“Bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten. 23 Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë; 24 ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.” Jakobi 1:21-24
Kisha dhe çdo i Krishterë është i thirrur dhe i shpëtuar nga Perëndia, që të jetojmë me Perëndinë dhe për lavdi të Perëndisë, jo për idhujtari por për adhurim, jo për rebelim por për bindje në dashuri e çdo vepër të mirë. Si mund të jemi ne një “fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar,” siç shkruan Pjetri, i cili na jep edhe qëllimin e ekzistencës tonë si kishë dhe si të Krishterë, kur shkruan, “që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pje. 2:9)? Si mund të jemi një kishë e tillë? Si mund të shpallim mrekullinë e Perëndisë? Madje, edhe si mund të jemi të Krishterë të shëndetshëm në një kishë lokale të shëndetshme? Përgjigja e të gjitha këtyre pyetjeve është kjo: Në duhet të jemi një popull i Librit. Ne duhet të jemi një popull që dëgjon e ia nënshtron veten Fjalës së Perëndisë, dhe që bën e praktikon Fjalën e Perëndisë. Ne duhet të jemi dëgjues dhe bërës të fjalës. Pastori apostolik na urdhëron, “Bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues” të saj.
Dëgjues dhe Bërës
Sigurisht që dëshira e Kryebariut tonë, e Krishtit, si dhe e çdo pastori normal në këtë botë, është që asnjë besimtar as të mos gënjehet nga kjo botë, dhe as të mos gënjejë vetveten, por të jetë i bekuar në Krishtin. Dëshira jonë është që ne të jemi jo vetëm marrës të hirit shpëtues të Krishtit që vjen lirshëm dhe falas drejt çdo njërit prej nesh, por edhe që ne të gjithë të përjetojmë në mënyrë rritëse e progresive hirin transformues të Krishtit, një hir që na vjen për shkak të dashurisë së Krishtit, me një dëshirë për ta lartësuar Krishtin. Qëllimi i këtij pasazhi, vullneti i Perëndisë për jetën tonë është që në të shkojmë nga pika ku jemi dëgjues të Fjalës në bërës efektivë dhe të qëllimshëm të Fjalës.
Dy janë presupozimet bazë të miat dhe të këtij pasazhi:
Së pari, leximi, studimi dhe dëgjimi i predikimit të Fjalës së Perëndisë është mjeti kryesor hyjnor i caktuar nga Perëndia për rritjen dhe mbarëvajtjen tonë shpirtërore. Sigurisht që nuk është i vetmi mjet. Pagëzimi dhe Darka e Zotit, lutja e agjërimi, shërbimi e madje edhe sprovat e kësaj jete janë mjete që Perëndia përdor për rritjen tonë shpirtërore. Por, mjeti primar është Fjala e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse Apostulli Pal deklaron, “Sepse Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj ungjillin” (1 Kor. 1:17), dhe se “Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit” (1 Kor. 1: 21).
Së dyti, Marrëdhënia e besimtarit me Fjalën e Perëndisë përpara dhe pas predikimit të saj është faktori më i rëndësishëm në të qenit një bërës i Fjalës dhe jo vetëm një dëgjues i saj. Pali e afirmon këtë deklaratë tek Veprat 17:11, ku lexojmë për besimtarët në qytetin e Bereas. Pasazhi i përshkruan këta të “ishin më fisnikë nga ndjenjat se ata të Thesalonikit.” Përse? Sepse kishin dy cilësi kryesore. Së pari, ata “e pranuan fjalën me gatishmëri të madhe,” që do të thotë se ata në mënyrë të qëllimshme kishin prioritet predikimin dhe zbërthimin besnik të Fjalës së Perëndisë. Së dyti, ata jetoni “duke i shqyrtuar çdo ditë Shkrimet për të parë nëse këto gjëra ishin ashtu.” Pra, ata në mënyrë të qëllimshme dhe personale i përkushtoheshin studimit të Shkrimit ndërsa reflektonin pas shërbesës e gjatë ditëve të javës mbi ato gjëra që u qenë predikuar nga Shkrimi. Këta kishin një marrëdhënie me Fjalën si përpara ashtu edhe pas leximit dhe predikimit të saj. Pra, nga njëra ana ata ishin të mësueshëm sepse dëshironin që të mësonin nga një predikim ekspozues dhe besnik i Fjalës, dhe nga ana tjetër ata gjithashtu ishin dallues dhe jo të mashtrueshëm, gjë që vinte nga studimi me prioritet i Fjalës së Perëndisë.
Të dyja këto elemente janë të rëndësishme. Ne nuk mund as të rritemi dhe as të jemi të shëndetshëm nëse nuk dimë së çfarë duhet të bëjmë. Imagjinoni një familje, në të cilën babai ka ikur në emigrim. Pas i ka lënë fëmijëve një seri letrash ku i instrukton ata se si duhet të mbajnë me nder emrin e familjes dhe se si duhet të kujdesën për njëri-tjetrin dhe biznesin e familjes. Imagjinoni sikur këta fëmijë ti ruanin si të shtrenjta letrat e babait të tyre, duke mos i hapur e duke mos i lexuar kurrë ato. A nuk do të ishte e pamundur që këta fëmijë të administronin dhe përfaqësonin siç duhet emrin dhe qëllimin e atit të tyre? E njëjta gjë është edhe me kishën dhe besimtarët në të nëse do të injoronim Fjalën e Perëndisë. Jeta e Krishterë nuk jetohet përmes imagjinatës apo intuitës njerëzore por përmes zbulimit hyjnor. Askush nuk mund ti mashtronte Bereasit fisnikë, sepse duke qenë të mësueshëm ata edhe ishin të pamashtrueshëm.
Dy Lloje Njerëzish
Nëse për ndonjë çast, tundoheni nga mendimi se kjo gjë është diçka e diskutueshme, apo jo bardh-e-zi, vini re faktin që Bibla dhe historia e njerëzimit ka provuar me mijëra herë, se ka vetëm dy lloje njerëzish në këtë botë. Ata që dëgjojnë dhe bëjnë Fjalën e Perëndisë, dhe ata nuk jetojnë kështu. Nuk ka tonalitete gri në këtë çështje.
Që nga momenti kur Adamin dhe Even i përzunë nga Kopshti i Edenit sepse nuk iu bindën Fjalës së Perëndisë, i tërë njerëzimi është i ndarë në dy kampe kundërshtare: ata që i binden Fjalës së Perëndisëdhe ata që nuk i binden Fjalës së Perëndisë. Shembuj?
Abeli adhuroi në përputhje me Fjalën e Perëndisë, ndërsa Kaini jo. Noeu iu bind, ndërsa ndërtuesit e kullës së Babelit nuk iu bindën Fjalës së Perëndisë. Abrahami dëgjoi dhe ndoqi Perëndinë, ndërsa gruaja e Lotit jo. moisiu dëgjoi dhe shërbeu, Faroni rrezistoi dhe u shkatërrua. Davidi dëgjoi dhe iu bind Perëndisë, ndërsa bijtë e tij jo. Zakeu ndoqi fjalën e Krishtit ndërsa Pilati jo. Pali iu bind Fjalës shpëtuese, ndërsa farisenjtë e tjerë të tribusë se tij jo.
Historia biblike katër mijëvjeçare, dhe historia gjashtë mijëvjeçare e njerëzimit na mëson se cfarë ndan e dallon popullin e Perëndisë nga jobesimtarët dhe mashtruesit apo të vetëquajturit besimtarë në gjirin e kishës është qëndrimi ndaj Fjalës së Perëndisë. Populli i Perëndisë dëgjon dhe bën Fjalën, ndërsa të tjerët jo.
Merr në konsideratë Librin e Besëlidhjes së Ripërtërirë. Gati i tërë libri përbëhet nga tre predikime që zgjaten për gati tridhjetë kapituj. Dhe të tëra ato mund të përmblidhen në tre fjalë: “Dëgjo, bëj, shkruaj.” Moisiu i tha këto fjalë ndërsa qëndronte për herë të dytë, në kufijtë e Tokës së Premtuar. Ai e dinte që vetë nuk do të hynte në të. Por nuk donte që kjo përpjekje e dytë nën Jozueun të dështonte si e para nën drejtimin e tij. Dhe kështu për tridhje kapituj u thotë, “ Dëgjoni dhe bëni.” Në fund, Moisiu u thotë: “zgjidh, pra, jetën që të mund të jetoni ti dhe pasardhësit e tu, 20 dhe të mund ta duash Zotin, Perëndinë tënd, t’i bindesh zërit të tij dhe të qëndrosh i lidhur ngushtë me të, sepse ai është jeta jote dhe gjatësia e ditëve të tua” (LiP. 30:19-20). Zgjidh jetën, jini jo vetëm dëgjues i Fjalës por edhe bërës i saj. Populli i Perëndisë do ta gjeje jetën ekskluzivisht vetëm përmes dëgjimit të Fjalës së Perëndisë dhe bërjes së saj.
Ky mesazh nuk ndryshon as në Dhiatën e Re. Sipas Rom 10:17, Perëndia na shpëtoi nga vargonjtë e mëkatit dhe të vdekjes vetëm pasi dëgjuam dhe iu bindëm Fjalës së Perëndisë.
Ka që thonë se qëllimi i Kishës nuk është të jetë e fokusuar brenda vetes por jashtë saj, jo të rrijë e mbyllur duke lexuar Biblën por jashtë duke bërë ungjillëzim. Përgjigja ime është kjo: Fokusi i Kishës nuk është as brenda dhe as jashtë saj, por lart. Qëllimi i Kishës është që të shpalosë karakterin e Perëndisë, mrekullinë e natyrës së Perëndisë dhe këtë ne e bëjmë edhe përmes ungjillëzimit. Krishti urdhëroi: “Ndiqmëni mua dhe unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish,’ (Mateu 4:19). Apo, “Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju” (Gjoni 20:21). Kur ne bëjmë ungjillëzim dhe përfshihemi në mision, ne e bëjmë këtë në përputhje me dhe në bindje të Fjalës së Perëndisë.
Aq më tepër që historia e Kishës dhe e njerëzimit nuk flet për ata që ungjillizojnë dhe atyre që nuk ungjillizojnë, për flet për ata që i binden Fjal;ës dhe ata që nuk i Binden Fjalës së Perëndisë. Kjo është cfarë e përkufizon në thelb Kishën.
Për këtë arsye, Krishti iu përgjigj tundimit të Satanit me fjalët , “Është shkruar: “Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë” (Mateu 4:4). Prandaj edhe fjalët e fundit të tij ndaj dishepujve ishin, “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar” (Mateu 28:19-20).
Prandaj edhe ato shëmbëlltyrat e farës që mbillet në katër lloje të ndryshme toke, flasin për Fjalën e Perëndisë që mbillet në lloje të ndryshme zemre, dhe që japin rezultate të ndryshme. Aty ku ajo shoqërohet me vepra thuhet se jep fryt dhe ka jetë. Aty ku nuk ka fryte, ajo është e vdekur.
Për këtë arsye, Luka e përshkruan veten e tij si një dëshmitar okular dhe shërbëtor të Fjalës (Luka 1:2), dhe se Krishti tha “Me tepër lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë” (Luka 11:28).
Prandaj edhe Gjoni thotë se fjalët e fundit që Pjetri dëgjoi prej Krishtit ishin, tre here radhazi, “Ushqeji delet e mia” (Gjoni 21:15-17). Ushqeji me Fjalën e Perëndisë.
Sepse Kisha dallohet prej dëgjimit dhe bërjes së Fjalës, edhe besimtarët e grumbulluar të Kishës Apostolike, “ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje” (Veprat 2:42).
Prandaj edhe Pali u tha Romakëve se “Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë” (Rom. 10:17). Apo u tha Korintasve se “mesazhi i Kryqit është fuqi e Perëndisë për shpëtim (1 Kor. 1:18), dhe më pas shton se “duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit,” (1 Kor. 1:21). Dhe në letrën e dytë shtoi se “Ne në fakt nuk falsifikojmë fjalën e Perëndisë, si shumë të tjerë, por flasim me sinqeritet si nga ana e Perëndisë, përpara Perëndisë në Krishtin” (2 Kor. 2:17). Prandaj edhe u shkroi Galatasve se “Në qoftë se dikush ju predikon një ungjill tjetër nga ai që keni marrë, qoftë i mallkuar” (Gal. 1:9).
Prandaj edhe urdhri apostolik për Timoteu dhe tërë Kishën që do të caktonte më pas pastorë e misionarë të Fjalës është që ata duhet të jenë të aftë që të predikojnë, ndërsa dhjakët duhet të jenë në gjendje që “ta ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër” (2 Tim. 3:2, 9).
Timoteu dhe tërë pastorëve të tjerë ai u tha: “prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë. 3 Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët 4 dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave” ( 2 Tim. 4:2-4).
Prandaj dhe autori i Letrës drejtuar Hebrenjve paralajmëron, “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës” (Heb. 4:12).
Prandaj dhe Jakobi tha se Perëndia “na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës,” dhe pastaj shton, “por mos jini vetëm dëgjues të Fjalës, por edhe bërës të saj,” (Jakobi 1:18, 22).
Prandaj dhe Gjoni shkroi në letërn e tij, “Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të. 6 Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai” (1 Gjo. 2:5-6). Dhe më pas, se “Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të” (2 Gjo. 6). Dhe më pas shtoi, se për atë si pastor dhe apostull i Krishtit, “Nuk kam gëzim më të madh nga ky: të dëgjoj se bijtë e mi ecin në të vërtetën” (3 Gjo. 4).
Prandaj edhe më pas, në Librin e Zbulesës, ai regjistroi Fjalët e Krishtit drejtuar kishës në Filadelfia, “E di që ke pak forcë, por ti e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim” (Zbu. 3:8).
Zgjidh Jetën
Kisha e gjen jetën e saj që ti lindë, ti forcohet e ti shumohet ndërsa dëgjon dhe bën Fjalën e Perëndisë. Kisha e gjen qëllimin e saj ndërsa…zgjedh jetën, ndërsa jeton dhe shpalos Fjalën e Perëndisë. Detyra e Kishës është që ta dëgjojë Fjalën dhe të jetë jehona dhe oshtima e saj. Shumë misiologjistë e studiues janë të preokupuar me gjendjen dhe të ardhmen e kishës. Ata sugjerojnë se kisha duhet të jetë e ndjeshme ndaj botës jashtë, se duhet ti përshtatet botës jashtë, strategjike apo e matur dhe e kujdesshme me të. Kisha në fakt duhet ti qëndrojë besnike Perëndisë, Fjalës së Tij, e ndjeshme ndaj saj, duhet të jetë e kujdesshme me Fjalën, dhe ti përshtatet asaj e madje të transformohet prej saj.
Ne jemi si Kisha e Dhiatës së Vjetër, nën Moisiun dhe Jozueun, që përgatitej që të futej për herë të dytë në tokën e Premtuar. Perëndia i thotë Kishës dhe të Krishterëve, Dëgjo Kishë, dhe bindu, dhe ndiq. Zgjidh jetën!” Aq më tepër që në ndryshim nga Kisha e Dhiatës së Vjetër, Kisha e Besëlidhjes së Re ka të plotë zbulesën e Perëndisë në personin e Jezus Krishtit, Frymën e Shenjtë të Birit të tij, dhe përfundimisht të plotë edhe Fjalën e Shkruar të Perëndisë, Biblën.