Eja, Eja Emanuel

Eja, Eja Emanuel

EJA, EJA, EMANUEL është një prej himneve më të njohura që këndohet zakonisht nëpër shërbesat e kishave gjatë periudhës së Krishtlindjeve. Ky himn vjen nga periudha e Mesjetës së Hershme, rreth viteve A.D. 800, si një antiofon, apo himn, dhe që u kthye vargje metrike rreth viteve 1100, dhe më vonë u publikua në Latinisht në vitin 1710. Himni u rizbulua më vonë, u përkthye në anglisht dhe u publikua në vitin 1851 nga John Mason Neale, një pastor Anglikan. Më pas ai u bë i njohur edhe në gjuhë e vende të tjera si pasojë e influencës Britanike në të gjithë botën.

Kuptohet se të gjitha ata që e këndojnë këtë himn e dinë që po i këndojnë Lindjes së Krishtit. Por çfarë është e veçantë për këtë himn është mënyra se si e shtjellon Lindjen e Krishtit. Si çdo këngë tjetër e suksesshme, himni e shtjellon mesazhin përmes narrativës, përmes tregimit të historisë së ardhjes së Krishtit në këtë botë. Kështu, himni fillon me “hijet” e Dhiatës së Vjetër dhe kalon në dritën e Dhiatës së Re me zbulesën e Perëndisë në Krishtin. Himni ecën në gjurmët e temave të Eksodit të Izraelit të vjetër, dhe përfundon me mesazhin eskatologjik të eksodit të fundit që filloi me Lindjen e Mesias.

Mund ta shikojmë këtë shpalosje progresive të planit shpengues apo shpëtues të Perëndisë nëse shkojmë fillimisht në Dhiatën e Vjetër për të parë ekxilin e Izraelit në Babiloni.

Vajtimi në Mërgimin Vetmitar

Në ditët e para të Izraelit si komb, Perëndia e nxori popullin e tij nga skllavëria e Egjiptit, bëri një besëlidhje me ta, dhe nisi ti drejtonte për në tokën e premtuar që ia kishte premtuar përmes një betimi Abrahamit e pasuesve të (Zan. 15:18-21). Por Izraeli, ishte një popull grindavec, plot ankesa e pa besim për tu futur në Tokën e Premtuar, si dhe për të besuar premtimet e ungjillit nga Perëndia (Heb. 3:18-4:2). Pas endjes për dyzetë vite në shkretëtirë, pasi mblodhën mendjen për ti besuar e shërbyer Perëndisë, pasi kuptuan se bekimi kalon përmes rrugës së besimit dhe bindjes në mënyrë të detajuar të instruksioneve të Perëndisë lexojmë për hyrjen në Tokën e Premtuar. Hyrja në Tokën e Premtuar nën Kalebin e Jozueun sigurisht që ishte një fillim i ri ngazëllues e plot shpresa.

Por në vigjilje të hyrjes në bekim, Moisiu u shkroi një këngë profetike të frymëzuar nga lart. Kënga ishte e plot lavdërime për Zotin e tyre të Besëlidhjes, por gjithashtu edhe fliste për mëkatin dhe rebelimin e ardhshëm të Izraelit (Li.R. 32:20-24). Profecia e paralajmërimi u përmbush. Izraeli jetoi një jetë plot ankesa e rebelim, idhujtari e tradhti ndaj Perëndisë, dhe si rrjedhim përfundoi e shpronësuar, e robëruar dhe në mërgim në Asiri e Babiloni. Mbretëria e veriut e Izraelit u pushtua dhe u morr në mërgim nga Asirianët në shekullin e 8-të B.C., ndërsa mbretëria e jugut e Judenjve u morr në mërgim me forcë nga Babilonasit në shekullin e 6-të B.C.

Kuptohet që të shumta kanë qenë kombet që kanë vuajtur nën pushtimin e kombeve të tjera apo edhe që janë marrë rob nga vendi i tyre e kanë përfunduar si komb në tokë të huaj. E veçanta e mërgimit të Izraelit në Babiloni qëndron në faktin, se ndryshe nga kombet e tjera, Izraeli ishte i vetmi komb me të cilin Perëndia pat bërë një besëlidhje. Ashtu siç Perëndia e pat vendosur Adamin, njeriun e parë si një bir të parëlindur (Luka 3:38), në kopshtin-tempull të Edenit, po kështu, Ai i pat dhënë Izraelit, birit shpirtëror të parëlindur nga të gjitha kombet e tjera (Eksodi 4:22), një tokë të begatë nga e cila buronte qumësht e mjaltë, por që mbi të gjitha ishte veçuar që të përjetonte prezencën personale të Perëndisë.  Ashtu siç Perëndia ecte me Adamin në freskinë e ditës në kopshtin-tempull të Edenit (Zan. 3:8), ashtu Perëndia do të ecte me Izraelin në këtë Tokë të Premtuar dhe më së fundi të dhuruar, në mes të tabernakullit (Lev. 26:11-12; 2 Sam. 7:6). Por ashtu si Adami, edhe Izraeli mëkatoi, gjë që e bëri profetin Hozea që të thërrasë plot dhimbje: “Por, si Adami, ata kanë shkelur besëlidhjen, kanë vepruar me mashtrim ndaj meje” (Hosea 6:7).

Si dënim për mosbindjen, ashtu siç edhe me Adamin, Perëndia e dëboi popullin e Izraelit nga prezenca  tij. Izraeli u morr me forcë në ekzil në Babiloni, nga ku vajtonte e përgjërohej për prezencën e Perëndisë, nga ku përgjërohej që Perëndia ti shpengonte ata përsëri nga kjo robëri e re e ti kthente në tokën e tyre. Por besnikët e paktë të “mbetjes” nuk dëshironin vetëm kthimin në tokën e tyre, por mbi të gjitha që Perëndia që qëndronte sërish në mes të tyre, që ata të jetonin sërish në prezencën e plotë dhe personale të Perëndisë së tyre (Psalmi 137:1-4). Dhe ndërsa Izraeli vajtonte e lutej në mërgim përgjatë bregut të lumit të Babilonisë, ende kishte shpresë për shpengimin e bekimin e tyre.

Sigurisht që shume e kishin të bazuar në mënyrë të logjikshme këtë shpresë në premtimet e Perëndisë të bëra përmes profetit Isaia: “Prandaj vet Zoti do t’ju japë një shenjë: Ja, e virgjëra do të mbetet me barrë dhe do të lindë një fëmijë të cilin do ta quajë Emmanuel.” (Isa. 7:14). Do ti dhurohej Izraelit një fëmijë, Ai që do ta çlironte përfundimisht Izraelin, në fakt vetë Perëndia do të ishte i trupëzuar në formën e këtij fëmije. Për këtë arsye ai do të quhej Emmanuel, që përkthehet “Perëndia me ne.”

Kështu ne mund të kuptojmë më mirë dy strofat e para të himnit:

Eja, Eja Emanuel, dhe çliro pengun Izrael,

Që pret i vetëm në mërgim Ditën kur Zoti t’sjell Birin.

Gëzo, Gëzo, Emanuel

Do t’vij për ty, O Izrael.

Eja, Eja Zot Fuqiplot si në Sinain lart qëmot,

Kur popullit i fole ligj me madhështi e plot mahni.

Gëzo, Gëzo, Emanuel

Do t’vij për ty, O Izrael.

Në këto strofa, himni ritregon se si mbetja besnike e të mërguarve në Babiloni,  lëngonte e kërkonte lindjen e Shpëtimtarit të tyre. Himni e paketon këtë dëshirë në termat e temës biblike  të një eksodi eskatologjik (e një eksodi që do të ndodhë në të ardhmen), gjë që duket në lidhjen e që i bën eksodit nga Babilonia me eksodin nga Egjipti, dhe referimit të prezencës së Perëndisë në Malin Sinai.

Filizi i Jeseut dhe Çelësi i Davidit

Por profeti Isaia kishte më shumë për të thënë për këtë shpëtimtar që do të vinte. Shumë prej shenjtorëve të Dhiatës së Vjetër e dinin që Shpëtimtari do të dilte nga familja apo pasardhja e Davidit (2 Sam. 7:12-13). Por duke u nisur nga realiteti që kombi ishte i rrënuar, tempulli që ishte vendi ku Perëndia zbriste të takohej me popullin e tij ishte rrafshuar e kthyer në një gropë plehrash, çdokush do të mendonte se edhe pasardhja e Davidit ishte rrënuar bashkë me kombin, dhe premtimet e Perëndisë ishin bërë të pamundura për tu përmbushur. Por përsëri profeti Isaia profetizoi: “Pastaj një degëz do të dalë nga trungu i Jeseut dhe një filiz do të mbijë nga rrënjët e tij.” (Isaia 11:1). Në këtë pasazh profeti e krahason dinastinë Davidike në një trung të prerë e të cunguar deri në rrënjë. E megjithatë nga ky cung në dukje i vdekur peme, një syth, e më vonë një filiz peme do të lindte sërish. Madje, ndryshe nga mbretërit e ligj të Izraelit e Judës, e madje edhe ndryshe nga vetë Davidi, ky mbret i ri do të ishte plotësisht i drejtë e madje i shenjtë (11:2-5).

Më vonë Isaia do të profetizonte përsëri, në një orakull gjykimi ndaj Jerusalemit dhe veçanërisht mbretit të saj të asaj kohe, i cili mbështetej më shumë në kombet e tjera për sigurinë e mbretërisë  se sa në vetë Perëndinë të cilit i përkiste kjo mbretëri. Në kontekstin e këtij orakulli, Isaia profetizoi se Perëndia do të siguronte një shërbëtor në dukje të parëndësishëm për t’u kujdesur për shtëpinë e Davidit, të quajtur Eliakim që ishte biri i Hilkias: “Do të vë mbi supin e tij çelësin e shtëpisë së Davidit; kështu ai do të hapë dhe askush nuk do të mund ta mbyllë, do ta mbyllë dhe askush nuk do ta mund ta hapë” (Isaiah 22:22).

E megjithatë ky shërbëtor i parëndësishëm ishte parafigurimi i Krishtit, dhe kishte si qëllim të ti drejtonte sytë e besimtarëve që prisnin shpëtimin e Perëndisë tek një shërbëtor tjetër i Perëndisë,  Shërbëtorit të Përvuajtur të Jehovës i cili do të kishte çelësin e shtëpisë së Davidit: “Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap” (Zbulesa 3:7). Apostulli Gjon në Librin e Zbulesës ia aplikon këtë titull Isaik vetë Jezusit. Sigurisht që ishte Jezus Krishti pra, biri i Davidit, Biri i Perëndisë, i cili do të vinte që të shpëtonte e sundonte mbi Izraelin, popullin e Perëndisë. Dhe kështu Izraelitet besnike e shpresëplotë prisnin, dëshironin, e shikonin përpara për përgjërim për lindjen e atij që do të vinte nga e do të mbante çelësat e shtëpisë së Davidit. Dhe kjo lidhje Isaike është në sfond të strofës së pestë të himnit:

Eja, O Kyç i Davidit hapi krejt portat e qiellit

Drejt rrugës lart prina Ti dhe fund jepi k’tij mjerimi

Gëzo, Gëzo, Emanuel

Do t’vij për ty, O Izrael.

Vini re përsëri edhe në këtë strofë temën e Eksodit, sepse është pikërisht ky pasardhës i Davidit ai që do të hapte rrugën dhe do ta drejtonte personalisht popullin e Perëndisë për në Jerusalemin e Ri, përmbushjen e plotë të “hijes” (Heb. 8:5) së Tokës së Premtuar.

Agimi Pranveror nga Lart

Qindra vite kaluan pas gjeneratës së Isaisë, dhe në dukje asgjë nuk kishte ndodhur. Izraeli ende vajtonte e dëshironte e priste me përgjërim ardhjen e Kyçit të Davidit. Po, Izraeli qe kthyer nga mërgimi Babilonas. Kiri, mbreti i Persëve pat lejuar kthimin e tyre në vend dhe madje u pat lejuar e financuar pjesërisht rindërtimin e Tempullit nën Ezdran (Isaia 45; Ezdra 1). Po, Izraeli doli nga Babilonia në një udhëtim të ngjashëm me atë të Eksodit nën Moisioun (Isa 49:10; 42:16; 48:21; Eks. 13:21-22; 15:13). Por ishte e qartë për ta se kjo nuk ishte përmbushja e profecive të Isaisë.

Edhe pse Tempulli ishte rindërtuar, mbetja besnike e kuptonte që kthimi i tyre në tokën e të parëve të tyre nuk ishte ajo vizita e madhe hyjnore që ata prisnin e u ishte premtuar. Në fakt, pas ndërtimit të Tempullit nën Ezdrën, Hagain dhe Zakarinë, Izraeli vajtoi dhe nuk gëzoi. Profeti Hagai vajtoi duke thënë: “Cili prej jush ka mbetur nga ata që e kanë parë këtë tempull në lavdinë e tij të mëparshme? Dhe si po e shikoni tani? Në krahasim me atë, a nuk është kjo asgjë para syve tuaj?” (Hagai 2:3). Kështu profeti dhe populli vazhduan që i kishin sytë tek e ardhmja: “Lavdia e këtij tempulli të fundit do të jetë më e madhe nga ajo e të mëparshmit-thotë Zoti i ushtrive-dhe në këtë vend unë do të sjell paqen-thotë Zoti i ushtrive.” (2:9). Por duhej të kalonin përsëri edhe disa qindra vite të tjera përpara se sa lëngimi i tyre të shërohej, dhe lutjet e dëshirimi i tyre të përmbushej.

Me rastin e lindjes së Gjon Pagëzorit, i ati, Zakaria profetizoi që kishte ardhur koha për daljen në skenën e historisë së Mesisë (Luka 1:67-79). Zakaria e krahasoi ardhjen e Mesisë, pasardhjes së Davidit, me atë që do ta shpengonte Izraelin prej armiqve të saj, Ai që do të ishte i drejtë e do të sillte drejtësinë, faljen e mëkateve, dhe dritën për të gjitha ata që rrinin në errësirë, që do të sillte ndriçimin e agimit pranveror nga lart (Luka 1:78). Pra, ai e krahasonte ardhjen e Mesisë me diellin që lind e ngrihet lart mbi një botë nën errësirën e natës (Gjoni 1:1-5). Ky është një krahasim biblik i goditur, sepse me lindjen e Shpëtimtarit, populli i Perëndisë do të çlirohej nga fuqitë e Satanit, mëkatit dhe vdekjes.

Si rrjedhim strofa e katërt e himnit thotë:

Eja ti Agim pranveror afrimi yt ësht’ ngazëllor,

Shpërndaji ret’ e natës pis dhe hij’n e vdekjes tej degdis.

Gëzo, Gëzo, Emanuel

Do t’vij për ty, O Izrael.

Lindja e Emmanuelit, Perëndia me Ne

Emanueli, Perëndia me ne, erdhi në mesin tonë. Perëndia i përmbushi premtimet e tij, jo  vetëm të bëra profetit Isaia, por edhe premtimet e bëra Adamit dhe Evës kur u tha që fara e gruas do ti shtypte kokën gjarpërit (Zan. 3:15). Që në atë kohë, populli besnik i Perëndisë ka qenë në pritje të lindjes së Shpëtimtarit të tyre (Zan. 4:1).

Me lindjen e Jezusit, Perëndia pat përmbushur më së fundi lutjet e shumta të popullit të tij. Ai pat përmbushur më së fundi premtimet e shumëpritura (Luka 2:4-14). Në atë grazhd të parëndësishëm, qëndronte i shtrirë biri i Davidit, Zoti, ai që do ta shpengonte popullin e tij nga mëkatet. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të kuptojmë se Krishti nuk lindi që të sillte liri politike apo ushtarake, pasuri materiale apo prosperitet financiar, por një liri shumë më të rëndësishme. Ai erdhi që të sillte çlirimin nga fuqitë e Satanit, mëkatit dhe vdekjes.

Kështu, në strofën e tretë, në kontekstin e dy vargjeve të mëparshme, shpengimi i Krishtit na jepet në termat e një eksodi përfundimtar eskatologjik. Nuk do të kemi më një eksod nga tirania e faronit, dhe as një eksod prej Babilonisë, por një eksod prej sundimit e tiranisë së Satanit, mëkatit e vdekjes:

Eja ti deg e Isais çliro tuajt prej tiranis’

mbi ferr’ e djall t’jen’ fitimtar dhe mbi vdekjen ngadhnjimtar.

Gëzo, Gëzo, Emanuel

Do t’vij për ty, O Izrael.

Konkluzioni

Kur meditojmë mbi lindjen e Krishtit, ne nuk duhet ta mendojmë atë si një përrallë të sheqerosur për fëmijë mbi një mbret bebe të lindur për ti sjellë botës pak gëzim të përkohshëm, një shpresë kalimtare në një vend të trishtuar e të ngrysur. Po kështu, as nuk duhet edhe ta shikojmë atë nga këndvështrimi i një sentimentalizmi sezonal, ku Jezusi është vetëm një prej elementeve gëzim-ndjellëse të sezonit të festave të fundvitit, së bashku me aromat e mira të gatimeve të krishtlindjes, pema e zbukuruar, dhuratat e përgatitura për fëmijët, arrat që thyhen e gështenjat që piqen.

Lindja e Krishtit është përmbushja e shumëpritur e premtimeve të Perëndisë bërë popullit të tij, fillimi i eksodit eskatologjik. Krishti lindi në një mënyrë të thjeshtë e madje të përulur, si një njeri mëkatar, që të na shpengojë ne, e të na formojë në një popull për Atin e tij. Ai erdhi që të shpengojë për veten e tij një nuse, një nuse për të cilën ai do të linte vetë jetën e tij.

Pas lindjes së tij, Simeoni, një plak besimplotë e i perëndishëm priste në Jeruzalem për ngushëllimin e Izraelit të vinte. Kur ai pa Jezusin fëmijë, e morri në krahë dhe tha: “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd që ti e përgatite përpara gjithë popujve: dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit” (Luka 2:29-32).

Është pikërisht ky premtim i përmbushur për ne sot, që autori i himnit gjente të shkruar kudo nëpër faqet e Shkrimeve. Autori i himnit shikonte në Dhiatën e Vjetër një linjë, një premtim, një siguri që fillonte me Eksodin e parë nga Egjipti, e që përsëritej me kthimin nga mërgimi Babilonas. Ishte një linjë që fillonte me hijet e Dhiatës së Vjetër, por që erdhi e u shfaq plotësisht e u përmbush me ardhjen e Krishtit. Ai, Krishti do ta udhëhiqte Izraelin e Perëndisë, Kishën, në një eksod të eskatologjik-në një çlirim prej tiranisë së Satanit, mëkatit dhe vdekjes.

Ky himn, edhe pse zakonisht këndohet gjatë sezonit të Krishtlindjes, është i rrënjosur në dramën përshtjelluese të zbulesës së Perëndisë që kulminon me adventin e Krishtit. Ky është një himn që kisha duhet ta përdorë për të kremtuar lindjen e Krishtit. Por ky është një himn që kisha gjithashtu duhet ta përdorë për gjatë tërë vitit sepse Krishti vazhdimisht na udhëheq çdo ditë të vitit në këtë eksod eskatologjik, i cili ka si destinacion Jerusalemin e Ri (Heb. 11:10, 16; 12:22; 13:14). Le ta festojmë pra lindjen e Zotit tonë në ditën e caktuar nga Perëndia, në Ditët e Zotit, çdo të diel, duke dalë nga hijet e Dhiatës së Vjetër, të karakterizuar nga premtimet, profecitë, ritualet e tipet, në plotësinë e dritës së zbulesës së Krishtit.