Qoftë bekuar Perëndia edhe Ati i Zotit tonë Jezu Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ringjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish. 1 Pjetrit 1:3
Jetojmë në një botë depresionuese, që përdhos atë që është e shenjtë dhe e shtrenjtë, që inverton vlerat, një botë në të cilën ligësia duket se fiton në çdo raund të ndeshjes, dhe që të shtyn të mos kesh shpresë. Në fakt, shumica e shqiptarëve sot vuajnë nga mungesa e shpresës dhe madje edhe e arsyes për ekzistencë. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Ngado që hedhim sytë shikojmë prova të pafund të mëkatit njerëzor dhe të mallkimit që i ka rënë njeriut për shkak të mëkatit dhe rebelimit tonë kundra Perëndisë. “Mbarë bota e krijuar rënkon dhe është nën mundim,” (Romakëve 8:18-22).
Për shumë metoda e shpëtimit është mendimi pozitiv, arsimimi, punësimi. Shumë të tjerë e shikojnë politikën dhe shtetin si zgjidhja e problemeve të njerëzimit. Por 6,000 vjet histori njerëzore provon të kundërtën. Njerëzimit duhet që ta shikojë realitetin e tij në sy, ta quajë mëkatin “Mëkat!”, dhe të kthehet tek Perëndia, dhe ta kërkojë shpëtimin e ndryshimin, rilindjen dhe jetën e re tek Ai.
Në fakt, Perëndia që na ka krijuar e na do nuk ka ndenjur duar-kryq. Ai ka siguruar rrugën e shpëtimit dhe të ndryshimit. Ky është Ungjilli, Lajmi i Mirë që ne si të Krishterë festojmë sot në këtë ditë Pashke. Ne si të Krishterë besojmë dhe shpallim sot, se ka një lajmë jashtëzakonisht të mirë për këtë njerëzim të zhytur në depresion, ligësi, vuajtje e mungesë shprese. Ky lajm i mirë nuk është se ne duhet të bëjmë diçka për vetën tonë, por se Perëndia ka bërë për ne atë që ne nuk mund ta realizojmë për vetën tonë. Ky nuk është një mendim pozitiv apo ndryshim perspektive, por një realitet i ri i siguruar nga Krishti në hirin dhe fuqinë e Perëndisë.
Apostulli Pjetër, i shkruan tërë të Krishterëve këto fjalë: “Qoftë bekuar Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe, na rilindi për një shpresë të gjallë, me anë të ringjalljes së Jezus Krishtit prej së vdekurish,” (1 Pjetrit 1:3). Një shpresë e gjallë me anë të ringjalljes së Krishtit. Kjo është në fakt jo vetëm çfarë Perëndia ka bërë, por edhe oferta e tij për ne sot. Sepse kjo shpresë, ky lajm i mirë është në fakt mesazhi më i nevojshëm e më i mirë që bota mund të dëgjojë, që ka nevojë të dëgjojë sot. Përse është ngjallja e Jezus Krishtit lajmi më i mirë që bota mund të shpresojë e dëgjojë sot? Arsyet janë të shumta: Sepse është një lajmë i vërtetë i një ngjallje të vërtetë. Sepse vjen pas një mundimi e vuajtje të gjatë të racës njerëzore. Por edhe për shkak se çfarë ajo provon dhe siguron për njeriun. Dhe ky është fokusi i këtij mesazhi.
Çfarë provon dhe siguron ngjallja e Krishtit nga të vdekurit?
Ekzistenca e Perëndisë së Vërtetë
Së pari, ngjallja e Krishtit nga të vdekurit provon që ka një Perëndi dhe që ai është Perëndia i Biblës. Çdo pasojë e ka një shkak. I vetmi shkak i mjaftueshëm që të mund të shpjegojë ngjalljen e Krishtit nga të vdekurit është Perëndia i Biblës. Për ata që e kanë lexuar historinë e Krishtit që gjenden në Ungjijtë, e dinë që kur ai ishte dhe shërbeu këtu në tokë, ai foli shumë për Perëndinë e vërtetë dhe rrugën e shpëtimit. Perëndinë ai e quante “Perëndia i Abrahamit, Isakut dhe Jakobit,” me fjalë të tjera, Perëndia i Biblës dhe dashuria e Tij për njerëzimin, së bashku me zgjidhjen që ky Perëndi i jepte problemit njerëzor, ishte për çfarë predikoi Krishti.
Por Krishti gjithashtu tha edhe se njerëzimi do ta kryqëzonte dhe do ta vriste. Ai dha edhe shumë e shumë detaje se si do të ndodhte kjo gjë. Por ai gjithashtu tha edhe se pas tri ditësh i vdekur, Perëndia i Biblës, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit do ta ngjallte Krishtin nga të vdekurit. Kjo ishte një deklaratë e jashtëzakonshme dhe e pamundur për tu plotësuar në çfarëdolloj mënyre. Për shekuj e mijëvjeçarë, njerëzit kanë ardhur në këtë botë përmes lindjes dhe kanë dalë prej saj përmes vdekjes për të mos u rikthyer më kurrë. Por ky njeri, Ky Jezus i titulluar Krisht, nuk heziton që të deklarojë se historia e tij do të jetë absolutisht tjetër dhe e kundërt nga jeta e çdo njeriu tjetër të zakonshëm që ka jetuar para apo pas tij.
Ky në vetvete ishte testi i madh për Perëndinë që Krishti predikonte, për ekzistencën e tij, për fuqinë e tij, për dashurinë e tij për njerëzimin. Dhe Perëndia i Krishtit, Perëndia i Biblës e provoi veten e tij të ishte Perëndia i vërtetë, i dashurisë, i shpëtimit, në fakt Perëndia i jetës dhe jo i vdekjes. Perëndia i Biblës bëri për Krishtin pikërisht të gjitha ato gjëra që Krishti pat thënë se ai do të bënte. Ngjallja e Krishtit nga vdekja, pas tri ditësh në varr, është prova e patjetërsueshme që Perëndia që i bëri këto gjëra vërtetë ekziston dhe se është Perëndia i vërtetë.
Hyjnia e Jezus Krishtit
Së dyti, ngjallja e Krishtit nga të vdekurit provon edhe identitetin hyjnor të Jezus Krishtit. Kur Jezus ishte në tokë, ai deklaroi se ishte një dhe i barabartë me Perëndinë, dhe që Perëndia i Biblës do ta ngjalltë atë pres së vdekurish, tre ditë pas ekzekutimit me kryqëzim nga autoritetet Romake. Nëse nuk do të ndodhte kështu, atëherë Jezusi i Nazarett isht ose një lunatik, një i çmendur i shkallës së parë, ose një mashtrues par-exellent, ose një blasfemues pa pikën e respektit për të shenjtën dhe Perëndinë. Nëse fjalët e tij do të dilnin të vërteta, atëherë ai ishte me të vërtetë Biri i Perëndisë, në fakt vetë Perëndia i mishërizuar në trup njeriu e i zbritur në tokë për bekimin e shpëtimin tonë.
Por fakti i ngjalljes së Krishtit nga të vdekurit, me të vërtetë provoi se ai jo vetëm se thoshte të vërtetën, për sa i përket shpëtimin të njerëzimit nga mëkatit, por mbi të gjitha, se ai ishte vërtetë Perëndi. Ngjallja e Krishtit nga të vdekurit ishte vula e Perëndisë që certifikonte deklaratën e Krishtit se ai ishte Perëndi. Apostulli Pal, disa vite më vonë do të shkruante për rëndësinë e ngjalljes këto fjalë: “Jezus Krishti…lindur nga fara e Davidit sipas mishit…deklaruar Bir i Perëndisë në fuqi, sipas Frymës së shenjtërisë nëpërmjet ringjalljes prej së vdekurit,” (Romakëve 1:2-4). Ky është lajm i mirë. Nëse Krishti ishte Perëndia i mishëruar, nëse Jezusi është Perëndi, atëherë Perëndia është si Jezusi. Pra, Perëndia i vërtetë, ai i Biblës, nuk është një Perëndi distant dhe i painteresuar për ne, as arbitrar, por një Perëndi i mirë, një Perëndi i dashurisë, një Perëndia që na deshi ne aq shumë sa që erdhi në mesin tonë, mbarti mbi veten e tij hallet, mëkatet, fajet e mallkimet tona dhe e dha veten e tij si shpagim për të na çliruar ne. Perëndia erdhi tek njeriu, dhe vdiq në vend të njeriut, për të paguar për borxhin e njeriut ndaj Perëndisë. Që vetë Perëndia i ka bërë këto gjëra për ne në personin dhe veprën e Jezus Krishtit u vërteta nga ngjallja e tij prej së vdekurish.
Shfajësimi nga Perëndia
Së treti, ngjallja e Krishtit nga të vdekurit provon edhe shfajësimin tonë nga Perëndia. Të gjithë ata që i besojnë Jezus Krishtit, që kapen pas këtij Perëndie të mishëruar përmes krahëve të besimit, janë të shfajësuar nga Perëndia në tribunalin e Perëndisë. Bibla thotë se Jezus Krishti “u dha për shkak të fyerjeve tona, dhe u ringjall për justifikimin tonë (shfajësimin)” (Romakëve 4:25).
Si funksionon kjo gjë? Jezusi pat deklaruar se vdekja e tij to të shlyente fajin dhe borxhin që njeriu i ka Perëndisë. Ai tha se “Biri i njeriut erdhi…për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve,” (Mateu 20:28). Dhe ai vdiq edhe siç tha se do të vdiste. Lexojmë në Bibël gjithashtu edhe se “Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne…në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, por akoma dhe më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij,” (Romakëve 5:8-10). Pra, vdekja e Jezusi shlyen mëkatin e njeriut, sipas Jezusit dhe Biblës. A është kjo e vërtetë? Cila është prova që kemi?
Apo e thënë ndryshe, çfarë sigurie kemi që Perëndia e pranoi sakrificën që Krishti bëri për ne si të plotë dhe të mjaftueshme? Po sikur Krishti të ketë mëkatuar ndërsa ai ishte në tonë? Kjo do ta bënte sakrificën e Krishtit të vlefshme vetëm për vetën e tij, për shlyerjen e vetvetes dhe “nuk do të ngelte gjë për ne të tjerët,” nga sakrifica e tij! A mëkatoi Krishti? Apo e ruajti ai shenjtërinë tij për ne? A ishte e mjaftueshme sakrifica e tij për ne? A u pranua sakrifica e tij për ne nga Perëndia Ati?
Kalojnë tre ditë dhe Krishti ngjallet nga të vdekurit. Ngjallja e tij vërtetoi deklaratat e Krishti. Ngjallja e tij provoi se ai ishte i pamëkatë deri në fund, i shenjtë e i pranuar nga Perëndia. Ngjallja e tij gjithashtu provon edhe se sakrifica e tij ishte e shenjtë, e plotë, e mjaftueshme dhe e pranuar nga Perëndia si e tillë. Vdekja e tij në kryq ishte pagesa për mëkatet tona. Ngjallja e tij ishte prova se jemi të shfajësuar, të shpaguar, të justifikuar në tribunalin e Perëndisë. Ngjallja është si të thuash mandati i arkëtimit. Pagesa është ofruar dhe pranuar. Ne jemi të lirë nga faji, dënimi dhe mallkimi i mëkateve tona. Prandaj dhe Apostulli Pal thotë: “Kush është ai që do të padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Perëndia është ai që i shfajëson! Kush është ai që do ti dënojë? Krishti është ai që vdiq, por për më tepër u ringjall; Ai është në të djathtë të Perëndisë dhe ndërmjetëson për ne!” (Romakëve 8:33-34).
Fuqi për një Jetë të Re
Së katërti, ngjallja e Krishtit nga të vdekurit provon se besimtari, në fuqinë e Krishtit, ka një fitore të mbinatyrshme mbi mëkatin në jetën e tij, sepse Jezusi i siguroi atij përmes kësaj ngjallje fuqi të mbinatyrshme për këtë gjë. Ose pak më shkurt: Ngjallja e Krishtit na fuqizon ne për një jetë të re. Ngjallja e Krishtit është burimi i shpresës së gjallë që ne kemi për të fituar luftën tonë kundra mëkatit që vazhdon e militon në qenien tonë. Kur ne i besojmë Krishtit, që është vepër e Frymës së Shenjtë, ne në fakt i bashkohemi Krishtit, futemi në një union me atë, dhe kështu çdo ditë e më shumë, ne vdesim me atë për sa i përket mëkatit dhe jetojmë me të një jetë të re. Bibla deklaron se “Në [Krishtin] që vdiq, vdiq për mëkatin një herë e për gjithmonë; por në atë që rron, rron për Perëndinë. Kështu edhe ju, konsideroheni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Jezus Krishtin, Zotin tonë,” (Romakëve 6:10-11). Në mënyrë të ngjashme lexojmë edhe disa vargje më poshtë që “Në qoftë se Fryma e Atij që e ngjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ngjalli Krishtin prej së vdekurish do t’ju japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me atë të frymës së tij që banon në ju,” (Romakëve 8:11, krahasoje me Efesianëve 2:4-6; Kolosianëve 3:1-4; 2 Korintasve 5:17).
Mesazhi i Pashkës, lajmi i mirë i ungjillit është që kushdo që i është bashkuar Krishtit me anë të besimit, ka pjesën e tij në fitoren e Krishtit mbi mëkatin dhe vdekjen. Kjo pjesë që besimtarët kanë në fitoren e Krishtit, nuk është thjesht një status përpara Perëndisë, por një gjendje e re bindje. Ata që ia kanë bashkuar vetën Krishtit të kryqëzuar e të ringjallur nuk janë më nën dominimin e mëkatit, nuk janë më skllevër të mëkatit, por janë bërë “skllevër” të drejtësisë së Perëndisë (Romakëve 6:18).
Kjo është hipokrizia e të gjithë atyre që e quajnë veten besimtarë Ungjillorë, Katolikë apo Ortodoksë, por që e nxjerrin besimin e tyre nga sirtari vetëm për Pashkë e për Krishtlindje, i pastrojnë pluhurin, dhe mendojnë apo shpresojnë se kanë ndonjë pjesë me Krishtin. Këta veprojnë sikur mund të deklarojnë se “Krishti u Ngjall!” gjatë pashkës por pa e deklaruar atë me vepra gjatë vitit, se mund të rrëfejnë Krishtin një herë në vit por pa pasur pjese në jetën e re të Krishtit. Bibla insiston se “nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë shkuar, dhe gjërat u bënë të reja,” (2 Korintasve 5:17).
Ngjallja e Besimtarëve nga Vdekja
Së pesti, ngjallja e Jezusit nga vdekja provon edhe jetën tonë të përjetshme me Jezusin, në lavdinë përtej varrit. Ngjallja e Jezusit premton dhe garanton edhe ngjalljen tonë të lavdishme nga të vdekurit, dhe jetën tonë të përjetshme me Perëndinë. Vini re premtimin e Krishtit. Pak para se sa Krishti të kryqëzohej ai premtoi kështu: “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndinë, besoni dhe në mua! Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa, unë po shkoj t’ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t’ju përgatit vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju,” (Gjoni 14:1-3). A po përgatit Krishti një vend për ne tek Ati? A mund ti besojmë fjalës së tij? Ngjallja e tij deklaron se premtimi i tij është i vërtetë dhe se ai u ngjall që të përgatisë atë vend të përjetshëm për ne.
Ngjallja e Krishtit është edhe garancia e jetës tonë të përjetshme, e ngjalljes tonë. Ky është argumenti i gjatë dhe i detajuar i Apostullit Pal tel kapitulli i pesëmbëdhjetë i Letrës së Parë Drejtuar Korintasve. Thelbi i argumentit të tij atje është se nëse nuk ka ngjallje për besimtarët nuk ka as për Krishtin, sepse ngjallja e Krishtit është e lidhur pazgjithmërisht me ngjalljen e të gjithë atyre që i besojnë atij:
“Por tani Krishti u ngjall prej së vdekurish, dhe është fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi edhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj edhe ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij.” (1 Korintasve 15:20-23)
Ngjallja e Krishtit është ngjallja jote, jeta e përjetësomë e Krishtit është jeta jonë, se jeta jonë është e fshehur në atë të Krishtit, kur i kemi besuar atij.
Një Shpresë e Gjallë
Në mes të kësaj bote që jetojmë, ngjallja e Jezus Krishtit është gjithnjë për besimtarët themeli i një shprese të madhe, i një shprese të gjallë. Prandaj dhe Apostulli Pjetër, dhe ne me të sot, plot gëzim themi “Qoftë bekuar Perëndia dhe Ati i Zotit tonë Jezus Krisht, i cili me anë të mëshirës së tij të madhe, na rilindi për një shpresë të gjallë, me anë të ringjalljes së Jezus Krishtit prej së vdekurish,” (1 Pjetrit 1:3). Ne kemi një shpresë të vërtetë, të bazuar mbi një peron të vërtetë, të gjallë, hyjnor, i cili fitoi për ne mbi mëkatin, mbi vdekjen, e madje edhe mbi këtë botë. Shpresa që kemi nuk bazohet në fuqinë apo meritat tona, as në politikën a shtetin, as në fuqinë e arsimimit apo të menduarit pozitiv. Shpresa jonë është në fakt një person. Prandaj është e gjallë. Shpresa jonë është vetë personi i gjallë i Jezus Krishtit.
Ngjallja e tij është pika e kthimit në historinë e shpëtimit mbarëbotëror. Sot, ne jetojmë në pritshmërinë fryteve që pasojnë ngjalljen e Zotit tonë. Jetojmë me pritjen e Ardhjes së Dytë, kur forca e plotfuqishme e Perëndisë në Krishtin, ajo forcë që mundi mëkatin, shkatërroi vdekjen, dhe mundi djallin, do të na shpaloset plotësisht.
Ngjallja e Krishtit nga vdekja është një lajm i mirë edhe sepse kërkon me detyrim prej nesh reagimin tonë. Ka disa lajmë që nga natyra e tyre janë të kufizuara. Kur një parti fiton zgjedhjet, për shembull, ky është një lajm i mirë për ndjekësit e saj, por jo për ndjekësit e palës tjetër. Gati çdo lajm i mirë njerëzor e ka këtë natyrë të kufizuar, nuk është një lajm i mirë për të gjithë. Por nuk është kështu me Ungjillin e Perëndisë. Ngjallja e Krishtit nga të vdekurit është një lajm i mirë për tërë njerëzimin, sepse përfitimet e Kryqit dhe të ngjalljes së Krishtit mund ti aplikohen kujtdo që kthehet tek Perëndia përmes besimit tek Krishti. Ky është lajmi dhe oferta e mirë e Krishterimit. Kjo është zemra e Krishterimit. Krishterimi i vërtetë është Krishti, i kryqëzuar për ty, i ngjallur për ty.
5 Prill, E Diela e Pashkës 2015