Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, 2 së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave, me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë. 3 Ai, duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij dhe vula e qenies së tij dhe duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij, mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta, 4 edhe u bë aq më i lartë nga engjëjt, sa më të madhërueshëm se ata është emri që ai e trashëgoi.
Mbreti Suprem
Trashëgimtar i Gjithçkaje
Si Biri i Perëndisë, Jezus Krishti është edhe trashëgimtari i gjithçkaje. Teksti rrjedh natyrshëm nga birësimi tek trashëgimi: “me anë të Birit të cilin e bëri trashëgimtar të të gjitha gjërave.” Të gjithë komentuesit duke filluar me Etërit e Kishës, e shikojnë këtë frazë si perifrazim dhe aplikim të Psalmit 2:8, ku lexojmë Atin që ti thotë Birit “Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.” Arsyeja për këtë interpretim është solid. Heb. 1:5 citon Psa. 2:7, duke e lexuar atë në mënyre Kristologjike. Pra autori i Hebrenjve, po predikon në këto vargje ta para të letrës nga Psalmi 2, dhe duke e interpretuar atë në mënyrë Kristologjike, ai thotë se Krishti është përmbushja e këtij pasazhi nga Dhiata e Vjetër.
Të drejtën si trashëgimtar të gjithçkaje, Krishti e ka si Krijues i saj dhe si Shpengues i saj. Pali thotë tek Kol. 1:15 se të gjitha gjërat u krijuan për Birin. “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra” (Rom. 11:36). Çdo gjë në univers është prej Tij, për atë vetë, dhe do të gjejë përmbushjen përfundimtare po në Birin, në qiellin e ri dhe token e re. Si Shpengues i krijesës që u bë për të, Biri ka akoma dhe më tepër të drejtën e trashëgimisë mbi gjithçka. Si Shpëtimtar, Biri ka fituar për veten e Tij, një trashëgimi të madhe shpirtrash, përmes veprës së Tij shpenguese të pajtimit në Kryq. Titulli dhe përfitimet e trashëgimtarit i jane dhënë Birit të trupëzuar të Perëndisë, me qëllim që Ai të na riktheje ne atë që humbëm përmes mëkatit të parë. Por mbi të gjitha që të na riktheje në atë që humbëm, përmes mëkatit të parë. Ai na rikthen jo vetëm paqen me dhe prezencën e Atit, por edhe statusin e humbur në sytë e Perëndisë. “Kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, 5 që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë” (Gal. 4:4-5). Pali thotë se përmes besimit ne bëhemi bij të Perëndisë. Si rrjedhim, “nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Perëndisë dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit,” (Rom. 1:18).
Ne jemi trashëgimia e tij. Ne i përkasim atij. Të Krishterët në përgjithësi kanë një ide të turbullt të kësaj trashëgimie dhe të bekimeve praktike që rrjedhim prej saj. Prandaj dhe Pali u lut që “Ati i lavdisë, t’ju japë juve Frymën e diturisë dhe të zbulesës, në njohurinë e tij, 18 dhe t’u ndriçojë sytë e mendjes suaj, që të dini cila është shpresa e thirrjes së tij dhe cilat janë pasuritë e lavdisë së trashëgimisë së tij në shenjtorët,” (Efe. 1:17-18).
Krijues i Gjithçkaje
Jezus Krishti dhe zbulesa e Tij është supreme, përfundimtare dhe e përsosur edhe sepse ai është Krijuesi i gjithçkaje, – “me anë të të cilit e krijoi dhe gjithësinë.” Termi që autori përdor për gjithësinë në Kreqisht është aionas (aivë/naj), një term elastik e dinamik që i referohet sa hapësirës aq edhe kohës. Biri është Krijuesi Suprem i hapësirës dhe i kohës dhe i gjithçkaje që përfshihet në të. Si rrjedhim biri është edhe Zoti i tyre. “Të gjitha gjërat u bënë me anë të tij, dhe pa atë nuk u bë asnjë nga ato që u bënë” (Gjo. 1:3). Apo siç thotë Pali tek Rom. 11:36 “Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!” Këto deklarata insistojnë se Jezus Krishti është plotësisht dhe përjetësisht Perëndi, një me Atit përpara fillimit të kohës dhe hapësirës.
Athanasi, një prej etërve të Kishës së Hershme, që debatoi me Arianët (paraardhësit e Dëshmitarëve të Jehovait), tha se kur Shkrimtarët e Shenjtë, nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë, shkruan se Jezusi krijoi botën, “deklaruan edhe ekzistencën e përjetëshme të Birit dhe e treguan atë të ishte Perëndi.” Dëshmitarët e Jehovait sot, kapen pak Kol 1:15, ku Pali thotë se Jezus është “i parëlinduri i çdo krijese.” Shikoni, thonë ata, Jezusi ishte i krijuar dhe jo i përjetshëm. Por nuk lexojnë më tej shpjegim që vjen në vargun 16, që jep arsyen se përse ai quhet i parëlinduri i Perëndisë: “Sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të.” Termi i parëlindur nuk është një term kronologjik por ligjor, nuk përcakton kohë por status. Ai i referohet të drejtës legale të autoritetit dhe trashëgimisë. Fakti që Ati krijoi gjithçka përmes Birit, tregon që Biri është Perëndia i Plotfuqishëm, dhe Zotërues i gjithçkaje.
Mbajtës i Gjithçkaje
Biri është Mbreti Suprem edhe sepse Ai, si Zoti i Providencës, është gjithashtu edhe mbajtësi i gjithçkaje që ka krijuar e shpenguar, – “duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij.” Jezus Krishti, ndryshe nga Atlasi i mitologjisë Greke i cili në mënyrë pasive mbante Uranin mbi supet e tija si dënim për rebelimin e tij kundra Zeusit, në mënyrë aktive, mban në funksionim dhe e drejton e qeveris tërë botën në përputhje me planin e Tij. Autori i hebrenjve nuk përdor termin logos që i referohet zbulesës, por termin rehma, fjala e thënë, me ana të së cilës ai krijoi. Ashtu siç universi u thirr në ekzistence përmes fjalës së fuqisë së tij, ashtu edhe ajo vazhdon të qëndrojë në ekzistencë, e mbajtur nga fjala e Birit. Nëse Biri do të pushonte së qëni Guvernatori i kësaj bote, ajo do të shkonte drejt disintegrimit. Pali thotë të njëjtën të vërtetë të pakuptueshme për ne kur thotë, “Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të” (Kol. 1:17).
Kjo e vërtetë shkon kundra mentaliteti Deist të Shqiptarëve, që e deklarojnë se Perëndia ekziston dhe është krijuesi i gjithçkaje, por që në një farë mënyre i ka hequr duar nga timoni dhe e ka lënë çdo gjë që të ndjekë fatin e vet. Shkrimi insiston se nuk ka asnjë atom apo neutron në univers që vepron jashtë qeverisjes së providencës së Perëndisë. Çdo pikë shiu, flokë bore, stufi a vetëtimë i bindet urdhrit të Perëndisë (Psa. 148:8). Ai drejton gjithçka, që nga shorti që hidhet (Fja. 16:33) e deri tek ngritja dhe rënia e kombeve (Jobi 12:33). Ai përcakton në avance numrin e ditëve që gjithsecili prej nesh do të jetojmë (Psa. 139:16).
Kisha sot duhet ti përqafojë e kuptojë këto të vërteta. Jezusi është mbreti i tërë universit. Aq më tepër Jezusi është Mbreti i Popullit të Tij. Ne ngatërrohemi nga përgjigja që Krishti i dha Pilatit. Pilati e pyeti atë, “A je ti mbreti i Judenjve? Përgjigja e Jezusit ishte “Mbretëria ime nuk është e kësaj bote” (Gjo. 18:36). Interpretimi ynë praktik është, se ne duhet ti bindemi e respektojmë drejtuesit e sunduesit e kësaj bote, por mund të injorojmë mbretërinë dhe qeverisjen e Krishtit me qenë se është vetëm shpirtërore. E vërteta është se, mbretëria dhe mbretërimi i Krishtit është më i lartë, më i rëndësishëm, më gjithëpërfshirës, me pretendime territoriale shumë më të gjëra se sa mbretëritë e kësaj bote. Injorimi i mbretërimit dhe i pretendimeve të Krishtit mbi ne, është e rrezikshme jo vetëm për mirëqenien tonë të përgjithshme, por mbi të gjitha të rrezikimit të shpirtrave tanë të përjetshëm. Është e vërtetë, që për momentin, ne “nuk shohim ende që të gjitha janë nën pushtetin e tij” (Heb. 2:8), dhe ky është burimi i pasigurisë, frikës dhe mosbesimit tonë. Por kjo është një e vërtetë që duhet parë përmes syve të Shkrimit dhe besimit. Le ti besojmë Krishtit, Mbretit tonë. Le ti bindemi atij përmes besimit. Le të ngushëllohemi në mes të sprovave të kësaj jete, me anë të dijes se një ditë dhe në fakt shumë shpejt, Ai do të vijë për të bërë të dukshme mbretërimin e tij mbi tërë krijesën, duke shkatërruar armiqtë e tij (Psa. 2:9), duke ftuar shërbëtorët e tij besnik në gëzimin e mbretërisë së tij (Mat. 25:21). Por sot, përmes besimit, le të dimë se tashmë ai është i kurorëzuar me lavdi dhe nder, dhe se një ditë “në emër të Jezusit do të përkulet çdo gju i krijesave qiellore, tokësore dhe nëntokësore, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:10-11).
Profeti Suprem
Chkëlqimi i lavdisë së tij
Krishti është profeti suprem, zbulesa e fundit dhe e vërtetë e personit të Perëndisë. Si e bën ai këtë? në dy mënyra: “Duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij;dhe vula e qenies së tij,” (v. 3a). Hyjnia e Krishtit, e njëjtë me atë të Atit Perëndi është teologjia e kësaj pjese të vargut. Etërit e Kishës së Hershme, e përdornin këtë varg për të debatuar heretikët, si Arianët, paraardhësit e Dëshmitarëve të Jehovait të sot, dhe për të provuar faktin që Krishti është jo vetëm plotësisht njeri, por edhe plotësisht Perëndi. Kjo deklaratë reflekton jo vetëm njësimin e Birit me Atit, por edhe të ndryshimit të tyre. Biri nuk është thjesht një mënyrë tjetër se si na shpaloset Perëndia. Kjo është herezia e Modalistëve, që thonin në shekujt e parë të Krishterimit, se Perëndia përbëhet vetëm nga një person, por që herë na shpaloset në funksionin e Atit, herë në atë të Birit, dhe herë në funksionet e Frymës së Shenjtë. Koncepti i modalitetit në funksionimin e Perëndisë mohohet plotësisht në këtë varg, sepse jo vetëm që thekson që Jezus Krishti është “Dritë prej Drite, Perëndi e vërtetë prej Perëndie të vërtetë,” siç thotë edhe Kredoja e Nikeas, por edhe se Biri dhe Ati janë dy persona të ndryshëm të së njëjtës Hyjni. Biri është “shkëlqimi i lavdisë së tij;dhe vula e qenies së tij.”
Fraza “duke qenë shkëlqimi i lavdisë së tij,” është dhe një ilustrim i marrë nga krijesa. I nxehtë dhe tepër i shkëlqyeshëm është në vetvete Dielli, ylli i sistemit tonë solar. Temperatura në sipërfaqe të saj është 5505 °C. Densiteti i fluksit të shkëlqimit diellor është 1.3 kË/m². Temperatura e Diellit mund të jetë i lartë, por do të ishte i papërjetueshëm për ne, po të mos ishte për fluksin e rrezeve diellore që arrijnë deri në tokë. Ashtu siç ne nuk mund të shijojmë e përjetojmë ngrohtësinë bekuese të Diellit pa shkëlqimin e rrezeve të tij që zbresin deri në tokë, ashtu edhe njerëzimi nuk mund të përjetojë në mënyrë bekuese Perëndinë, pa shkëlqimin e Tij në personin e Birit. Pa Birin, ne ngelemi në errësirë, për sa i përket personit dhe lavdisë së Perëndisë. Por me Birin, ne kemi vetëzbulimin e përsosur të Perëndisë. I njëjti Perëndia që tha, “Le të ndriçojë drita në errësirë,” dha edhe Birin, “për t’na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezus Krishtit” (2 Kor. 4:6).
Zbulesa e Birit ndryshon nga ajo e profetëve të Tij. Profetët, si shërbëtorë të Perëndisë flisnin për Perëndinë si shërbëtorë. Por një shërbëtor, edhe pse mund të flasë pa gabime e plot të vërteta për zotërinë e tij, nuk mund ta përfaqësojë e pasqyrojë siç duhet atë. Biri, nga ana tjetër, është manifestimi i atit, jo vetëm përmes fjalëve, por edhe qenies së tij, duke dalë nga qenia e Atit të tij. Kur Zoti Krisht ishte në tokë, na e zbuloi Atit, e përfaqësoi dhe e manifestoi emrin e Perëndisë në një mënyrë ta pakrahasueshme me shërbëtorët e Atit të Tij. “Askush s’e pa Perëndinë kurrë; i vetëmlinduri Bir, që është në gjirin e t’Et, është ai që e ka bërë të njohur” (Gjo. 1:18).
Duhet vënë re, se Biri nuk është thjesht reflektimi, por shkëlqimi i personit dhe i lavdisë hyjnore të Atit. Hëna reflekton dritën e Diellit, por në vetvete nuk është yll, nuk ka as nxehtësi dhe as dritë të sajën. Dielli nga ana tjetër, shkëlqen dritën e tij sepse është burimi i saj. Krishti nuk është thjesht reflektimi i lavdisë së Atit, por pjesë e lavdisë së Tij. Kjo u pa në Malin e Transfigurimit, kur “rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t’i zbardhojë” ndonjë njeri (Marku 9:3). Shkëlqimi i tij nuk ishte vetëm i Atit, por edhe si pasojë e lavdisë së Tij si Bir. Kjo ishte çfarë verboi Pali në rrugën për në Damask (Vep. 9:3; 22:6). Prandaj dhe Kredoja e Nikeas e cilëson “Dritë prej Drite, Perëndi e vërtetë prej Perëndie të vërtetë.”
Vula e qenies së tij
Por Biri është edhe “vula e qenies së tij,” (v. 3a). Ai është profeti i përsosur e suprem, kur plotësisht na shpalos lavdinë e Perëndisë, jo vetëm sepse Ai është i ngjashëm me Atin, por sepse Ai është vula e qenies së tij. Krishti është imazhi i vërtetë i esencës së Perëndisë. Teksti në Greqisht përdor fjalën carakth.r – vulë, paraqitje, ngjashmëri. Imazhi që përdor letërshkruesi është ai i stampimit apo gdhendjes që lihet, për shembull, në faqen e monedhës apo të vulës. Ashtu siç shqiponja e gdhendur në monedhat tona, është replikimi i vërtetë e i përsosur i shqiponjës së flamurit tonë kombëtar, ashtu edhe Biri është imazhi apo shëmbëllimi apo replikimi i vërtetë e i përsosur i Perëndisë. Pali thotë “Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm,” (Kol. 1:15). Theksi është tek besueshmëria me të cilën Krishti na zbulon dhe është zbulesa e Perëndisë ndaj njeriut. Ka një përputhje të plotë dhe të besueshme ndërmjet asaj çfarë shikojmë tek Krishti, dhe asaj çfarë është e vërtetë për Perëndinë. Krishti tha “Kush më ka parë mua, ka parë Atin” (Gjoni 14:9). Jezus Krishti është pra, profeti dhe zbulesa supreme, më e lartë, dhe përfundimtare e Perëndisë sepse ai është shëmbëlltyra ekzakte e natyrës dhe e esencës së Perëndisë. Që do të thotë, se për të njohur Perëndinë, ne duhet medoemos ta njohim Atë ashtu siç na është zbuluar në personin, fjalët dhe veprat e Birit. Krishti tha “Gjithçka më është dhënë në dorë nga Ati im; dhe askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit, dhe kush është Ati, përveç Birit, dhe atij që Biri do t’ia zbulojë” (Luka 10:22). Askush nuk mund ta njohë apo kuptojë Perëndinë, i cili “ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë” (1 Tim. 6:16), veç të zbuluar në personin e Krishtit.
Ky mesazh ishte i rëndësishëm për lexuesit e parë që ishin nën presionin për tu kthyer në format e vjetra të besimit dhe të zbulesës. Arsyeja përse këta të Krishterë me origjinë hebraike nuk duhej të ktheheshin tek Judaizmi i etërve të tyre, nuk ishte sepse Dhiata e Vjetër ishte e gabim. Në të, Perëndia u pat dhënë atyre shpresën dhe premtimin e Shpëtimtarit që do të vinte. Arsyeja ishte se premtimi ishte përmbushur. Dhe mënyra e vetme për të qenë një Izraelit i vërtetë, ishte për të ndjekur atë që pat përmbushur zbulesën e profetëve të vjetër.
Prifti Suprem
Krishti është jo vetëm Profeti që na zbulon vullnetin dhe personin e Perëndisë, jo vetëm Mbreti që drejton e qeverish në fakt gjithçka, por edhe Prifti i përsosur që na bën të pranuar tek Ati dhe na fut në prezencën e Tij, “mbasi e bëri vetë pastrimin nga mëkatet tona, u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta.” Tema e priftërimit të Krishtit është një nga temat kryesorë në këtë letër, dhe ne duhet ta besojmë e kuptojmë mirë atë nëse duam të shpëtohemi. Në mënyrë të përmbledhur, doktrina e ofiqit priftëror të Krishtit përmban disa elemente.
Së pari, Jezus Krishti është Kryeprifti suprem, që ofroi një herë dhe përgjithmonë, përmes një sakrifice të vetme, sakrificën e vërtetë që shlyen mëkatin tonë. Vini re kohën e kryer të veprimit që përdor autori, por edhe shpjegimin plotësues se Biri “u ul” pasi ofroi sakrificën si kryeprifti ynë. Kjo është e rëndësishme sepse, në Dhiatën e Vjetër, Levitët nuk uleshin kurrë gjatë dhe pas shërbesës, dhe as nuk kishin se ku të uleshin sepse Perëndia nuk pat lejuar ndenjësë në arkitekturën e tabernakullit dhe të tempullit. Kjo ishte e qëllimshme sepse asnjë sakrificë nuk ishte përfundimtare, vepra e shlyerjes nuk mbaronte kurrë, problemi i mëkatit nuk do të gjente zgjidhjen përfundimtare deri me ardhjen e Birit. “Ndërsa çdo prift rri përdita në këmbë duke shërbyer dhe duke mblatuar shpesh herë të njëjtat flijime, që nuk mund të heqin kurrë mëkatet, Ai, përkundrazi, pasi dha për gjithnjë një flijim të vetëm për mëkatet, u vu të rrijë në të djathtën e Perëndisë,” (Heb. 10:11-12). Kur Biri i Perëndisë erdhi, prifti i vërtetë, simbole të të cilit ishin priftërinjtë e Dhiatës së Vjetër, dhe derdhi gjakun e Tij për ne, sakrificë që simbolizohej nga sakrificat e kafshëve në Dhiatën e Vjetër, pagesa u shlye plotësisht, dhe kështu nga Kryqi Ai thirri “Ka përfunduar,” (Gjo. 19:30). Prandaj edhe perdja e Tempullit u nda më dysh, nga lart poshtë. Hyrja e njeriut për tek Perëndia ishte siguruar.
Së dyti, dhe si pasojë e sakrificës, Krishti “u ul në të djathtën e Madhërisë në vendet e larta,” në fronin e Tij hyjnor, jo vetëm si Mbreti ynë, por edhe si Kryeprifti ynë. Kjo ishte në përmbushje të Psalmi 110:1 – “Zoti i thotë Zotërisë time: Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua.” Kur ishte në tokë, Krishti is aplikoi Psalmin vetes kur tha: “Por tash e tutje Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e fuqisë së Perëndisë” (Luka 22:69). E djathta e fuqisë së Perëndisë nuk është një vend fizik, por një përshkrim i nderimit dhe adhurimit që Biri merr në prezencës e Atit dhe Frymës për shkak të veprës së Tij. “Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër, që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore,” (Fil. 2:9-10).
Së treti, për shkak të dy pikave të mësipërme, Krishti si Kryeprifti ynë i përsosur dhe i ngritur në prezencën e Atit, vazhdon të ndërhyjë për ne në lutje. Dy ishin detyrat kryesore të Kryepriftit të Dhiatës së Vjetër, të ofronte sakrifica vazhdimit për popullin e Perëndisë, dhe të lutej vazhdimisht për ta. Ndërsa atë pjesë të parë Krishti e ka përfunduar, Ai vazhdon të lutet për ne në prezencën e Atit. Pali tha “Kush është ai që do t’i dënojë? Krishti është ai që vdiq, po për më tepër ai u ringjall; ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ai ndërmjetëson për ne” (Rom. 8:34).
Në mbyllje, le të kuptojmë, se qëllimi i këtij pasazhi nuk është thjesht që të kuptojmë teologjinë e personit dhe veprës së Krishtit. Qëllimi është që ne ti besojmë Atij. Ashtu si edhe me lexuesit e parë, bota na tall, na tundon, na sulmon. Rreziku është që humbasim për shkak të besimit tonë, mundësi punësimi, respekti, statusi social. Mund të humbasim nën persekutim edhe jetën tonë apo të dashurve tanë. Por Krishti tha “kush do ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por kush do ta humbasë jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë. E pra, ç’dobi ka njeriu po të fitojë tërë botën, dhe pastaj të shkatërrojë veten dhe të shkojë në humbje?” (Luka 9:24-25). Pasazhi na thërret, që jo vetëm të kapemi pas Krishtit përmes besimit, por edhe ti afrohemi atij dhe Atit përmes besimit. Kjo bëhet kur kuptojmë e vlerësojmë tre ofiqet që Krishti mban për bekimin tonë. Jezusi është mbreti ynë. Ai na qeveris, na mbron dhe na drejton. Le të valëvisim flamujt e Tij në portat e zemrave tona. Le të braktisim mbretëritë e sundimtarët e kësaj bote, dhe ti nënshtrohemi Atij si Zoti ynë i Kurorëzuar. Jezusi është Profeti ynë. Ne kemi nevojë për të vërtetën, Ai është e vërteta. Le të vijmë tek Fjala e Tij e të kërkojmë dritën, dhe të lëmë mënjanë profetët e rremë të kësaj botë, profetët e Akademisë sekulare, e masmedias, e mirëqenies ekonomike apo e statusit social. Jezusi është gjithashtu edhe Prifti ynë. Le të vijmë tek Ai çdo ditë për pastrim, për falje, për rrëfim, për të përfituar prej ndërmjetësimit të Tij, si dhe për pajtimin përfundimtar dhe plot dashuri me Perëndinë Atin. Le të rrëfejmë nevojën tonë të madhe për gjakun e Tij dhe për ndërmjetësimin e tij të qiell. Le të kapemi vetëm pas Kryqit të Tij, dhe le të mohojmë të gjitha meritat tona. Në këto tre mënyra, përmes tre ofiqeve të Tij, le t’ia përkushtojmë veten tonë vetëm Krishtit, i cili “mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Heb.7:25). AMEN.