02-Ungjilli Vjen në Evropë

02-Ungjilli Vjen në Evropë

Pali zgjodhi Silën dhe u nis, pasi vëllezërit e lanë në hir të Perëndisë. 41 Dhe përshkoi Sirinë dhe Kilikinë, duke i forcuar kishat. 1 Dhe ai arriti në Derbë dhe në Listra; këtu ishte një dishepull me emër Timote, biri i një gruaje judease besimtare, por me baba grek, 2 për të cilin jepnin dëshmi të mirë vëllezërit e Listrës dhe të Ikonit. 3 Pali deshi që të dilte me të; kështu e mori, e rrethpreu për shkak të Judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se babai i tij ishte grek. 4 Dhe, duke kaluar nëpër qytete, i urdhëronin ata të zbatojnë vendimet që ishin marrë nga apostujt dhe nga pleqtë në Jeruzalem. 5 Kishat, pra, po forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër përditë. 6 Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi. 7 Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi. 8 Kështu, pasi e përshkuan Misinë, zbritën në Troas. 9 Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo”. 10 Mbasi e pa vegimin, kërkuam menjëherë të shkojmë në Maqedoni, të bindur se Zoti na kishte thirrur që t’ua shpallim atyre ungjillin. 11 Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis, 12 dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet. Veprat e Apostujve 15:40-16:12

Një pasdite, rreth njëzetë vjet pas Kryqëzimit të Jezusit të Nazaretit dhe Ngjalljes së tij nga vdekja, një grup i vogël udhëtarësh po udhëtonin drejt veri-perëndimit, nga porti i Neapolis ku patën zbritur nga anija, pasi ishin nisur më parë nga qyteti i Troas. Pasi udhëtuan më këmbë nja njëzetë kilometra, në rrugën e shtruar me kalldrëm nga Romakët të quajtur Via Egnatia, ata arritën në qytetin e quajtur Filipi.

Vendasit që i panë të udhëtonin drejt Filipisë nuk e dinin se ata kishin një reputacion. Për ata thuhej se “e kanë bërë botën rrëmujë” (Vep. 17:6), dhe se tani po vinin edhe në Filipi. Ata ishin Sila, Timoteu që në atë kohë ishte ende në moshë relativisht të re, si dhe Luka, doktori që i ishte bashkuar grupit në Troas (Vep. 16:10). Udhëheqësi i tyre ishte sigurisht Apostulli i Krishtit, Sauli i quajtur Pal. Me ardhjen e tyre, ungjilli i Jezus Krishtit kishte zbarkuar zyrtarisht në Evropë.

Kapitulli i gjashtëmbëdhjetë i librit Veprat e Apostujve përshkruan pikërisht se si ungjilli erdhi në Evropë. Por ky ungjill jo vetëm erdhi, por edhe filloi veprën shpëtuese dhe transformuese me të cilën do ta bekonte Evropën për njëzetë shekujt që do të pasonin, dhe që do ta bënte këtë Evropë, deri në kohët moderne,  qendrën e Krishterimit dhe të influencës së Krishterimit në të gjitha kontinentet.  Por ky kapitull i Veprave të Apostujve nuk flet vetëm për detajet historike të ardhjes së ungjillit, por mbi të gjitha, për forcën e parrezistueshme të hirit, me anë të të cilin Perëndia e futi ungjillin në Evropë, për tu dhënë shpëtimin madhështor që ky hir prodhon në jetët e miliona e miliona njerëzve. Nga hiri, shpëtimi erdhi në Evropë. Në të njëjtën kohë, historia e themelimit të kishës në Filipi është, në disa aspekte thelbësore, edhe modeli i shpëtimit të çdo besimtari dhe i formimit të çdo kishe.

Drejtimi i Frymës

Edhe pse Libri i Veprave të Apostujve quhet kështu sepse në të gjejmë të renditura çfarë Apostujt e Krishtit thanë dhe bënë në vitet e para të Kishës së Tij, në fakt titulli i vërtetë i saj duhet të kishte qenë Veprat e Frymës së Shenjtë. Ndërsa katër Ungjijtë ka rrëfejnë gjithçka Krishti tha dhe bëri, libri i Veprave na rrëfen gjithçka që Fryma e Shenjtë thotë dhe bën përmes Apostujve dhe Kishës së Tij. Dhe kjo është pikërisht çfarë shikojmë në mënyrën se si ungjilli erdhi në Evropë.

Pali ishte në mes të asaj që quhet nga studiuesit sot, Udhëtimi i Dytë Apostolik i Palit. Në Udhëtimin e Parë Apostolik, që na rrëfehet në kapituj 13-14 të Veprave, Pali udhëtoi përmes provincës Romake të Galatisë në Azinë e Vogël, në Turqinë e sotme. Shumë kisha u mbollën si pasojë e punës misionare të Palit atje. Në udhëtimin e dytë të tij, Pali pat planifikuar që do të vazhdonte të ungjillëzonte dhe mbillte kisha në rajonin e Azisë së Vogël si edhe më parë. Pali i tha Barabës, “Le të kthehemi të shohim vëllezërit tanë në çdo qytet, ku kemi shpallur fjalën e Perëndisë, për të parë si janë” (15:36). Por Fryma e Shenjtë kishte plane të tjera për të, plane të parrezistueshme.

Pasi Pali dhe Sila vizituan dhe forcuan kishat në Siri dhe Kiliki, arritën në Derbë dhe në Listra, ku morrin me vete Timoteun, një djalë të ri besimtar me baba grek por me nënë judease dhe besimtare. Por kur po kalonin nëpër Frigji dhe në provincën e Galatisë, ata u penguan nga Fryma e shenjtë që të predikonin Fjalën në Azi. Kështu ata udhëtuan përsëri për disa ditë të tjera, arritën në kufijtë e Misisë, tentuan që të shkonin në Bitini, por Fryma e Shenjtë përsëri nuk i lejoi. Apostujt ishin urdhërua nga Krishti që të shkonin në tërë botën dhe të predikonin Ungjillin, të bëni dishepuj nga të gjitha kombet. Pali po bënte punën që i kishte caktuar Krishti. Si apostujt të tij, ata ishin njerëz që ia kishin dedikur veten fjalës dhe lutjes, por Fryma e Shenjtë, në të cilin ata mbështeteshin për sukses në veprimtarinë e tyre misionare po ua bënte plotësisht të qartë se plani i Tij ishte që ata të shkonin përtej Azisë së Vogël. Nuk na thuhet në Bibël se si Fryma e bëri këtë gjë në rastin e tyre. Ndoshta ishte përmes një fjale profetike, ndoshta ishte përmes veprave të providencës hyjnore, ku praktikisht Fryma ua bëri fizikisht të palakueshme kalimin përmes provincave ku ata dashuronin të shkonin. Por dimë që në tërë këtë gjë, ata dallonin qarte se ishte Fryma ajo që në mënyre të mbinatyrshme po i pengonte për ti drejtuar diku tjetër. Atyre vetëm u duhej që të kuptonin se ku.

Dy gjëra duhet të mësojmë nga kjo histori.

Providenca e Frymës në Jetën Tonë

Së pari, le të vëmë re se Fryma e Shenjtë e Krishtit është e përfshirë në mënyrë të detajuar në jetët tona, në çdo gjë që ne themi e bëjmë çdo ditë. Problemi i drejtimit të Frymës në jetën tonë është i komplikuar. Ka shumë keqinterpretim dhe spekulim, dhe nuk është qëllimi i pasazhit dhe as hapësira e nevojshme për të adresuar këtë çështje në këtë kapitull. Nëse interpretimi i plotë i vullnetit të Frymës ishte i pamundur për Palin, atëhere nuk duhet të çuditemi në se është shumë herë më i vështirë edhe për ne sot.

Në thelb interpretimi i providencës së Perëndisë është i vështirë. Shkrimi na flet qartë sepse është verbal, dhe sepse Perëndia ka folur qartë përmes saj. Veprat e Providencës nga ana tjetër, rrezikohen që të keqkuptohen gjithnjë për dy arsye kryesore: Së pari, ato sepse nuk janë verbale, pra Perëndia nuk flet përmes tyre përmes fjalëve. Dhe së dyti, për shkak të rënies tonë njerëzore, të efektit noetik të mëkatit. Termi që përdora-noetik-nuk ka të bëjë me Noeun, por me fjalën greke “nous” (mendje). Fraza “efekti noetik i mëkatit” i referohet efektit të mëkatit në aftësinë tonë për të menduar, arsyetuar dhe njohur të vërtetën. Kështu, për shkak të efektit noetik  të mëkatit, ne nuk arrijmë që të kemi një interpretim të unifikuar të Biblës, zbulesa verbale e Perëndisë. Kjo është arsyeja përse kemi kaq shumë denominacione e këndvështrime të doktrinave Biblike. Kur interpretimi i Biblës bëhet i vështirë për shkak të efektit noetik të mëkatit, sa herë më i vështirë e i rrezikshëm është interpretimi i Providencës së Perëndisë në jetët tona.

 Kur vështirësitë e fatkeqësitë mbulojnë si dallgë jetët tona, ne shpesh herë i ngremë sytë drejt qiellit dhe i themi Perëndisë me qëndrim rebeles dhe ankues: “Çfarë po më bën?” Dhe shpesh herë përgjigja e Tij është si ajo që i dha Simon Pjetrit kur po i lante këmbët: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj” (Gjoni 13:7). Detyra jonë në raste të tilla është kjo: Të lutemi dhe të bëjmë atë që është e shenjtë dhe e pranueshme në sytë e Perëndisë për momentin. Arsyet Providencës së Tij do të na zbulohen ose më vonë këtu ose shumë më pas në qiell. Por deri atëherë, detyra jonë, plani i Frymës për jetën tonë është që të besojmë, punojmë dhe bindemi në përputhje me njohjen që kemi, duke besuar se Perëndia është në kontroll absolut të detajeve të jetëve tona dhe se ne qëndrojmë të sigurt në dorën e tij.

Shpesh herë të Krishterët ungjillorë përdorin shprehjen, “Po përpiqem që të zbuloj se cili është plani i Perëndisë për jetën time?” Këtu bëhet fjalë se çfarë Perëndia do të bëjë me ta! Por këtë ne nuk mund ta dimë, të ardhmen ne nuk mund ta dimë deri sa ajo të ndodhë. Pasi ka ndodhur ne kuptojmë se cili ishte plani i Perëndisë për jetën tonë. Deri atëherë, thirrja jonë është që të bëjmë atë që është e shenjtë. Pali u shkroi Thesalonikasve në kontekstin e pasigurisë së të ardhmes këtë urdhëresë: “Sepse e dini se ç’urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus. Sepse ky është vullneti i Perëndisë, shenjtërimi juaj” (1 Thes. 4:2-3). Dhe më pas ai vijon që tu flasë për pastërtinë morale, dashurinë vëllazërore në kishë, për të jetuarit në paqe me të gjithë, që të mos rrinë duarkryq për të jenë aktivë në punë e në sigurimin e bukës së përditshme, që të mos kenë nevojë për asgjë, dhe që gjithashtu të sillen me nder ndaj atyre që janë jashtë kishës. Pra, urdhërimi i Apostullit është që të jemi të frytshëm e të shenjtë si brenda ashtu edhe jashtë bashkësisë, dhe ky është vullneti i shpallur i Perëndisë për jetën e të Krishterit, deri në momentin që kuptojmë apo jemi plotësisht të sigurt për drejtimin që duhet të marrim nën shtysën e Frymës.

Ndërkohë, ndërsa vështirësitë e sfidat mbulojnë jetën tonë, ne duhet të besojmë Romakëve 8:28: “Dhe ne e dimë se të gjitha gjëra bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij.” Bibla nuk na flet për një Perëndi që nuk është i përfshirë në mënyrë intime ne detajet e jetës së të Krishterit. Përkundrazi, Ai është prapa çdo detaji sado të vogël të jetës tonë. Tek Kolosianëve lexojmë se “sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të.  Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të” (Kol. 1:16-17). Bibla nuk na kërkon që ti besojmë fatit të verbër, dhe as një Perëndie që nuk është i përfshirë në jetën tonë, por një Perëndie aktiv por edhe plot përkujdesje për ne, dhe që e di se ç’po bën me ne dhe me botën që ai ka krijuar, dhe se ka pushtet të plotë për ta realizuar planin e tij plotësisht. Perëndia e di se ç’po ndodh me ne sepse Ai qëndron prapa detajeve të jetës tonë, ai e ka një plan, një qëllim, dhe po e realizon atë. Detajet ne mund të mos i kuptojmë ndërsa gjërat na ndodhin, por ne nuk jemi të thirrur që të kemi kuptim të plotë por besim të fortë dhe të ecim në mënyrë aktive në shenjtëri duke u përpjekur të përmbushim vullnetin e Perëndisë për aq sa e kuptojmë apo e dimë atë me siguri nga Bibla.

Dashuri Përzgjedhëse për Shpëtim

Mësimi i dytë që nxjerrim nga ky pasazh, po aq i vështirë sa edhe i pari ka të bëjë me mënyrës përzgjedhëse se si dashuria shpëtuese e hirit sovran të Perëndisë funksionon. Perëndia derdh hirin e tij mbi disa por jo mbi disa të tjerë. Ai zgjedh që disa të dëgjojnë predikimin e ungjillit, dhe disa të tjerë jo. Ai zgjedh që disa ti besojnë predikimit të ungjillit, ndërsa bën që disa të tjerë tu ngurtësohet zemra për të mos e besuar atë. Vargu 16:6 e thotë qartë, “ata u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallnin Fjalën në Azi.”

Luka e quan Frymën që i udhëhoqi larg prej predikimit të ungjillit në Frigji e Bitini, Fryma e Shenjtë. Perëndia është i Shenjtë. Ai nuk është një frymë e ligë dhe as një Perëndi i keq. Ai është i shenjtë në tërë planin e tij për shpëtimin e njerëzve përmes predikimit të ungjillit, dhe Ai është i Shenjtë edhe në tërë providencën e tij, pra në mënyrën se si e përmbush planin e tij në kohë dhe në hapësirë. Fryma e Krishtit është frymë e Shenjtë.  Ai nuk mëkatoi ndaj banorëve të Frigjisë dhe Bitinisë duke mos u dhënë atyre mundësinë që të dëgjonin ungjillin prej Apostullit të Krishtit.

Për shumë të krishterë ky është një problem. Si i bëhet problemit të kombeve pagane që nuk e kanë dëgjuar ungjillin? Si i bëhet problemit të njerëzve që nuk e kanë dëgjuar ndonjë herë ungjillinin? Ky është problem për ne njerëzit, por nuk shikohet kurrë si problem në Bibël! Është fakt që shumë nuk e dëgjojnë ungjillin, dhe Bibla e pranon këtë fakt. Por Bibla nuk e shikon si një problem teologjik apo si një arsye për të dyshuar në mirësinë apo urtësinë e Perëndisë.

Sigurisht që njerëzit do të gjykohen për aq sa dinë. Ata që humbasin pa e dëgjuar ungjillin nuk do të gjykohen nga Perëndia se nuk i besuan predikimit të ungjillit që nuk e dëgjuan kurrë. Perëndia është i drejtë. Ai nuk të kërkon më shumë nga c‘të ka kërkuar. Ata do të gjykohen për ato që kanë bërë për aq sa kanë ditur se ka qenë e drejtë. Të gjithë e dinë ligjin moral të Perëndisë dhe të gjithë e kanë thyer atë. Njerëzit janë mëkatarë dhe mëkatojnë. Për këtë ata meritojnë dënimin e përjetshëm të Perëndisë. Për këtë ata shkojnë në ferr, dhe jo sepse nuk e kanë dëgjuar predikimin e ungjillit. Nga ana tjetër, ata që e dëgjojnë predikimin e ungjillit dhe nuk besojnë, ata meritojnë dënimin e përjetshëm sepse janë mëkatarë dhe kanë mëkatuar, dhe madje kanë refuzuar edhe Birin e Perëndisë. Ky është shpjegimi që jep Pali tek Romakëve 2:11-16:

Sepse te Perëndia nuk ka anësi. 12 Në fakt të gjithë ata që kanë mëkatuar pa ligjin, do të humbasin gjithashtu pa ligj; dhe të gjithë ata që kanë mëkatuar nën ligjin do të gjykohen sipas ligjit, 13 sepse jo ata që dëgjojnë ligjin janë të drejtë para Perëndisë, por ata që e zbatojnë ligjin do të shfajësohen. 14 Në fakt kur johebrenjtë, që s’kanë ligjin, nga natyra bëjnë punët e ligjit, ata, megjithëse s’kanë ligjin, janë ligj për vetveten; 15 këta tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre për dëshminë që jep ndërgjegja e tyre, dhe sepse mendimet e tyre shfajësojnë ose edhe akuzojnë njëri-tjetrin, 16 ditën në të cilën Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve me anë të Jezu Krishtit, sipas ungjillit tim.

Pra, ata që kanë mëkatuar pa ligjin humbasin pa ligjin. Ata që kanë mëkatuar pa ungjillin humbasin pa ungjillin. Ata që kanë mëkatuar duke e ditur ligjin e duke e mohuar ungjillin do të dënohen duke e ditur ligjin dhe ungjillin.

Nga ana tjetër, Bibla nuk e ndjen të nevojshme që të shfajësojë Perëndinë që ka lënë shumë e mund të lërë edhe shumë të tjerë në providencën e tij pa dëgjimin e ungjillit. Filozofia biblike e historisë është kjo: 1) të gjithë kanë mëkatuar dhe kanë rënë nga lavdia e Perëndisë. 2) Perëndia zgjedh që të shpëtojë disa prej tyre që tashmë e kanë merituar vetë dënimin e përjetshëm.

E di që kjo është e çuditshme për mendjen njerëzorë bashkëkohore që është mësuar të mendojë me termat e revolucionit Francez, “Liri, Barazi, Vëllazeri.” E di që kjo është e vështirë të pranohet nga mendja moderne që flet e debaton tërë ditën për të “drejtat e njeriut”. Por shpëtimi nuk është një e drejtë por një privilegj. Shpëtimi nuk është ligji i natyrës por një dhuratë, hiri i pameritueshëm i Perëndisë sovran. Kjo është një e vërtetë për shkak të së cilës ne duhet të qëndrojmë përpara Perëndisë me dorën mbi buzë. Rrugët e Perëndisë nuk janë si rrugët tona. Perëndia thotë përmes Isaisë 55:8-9:

“Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja,

dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”, thotë Zoti.

“Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka,

kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja

dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.”

Për më tepër, njerëzit janë gjykues të këqij të njerëzve. Mëkatarët janë gjykues të këqij se çfarë duhet tu ndodhë mëkatarëve. Perëndia nuk i ka për borxh shpëtimin asnjë mëkatari. Dhe ne nuk e kuptojmë konceptin dhe realitetin e hirit të pameritueshëm të Perëndisë, shpëtimin si një dhuratë e pameritueshme e Perëndisë, nëse e mendojmë atë si një e drejtë të cilën Perëndia na e ka borxh. Perëndia nuk i ka borxh asnjë njeriu, asgjë. Madje as edhe që ta shpëtojë.  Fakti Biblik është ky: I tërë njerëzimi është i rënë vullnetarisht në mëkat, dhe në mënyrë aktive rebelohet kundra tij në një verbëri universale ndaj mëkatit dhe mosbesimi skllavërues. Por dashuria përzgjedhëse e Perëndisë hyn në skenë, ku të dojë, kur të dojë dhe si të dojë dhe mund në mënyrë efektive atë mosbesim dhe rebelim të qëllimshëm njerëzor në ata që Ai vendos që të shpëtojë nga hiri. Askush nuk humbet sepse nuk dëgjoi ungjillin por sepse është mëkatar. Asnjë mëkatari nuk i është premtuar nga Perëndia shansi për të dëgjuar ungjillin.

Për shembull: Engjëjve të rënë as nuk u është premtuar se do t’u predikohet ungjilli dhe as nuk u është premtuar që do të shpëtohen ndonjë herë. Perëndia ka vendosur që të mos ketë shpëtim për ta, dhe madje edhe në këtë ai nuk ka mëkatuar ndaj tyre. Për sa i përket njerëzve, askush nuk humbet sepse nuk dëgjoi ungjillin por sepse mëkatoi. Nuk është çështja dëgjimi i ungjillit. Çështja është zemra. Ka shumë që e dëgjojnë ungjillin dhe nuk shpëtohen, dhe për ata dënimi i tyre është shumë herë më i madh. Por të gjitha ata që Perëndia ka vendosur që të shpëtohen, të gjitha ata do ta besojnë, dhe të gjithë ata e dëgjojnë ungjillin pasi është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e atyre që besojnë (Rom. 1:16).

Kështu, tek Veprat 16 shikojmë që nga njëra anë, Perëndia ndaloi Palin prej predikimit të ungjillit thellë në Azi. Por nga ana tjetër e dërgon në Evropë, që Evropianët të merrnin që në atë vit ungjillin, dhe madje ndërhyn në mënyrë të parrezistueshme në zemrat e atyre që e dëgjuan atë. Në rastin e Lidia na thuhet qartë, “Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali” (Vep. 16:14). Të shumtë ishin ata që ishin mbledhur anës lumit dhe që e dëgjuan predikimin e Palit. Por Perëndia ia hapi zemrën vetëm Lidias thotë Bibla. Dhe kështu, vetëm ajo besoi, vetëm ajo u pagëzua me familjen e vet. Përse? Sepse siç i tha Jezusi Nikodemit, “Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma” (Gjoni 3:8). Nëse sot ti që dëgjon e lexon, je në Krisht, kjo nuk është sepse ti ishte aq i zgjuar se e zgjodhe Zotin dhe shpëtimin e tij. Krishti u tha madje vetë apostujve, “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt,” (Gjoni 15:16).

Ky është një mësim Biblik tepër i thellë për tu vlerësuar e kuptuar plotësisht deri në momentin kur ne kuptojmë thellësinë e gjëmës së mëkatit tonë, të fajit tonë dhe të skllavërisë së pathyeshme të mëkatit mbi njeriun e rënë; deri sa ne të kuptojmë madhështinë dhe pandryshueshmërinë e shenjtërisë së Perëndisë; deri sa të kuptojmë lirinë e plotë e sovrane të vullnetit e hirit të Perëndisë. Vetëm atëherë do të kuptojmë se çdo të thotë kur Bibla deklaron se “Shpëtimi i takon Zotit” (Psa. 3:8).

Thirrja Maqedonase

Në këtë kontekst bëhet e kuptueshme edhe ajo që njihet sot si “thirrja maqedonase.” Me siguri që Pali dhe bashkudhëtarët e tij, të çuditur dhe në mëdyshje për kuptimin e provdencës së Perëndisë në udhëtimin e tyre, ndërsa qëndruan për një natë në Troas, iu lutën Perëndisë për drejtim. Atë natë, Pali pati një vegim. Një Evropian, një burrë Maqedonas i lutej dhe i thoshte: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.”

Mënyra se si Luka i përshkruan ngjarjet që pasuan është si interesante ashtu dhe instruktuese. Grupi misionar vlerësoi ngjarjet e fundit dhe vegimin e Palit. Tek Vep. 16:10, në Greqishten e vjetër lihet të kuptohet se ata u ulën dhe në mënyrë aktive vlerësuan kuptimin e vegimit. Nga njëra anë ata peshuan se si dyert i gjetën të mbyllura për të vazhduar thellë në Azi, dhe nga ana tjetër Pali pati një vegim të pazakontë. Si duhej që ti interpretonin këto ngjarje? Vendimi ishte unanim: “Zoti na kishte thirrur që t’ua shpallnim atyre ungjillin” (Vep. 16:10). Kështu ata iu bindën vegimit hyjnor, era u dha mbarësi, dhe ata lundruan nga porti i Troas në ishullin e Samotrakës, dhe prej andej në portin e Neapolis, dhe pas një udhëtimi të shkurtër përmes Via Egnatia, ata arritën në qytetin e Rëndësishëm të Filipisë.

Për qytetin e Filipisë, Bibla thotë se ishte koloni Romake dhe qytet i parë i për nga rëndësia i asaj ane të Maqedonisë. Le të shikojmë rëndësinë e “thirrjes maqedonase.”

Ekziston sot një koncept Hegelian dhe Marksist se Krishterimi është për të varfrit, të paaftët, të paarsimuarit, të pashpresët e të dobëtit e kësaj bote. Se janë ata njerëz dhe ato kombe që kanë nevojë për Krishterimin. Nëse do të ishte kështu, Perëndia do ta dërgonte Palin në Spanjën e asaj kohe, në Arabinë apo në Afrikën e asaj kohe. Por jo, Perëndia e drejtoi Palin në Maqedoni, në zemrën e qytetërimit Perëndimor të asaj kohe. Qyteti kishte marrë emrin e Filipit, babait të Aleksandërit të Madh, që solli me forcë qytetërim antik Grek ngado që shkoi. Maqedonia tashmë kishte prodhuar dhe eksportuar gjithçka që civilizimi Perëndimor sot vlerëson dhe shijon. Grekët patën eksportuar një gjuhë të mrekullueshme për nga fuqia shprehëse, një literaturë që kishte zaptuar imagjinatën njerëzore dhe zhvilloi intelektin e të gjitha kombeve për këto dymijë vitet e fundit. E gjithë Azia dhe Mesdheu ishte e mbuluar nga qytetet helenistike. Madje edhe në sqetullën e Mesdheut, në Palestinën e peshkatarëve të paarsimuar të Galilesë së Palestinës, Greqishtja ishte gjuha e përditshme e tregtisë e aq më tepër e filozofisë e artit. Fiset Greke kishin filozofët si Plato dhe Aristoteli, shkrimtarët si Hesiodi, Homeri, Euripidi, Sofokleu. Ata kishin historianët si Herodoti e Thecoditi, juristët si Likurgu e Soloni, oratorët si Demosteni, shkencëtarët si Pitagora. Këta ishin mësuesit e gjithçkaje që do të pasonte më vonë në Evropë. Grekët ishin arkitektët, doktorët, poetët, gjeneralët, politikanët e skulptorët, ndërtuesit e anijeve dhe përpunuesit e qelqit. Kur Romakët ua pushtuan kombin dhe ua zotëruan trupin, Grekët u pushtuan Romakëve mendjet dhe zemrat. Roma zotëronte ushtrinë, por Grekët ishin zotër të gjithçkaje tjetër. Sot në Evropë dhe në Amerikë ka një lëvizje intelektuale që thotë, “Ne të gjithë jemi Grekë.” Kuptimi është që ne duhet të mësohemi prej Grekëve, të kthehemi tek idetë e civilizimit antik Grek, dhe jo tek idetë biblike mbi njeriun dhe realitetin e tij.

E megjithatë, në pikën më të lartë të dominimit kulturor Grek, ishte pikërisht një Grek, një Evropian i sofistikuar i qytetërimit më të avancuar të shekullit të parë, që i tha Apostullit, “Eja, dhe na ungjillëzo, eja dhe na ndihmo.” Çfarë ndihme mund ti jepte një i Krishterë i lodhur një civilizimi të tillë? Por Luka thotë që ata nuk e diskutuan këtë gjë, por se ata kërkuan menjëherë që të shkonin në Maqedoni (16:10).

Ndihma që Evropa kishte nevojë ishte ungjilli. Grekët kishin doktorët më të mirë në botë, por të gjithë do të vdisnin një ditë, dhe pastaj do t’u vinte gjykimi. Grekët kishin lojërat olimpike dhe argëtimet më të mrekullueshme në botë, por pas tyre zbrazëtia shpirtërore mbetej po aq e padurueshme sa edhe sot. Ata kishin zotat e panteonit por, por as Zeusi dhe as Hermesi nuk u flisnin atyre, nuk i falnin, nuk vdisnin për Grekët në kryq. Ata kishin verërat më të mira, por në fund të vozës nuk gjendej shpëtimi dhe as paqja me Perëndinë, as paqja e ndërgjegjes, e aq më pak, “paqja e Perëndisë që ia kalon çdo zgjuarsie njerëzore,” (Fil. 4:7). Ata kishin tërë pasuritë e botës, por në fund të jetës do të jepnin llogari njësoj për adhurimin që u bënin pasurive dhe statusit që kishin. I gjithë Egjeu nuk i lante dot mëkatet e tyre. Me gjithë filozofët që kishin ata nuk kishin gjetur as falje e as paqe. Grekët kishin gjithçka, e megjithatë nuk kishin asgjë. Ata ishin të humbur dhe kishin nevojë për ungjillin. Ata kishin nevojë që të dëgjonin për Qengjin e Perëndisë që kishte ardhur për të larë mëkatet e botës. Ata kishin nevojë që të dëgjonin për ngjalljen e të vdekurve dhe për shpresën e jetës së përjetshme.

Sot, bota nuk ka nevojë që të rikthejmë civilizimin Grek, por bekimet e ungjillit. Çfarë shqiptarët kanë nevojë më shumë se çdo gjë tjetër, nuk është që të shkojnë të emigrojnë aty ku ka civilizim por të shkojnë tek Krishti, aty ku ka falje. Jo të shkojmë aty ku ka jetë ekonomike por të shkojmë aty ku ka jetë të përjetshme. Thirrja e kishës nuk është që të shkojë atu ku do të na pëlqente ne, por aty ku na thërret Perëndia, jo aty ku gjërat janë të thjeshta, por aty ku gjërat janë më të vështira, në zemër të civilizimit tonë për ti predikuar ungjillin, pa të cilin kombi ynë është i humbur.