Nga David Jones
Më se një shekull më parë, duke iu drejtuar bashkësisë më të madhe në atë të krishterë, Spërxhën thotë: “unë besoj se është një qëndrim antikristian dhe jo i shenjtë që besimtari i krishterë të jetojë me objektin e mbledhjes së pasurive. Dikush do të thotë: “a nuk duhet të përpiqemi me sa mundemi që të fitojmë sa më shumë para?”. Po, mund ta bëni këtë dhe nuk e vë në dyshim që mund t’i shërbeni kauzës së Perëndisë duke e bërë këtë. Por unë thashë që të jetosh me objektin e të mbledhurit të pasurive është qëndrim jo i krishterë”.
Por me kalimin e viteve, mesazhi që po predikohet në disa prej kishave më të mëdha në botë ka ndryshuar-në fakt një ungjill i ri po u mësohet shumë bashkësive sot. Ky mesazh është cilësuar si ungjilli “thuaj diçka dhe shpalle si tënden”, apo ungjilli i “shëndetit dhe pasurive”, dhe ungjilli i “begatisë”.
Por pavarësisht etiketimit, esenca e mesazhit është e njëjtë. Ta themi më thjesht, ky ungjill mëson se Perëndia dëshiron që besimtarët të jenë sa më të shëndetshëm fizikisht, sa më të pasur materialisht dhe të lumtur në jetën e tyre. Ja çfarë thotë Robert Tilton: “unë besoj se është vullneti i Perëndisë që të gjithë të begatojnë sepse e shikoj atë në Fjalën, e jo sepse ka vepruar fuqishëm për dikë tjetër. Nuk e fiksoj shikimin tim te njerëzit por te Perëndia që më jep fuqinë për të fituar pasuri”. Mësuesit e ungjillit të begatisë i nxisin pasuesit e tyre për t’u lutur dhe madje edhe për të kërkuar begati materiale nga Perëndia.
Pesë gabime teologjike
Do të doja të përmblidhja pesë prej doktrinave në të cilat përkrahësit e këtij ungjilli të rremë gabojnë. Duke i dalluar këto gabime, në lidhje me doktrina kryesore, shpreso që t’i shihni sa më qartë rreziqet e ungjillit të begatisë.
- Besëlidhja e Abrahamit është një mjet për të gëzuar të mira materiale.
Kjo vjen nga konceptimi i tyre i gabuar i besëlidhjes, e sidomos gabojnë në aplikimin e besëlidhjes.
Në librin e tij Duke përhapur Flakën, Eduard Pousson e shprehu në këtë mënyrë aplikimin e besëlidhjes së Abrahamit: “të Krishterët janë bijtë shpirtërorë të Abrahamit dhe trashëgimtarë të bekimeve të besimit…e kjo trashëgimi e Abrahamit shpaloset në lidhje me të drejtat e zotërimeve materiale”. Me fjalë të tjera, ky ungjill mëson se qëllimi kryesor i besëlidhjes së Abrahamit ishte që Perëndia ta bekonte Abrahamin materialisht. Meqenëse tani besimtarët janë bij shpirtërorë të Abrahamit, ne i kemi trashëguar këto bekime financiare. Siç thotë Kenet Kopeland, “duke qenë se besëlidhja e Perëndisë është vendosur dhe begatia është një nga kushtet e saj, duhet ta kuptoni se begatia është e juaja tani!”
Në mbështetje të këtij pretendimi, mësuesit e begatisë i aplikohen Galatasve 3:14, që i referohen “bekimit të Abrahamit që iu vjen johebrenjve me anë të Jezu Krishtit”. Por është interesante që në aplikimin e tyre të këtij vargu, këta mësues e injorojnë gjysmën e dytë të vargut: “që ne të marrim premtimin e Frymës me anë të besimit”. Pali po u kujton fare qartë Galatasve për bekimin shpirtëror të shpëtimit e jo bekimin material të pasurive.
- Shlyerja e Jezusit shtrihet në “mëkatin” e varfërisë materiale.
Ky keqkuptim i qëllimit të shlyerjes (pohimi i Koplandit “parimi bazë i jetës së krishterë është të njohësh faktin që Perëndia ia vuri Jezusit në Kalvar mëkatin, sëmundjet, pikëllimet e varfërinë tonë”) rrjedh nga dy gabime që kundërshtarët e ungjillit të begatisë bëjnë.
Së pari, shumë prej atyre që e përkrahin këtë teologji kanë një keqkuptim bazë mbi jetën e Jezusit. Për shembull, mësuesi Xhon Avancini pohon në një program të TBN-së se Jezusi kishte “një shtëpi të mrekullueshme e të madhe”, se “kishte shumë para” dhe madje që “vishte rroba luksoze”. Ja pra si një pikëpamje e deformuar mbi jetën e Krishtit të shpie në një keqkuptim të deformuar mbi vdekjen e Krishtit.
Gabimi i dytë që të shpie në një pikëpamje heretike të shlyerjes është keqinterpretimi i 2 Kor.8:9: “Sepse ju e njihni hirin e Zotit tonë Jezu Krisht, i cili, duke qenë i pasur, u bë i varfër për ju, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij”. Por këtu Pali po mësonte se meqë Krishti ka bërë shumë për ta përmes shlyerjes, ata duhet të privohen nga këto pasuri në shërbim të Shpëtimtarit. Për këtë arsye pesë vargje më tej Pali i nxit besimtarët që t’ua japin pasuritë vëllezërve të tyre nevojtarë, “që tani mbushullia juaj të plotësojë nevojat e tyre” (14).
- Të krishterët japin me qëllim që të marrin konpensim material nga Perëndia.
Një nga veçoritë dalluese të teologëve të këtij ungjilli është fiksimi i tyre te akti i të dhënit. Ata nxisin njerëzit që të japin bujarisht dhe shpallin pohime të tilla si “begatia e vërtetë është aftësia për të përdorur fuqinë e Perëndisë në plotësimin e nevojave të njerëzimit në çdo sferë të jetës” dhe “ne jemi thirrur që të financojmë ungjillin nëpër botë”. Megjithëse deklarata të tilla mund të duken të lavdërueshme, ky theksim mbi të dhënit është i bazuar në motive që nuk janë aspak filantropike, por në atë që cilësohet si “ligji i konpensimit”, siç e shpreh Gloria Kopland: “jep 10 $ dhe do të marrësh 1000$”. Pra doktrina e tij është e ndërtuar mbi motive të gabuara, ndërkohë që Jezusi u mësonte dishepujve “që të japin, pa shpresuar që do të marrin gjë” (Luka 10:35).
- Besimi është një forcë e vet-gjeneruar shpirtërore që të shpie në begati.
Ndërkohë që krishterimi e sheh besimin si besim në personin e Krishtit, mësuesit e ungjillit të begatisë përqafojnë diçka krejt të ndryshme: “besimi është një forcë shpirtërore, një energji shpirtërore, një fuqi shpirtërore, e kjo forcë besimi është ajo që i bën të funksionojnë ligjet e botës shpirtërore”. Një pikëpamje heretike e besimit.
Sipas kësaj teologjie, besimi nuk është një akt i vullnetit i siguruar nga Zoti, me qendër në të, por një forcë shpirtërore e kryer nga njeriu, që i drejtohet Zotit. Në fakt çdo teologji që e sheh besimin kryesisht si mjet për fitim material sesa shfajësim para Zotit, duhet të konsiderohet si e papranueshme.
- Lutja është një mjet për të detyruar Zotin për të siguruar begati
Predikuesit e tyre shpesh thonë se “nuk kemi sepse nuk kërkojmë”, duke na nxitur që të lutemi për mbarësi personale në çdo fushë të jetës. “Nëse besojmë se tashmë e kemi marrë atë që kërkojmë, Zoti nuk ka zgjedhje tjetër përveçse ta plotësojë lutjen tonë…”. Duke e kthyer kështu lutjen në një mjet që mund të përdoret për ta detyruar Zotin që t’ua plotësojë dëshirat. E si rrjedhim, njeriu e jo Zoti bëhet fokusi i lutjes. Këta predikues, e injorojnë me këtë mësim, gjysmën tjetër të mësimit të Jakobit mbi lutjen, kur thotë: “Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja” (Jakobi 4:3). Perëndia nuk u përgjigjet lutjeve egoiste që nuk e nderojnë emrin e tij.
Një Ungjill i Rremë
Në dritën e Shkrimit, shihet qartë se ky ungjill është i gabuar rrënjësisht dhe është i rremë, për shkak të pikëpamjes heretike mbi marrëdhënien midis Zotit e njeriut. Si kur flasin për besëlidhjen e Abrahamit, shlyerjen, dhënien, apo lutjen, mësuesit e begatisë e kthejnë marrëdhënien midis Zotit e njeriut në një transaksion quid pro quo.
Autori: David W. Jones është profesori i Etikës së Krishterë dhe Dekani Administrativ, dhe drejtori i programit Th.M në Seminarin Teologjik Baptist të Juglindjes, në Wake Forest, NC në SHBA. Marrë nga https://www.thegospelcoalition.org/article/5-errors-of-the-prosperity-gospel