Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë”. Mateu 16:16
Shumë njerëz, gabimisht, mendojnë se fjala Krisht është mbiemri i Jezusit të Nazaretit, a thua se ai të ishte djali i Jozef dhe Marie Krishtit. Në fakt, ky term është një titull, që i referohet një detyre e ofiqi. Më saktë, i referohet detyrës që mund ta mbante në mënyrë ekskluzive vetëm një person në tërë historinë e njerëzimit. Prandaj dhe nuk flasim për krishtëra, siç flasim për presidentë apo kryeministra, pasi edhe pse ata janë të rëndësishëm, ata janë të shumtë dhe vijnë e shkojnë, por themi Krishti. Po kështu, është më biblike (si edhe për të shmangur keqkuptimin e mësipërm) që të mos themi Jezus Krishti, por Krishti Jezus. Në fakt po kështu e përdorim në jetën e përditshme formulën “Ofiq + Emër,” si për shembull “Kryeministri X” apo “Doktor Y.” Shumë nga ata që dëgjojnë apo edhe përdorin fjalën Krisht në lidhje me Jezusin nuk e kanë të qartë rëndësinë, kuptimin dhe historikun e këtij titulli. Për Judenjtë e shekullit të parë, ky term ishte i ngjeshur me kuptim dhe tepër i rëndësishëm për jetën e kombit. “Krishti,” është përkthimi në Greqisht, nga Hebraishtja i termit “Mesiah,” që do të thotë “i Vajosuri.”
Krishti është Ungjilli
Kjo është arsyeja se përse diskutohet kaq shumë për Krishtin përgjithësisht në tërë Dhiatën e Re, por në mënyrë më të theksuar në Ungjijtë. Diskutimi ka të bëjë me identitetin dhe veprën e tij. Si do të ishte Krishti? Çfarë do të bënte ai? A përkonte personi dhe vepra e Jezusit me ato që ishin profetizuar mbi personin dhe veprën e Krishtit që pritej të vinte? Qëllimi i ungjijve dhe i tërë Dhiatës së Re është që të vërtetonte, se të tëra ato mbi 300 profeci të Dhiatës së Vjetër që kanë të bëjnë me Krishtin, u plotësuar në personin dhe veprën e Jezusit të Nazaretit. Marku e fillon librin e tij kështu: “Fillimi i Ungjillit të Jezu Krishtit, Birit të Perëndisë. Ashtu si është shkruar tek profetët…,” dhe vazhdon rrëfimi i jetës dhe veprës së Krishtit. Pra, Marku, që në fjalinë e parë të Ungjillit që shkroi ai, rrëfen qëllimin e këtij libri: Krishti erdhi në përputhje me të tëra profecitë e bëra për të! Ky është lajmi i mirë i Ungjijve. Momenti kulmor në Ungjillin sipas Mateut, moment që shërben edhe si qëllimi kryesor i strukturës së librit, është pikërisht deklarata se Jezusi është Krishti. Tek Mateu 16:16, Pjetri rrëfen në emër të të gjithë Kishës se Jezusi është me të vërtetë Krishti që duhej të vinte, dhe këtë ai e bëri mbi bazën e asaj që ai pa. Ky rrëfim, ndan Ungjillin sipas Mateut në dy pjesë. Menjëherë pas këtij rrëfimi, Krishti parathotë për ngjarjet që do ti ndodhnin Atij në Jerusalem, dhe fillon rrugëtimin e Tij për atje që të kryqëzohej. Kjo është për çfarë Jezusin e arrestuan dhe e pyetën me insistim në hetuesi. “Unë po të përbej për Perëndinë e gjallë-i tha kryeprifti-të na thuash në se ti je Krishti, Biri i Perëndisë” (Mateu 26:63). Për këtë madje edhe e tallën: “O Krisht, profetizo! Kush të ra?” (Mateu 26:68); apo “Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi që ta shohim dhe ta besojmë” (Marku 15:32). Pilati i pyeti Judenjtë se çfarë të bënte me Krishtin, dhe tërë populli votoi që të kryqëzohej. Gjoni, gjithashtu, jep qëllimin e tij për shkrimin e Ungjillit që mban emrin e tij: “Por këto gjëra janë shkruar që ju të besoni se Jezusi është Krishti, Biri i Perëndisë dhe që, duke besuar, ta keni jetën në emër të tij” (Gjoni 20:31). Ky ishte edhe qëllimi i predikimit apostolik. Pjetri tha “Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht” (Vep. 2:36).
Krishti është Ndërmjetësi Ynë
Por le të kthehemi tek rrëfimi i Pjetrit. Kjo deklaratë ishte kaq monumentale sepse Pjetri deklaroi atë që nuk as nuk e kishin kuptuar të tjerët, dhe që as nuk do ta besonin shumë; pra që ky mrekulli-bërës, ky bir marangozi nga Galilea, ky mësues që ulej të darkonte me mëkatarë, që predikonte si asnjë tjetër, dhe që deklaronte gjëra të çuditshme, ishte Mesia i shumë pritur, ai që sillte një mbretëri të re, dhe që do të çlironte popullin e Perëndisë, ai ishte Shpëtimtari i botës dhe Mediatori ndërmjet njeriut dhe Perëndisë. Jezusi ishte Krishti, profeti, prifti, dhe mbreti që duhej të vinte.
Bibla flet gjatë tërë kohës për profetë, priftërinj e mbretër, të dhënë nga Perëndia mbi popullin e Tij. Por përse e bën Perëndia këtë gjë? Që Perëndia të na zbulonte qëllimin për të cilin ne u krijuam. Ne u krijuam në imazhin e Perëndisë, dhe si të tillë të mendonim mendimet e Perëndisë në mënyrë analoge. Por njeriu u krijua edhe që të sundonte, drejtonte e kujdesej për këtë botë si shërbëtor i Perëndisë, dhe në këtë mënyrë, t’ia dedikonte gjithçka lavdisë së Perëndisë.
Por të mendosh mendimet e Perëndisë është të funksionosh si profet, i cili flet fjalët që Perëndia i ka dhënë atij për ti shpallur. Të administrosh si shërbëtor i Perëndisë është të funksionosh si një mbret. T’ia dedikosh gjithçka Perëndisë është të funksionosh si një prift. Njeriu në gjendjen e fillesës, u krijua që të funksiononte si një profet, prift dhe mbret. Ndoshta, nëse njerëzimi nuk do të kishte rënë në Adamin, nuk do të kishte qenë nevoja për ti klasifikuar ato, apo ndoshta nuk do të ishin emëruar si tre ofiqe të dallueshme nga njëra-tjetra. Por njeriu ra në mëkat, dhe Perëndia i institucionalizoi këto tre ofiqe për të na mësuar dy gjëra: Së pari, mëkatshmërinë dhe rënien e plotë të njerëzimit dhe pamundësinë e natyrës së rënë njerëzore; dhe së dyti, se për çfarë lloj Shpëtimtari kemi nevojë. Kurdoherë që Perëndia ngrinte profetë, priftërinj dhe mbretë në Dhiatën e Vjetër, ai po theksonte se një ditë, që Ai do të jepte një ndërmjetës që do ti përfshinte të tëra këto ofiqe në veten e tij në mënyrë të përsosur. Kurdoherë që dilte në skenë një profet, prift apo mbret i pabese apo i pandershëm, Perëndia po theksonte se asnjë njeri mëkatar nuk mund të përmbushte kërkesat e Tij për një shenjtëri të përsosur. Çdo rënie në Dhiatën e Vjetër, ishte në një farë mënyre një thirrje për të dërguar Mesinë.
Nuk është e çuditshme pra, që kur Krishti më së fundi erdhi, ai e pa veten e tij si personi që do të përmbushte standardin e përsosur të Perëndisë për profetët, priftërinjtë dhe mbretërit. Si rrjedhim, Krishti si Ndërmjetësuesi i përsosur Perëndi-Njeri, është Profeti final, Prifti final, dhe Mbreti i përjetshëm. Kur ne themi se Zoti Jezus është Krishti, ne rrëfejmë se ai u shugurua nga Ati dhe u vajos nga Fryma e Shenjtë për të përmbushur një detyrë apo thirrje të veçantë. Kjo ndodhi në pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Tel Marku 1:9-11 për shembull, lexojmë: “Dhe ndodhi në ato ditë që Jezusi erdhi nga Nazareti i Galilesë dhe u pagëzua nga Gjoni në lumin Jordan. Dhe menjëherë, kur po dilte nga uji, pa se qiejtë po hapeshin dhe Fryma po zbriste mbi të si një pëllumb. Dhe një zë erdhi nga qielli: “Ti je Biri im i dashur në të cilin jam kënaqur” (shiko edhe Mat. 3:16; Luka 3:21-22). Deklarata e Atit ishte mandatimi i Krishtit për të qenë Krishti, ndërsa rënia e Frymës mbi të, ishte vajosja që jo vetëm e bëri Jezusin e Nazaretit, Mesinë-të Vajosurin e Perëndisë, por edhe e fuqizoi atë që të shërbente me fuqinë e Frymës.
Sepse ai përmbushi Dhiatën e Vjetër, ne sot nuk kemi nevojë për priftërinj. Po kështu, në kishën e Krishterë ne nuk kemi as një dinasti mbretërish, sepse Krishti është biri i fundit dhe final i Davidit, i cili i vendos që të mbretërojë përgjithnjë. Le ti shikojmë këto ofiqe më ne detaj.
Krishti është Kryeprofeti Ynë
“Ai u shugurua nga Ati Perëndi dhe u vajos me Frymën e Shenjtë që të jetë profeti dhe mësuesi ynë kryesor i cili na zbulon përsosmërish këshillën dhe vullnetin e fshehtë të Perëndisë për shpëtimin tonë.” Ai i shugurua e u vajos që të predikonte lajmin e mirë të ardhjes së Mbretërisë së Perëndisë (Marku 1:14), duke thënë “U mbush koha dhe mbretëria e Perëndisë është afër. Pendohuni dhe besoni ungjillin” (15). Ai është “Fjala” i bërë mish (Gjoni 1), fjalët e të cilit janë jeta dhe e vërteta sepse ato janë fjalët që Ati ia dha atij për ti deklaruar (Gjoni 8). Ai është profeti që duhej të vinte. “Vetë Moisiu – predikoi Pjetri – në fakt, u tha etërve: ‘Zoti, Perëndia juaj do të ngjallë për ju një profet si unë nga mesi i vëllezërve tuaj; dëgjojeni në të gjitha gjërat që ai do t’ju thotë!” (Vep. 3:22, citim i LiR. 18:15, krahasoje me Heb 1). Prandaj dhe kur Ai ishte në tokë, “Ai i mësonte, si një që ka autoritet dhe jo si skribët” (Mat. 7:29; Mark 1:22). Madje, edhe armiqtë e tij, në një rast kur erdhëm për ta arrestuar, nuk e bënë dot këtë gjë pasi “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri” (Gjo. 7:46).
Le të theksojmë se Krishti është profeti final dhe suprem. Kjo është e rëndësishme pasi kjo është çfarë e bën Krishterimin të Krishterë. Islami e lëvdon Jezusin si një profet të madh, por jo so profeti i fundit dhe më i madhi, siç pretendojnë të jetë Muhamedi. Mormonët adhurojnë Jezusin si Krishtin dhe Birin e Perëndisë (duke i kuptuar ndryshe nga të krishterët këto terma), por ata ndjekin edhe Jozef Smithin si profetin e ditëve të fundit. Madje edhe shumë Çifutë e pranojnë Jezusin si një mësues të dërguar prej Perëndisë, por jo më të madh se Moisiu, and aq më pak përmbushja e profecisë së Moisiut tek LiR 18:15, apo përmbushja finale e shërbesës së Moisiut dhe të Elias, si pararendësit e Krishtit.
Për të Krishterin, Krishti Jezus është profeti final dhe zbulesa superiore e Perëndisë. “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit” (Heb. 1:1-2). Krishti është i vetmi që na e bën të njohur Atin (Gjo. 1:18), që na zbulon natyrën ekzakte të Perëndisë sepse vetëm Ai është “shkëlqimi i lavdisë së Tij dhe vula e qenies së Tij” (Heb. 1:3). Si profet, Jezusi erdhi të na tregoi rrugën për tek Perëndia, dhe të na deklarojë vullnetin e Perëndisë. Por si Mesia, Kryeprofeti ynë, Ai erdhi jo vetëm që të na zbulojë vullnetin e Perëndisë, por edhe ta përmbushë atë për ne. Ai la jetën e Tij, jo si një shembull që duhet ndjekur i rrugës së Perëndisë, por si e vetmja rrugë për tek Perëndia.
Ai vazhdon të jetë edhe sot Kryeprofeti ynë. Para se të largohej, ai premtoi se do të dërgonte një tjetër mësues ngushëllues, i cili do të qëndronte përgjithnjë me kishën e Tij, që do ta drejtonte gjithnjë drejt të vërtetës. Kjo është Fryma e Shenjtë. Sot Krishti si Profeti i flet Kishës përmes Fjalës dhe Frymës. Ai dha Shkrimet e Dhiatës së re, përmes agjencisë së Apostujve, të kontrolluar e udhëhequr nga Fryma e Shenjtë (Gjo. 14:26; 16:12-14; Efe. 2:20; 4:11; 1 Sel. 2:13). Kur ne lexojmë Biblën, ose kur ajo na predikohet nga njerëzit e zgjedhur të Krishtit, ne dëgjojmë zërin e Kryeprofeti tonë i cili pastron popullin e Tij përmes instrumentit të Fjalës (Gjo. 10:1-5).
Krishti është Kryeprifti Ynë
Krishti erdhi i mandatuar nga Ati dhe i vajosur me Frymën, “që të jetë kryeprifti i vetëm për ne i cili na ka shpenguar përmes një sakrifice të vetme të trupit të Tij, dhe që vazhdimisht të ndërmjetësojë për ne tek Ati.” Dy ishin detyrat e priftërinjve në Bibël: të ofronin sakrifica për larjen e mëkateve; dhe të ndërmjetësonin në lutje, brenda Shenjtërores, pasi ishte ofruar sakrifica e gjakshme. Krishti është Kryeprifti i përsosur që na bën të pranuar tek Ati dhe na fut në prezencën e Tij, “mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta.” (Heb. 1:3). Në Dhiatën e Vjetër, Levitët nuk uleshin kurrë gjatë dhe pas shërbesës, dhe as nuk kishin se ku të uleshin sepse Perëndia nuk pat lejuar ndenjëse në arkitekturën e tabernakullit dhe të tempullit. Kjo ishte e qëllimshme sepse asnjë sakrificë nuk ishte përfundimtare, vepra e shlyerjes nuk mbaronte kurrë, problemi i mëkatit nuk do të gjente zgjidhjen përfundimtare deri me ardhjen e Birit. “Ndërsa çdo prift rri përdita në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet, Ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë,” (Heb. 10:11-12). Kur Biri i Perëndisë erdhi, prifti i vërtetë, simbole të të cilit ishin priftërinjtë e Dhiatës së Vjetër, dhe derdhi gjakun e Tij për ne, sakrificë që simbolizohej nga sakrificat e kafshëve në Dhiatën e Vjetër, pagesa u shlye plotësisht, dhe kështu nga Kryqi Ai thirri “Ka përfunduar,” (Gjo. 19:30). Prandaj edhe perdja e Tempullit u nda më dysh, nga lart poshtë. Hyrja e njeriut për tek Perëndia ishte siguruar. Sipas Hebrenjve, sakrificat e gjasshme të Dhiatës së Vjetër kanë përfunduar. Ne nuk kemi më nevojë për priftërinj sepse nuk kemi më nevojë për sakrifica (Heb. 7:27; 9:12, 25-26; 10:10-18). i vetmi prift që kemi nevojë është Krishti Jezus sepse sakrifica e fundit e tij ishte fundi dhe përmbushja e sistemit të sakrificave të Dhiatës së Vjetër.
Si pasojë e sakrificës së Tij, Krishti “u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,” në fronin e Tij hyjnor si Kryeprifti ynë. Kjo ishte në përmbushje të Psalmi 110:1 – “Zoti i thotë Zotërisë time: Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua.” Krishti si Kryeprifti ynë i përsosur dhe i ngritur në prezencën e Atit, me qëllim që të ndërhyjë vazhdimisht për ne në lutje, “prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Heb. 7:25). Dy ishin detyrat kryesore të Kryepriftit të Dhiatës së Vjetër, të ofronte sakrifica vazhdimit për popullin e Perëndisë, dhe të lutej vazhdimisht për ta. Në Dhiatën e Vjetër, Kryeprifti, mbante mbi gjoks një tabletë me dymbëdhjetë gurë, që simbolizonin dymbëdhjetë fiset e Izraelit, për të cilët Kryeprifti lutej kur futej në prezencën e Perëndisë. Ndërsa atë pjesë të parë Krishti e ka përfunduar, Ai vazhdon të lutet për ne në prezencën e Atit. Prandaj Pali tha “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne” (Rom. 8:34).
Krishti është Mbreti Ynë
Krishti erdhi i mandatar nga Ati dhe i vajosur me Frymën edhe “që të jetë mbreti ynë i përjetshëm i cili na qeveris përmes Fjalës dhe Frymës së Tij, dhe që na ruan e mban në lirinë që Ai ka fituar për ne.” Krishti është Mbreti ynë i përjetshëm (Mateu 21:5; Zak. 9:9). Ai nuk erdhi vetëm që të deklarojë lajmin e mirë të ardhjes së mbretërisë së Perëndisë, por edhe ta sjellë atë duke e ngritur përmes Fjalës dhe Frymës, mbi themelin e Apostujve e të Profetëve, ku Ai vetë është guri i qoshes së themelit (Efe. 2:20). I ngritur në të djathtë të Atit, atij i është dhënë i tërë autoriteti dhe fuqia për ti marrë kombet si trashëgimia e tij (Mat. 28:18). Ai ka thyer fuqinë e mëkatit dhe të vdekjes, ka mundur të ligun dhe ushtrinë e tij, dhe do t’ia nënshtrojë të gjithë e gjithçka vetes, e së fundi edhe Atit (1 Kor. 15:24-28).
Tek Psalmi 2:6 Ati thotë: “E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.” Jezusi u lind nga mbret. Ai ishte prej dinastisë së Davidit, të cilit Perëndia i pat dhënë përgjithnjë autoritetin mbretëror. Për të Birin, Ati thotë “Froni yt, o Perëndi është në shekuj të shekujve; skeptri i mbretërisë sate është skeptër drejtësie” (Heb 1:8). Kur Pilati e pyeti, nëse ai ishte vërtetë mbret, Krishti nuk e mohoi, përkundrazi e pohoi duke thënë “për këtë unë kam lindur dhe për këtë kam ardhur në botë; që të dëshmoj për të vërtetën” (Gjo. 18:37). Pas ngjallje, Ai i deklaroi dishepujve “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mat. 28:18). Po kështu lexojmë se pasi “shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqie,” (1 Pje. 3:22). Ai është bërë “krye përmbi çdo gjë kishës” (Efe. 1:22; Kol. 1:18). Prandaj dhe ai quhet “i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve,” (1 Tim. 6:16; Zbu. 19:16). “Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t’i vërë të gjithë armiqtë e tij nën këmbët e veta” (1 Kor. 15:25).
Si Mbreti i përjetshëm, Krishti na mban të lirë. Ai nuk erdhi që të na sigurojë pasuri nga të kësaj botë, shëndet të përsosur fizik, izolim nga vuajtjet, streset, sprovat dhe persekutimet e kësaj bote, apo për të na shpëtuar nga përjetimi i vdekjes. Ai kurrë nuk ia premtoi këto gjëra Kishës së Tij. “Kujtoni fjalën që ju thashë”- i paralajmëroi Krishti të vetët-“Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti. Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju” (Gjo. 15:20). Krishti erdhi që të mbrojë lirinë që Ai fitoi për ne. Ai erdhi që të na mbrojë nga i Ligu dhe nga rënia, dhe të mos na lejojë që t’ia ofrojmë veten tonë sërish skllavërisë së kësaj bote. Ai na do ne si dhe lirinë që ai siguroi për ne.
Krishti është Vajosja Jonë
Tre ofiqet që mban e ekzekuton Krishti si ndërmjetësuesi ynë me Perëndinë, janë jetikë për shpëtimin tonë nga faji, fuqia dhe dënimi i mëkatit. Por ato janë jetike është për shenjtërimin tonë, dhe mënyrën se si ne e jetojmë jetën e Krishterë. Le të mos harrojmë se ne mbajmë emrin e Tij. Ne quhemi të Krishterë, sepse përmes besimit, ne jemi anëtarët të Krishtit, pjesë të trupit ë Tij, dhe kështu marrim pjesë në vajosjen e Tij. “Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit” (Efe. 4:7). Sigurisht që ka ndryshime në masë ndërmjet vajosjes tonë dhe asaj të Krishtit, ashtu siç edhe ndryshon masa e hirit nga besimtari në besimtar. Por gjëja e mrekullueshme është kjo, që ndryshe nga besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër, ne jemi pjesëmarrës në vajosjen e Mesisë dhe kështu në një farë mënyrë ndajmë me të ofiqet e Tij. “Në të vërtetë po ju them: ndër ata që janë lindur prej gruas nuk ka dalë kurrë ndonjë më i madh se Gjon Pagëzori; por më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai” (Mat. 11:11).
Kjo nuk do të thotë që ne jemi më besnik, më të perëndishëm apo më të zellshëm se sa Gjon Pagëzori. Çfarë Krishti kuptonte me këto fjalë, ishte fakti që do të vinte një ditë në historinë e shpëtimit, dhe që tashmë ka ardhur, kur ne do të bëheshim pjesëtarë të ofiqeve të Shpëtimtarit tonë. Gjon pagëzori nuk mund ta bënte dot kurrë këtë gjë. Për shembull, ishte një mëkat i madh për një mbret që të ndërhynte në funksionet e priftit (1 Sa. 13:1-14). Por kjo është e mundur për besimtarët nën Besëlidhjen e Re.
Kështu, së pari, ne marrim nga vajosja e Tij që të rrëfejmë emrin e Tij. Ne kemi fjalën e plotë të Perëndisë, pra shumë herë më shumë se sa patën besimtarët e Dhiatës së Vjetër. Së dyti, ne marrim nga vajosja e Tij që të ofrojmë veten tonë si një sakrifica e gjallë falënderimi. Pra ne kemi privilegjin “me guxim fronit të hirit,” prezencës së Atit tonë qiellor (Heb. 4:16). Kryeprifti i Dhiatës së Vjetër nuk mund ta bënte këtë gjë. Ne mund të vijmë tek Ati, sa herë dhe kurdo që të duam, për aq kohë sa vijmë me meritat dhe ndërmjetësinë e Krishtit. Së treti, marrim nga vajosja e Tij që të luftojmë me ndërgjegje të pastër kundra mëkatit dhe djallit në këtë jetë. Si bij të Mbretit të përjetshëm dhe vëllezër me Krishtin, ne jemi thirrur që të administrojmë botën për lavdi dhe nderim të Atit (Mat. 28:18-20; Rom. 16:20; 1 Kor. 15:25-28). Nuk është çudi, që Pjetri thotë se në jemi një “fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pet. 2:9). E gjitha kjo sepse jemi pjesëmarrës në vajosjen e Krishtit. Prandaj Krishti dhe vetëm Krishti është Koka dhe sunduesi sovran i Kishës së Tij dhe i ndërgjegjes së besimtarit. Ne mohojmë ne priftërimin si të Kishës Katolike apo Ortodokse, dhe insistojmë në doktrinën biblike ungjillore të priftërimit të të gjithë besimtarëve. Ne të gjithë kemi privilegjin e lartë të ndërhyjmë për njëri-tjetrin përmes ndërmjetësimit të Krishtit si i vetmi Prift i yni. Së fundi, ne marrim nga vajosja e Tij edhe që më pas të mbretërojmë me Krishtin mbi tërë krijesën për gjatë tërë përjetësisë. Kjo do të thotë se ky është vetëm fillimi. Ne do të jemi përgjithnjë profetë, priftërinj e mbretër, si imazh mbajtës të Perëndisë, siç ishim në fillim para rënies, në union me dhe në bindje ndaj Mesisë, Zotit tonë. Është e mrekullueshme që të jesh jo vetëm imazh-mbajtës i Perëndisë, por emër-mbajtës i Krishtit Jezus, Zotit tonë. AMEN