04-Kujdes nga Shkarja

04-Kujdes nga Shkarja

Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga ruga. 2 Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë, 3 si do të shpëtojmë ne, nëqoftëse e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh? Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan, 4 ndërsa Perëndia dëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij. Heb. 2:1-4

Dy nga simbolet më të vjetra të Kishës së Hershme janë anija dhe spiranca. Anija simbolizonte Kishën ndërsa spiranca simbolizonte Krishtin. Simbolika buronte kryesisht nga Ungjijtë, ku lexojmë historinë se si dishepujt e gjetën veten në mes të një stuhie, dhe ndërsa rrezikonin të mbyteshin, Krishti erdhi drejt tyre, duke ecur mbi ujë, dhe qetësoi stuhinë (Mat. 14:22-33; Gjo. 6:16-21).

Ky është realiteti i Kishës edhe sot, që lundron kundra rrymave dhe stuhive të kësaj bote. Në fakt, është një simbol i përshtatshëm edhe për bashkësinë e krishterë në Romë, të cilës iu dërgua kjo letër. Ata gjendeshin në mes të stuhisë nga komuniteti Judaik i Romës që i persekutonte ata si tradhtarë të Judaizmit, dhe shumë shpejt do ta gjenin veten edhe në mes të stuhisë të Neronit. Kështu, kjo kishë e vogël rrezikonte që të devijonte nga kursi i të vërtetës së Krishtit për në “Detin e Vdekur të Judaizmit.”

Në përpjekje për ti mbajtur në kursin e duhur, autori i kësaj letre, shpalos supremacinë e Krishtit: supremacinë e tij profetike si fjala finale e Perëndisë (v. 1-2), supremacinë e tij kozmike si Krijuesi dhe Mbajtësi i gjithçkaje (v. 2-3), supremacinë e Tij si kryeprifti i përsosur dhe i fundit, i ulur në Qiell me Atin (v. 3), dhe supremacinë e Tij mbi engjëjt, në emër, nderim, thirrje, dhe sundim (v. 4-14). Kjo doktrina e Krishtit, duhet të ishte për ta pra, spiranca që do ti mbante ata të sigurt në gjirin e Krishtit. Në fakt, kjo e vërtetë është për të gjithë të Krishterët spiranca universale për të gjitha kohërat dhe situatat. E vërteta Biblike dhe doktrinat e saj nuk janë çështje të tolerancës, siç pretendon bota dhe fatkeqësisht bashkë me ta edhe shumica e ungjillorëve sot, por çështje të jetës dhe vdekjes. Si rrjedhim, rreziku i shmangies apo i shkarjes nga e vërteta nuk merret lehtë nga letërshkruesi apostolik.

Rreziku: Shmangia nga e Vërteta

“Prandaj ne duhet t’u përmbahemi më shumë atyre që dëgjuam, se mos shkasim ndonjë herë nga rruga.” Në Greqisht, autori përdor termin pararreo, por që ne e kemi të përkthyer si shkasim, e që në fakt është një term lundrimi, dhe që përshkruan një anije e cila ka devijuar nga kursi i lundrimit, apo i një anije në liman të cilës i është këputur spiranca. Në këtë kontekst, përdoret për të përshkruar diçka që mund të na dalë nga mendja. Ideja është që shmangia nga e vërteta nuk është diçka që bëhet qëllimisht, dhe as diçka e dukshme për momentin, dhe se vetëm shumë kohë më vonë vihet re rreziku në të cilin na ka sjellë.

Kjo më kujton rastin e vetëm ndoshta që jam trembur vërtetë prej detit. Ishte fundi i verës, dhe isha me disa shokë në plazhin e Durrësit, në zonën që njihet si “Stacioni Hekurudha.” Ishte ndoshta për mua fillimi i adoleshencës, dhe e ndjeja veten të fuqishëm dhe të sigurt në ujë. Kështu që vendosa që të shkoja pak më thellë me not. Ishte pasdite. Dhe ajo që nuk dija ishte se shpesh herë, pasditeve në fund të verës, gjiri i Durrësit ka rryma nën sipërfaqe që nuk dallohen nga bregu. Një rrymë e tillë me morri dhe më nxori gati afër me murin e Portit Detar, tre stacione autobusi më poshtë.

Të shumta janë rrymat e liga të kohës tonë që na tërheqin fuqishëm nga limani i sigurt i shpëtimit në Krisht. Nuk është e nevojshme që ta mohojmë Krishtin në mënyrë aktive. Kjo bëhet thjesht duke mos e pasur mendjen, duke qenë të preokupuar me pamjet dhe tingujt e kësaj bote. Realiteti është se, gjendja jonë shpirtërore, sado e mirë të jetë apo të ketë qenë, ka tendencën që të shkojë drejt prishjes. Ligji i dytë i termodinamikës, është i vlefshëm edhe për realitetet shpirtërore. Ligji i entropisë thotë se gjërat shkojnë nga rregulli drejt kaosit, apo nga energjia drejt ftohjes. Për shkak të mëkatit dhe të influencave që na rrethojnë ne të gjithë përjetojmë në mënyrë konstante një entropi shpirtërore. Në mënyrë të natyrshme, për shkak të natyrës së rënë të kësaj bote dhe të zemrave tona, ne mund të ftohemi e mpihemi shpirtërisht, duke i besuar gënjeshtrave të kësaj bote të ligë. Nëse nuk kapemi në mënyrë aktive pas Perëndisë, përmes mjeteve të hirit, që janë leximi dhe predikimi i Fjalës, lutja e agjërimi, adhurimi e shërbesa në bashkësinë e shenjtorëve, , për shkak të njeriut të vjetër në ne, zemrat tona kthehen instinktivisht tek mosbesimi, krenaria, lakmia, sensualiteti, mëria dhe ligësia-cilësi të cilat përkufizojnë gjendjen tonë normale në mëkat dhe që na çojnë në shkatërrim. Bibla madje na jep si shembull Demën. Apostulli Pal e përmend Demën, në fund të letrave drejtuar Kolosianëve dhe Filenmonit, si një bashkëpunëtor të tijin të ngushtë. Por tek 2 Timoteut, ai shkruan, “Dema më la, sepse deshi këtë botë.” Nëse bashkëpunëtori apostolik pëson këtë rënie, po kështu mund të biem edhe ne. Prandaj Pjetri na instrukton “vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë” (2 Pje. 1:10). Apo Pali që shkruan “Analizoni veten tuaj a jeni në besim; kontrolloni veten tuaj” (2 Kor. 13:5).

Urdhëresa: Mbahuni tek Mesazhi i Shpëtimit

Urdhri që na jep autori i Hebrenjve, pra është që të kapemi “më fort pas atyre që dëgjuam.” Fraza “pas atyre që dëgjuam” i referohet mesazhit të shpëtimit në Birin e Perëndisë. Fjala greke prosecho, është një tjetër term me përdorime detare. I referohet aktit të mbajtjes së kursit detar apo të kapjes pas spirancës. Mbaj timonin, siguro spirancën është urdhri apostolik. Ndërsa shmangja mund të ndodhë pa mendje dhe pa mundim, e kundërta kërkon prej nesh shumë mund dhe diligjencë, dhe që të jemi të qëllimshëm.

Besimi duhet ushqyer. Duhet të kujtojmë vazhdimisht se çfarë besojmë dhe se kujt i besojmë. Duhet të dëgjojmë vazhdimisht ungjillin. Duhet ti predikojmë vetes dhe njërit-tjetrit vazhdimisht Ungjillin dhe të vërtetat e tjera të Krishtit. Pali u shkroi Korintasve, “Tani, o vëllezër, po ju deklaroj ungjillin që ju kam shpallur dhe që ju e keni marrë dhe mbi të cilin ju qëndroni” (1 Kor. 15:1). Vini re, këta tashmë e kanë marrë dhe besuar Ungjillin, dhe Pali thotë se edhe vazhdojnë të jetojnë, “qëndrojnë” në të njëjtin Ungjill. Ungjilli nuk është vetëm për shpëtimin tonë por edhe për shenjtërimin tonë. Prandaj shton Pali, po atë Ungjill që e dëgjuat e që ju shpëtoi, në të cilin tashmë po qëndroni dhe që po ju shenjtëron, po jua deklaroj përsëri. Po në të njëjtën mënyrë u pat shkruar edhe Galatasve: “Ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (2:20). Pjesa e dytë e këtij vargu është thelbi i Ungjillit. Edhe pse këto fjalë, Pali i shkroi në kontekstin e doktrinës së shfajësimit, ai flet në kohën e tashme, “Ajo jetë që tani jetoj,” e jetoj në Ungjill. Dhe i referohet indirekt, edhe shenjtërimit, si një proces i cili ndërtohet mbi aktin e shfajësimit, dhe që ne e marrim dhe e përjetojmë përmes mesazhit të ungjillit. Ungjilli nuk është vetëm për jo-besimtarët, por edhe për besimtarët, gjatë gjithë jetës këtu në tokë.

Kur flasim për shfajësimin, ky është një akt i Perëndisë, i bërë një herë e përgjithmonë, dhe që ne e marrim në mënyrë pasive përmes besimit. Nuk ka vend për veprat tona. Besimi ynë [për shpëtimin tonë është pasiv. Ne nuk veprojmë por prehemi mbi Krishtin dhe veprën që Ai bëri për ne. Por kur vijnë tek e tashmja, tek shenjtërimi, ky është një proces progresiv, dhe si i tillë është plotësisht aktiv, dhe duhet të jetë i qëllimtë, me plan, i menduar e plot zell e diligjencë. Për sa i përket shenjtërimit, nuk ka arritje pa përpjekje.

Dy Arsye për tu Kapur pas Ungjillit

Vargjet 2-4 na japin arsyet se përse kjo urdhëresë duhet marrë seriozisht. Arsyet janë dy. Së pari, autori përdor argumentin tipik hebraik nga më e vogla tek më e madhja. Pra, nëse diçka është e vërtetë në një kontekst më pak të rëndësishëm, aq më tepër është e vërtetë në një kontekst më të rëndësishëm: “Sepse, në qoftë se fjala që u fol nga engjëjt është e patundur dhe çdo shkelje e mosbindje mori një shpagim të drejtë, 3 si do të shpëtojmë ne, në qoftë se e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh?” (2-3a). Pra, nëse Besëlidhja e Vjetër e bërë me Moisiun ishte aq e rëndësishme dhe duhej marrë seriozisht, sepse ajo u përçua përmes ndërmjetësimit të engjëjve, aq më tepër, Besëlidhja e Re në Krishtin duhet marrë seriozisht, dhe nuk duhet neglizhuar apo lënë të na shkasë nga dora.

Besëlidhja e vjetër ishte e vlefshme,që e lidhte njeriun tek Perëndia, dhe që si rrjedhim sillte dënimin mbi këto që e shkelte atë. Dhiata e Vjetër është e mbushur me shembuj se si ata që shkel;ën këtë besëlidhje morrin dënimin. Korah, Dathani e Abirami që i përpiu toka (Lip. 11:6). Bijtë e Aaronit, Nadabi dhe Abihu që u konsumuan nga zjarri (Lev. 10:2). E tërë gjenerata e Izraelitëve që u torturuan për dyzetë vjet dhe vdiqën nëpër shkretëtirë vetëm sepse refuzuan të besonin dhe bindeshin. Nëse kjo ishte kështu në Besëlidhjen e Vjetër, aq më tepër është kështu në Besëlidhjen e Re, që është në Krishtin. “Si do të shpëtojmë ne, në qoftë se e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh?”

Shumë Ungjillorë mendojnë gabimisht se Perëndia e ka dorën më të lehtë në Dhiatën e Re nga sa e kishte në Dhiatën e Vjetër. Perëndia ishte po aq dashuri në Dhiatën e Vjetër sa edhe në të Renë. Dhe Ai është po aq i rreptë në të Renë saç edhe ishte në të Vjetrën. Kjo është arsyeja që shumë ishin të dobët, të sëmurë, e shumë e madje vdiqën në Kishën e Korintit (1 Kor. 11:30). Pse? Sepse hëngrën dhe pinë padenjësisht, dhe kështu pinë dënimin e tyre. Për shkak të parregullsive në administrimin e Darkës së Zotit, ata tërhoqën mbi veten e tyre pakënaqësinë dhe dënimin e Perëndisë. E të mendosh, se si e administrojnë shumë kisha Ungjillore sot në Shqipëri Darkën e Zotit. Për çështje parash, gënjeshtrash dhe lavdie personale, Fryma e Shenjtë vrau Ananian dhe Safiran (Vep. 5:1-10). Jezusi dha këtë deklaratë mallkuese për Farisenjtë dhe krahinën e Kapernaumit, ku pat bërë shumë prej mrekullive të Tij: “Dhe ti, o Kapernaum, që u ngrite deri në qiell, do të fundosesh deri në ferr, sepse në se do të ishin kryer në Sodomë veprat të fuqishme që janë kryer në ty, ajo do të ishte edhe sot e kësaj dite. 24 Prandaj unë po ju them se ditën e gjyqit, fati i vendit të Sodomës do të jetë më i lehtë se yti” (Mat. 11:2324). Në predikimet e Tij, kur interpreton Ligjin dhe Besëlidhjen e Dhiatës së Re, Krishti thoshte, “Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: “Mos vrisni”; dhe: “Kushdo që vret do t’i nënshtrohet gjyqit”; 22 por unë po ju them: “Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t’i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: “Rraka”, do t’i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t’i thotë: “Budalla”, do t’i nënshtrohet zjarrit të Gehenës.” (Mat. 5:21-22). Jo vetëm që Krishti nuk e zbuti dorën, përkundrazi ai i bëri më të vështira dhe më të pamundura aplikimet e Dhiatës së Vjetër në Dhiatën e Re.

Le të marrim për shembull dashurinë. Marrim këtë si shembull pasi Krishti tha “Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin” (Gjo. 12:44), dhe se dëgjojmë nëpër ungjillorë se urdhri për dashuri në Dhiatën e Re është më i butë e më i thjeshtë se sa kërkesat e Dhiatës së Vjetër. Por çfarë është më e thjeshtë, të lash duart e enët sipas ritualeve të Dhiatës së Vjetër, apo të lash zemrën nga inati, urrejtja, interesi personal, kurnacëria, mëria, mosmirënjohja, mosfalja e lakmia? Cila nga këto dy larje është më e thjeshtë? Larja e duarve apo larja e zemrave? Cila nga këto dy larje ka një standard më të lartë? Cila nga këto dy larje është më e pamundur? Pra, nëse çdo shkelje e rebelim ndaj Besëlidhjes së Vjetër, që iu transmetua Moisiut e Judenjve përmes engjëjve, morri pa përjashtim dhe në çdo një shpagim të drejtë, “si do të shpëtojmë ne, në qoftë se e lëmë pas dore një shpëtim kaq të madh?”

Arsyeja e dytë që kemi për tu kapur pas Ungjillit të Krishtit është: “Ky shpëtim, si u shpall në fillim prej Perëndisë, u vërtetua ndër ne nga ata që e dëgjuan, 4 ndërsa Perëndia dëshmonte për të me anë shenjash e mrekullish, me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë, sipas vullnetit të tij.” Kjo është një arsye me disa pjesë:

Le të vëmë re së pari, se Ungjilli na u dha nga vetë Zoti. Biri i Perëndisë, erdhi vetë nga Qielli në tokë që të bëhej Shpëtimtari ynë. “Perëndia, mbasi u foli së lashti shumë herë dhe në shumë mënyra etërve me anë të profetëve, 2 së fundi, këto ditë na ka folur me anë të Birit” (v.1:1-2). Arsyeja e dytë që ne duhet që të mos lejojmë devijim, por në mënyrë aktive të kapemi pas Ungjillit, është se na u dha nga vetë Zoti ynë. Ky mesazh na deklaron një shpëtim  që na është dhënë si një dhuratë, falas të gjithë ne që na besojmë. Vini re ndryshim e Krishtërimit biblik me shtrembërimet e saj si dhe me religjionet e tjera të kësaj bote. Religjionet e tjera ushqejnë perënditë të cilave u shërbejnë, qofshin ato edhe idhuj të përditshëm si karriera, statusi, seksualiteti, afluenca dhe influenca. Por Krishti Jezus thotë “Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje” (Gjo. 6:35). Ne religjionet e tjera, njeriu mban mbi shpatullat e tij barrën e mëkateve dhe të fajit, madje edhe dënimin, dhe perënditë e rreme të kësaj bote i bëhen një barrë ekstra mbi kurriz. Por Krishti thotë: “Unë ju kam bërë dhe unë do t’ju përkrah; po, do t’ju mbaj dhe do t’ju shpëtoj” (Isa. 46:4).

Le të vëmë re së dyti, dhe në vazhdim, se këtë mesazh nuk e kemi marrë “derr në thes” siç është një shprehje e popullit tonë (këtë reference të cilin në fakt nuk e kam kuptuar kurrë plotësisht, ndoshta sepse jam djalë qyteti, por që e pranoj siç thotë edhe vetë shprehja), por na është dhënë me prova.

Një nga provat dhe mrekullitë më të rëndësishme që shoqëruan predikimin apostolik ishte vetë jeta dhe dëshmia e Apostujve. Vetëm ata kanë parë varrin bosh dhe të hapur. Vetëm ata kanë parë Krishtin e ngjallur, me shenjat e kryqëzimit ende në trup. Vetëm ata e dinë me siguri nëse Krishti vdiq dhe u ringjall vërtet. E megjithatë ata të gjithë predikuan mesazhin e vdekjes dhe të ngjalljes së Krishtit. Çfarë fituan ata nga predikimi i këtij mesazhi? Te gjithë ata jetuan jetë të vështira, në varfëri, të persekutuar, të burgosur, të privuar nga çdo e drejtë dhe rehati, dhe që të gjithë vdiqën të martirizuar (me përjashtim të Apostullit të dashurisë, Gjonit që vdiq në moshë të vjetër në ishullin e Patmosit). Tek Veprat 5 lexojmë, se pasi i kishin arrestuar e rrahur, dhe pasi i patën urdhëruar që të mos predikonin më Krishtin, Pjetri dhe Gjoni, “duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit” (Vep. 5:41), iu kthyen përsëri predikimit të ungjillit aty ku e kishin lënë.

Mrekullia e jetëve dhe besimit të dishepujve të parë është prova definitive apo kategorike e origjinës hyjnore ë mesazhit të ungjillit. Sigurisht që Zoti u dha atyre edhe shumë lloje të ndryshme provash, si për shembull gjuhët e panjohura (Vep. 2), shërime (Vep. 3:1-10, etj), tërmete (Vep. 16:26), ngjallje nga të vdekurit (Vep. 20:9-12). Libri i Veprave të Apostujve është e mbushur me shenja e mrekulli, “me vepra të ndryshme të fuqishme dhe me dhurata të Shpirtit të Shenjtë.” Të gjitha këto kishin si qëllim që të atestonin, të provonin, të konfirmonin origjinën dhe natyrën hyjnore të predikimit apostolik. Ungjilli i apostujve është një mesazh si asnjë tjetër, i dhënë nga Zoti Krisht, dhe i provuar nga Fryma e Shenjtë.

Për shak të tërë këtyre provave dhe konfirmimeve të dhëna tashmë në periudhën apostolike, ne sot nuk kemi nevojë për shenja të tilla. Autori i kësaj letre flet në kohën e kryer për këto konfirmime, dhe jo në kohën e tashme: “Perëndia dëshmonte” (në fakt në saktë në origjinal është Perëndia dëshmoi). Perëndia tashmë ka dëshmuar përmes këtyre shenjave dhe mrekullive. Tashmë ne na janë dhënë të tëra provat që na duhen për ti besuar ungjillit; pra na u dha nga vetë Zoti, dhe u konfirmua nga Fryma në shërbesën e Apostujve.

Mrekullia e Shenjtërimit

Por le të kthehemi përsëri tek qëllimi i kapitullit të parë dhe i këtyre katër vargjeve të para të këtij kapitulli të dytë. Qëllimi është që ne të mos shkasim e neglizhojmë, por të kapemi e veprojmë. Duhet ta njohim rrezikun dhe mundësinë reale të shkëputjes nga spiranca e shpëtimit tonë dhe nga Fjala e Perëndisë. Duhet ta njohim rrezikun dhe mundësinë reale që të lëmë dorën e dikujt tjetër që të drejtojnë timonin e anijes tonë, dhe jo dorën e Kapitenit të Shpëtimit tonë (Heb. 2:10b), Krishtit i cili na flet përmes Biblës. Të largohesh nga kursi i mesazhit të shpëtimit në Krisht është të tërheqësh mbi vete gjykimin e Perëndisë.

Në periudhën apostolike, Perëndia konfirmoi ungjillin përmes shenjave e mrekullive. Sot, mrekullia që Perëndia përdor janë jetët e shenjtëruara të besimtarëve, të Kishës së Tij. Nuk kemi më nevojë për shërime e mrekulli, apo për gjuhë të panjohura. Ajo çfarë Kisha sot ka nevojë, ajo çfarë kjo botë ka nevojë, nuk është më shumë spektakël por më shumë shenjtëri. Shenjtëria jonë është mrekullia e vërtetë që Perëndia vazhdon ti japë kësaj bote edhe sot e kësaj dite. Mrekullia e një jetë të ndryshuar, e njëmendje të ndryshuar, e një zemre të ndryshuar, e një qëndrimi e sjellje të ndryshuar-të ndryshuar në përputhje me imazhin e Birit të Perëndisë, Jezus Krishtit. Kjo është prova që Perëndia përdor sot për tia rekomanduar e aprovuar Fjalën e Tij kësaj botë-jetët e të Krishterëve, të ndriçuar në të vërtetën, të pastruar në shenjtëri, të rehatuar në paqe, të fuqizuar në dashuri. Kjo është jeta e përjetshme që fillon edhe sot ne jetën e kujtdo që beson në personin dhe veprën e Birit të Tij, Krishtit Jezus, Zotit tonë të cilit i qoftë lavdia, sot dhe përjetë. AMEN.