jetë autori i këtij predikimi të jashtëzakonshëm. Apollo vinte nga Aleksandria. Hebrenjve tregon një interes për temat teologjike që debatoheshin me mjaft interes në Aleksandri. Citimet nga Dhiata e Vjetër autori i bën nga Septuiganishtja (LXX), që ishte përkthimi në greqisht i Dhiatës së Vjetar nga Hebraishtja dhe që u bë pikërisht në Aleksandri. Stili letrar është i oratorisë dhe letërshkrimit Aleksandrian. Apollo e mori mesazhin nga Akuila dhe Priskila (Vep. 18:26).
Kështu, kush e shkroi këtë vepër? Jemi të detyruar, që deri në ardhjen e dytë të Krishtit, të mjaftohemi me thënien e studiuesit antik dhe një prej etërve të Kishës së Hershme, Origenit (A.D. 182-254) se “Kush ishte personi që e shkroi këtë letër dihet vetëm nga Perëndia). Çfarë dimë me siguri është se vjen nga pena e një figure apostolike (me këtë kuptojmë jo vetëm apostujt, por edhe bashkëpunëtorët e tyre më të afërm që punuan e shkruan nën autoritetin dhe drejtimin e tyre, siç është rasti i Markut, që shkruan ungjillin që mban emrin e tij, por që e bën këtë nën hijen e Pjetrit, dhe në fakt duke na transmetuar rrëfimin e Pjetrit për Krishtin).
Marrësit: Titulli “drejtuar Hebrenjve” nuk gjendet në manuskriptet më të hershme të saj. Por përmbajtja e letrës na tregon me siguri se marrësit e saj të parë ishin të Krishterë me origjinë judaike, të cilët ishin në presionin për të braktisur besimin e tyre në Krisht dhe për tu kthyer në Judaizëm.
Sa për lokalitetin e tyre, opsioni më i mundshëm, sipas konsensusit të studiuesve, është bashkësia e të Krishterëve me origjinë judaike në Romë. Marrësit e kësaj letre e kanë dëgjuar mesazhin e ungjillit nga të tjerë (2:3). Persekutimi që ata patën përjetuar pak më parë nuk ishte i shoqëruar me gjakderdhje si në Jerusalem (12:4), por vetëm me konfiskime pronash, tallje publike dhe humbje të statuseve sociale. Klementi i Romës që shkroi rreth vitit A.D. 95, dhe që reflekton qartë në shkrimet e tij se ka në zotërim të tij një kopje të Letrës drejtuar Hebrenjve, tregon për një kishë të madhe të besimtarëve me origjinë judaike në qutetine Romës. Atje, ata u persekutuan në vitin A.D. 49 nga Perandori Klaudius, dhe përsëri në vitet A.D. 60 e prapa nga Neroni. Ajo që dihet për persekutimin e parë përkon shumë mirë me 10:32-34 dhe 12:4. Gjatë persekutimin nën Klaudius, të Krishterët në Romë humbën pronat, përfunduan në burg dhe humbën statuset social, por nuk pati gjakderdhje. Dhe pritshmëria se në një persekutim të dytë do të ketë edhe humbje jete nga ana e tyre përkon me persekutimin e mëvonshëm nën Neronin. Së fundi kemi edhe deklaratën tek 13:24, “Ju përshëndesin ata të Italisë.” Për shkak të persekutimit të parë, shumë prej besimtarë u larguan nga Roma dhe u vendosën në rajone të tjera në jug të Romës apo edhe në rajone të tjera në Mesdhe. Një lexim normal i letrës, të bën të mendosh se letra i drejtohej komuniteti të të Krishterëve me origjinë judaike në Romë, dhe ata që kishin emigruar prej këtij komuniteti i dërgonin gjithashtu përshëndetjet e tyre bashkë-besimtarëve të tyre që kishin ngelur në Romë.
Data. Si rrjedhim, kjo letër është shkruar përpara vitit 70, vit në të cilin Romakët shkatërruar Jeruzalemin dhe Tempullin. Jo vetëm që kjo letër e përshkruan liturgjinë e tempullit si një realitet që ndodh çdo ditë në Jeruzalem në kohën që shkruhej letra, por edhe nëse shkatërrimi do të kishte ndodhur tashmë, autori i letrës do ta kishte përdor shkatërrimin e Tempullit dhe ndalimin një herë e përgjithmonë të liturgjisë së besëlidhjes së vjetër, si një argument dhe provë të skadimit e të kalimit një herë dhe përgjithmonë të ceremonive dhe religjionit të besëlidhjes së vjetër. Dhe nëse Roma ishte adresa e kësaj letre, atëherë ajo është shkruar përpara vitit 64, vit në të cilin Neroni persekutoi Kishën e Krishtit në Romë.
Mesazhi Kryesor i Letrës
Thirrja që autori i bën lexuesve të tij është që të mos dorëzohen, të mos tërhiqen nga besimi në Krishtin për shkak të sprovave dhe vështirësive që vijnë për shkak të identifikimit tonë me të, por të vazhdojnë drejt pjekurisë Kristiane. Letra nuk është një traktat teologjik por një predikim praktik, një fjalë nxitjeje (13:22). Por ndryshe nga mendësia bashkëkohore se teologjia u bën keq besimtarëve dhe perëndishmërisë së kishës lokale, autori apostolik e ndërton nxitjen për qëndresë mbi doktrinën e personin dhe të veprës së Krishti. Ai e di se një besimtar i paushqyer me doktrinën e Krishtit është një kandidat i sigurt për apostazi dhe mëkat. Kështu, ai shpalos supremacinë e Krishtit mbi gjithçka. Jo, Krishti është më i mirë se sa format e vjetra të religjionit që ju latë pas. Në fakt, një prj termave që përsëritet është “më i mirë.” Personi dhe vepra e Krishtit janë jo vetëm superiore e finale, por edhe më të mira se gjithçka që kemi lënë pas.
Sot, një i Krishterë ka forma të ngjashme tundimesh. Ne e kemi të vështirë që të lemë pas mënyrat e vjetra të mendimit. Jemi të tundura nga mendësia dhe filozofia praktike e botës. Zemra jonë tërhiqet drejt dëshirave të kësaj botë. Tundimet dhe atraksionet e kësaj bote frenojnë rritjen tonë, na vjedhin gëzimin e shpëtimit dhe kënaqësinë e shenjtërisë dhe të sigurisë dhe të bekimit në Jetën Kristiane. Letra drejtuar Hebrenjve është e domosdoshme dhe e aplikueshme edhe për ne sot. Krishti është superior mbi të gjitha këto, dhe është më i mirë se të tëra ftesat, tundimet dhe atraksionet e kësaj bote.
Nëse ndjen se besimi yt është i dobët, se me vështirësi dhe pa gëzim ulesh (nëse arrin ta bësh këtë gjë) që të lexosh Biblën dhe të lutesh, nëse nuk ndjen kënaqësi në adhurimin privat, dhe se je i zhgënjyer me mënyrën se si e përjeton adhurimin publik të Perëndisë, nëse po e kërkon përgjigjen, sadisfaksionin dhe përmbushjen diku tjetër veç jo tek Krishti, nëse ecën pa shpresë në këtë botë, Letra drejtuar Hebrenjve është për ty. Mesazhi dhe ilaçi që ajo të ofron është së Krishti është më i mirë se gjithçka që kjo botë mund të të premtojë por nuk mund të ta sigurojë. Krishti është një Shpëtimtar më i mirë, një Kryeprift më i mirë, një sakrificë më i mirë, një besëlidhje më e mirë për një mënyrë jetë më të mirë. Nëse ke mangësi e boshllëk, nuk është se Krishti është i pamjaftueshëm apo i panevojshëm, por se ti nuk ke mjaftueshëm nga Krishti në jetën tënde.
Kjo është arsyeja që frazë “më i mirë” përsëritet me dhjetëra herë në këtë letër. Pastori apostolik e njeh mirë natyrën njerëzore. Ai e di se tundimi ynë është të mendojmë se kjo botë është dhe ofron gjëra më të mira se Krishti. Dhe kështu ai shkruan për një shpëtim më të mirë (6:9); një shpresë më të mirë (7:19); besëlidhje më të mirë (7:22); premtime më të mira (8:6); një sakrificë më të mirë (9:23); një trashëgimi më të mirë (10:34); një atdhe dhe qytet më të mirë (11:16); një jetë më të mirë (11:35); një fjalë apo zbulesë më të mirë (12:24). Perëndia ka planifikuar dhe dhënë në personin dhe veprën e Krishtit “diçka më të mirë për ne” (11:40).
Prandaj, “le të mbajmë të patundur rrëfimin e shpresës sonë, sepse besnik është ai që premtoi. Dhe le të kujdesemi për njeri tjetrin, për t’u nxitur për dashuri dhe vepra të mira, pa hequr dorë nga të mbledhurit bashkë tonin, sikurse kanë zakon disa, por të nxisim njeri tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet” (10:23-25).