Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme. Gjoni 3:16
Siç është tradita qindra vjeçare e Krishterimit, në këtë sezon, e madje këtë shërbesë Vigjilje, ne lexojmë, këndojmë dhe meditojmë mbi historinë e Lindjes së Krishtit. Por a i kuptojmë ato që lexuam e kënduam sonte? A kuptojmë dhe a besojmë që sonte ne nuk kremtojmë lindjen e një njeriu çfarëdo. Ndryshe nga sa mendon bota jashtë, ne-të Krishterët ungjillorë-nuk jemi mbledhur këtë mbrëmje të 24 Dhjetorit në një festë ditëlindjeje, për të ngrënë tortë dhe për të kënduar “Gjithë Urimet për Jezusin!” Ne jemi mbledhur plot mirënjohje dhe adhurim për Perëndinë e shpëtimit tonë, sepse Personi i Dytë i Trinisë, Perëndi prej Perëndie, i përjetshëm e i pafund në shenjtëri e drejtësi, në njohje e urtësi, në pushtet e lavdi, në zemërim por edhe në dashuri, i barabartë me Atin dhe Frymën e Shenjtë për nga qenia e lavdia, plotësisht Perëndi prej Perëndie të vërtetë, përuli vetveten e tij, na u afrua ne njerëzve duke u bërë si ne, për bekimin tonë. Dhe pikërisht ky do të jetë fokusi i këtij meditimi sonte, qëllimi i vërtetë i trupëzimit të Perëndisë. Perëndia na u afrua. Perëndia na u zbulua duke mbuluar shkëlqimin e lavdisë së shenjtërisë së tij me një mantel mishi njerëzor, duke u futur në këtë botë përmes ngjizjes hyjnore dhe lindjes nga Maria, një akt vetpërulje, me qëllim që Perëndia të bëhej për ne praktikisht bekim.
Psalmisti thotë se e gjithë krijesa e lavdëron Perëndinë (Psa. 19:1). Por asgjë nuk e adhuron Perëndinë më mirë se sa trupëzimi i Birit të Tij. Siç shkroi edhe Çarls Spërxhën, “Këndo, këndo u univers, deri sa të konsumohesh plotësisht, e megjithatë, ti nuk mund të këndosh një himn aq të ëmbël se sa vetë kënga e Trupëzimit.”
Arsyet e ardhjes së Krishtit janë të shuma. Do të rendis vetëm disa sa për fillim: Krishti erdhi në tokë…
- të në shpengoj nga ligji (Gal. 4:4-5)
- të jetë Shpëtimtari i botës (1 Gjo. 4:14; Gjo. 12:47)
- të mirëpritet në emër të Atit (Gjo. 5:43)
- të japë jetë të bollshme (Gjo. 10:10)
- të na zbulojë Atin Perëndi (Mat. 11:27; Gjo. 14:9)
- të predikojë clirimin e të robëruarve (Luk. 4:18)
- të jetë shembulli i butësisë (Mat. 11:29)
- të përmbushë premtimin e Perëndisë si fara e gruas (Zan. 3:15)
- të na japë Frymën e Shenjtë (Gjo. 7:39)
Arsyet janë të shumta, madhështore, dhe madje transformuese kur i kupton e beson. Por sonte do të fokusohem në arsyen më mbresëlënëse dhe më madhështore që ka të bëjë me vetë natyrën e Perëndisë, që është pikërisht kjo: Krishti erdhi për shkak të dashurisë së pa-meritueshme të Perëndisë për ne, që të na e shpalosë e këtë dashuri, të na e provojë këtë dashuri, dhe përmes saj të na shpëtojë e transformojë përjetësisht.
Për shumicën e besimtarëve Ungjillorë, vargu nga Ungjilli i Gjonit 3:16 është kaq i njohur, sa që humb ndonjëherë madhështinë dhe rëndësinë e vet. Por ky varg i jashtëzakonshëm zbulon një të vërtetë madhështorë që duhet të shkaktojë ngazëllim sa herë që e lexojmë apo dëgjojmë atë.
Gjoni 3:16 bën deklaratën madhështore se në thelb të natyrës së tij, Perëndia është dashuri, dhe se Ai e do botën që Ai krijoi. Perëndia, krijuesi i qiellit e i tokës, është i vetëmjaftueshëm dhe nuk ka nevojë për asnjë e asgjë jashtë vetes së tij. Ai është i Shenjti, sytë e të cilit nuk mund të shikojnë mëkat (Hab. 1:13). Dëshirat e tija janë gjithnjë të drejta, dashuri e tij është gjithnjë e pastër, ndjenjat e tija nuk janë të deformuara. Si ka mundësi, që një Perëndi i tillë të ketë dashuri për botën tonë të thyer e të deformuar nga mëkati?
Bota jonë, edhe pse e deformuar, është mbetja e asaj që Perëndia krijoi dhe përfaqësuesja e botës që ai do të rikrijojë. Plani i Perëndisë është që të restaurojë tërësisht gjithësinë që ai krijoi dhe që njeriu e shkatërroi, dhe për këtë arsye, Ai ende ka dashuri për të.
Mbi të gjitha, bota përfaqëson racën njerëzore që jeton në të, me gjithë rebelët, tradhtarët e idhujtarët e saj. Të gjithë ne, mëkatarë për sytë e Perëndisë nuk e meritojmë dashurinë e tij, të gjithë ne jemi shumë larg të qenit të vlefshëm për të. Madje, Perëndia nuk do të ishte aspak i padrejtë nëse nuk do të bënte asgjë për të shpëtuar njeriun. Për shkak të mëkatit e rebelimit tonë, askush nuk e meriton shpëtimin që Ai jep. E megjithatë, Perëndia na do ne, sepse Perëndia zgjodhi që të na dojë ne.
Krishti përdori fjalën “botë” për të treguar misterin e plotësisë së dashurisë së Perëndisë, që shtrihet e pakushtëzuar mbi të gjitha racat, kombet, e gjeneratat e njerëzve. Perëndia e do njeriun që ai krijoi e që tani vuan pasojat e mëkatit të vet, dhe si rrjedhim, Perëndia ka siguruar rrugën e shpëtimit për ne, që është përmes besimit në Birin e Tij, Jezus Krishtin. Gjoni 3:16 afirmon pikërisht këtë siguri të plotë të dashurisë së Perëndisë.
Dashuri e Perëndisë i duket botës sot e papajtueshme, e panatyrshme, e madje e pamundur. Që ne të besojmë në këtë dashuri ne kemi nevojë për prova të pakundërshtueshme. Njerëzit flasin për dashurinë, i këndojnë dashurisë, premtojnë dashurinë, por prova nuk është tek fjalët por tek veprat (1 Gjo. 3:18). Apostulli Pal shkroi se vdekja e Krishtit për ne në kryq, ishte prova e dashurisë së Perëndisë, duke thënë, “Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.”
Gjoni 3:16 gjithashtu na shpalos edhe pasurinë e Dashurisë së Perëndisë. Kjo dashuri nuk është diçka sentimentale por vetë-sakrifikuese. Dashuria e tij është e kushtueshme dhe e provuar nga sakrifica e tij për ne. Sipas Gjonit, vetëm një ngjarje në historinë e botës është e aftë që të demonstrojë dashurinë e vërtetë. Ai shkroi, “Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona” (! Gjo. 4:10).
Dashuria e Perëndisë për popullin e tij mund të kuptohet vetëm në marrëdhënien e dashurisë së Tij për Birin e Vet. Biri, Personi i Dytë i Perëndisë Trini, ishte objekti i përjetshëm i dashurisë së Atit. Dy herë gjatë shërbesës së Krishtit në tokë, Ati theu heshtjen e qiejve për të afirmuar dashurinë e Tij për Birin e Tij (Mateu 3:17; 17:5). Është e paimagjinueshme thellësia e dashurisë që Ati ka për Birin. Dashuria jonë për fëmijët tanë është e deformuar dhe e vogël për shkak të mëkatit tonë dhe e mëkatit të fëmijëve tanë. Madje edhe dashuria që familja dhe miqtë e Krishtit kishin për të ishte e kufizuar dhe e kushtëzuar (Marku 3:21; Gjoni 7:5). Por dashuria ndërmjet Perëndisë At dhe Perëndisë Bir është e përsosur, personale, intime, e thellë, e përkushtuar përjetësisht. Dashuri e tyre është një dashuri pa limite, e pandryshueshme dhe e pavdekshme.
Perëndia Biri, u mishërizua, u trupëzua përmes lindjes së virgjër përmes Marisë, hyri në botën tonë me qëllim që të na shpaloste, të na zbulonte, të na provonte pasurinë e dashurisë së Perëndisë. Ky është lajmi i mirë i ardhjes së Krishtit. Në Jezus Krishtin, Perëndia na zbuloi e na provoi dashurinë e tij për popullin e tij, për të gjithë ata që i besojnë atij. Perëndia i do bijtë e bijat e tija me të njëjtën dashuri që ai do Krishtin, me të njëjtën dashuri të pafundme, të paimagjinueshme, të pakuptueshme, të pandryshueshme. Perëndia dërgoi Birin në tokë, që të vdiste në kryq në vendin tonë, që të na shpëtojë e shpengojë nga mëkati. Apostulli Pal shkroi, “Sepse ai që nuk e kurseu Birin e vet, por e dha për të gjithë ne, qysh nuk do të na dhurojë të gjitha gjëra bashkë me të?” (Rom. 8:32). Absolutisht që jo! Sepse trupëzimi i Krishtit konfirmon, provon që “as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom. 8:39). AMEN.