06-I Aftë Për Të Ndihmuar

06-I Aftë Për Të Ndihmuar

Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjestar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, 15 edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën. 16 Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit. 17 Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit. 18 sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen. Hebrenjve 2:14-18

Shumica e herezive që goditën Kishën e Hershme kishin të bënin me doktrinat e personit të Krishtit. Nga njëra anë ishin ata që mohonin hyjninë e plotë të Krishtit, si Ariusi, një predikues nga Aleksandria e Egjiptit, teoria e tij, që sot njihet me termin Arianism, u përqafua më vonë nga Muhameti, dhe në kohët e sotme nga të ashtuquajturit Dëshmitarët e Jehovait. Nga ana tjetër e herezive qëndronin Docetistët, të cilët mohonin natyrën njerëzore të Krishtit. Termi dokeo në Greqishten e Vjetër Koine përkthehet “dukje” apo “pamje.” Docetistët besonin në hyjninë e plotë të Krishtit por mohonin natyrën e plotë njerëzore të tij. Ata mësonin se Krishti dukej si njeri, se kishte pamjen apo paraqitjen e jashtme njerëzore, por nuk ishte në të vërtetë apo plotësisht njeri. Për ata, ishte çnderuese që Perëndia, një Shpirt i pastër e i përsosur, të merrte mbi veten e Tij një natyrë të përulur njerëzore. Aq më pak e përshtatshme, insistonin ata, është për këtë Perëndi që të vdesë i dobët e i turpëruar në kryq.

Koncili i parë i Kishës së Hershme, që u mblodh në Nikea në vitin 325, i adresoi këto dy herezi, duke e përshkruar Zotin Jezus Krisht si “Perëndi prej Perëndie, Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të Vërtetë, i vetëm lindur por jo i krijuar, i të njëjtës substancë me Atin…dhe që u bë njeri.”

Ky koncil, dhe tërë Krishterimi në të gjitha kohërat, ka qenë i detyruar që të insistojë në këtë rrëfim për shkak të dëshmisë Biblike. Letra drejtuar Hebrenjve, këto dy kapituj të parë të saj, adresojnë këto çështje, dhe në fakt na ofrojnë arsyet se përse besojmë në hyjninë dhe në njerëzinë e Krishtit. Hyjnia e plotë e Krishtit theksohet në kapitullin e parë, i cili citon Dhiatën e Vjetër dhe thotë “Froni yt o Perëndi është përgjithnjë.” Kapitulli i dytë flet o aq qartë për njerëzinë (natyrën njerëzore) e Krishtit. Heb 2:10-13 flet për identifikimin e plotë të Krishtit me racën njerëzore, duke e bërë veten të së njëjtës racë me ata që erdhi ti shpëtojë , madje edhe duke e përgatitur veten e Tij për këtë detyrë përmes vuajtjeve që Ai përjetoi.

Për më tej, Heb. 2:14-18 rendit arsyet dhe provat shkatërruese kundër të gjitha objeksioneve të atyre që mohojnë njerëzinë e Krishtit. Kjo pra është tema madhështore edhe e këtij kapitulli: Njerëzimi i plotë i Jezus Krishtit në veprën e tij si Shpëtimtari hyjnor. Autori i letrën thekson në këtë pasazh, tre aspekte madhështore të veprës shpëtuese të Krishtit: (a) Ai theu fuqinë robëruese të Djallit dhe çliroi njeriun; (b) ai qetësoi urrejtjen e shenjtë të Perëndisë ndaj mëkatit tonë; (c) ai u bë një shërbyes i mëshirshëm e besnik i cili është në gjendje që të ndihmojë të gjithë ata që vuajnë nën persekutimin e tundimit.

Ai Shkatërroi Punët e Djallit

Pasazhi fillon kështu: “Sepse, duke qenë se bijtë kanë marrë pjesë prej mishi dhe gjaku, po ashtu edhe ai u bë pjesëtar në po ato gjëra, që të shkatërronte, me anë të vdekjes, atë që ka pushtetin e vdekjes, domethënë djallin, 15 edhe të çlironte të gjithë ata që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën. 16 Sepse ai nuk kujdeset për engjëjt, por ndihmon pasardhjen e Abrahamit.” Krishti erdhi të shkatërrojë e çlirojë me anë të vdekjes. Kjo është arsyeja përse Biri i Perëndisë hyri në këtë botë si një njeri. Foljet kryesore të këtij pasazhi janë të shkatërronte, të çlironte dhe të ndihmonte. Jezusi erdhi që të shkatërronte fuqinë e tiranit që mbante botën në skllavëri, Djallit. Folja e dytë, të çlironte, ka si paralele historinë e Moisiut dhe eksodin. Jezusi erdhi që të çlironte popullin e tij. Ky ishte qëllimi i trupëzimit. Po kështu edhe folja e parë, të shkatërronte. Apostulli Gjon shkroi, “prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit” (1 Gjo. 3:8). Si një doktor që shpëton jetën e një pacienti duke i prerë këmbën e gangrenizuar, Krishti na shpëton përmes shkatërrimit. Kjo është deklarata më e shkurtër e plotë e misionit për të cilin Krishti erdhi në botë: Ai erdhi për të vdekur, me qëllim që të përmbyste e shkatërronte mbretërimin e dominimin e Satanit, dhe të çlironte njeriun e robëruar nga frika dhe pushteti i vdekjes.

Këto vargje sigurisht që edhe na kujtojnë gjendjen e vërtetë të racës njerëzore nën realitetin e mëkatit. Njerëzit, “nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën” (v. 15). Ai përmend edhe shtypësin e vërtetë të njerëzimit, djallin, dhe thotë se “që ka pushtetin e vdekjes.” Që në momentin e parë të tërheqjes së prindërve tanë të parë në mëkat, Djalli e ka torturuar e manipuluar e dominuar racën njerëzore përmes frikës së vdekjes.

Nga frika e vdekjes burojnë ankthet, paniku e frikërat e tjera të kësaj bote. Njeriu e mbush ditën e tij me zhurmat e punës, e argëtimit, e kafeneve, e sportit dhe televizorit, në përpjekje për ti shpëtuar idesë, dhe për të mos parë hijen që vdekja hedh mbi tërë jetët tona. Në fakt, edhe qëllimi i sistemit arsimor sekular, qoftë ai publik apo privat, është që të ndihmojë e instruktojë njeriun se si të mos mendojë për Perëndinë, për mëkatin, për vdekjen, dhe si rrjedhim të jetë i lirë. Sigurisht, që kjo është një përpjekje si ajo e strucit. Njeriu nuk mund ti shpëtojë as dorës së Perëndisë dhe as realitetit të vdekjes. Por vdekja nuk është thjesht një ngjarje që pritet të na ndodhë të gjithëve, dhe që pret për ne në vijën e finishit, por mbi të gjitha një fuqi që sundon mbi ne, majaja që tharton të gjitha arritjet tona të kësaj jete, dhe që i mohon shpirtrave tanë paqen.

Ky pra, është problemi që Zoti Krisht erdhi të zgjidhë. Ai nuk erdhi që thjesht të na shpëtojë nga mungesa e lumturisë, nga varfëria fizike, nga sëmundjet apo vështirësitë e kësaj bote. Ai erdhi që të adresojë problemin e vërtetë të racës njerëzore, sundimin e vdekjes për shkak të mëkatit, një sundim që na mban të skllavëruar përmes frikës, dhe që në fund, pasi na ka torturuar tërë jetën, na jep edhe përjetimin e vdekjes, e më pas madje edhe daljen përpara gjyqit të tmerrshëm të Perëndisë.

Dhe kështu, mbi vdekjen, Krishti erdhi të triumfojë përmes veprës së tij shpëtuese. Ai thyen fuqinë e djallit dhe na shpengon përmes vdekjes së vet në kryq. Duke marrë mëkatet tona mbi veten e tij, Jezusi pësoi urrejtjen e Perëndisë që ne meritonim. Në kryq, ai “e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë” (2 Tim. 1:10).

Lexues i Krishterë e besimtar, mos jeto i robëruar nga realiteti i vdekjes që të afrohet çdo ditë. Edhe pse një ditë do të takohesh me vdekjen, nëse je në Krisht, ti je i lirë nga zinxhirët e frikës që ajo shkakton, sepse ti beson se vdekja jote është porta e jetës së përjetshme në lavdi. Nëse i beson Krishtit, dhe nëse ia ke besuar veten tënde, trup dhe shpirt Atij, ti je i çliruar nga “gjemba e vdekjes që është mëkati, dhe fuqia e mëkatit që është ligji” (1 Kor. 15:56). Kjo është çfarë Jezusi bëri në Kryq-Ai të dha ty lirinë nga frika e vdekjes. Dhe kështu, përmes besimit në Krishtin, ti mund të ngazëllehesh në fitoren e Tij, me fjalët e Palit: “O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?” (1 Kor. 15:55).

Ai Qetësoi Urrejtjen e Perëndisë

Vdekja e Krishtit në kryq i drejtohej dy palëve të ndryshme- Perëndisë së shenjtë dhe njerëzve mëkatarë. Prandaj Pali shkroi, “Në fakt një është Perëndia, dhe një i vetëm është Ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: Krishti Jezus njeri” (1 Tim. 2:5). Ekzistenca e një ndërmjetësi do të flet për nevojën për të pajtuar dy palë që janë në armiqësi me njëra-tjetrën. Në këtë kontekst bëhet fjalë për qetësimin e Perëndinë dhe pajtimin e Tij me njeriun. Ati Perëndi, në shenjtërinë e Tij nuk mund të pranojë njerëzit të cilët kanë njollosur veten me mëkatin e tyre, dhe gjenden përpara Tij si një racë e plotë ashtu edhe si individë, të korruptuar e nga mëkati, fajtor dhe të urryeshëm për sytë e tij të shenjtë. Vargu 17 flet për këtë aspekt të veprës së Krishtit që i drejtohet Atit:

Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit.

Ky varg shpjegon se përse Ndërmjetësi, Krishti duhej të ishte jo vetëm plotësisht Perëndi, por edhe plotësisht njeri. Ai duhej të ishte njeri që ti ofronte një shërbim priftëror Perëndisë në emër të njeriut, pra që të qetësonte zemërimin e Perëndisë, dhe të largonte prej nesh urrejtjen dhe zemërimin e drejtë të Perëndisë kundra mëkatit tonë.

Teologu i Mesjetës, Anselmi i Kanterburit (1033-1109), në veprën e tij madhështore Cur Deus Homo, që do të thotë “Përse Perëndia u bë Njeri,” flet për pagesën që duhej bërë për mëkatet tona. Anselmi, duke folur për shpëtimin shkroi: “Nuk do të kishte qenë e mundur nëse njeriu nuk do të paguante atë çfarë i detyrohej Perëndisë për mëkatin tonë. Por ky borxh ishte kaq i madh, saqë, edhe pse borxhli ishte njeriu, vetëm Perëndia mund ta paguante. Si rrjedhim, ndërmjetësi duhej të ishte njëkohësisht njeri dhe Perëndi. Pra, ishte e domosdoshme që Perëndia të merrte në unitetin e personit të Tij, natyrën tonë njerëzore, me qëllim që, ai i cili në natyrën e tij duhej të paguante por nuk mundej, të bëhej personi që mund të paguante.”[1]Prandaj ai duhej t’u ngjante në çdo gjë vëllezërve, që të mund të ishte i mëshirshëm e kryeprift besnik në ato që i përkasin Perëndisë, për për t’u bërë pajtim për mëkatet e popullit” (vargu 17).

Priftërinjtë e Dhiatës së Vjetër përfaqësonin Perëndinë tek njeriu. Për këtë arsye, ata ishin të veshur me lavdi e nder (Eks. 28:2), dhe madje veshja e tyre priftërore ishte menduar e tillë, që të pasqyronte drejtësinë dhe shenjtërinë e Perëndisë tek njerëzit. Por mbi të gjitha, priftërinjtë përfaqësonin njeriun përpara Perëndisë. Kjo ishte arsyeja përse kryeprifti vishte një epod prej ari (Eks. 28:6-12), mbi të cilin qëndronin dymbëdhjetë gurë të çmuar, që mbanin emrat e dymbëdhjetë fiseve të Izraelit.

Në të njëjtën mënyrë, Krishti u bë njeri që të që të mbante emrat tanë mbi supet e tija. Ai është Kryeprifti i vërtetë, pasi vetëm ai është i veshur me një lavdi e nder të vërtetë, si dhe me shenjtërinë e përsosur të atij vetë, të cilin Ai ia ofron Atit në emrin tonë. Si shërbëtori dhe përfaqësuesi ynë, Ai ofroi gjakun e tij të çmuar, jetën e tij hyjnore dhe me një vlerë të pafundme, që të paguante borxhin e mëkatit tonë, pasi vetëm gjaku e jeta e tij, kishin atë vlerë të mjaftueshme për të barazuar dhe kaluar vlerën e borxhit tonë ndaj Perëndisë. Vepra e tij ishte vepra e qetësimit dhe pajtimit të Perëndisë, dhe e largimit prej nesh të urrejtjes së tij për shkak të mëkatit tonë.

Ai Siguroi Ndihmën për Njeriun

Arsyeja e tretë që Perëndia u bë njeri, na jepet në vargun 18: “sepse, duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen.” Së pari, në këtë varg, kundra Docetistëve, kemi një provë të natyrës së vërtetë njerëzore të Krishtit, “duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua.” Për këtë arsye, Krishti është në mënyrë ideale, i përshtatshëm për të na ndihmuar në luftën tonë me tundimin për të mëkatuar. Si në shkretëtirë (Mateu 4:1-11), ashtu edhe në Kopshtin e Gjetsemanisë (Marku 14:32-42), gjatë tërë jetës së tij, por mbi të gjitha gjatë përjetimit të kryqit, Krishti përjetoi të tërë gamën, shtrirjen dhe hapësirën e tundimeve për të mëkatuar në të tërë qenien e çdo aspekt të natyrës së tij njerëzore. Për shkak të këtyre tundimeve, Jezusi i njeh e kupton plotësisht gjithçka që ne mendojmë, ndjejmë e përjetojmë.

Në fakt, ai është akoma dhe më i aftë për tu simpatizuar me vështirësitë tona, dhe akoma edhe më i aftë për të na ndihmuar për shkak se ai nuk mëkatoi kurrë. Disa skeptikë thonë se meqë Krishti nuk është mëkatar, ai nuk është në gjendje që të njohë e kuptojë plotësisht përjetimet njerëzore. Ata thonë se pa përjetimin e korruptimit të mëkatit, Krishti nuk mund të simpatizohet vërtetë me situatën tonë njerëzore. Në fakt e kundërta është e vërtetë, dhe ja se si:

Le të themi se tre persona të ndryshëm bien në të njëjtën situatë dhe fillojnë të përjetojnë të njëjtin tundim apo sfidë në jetë. Person i parë duron tundimin vetëm për pesë minutat e para të saj dhe dorëzohet. Personi i dytë duron të njëjtin tundim vetëm pesëmbëdhjetë minutat e para të saj dhe dorëzohet. Se fundi person i tretë, duron të njëjtin tundim deri në fund të saj (për hir të shembullit, le të themi se zgjat një muaj), dhe nuk dorëzohet por triumfon. Cili prej tyre e ka përjetuar tundimin plotësisht? Ai që e provoi vetëm pesë minuta dhe u tërhoq apo ai që e përjetoi për një muaj të tërë dhe fitoi mbi të? Si mund të thuhet se për shkak të Krishti nuk mëkatoi kurrë, ai nuk është në gjendje që të simpatizohet me situatën tonë. Përkundrazi, sepse ai, ndryshe nga çdo njeri, përjetoi gjithçka deri në fund, sepse ai e piu deri në fund kupën e hidhërimit e të vuajtjes e të tundimit, Ai është i vetmi që mund të simpatizohet vërtetë me situatat tona. Simpatia, keqardhja dhe mirëkuptimi i Krishtit më vuajtjet dhe sfidat e mëkatarëve nuk varet dhe as ka të bëjë aspak me përjetimin apo jo të mëkatit, por me durimin deri në fund të fuqisë dërrmuese të tundimit për të mëkatuar, dhe këtë vetëm ai që ka rezistuar deri në fund e ka përjetuar plotësisht, dhe jo ai që dorëzohet që herët.[2]

Jezusi njohu realisht dhe plotësisht vuajtjen, talljen, përndjekjen, varfërinë e urinë, pagjumësinë e sëmundjen, lotët e kamxhikun, tradhtinë e kryqëzimin. Si rrjedhim, ai ka një njohje dhe keqardhje të vërtetë për të gjitha ata që e gjejnë vetën në këto situata. Prandaj dhe Bibla insiston se Ai është në gjendje që të na ndihmojë. Lexues, Krishti i kupton dhe njeh ato që ti po kalon në këto momente apo segmente të jetës tënde. Ai e dëgjon shumë qartë lëngimin e zemrës tënde. Kthehu tek Ai në lutje sepse zemra e tij qëndron e kthyer dhe e aftë drejt teje.

Por mbi të gjitha, Krishti është në gjendje që të çlirojë ty. Ti mund t’ia besosh veten tënde Atij. Në fakt ti duhet t’ia besosh veten tënde Atij. Vdekja madje, nuk do të cenoj apo lëndojë por do të sjellë ty tek Krishti, tek krahët atërorë të Perëndisë. Ti mund t’ia besosh vetën tënde atij, sot dhe për problemet dhe vështirësitë e sotme. Ai është në gjendje të na ndihmojë, sepse ai lutet pa pushim për ne tek froni i Atit Perëndi në qiell, dhe na ndihmon duke na dërguar në zemrat dhe jetët tona Frymën e Shenjtë, për të na dhënë po atë fuqi që ishte në të. Prandaj edhe Apostulli Pal thotë: “Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, po Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua” (Gal. 2:20). Pavarësisht vështirësive dhe tundimeve të papara më parë për të, për shkak të njohjes së kësaj fuqie të Krishtit në jetën e tij, Pali mund të thoshte: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon” (Filipianëve 4:13).

[1] Anselm of Canterbury, Why God Became Man, in Eugene R. Fairweather, A Scholastic Miscellany: Anselm to Ockham (Philadelphia: Westminster Press, 1961), 176.

[2] B.F. Westcott, The Epistle to the Hebrews: the Greek text, with notes and essays, (London: Macmillan, 1889), 59.