Domosdoshmëria Absolute e Cilësive Biblike në Karakterin e Dhjakut

Domosdoshmëria Absolute e Cilësive Biblike në Karakterin e Dhjakut

“Ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im” – Psa. 101:6b

Në një letër (A.D. 394) drejtuar një presbiteri të ri të quajtur Nepotian, Jeromi qortonte kishat e ditës së tij për hipokrizinë që tregonin, sepse ishin më të shqetësuara për pamjet e ndërtesave të kishave se sa për cilësitë e karakterit të drejtuesve të kishave që ata zgjidhnin:

Sot shumë ndërtojnë kisha sot, muret dhe kolonat e tyre janë prej mermeri vezullitësh, tavanet e tyre që shkëlqejnë nga ari, dhe altarët e tyre të zbukuruara me gurë të çmuar. E megjithatë, për përzgjedhjen e shërbëtorëve të duhur të Krishtit askush nuk kujdeset.[1]

Por e gjithë Bibla, insiston që shqetësimi kryesor i Perëndisë nuk është me zbukurimin e jashtëm të ndërtesa tonë, por me zbukurimin e karakterit, shenjtërimin e njeriut të ri dhe mortifikimin e njeriut të vjetër në ne. Ndoshta të gjitha instruksionet në Dhiatën e Re që kanë të bëjnë me dhjakët, kanë të bëjnë me cilësitë e karakterit.

Sipas Dhiatës së Re, jo kushdo mund të bëhet dhjak. Ky ishte pikërisht problemi i Kishës së Efesit. Njerëz pa cilësitë biblike të një drejtuesi në kishë kishin hipur në drejtimin e kishës. Vendosja e njerëzve të gabuar në drejtimin e kishave lokale apo të funksioneve të larta në një denominacione të tërë është një prej strategjive kryesore që ndjek Satani për të rrënuar dhe diskretituar Kishën e Krishtit dhe mesazhin e Tij. Si rrjedhim, një prej instruktimeve kryesore tek Letra e Parë e Palit drejtuar Timoteut, që ishte pastori i Kishës në Efes, ka të bëjë me cilësitë biblike që drejtuesit e kishës duhet të kenë. Kjo është një prej instruktimeve më të rëndësishme të besimit të Krishterë, për të cilën nuk mund të ketë kompromis. Aty ku ka kompromis, aty do të ketë probleme të mëdha. E megjithatë, nga historia e kishës mbarëbotërore, dhe nga historitë e përsëritura të kishave lokale, mësojmë se është pikërisht ky instruktim që neglizhohet më shumë.

Konteksti Historik i 1 Tim. 3:1-16

Pas lirimit nga burgimi Romak (A.D. 60-62), Pali dhe Timoteu shkuan të vizitonin Kishën në Efes. Aty zbuluan se mësuesit e rremë kishin okupuar kishën. Kështu Pali ndërmori veprime radikale. Ai përjashtoi nga kisha dy prej autorëve kryesorë Imeneu dhe Aleksandrin (1 Tim. 1:19-20). Për arsye që nuk i dimë, Pali vazhdoi rrugën për në Maqedoni duke lënë pas Timoteun për të vendosur rregull në kishë dhe për të luftuar mësimet e rreme atje. Më pas, atij do ti shkruante, “Ashtu si të nxita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes për t’u urdhëruar disave të mos mësojnë doktrina të tjera,” (1 Tim. 1:3). Duke e ditur mirë fuqinë e mësimeve të rreme, karakteristikat djallëzore të mësuesve të rremë, dhe vështirësinë e reformimit të një kishë, në përgjithësi, Pali i shkroi Timoteut nga Maqedonia me instruktime specifike se çfarë duhet që Timoteu të bënte në Efes.

Domosdoshmëria e Rregullit në Kishën e Perëndisë

Domosdoshmëria e rregullit dhe e cilësive shpirtërore dhe të karakterit ndër drejtuesit e kishës së Krishtit buron nga të paktën tre arsye kryesore tekstuale dhe një arsye praktike.

Veprat 6:3

Së pari, kur Dymbëdhjetë Apostujt e Krishtit institucionalizuar ofiqin e dhjakut në Kishën e re të Krishtit, ata na dhanë edhe cilësitë që duhet të ketë dhjaku:

“Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t’ua besojmë këtë detyrë” (Vep. 6:3).

Le të vëmë re elementet në këtë zgjidhje apostolike të nevojës së kishës për dhjakë. (i) Kisha duhej të zgjidhte apo të nominonte nga mesi i saj shtatë individë. Duhet të ketë pluralizëm në drejtimin e kishës, si në pleqësi ashtu edhe në dhjakonatë. Kisha lokale duhet të ketë të paktën dy dhjakonë të shuguruar dhe funksionalë. (ii) Dhjakët duhet të ishin burra, jo fëmijë dhe jo gra. (iii) Këta shtatë burra duhej të përmbushnin tre cilësi të rëndësishme, (a) më dëshmi të mirë, (b) të mbushur me Frymën e Shenjtë, (c) me urtësi. (iv) Ishin Apostujt ata që do tu besonin, apo transferonin këtyre burrave të perëndishëm detyrën apo ofiqin e dhjakonit në Kishën e Krishtit. Elementi që ka rëndësi për ne në këtë moment diskutimi të ofiqit të dhjakut është cilësitë që duhet të përmbushë dhjaku. Sipas të Dymbëdhjetëve, dhjaku duhet të jetë një burrë “me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi.” Ky ishte insistimi i Apostujve.

1 Timoteut 3:1-13

Së dyti, tek 1 Tim. 3:1-13 gjejmë një term të rëndësishëm që komunikon rëndësinë e cilësive personale për shërbesë si plak apo si dhjak në kishë. Ky është termi “duhet” – “Duhet, pra, që peshkopi të jetë…” (1 Tim. 3:2). Dhe më pas Pali vazhdon të na japë në vargjet 2-7 cilësitë e plakut të Kishës. Por nga vargu 8 e më poshtë Pali jep cilësisë se si duhet të jetë dhjaku. Vargu 8 nuk ka kallëzues, dhe Pali e lidh vargun 8 me vargun 2 me fjalën “gjithashtu.” Për studiuesin e tekstit në origjinalin në Greqisht, vargu 8 ndan foljen kryesore me vargun 2, që është folja “duhet.” Si rrjedhim, dhe me të drejtë, përkthimi “Diodadi i Ri” i LIM (1991-1994) e përkthen “Gjithashtu dhjakët duhet të jenë…” Pra, në mënyrë të ngjashme me cilësitë e domosdoshme të peshkopëve në kishë, edhe dhjakët duhet të kenë disa cilësi të domosdoshme. Për më tepër, që edhe pse cilësitë e këtyre dy detyrave të veçanta në kishë nuk janë identike, ato janë shumë të ngjashme me njëra-tjetrën. Domosdoshmëria e cilësive për të qenë peshkop, duke qenë shumë të ngjashme me cilësitë për të qenë dhjak, i bën këto të fundit po aq të domosdoshme edhe për ofiqin e dhjakut. Termi “gjithashtu” tek vargu 8 insiston pikërisht për këtë gjë. të tëra këto cilësi janë të domosdoshme. Ato janë kërkesat apo kushtet që Perëndia ka vendosur për mbajtësin e detyrës së dhjakut në kishë. Asnjë njeri nuk mund të nominohet apo vajoset si dhjak nëse nuk i përmbush të tëra këto cilësi.

Ne rrëfejmë se Krishti është mbreti mbi kishën e tij. Kjo do të thotë se ne duhet të ndjekim rregullat që vetë Mbreti ka caktuar për kishën e tij. Perëndia i ka dhënë kishës detyrën hyjnore që të mbajë larg drejtimit të saj jo vetëm ujqërit që në mënyrë të ndërgjegjshme synojnë shkatërrimin e saj, por edhe ata që janë vëllezër të vërtetë në Krisht dhe me qëllime të mira, por që u mungojnë cilësitë e domosdoshme për të qenë drejtues në të.

Si rrjedhim, është gjithashtu detyrë e kishës edhe që të largojë prej drejtimit të saj ata burra që e kanë provuar veten se nuk i kanë cilësitë e nevojshme biblike për të qenë dhjakë në kishë. Duke i larguar këta vëllezër nga drejtimi, kisha mban disiplinimin e vërtetë biblik si një prej shenjave dalluese të kishës së vërtetë apostolike, mban të pastër nderin dhe emrin e Krishtit, dhe siguron gjithashtu që kisha të instruktohet më tej për një paqe, pastërti dhe unitet më të madh brenda saj.

1 Timoteut 3:14-15

Së treti, tek 1 Tim. 3:14-15 gjejmë insistimin apostolik të Palit për të pasur rregull në kishë:

“Po t’i shkruaj këto gjëra duke shpresuar që të vij së shpejti te ti, 15 por, po u vonova, të dish se si duhet të sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetës.”

Instruktimet që Pali liston për cilësitë e peshkopëve dhe dhjakëve në kishë kanë një qëllim, në rast se Pali vonohet të vijë tek ai, që Timoteu të dijë “se si duhet të sillesh. Termi “sillesh”-anastrefo-në kontekstin e Dhiatës së Re i referohet sjelljes, etikës dhe aplikimit të disa rregullave të përbashkëta, në një marrëdhënieve të përbashkët të një grupi që jeton punon, apo në rastin tonë, që adhuron së bashku. Për këtë arsye Pali shton “…sillesh në shtëpinë e Perëndisë, që është Kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe mbështetja e së vërtetesës.”  Pra bëhet fjalë për një rregull të brendshëm të kishës. Por ky rregull i brendshëm nuk është opsional por i detyrueshëm. Pali thotë, “se si duhet të sillesh.” Dhe Pali insiston që kisha duhet të ketë rregullin e duhur brenda saj sepse është e domosdoshme për besimin e vërtetë.

Dhe arsyetimi i Palit është i thjeshtë. Sepse të Krishterët e një kishe lokale përbëjnë (i) “shtëpinë e Perëndisë,” që është gjithashtu edhe (ii) “kisha e Perëndisë së gjallë” si edhe (iii) “shtylla dhe mbështetja e së vërtetës,” rregulla e praktikat e saj të brendshme, si edhe jeta e saj përpara syve të një botë që të vëzhgon tërë kohës, janë tepër të rëndësishme. Këto tre përshkrime të Palit theksojnë madhështinë dhe si rrjedhim edhe rëndësinë e mënyrës se si anëtarët e saj rregullojnë jetën dhe veprimtarinë e brendshme të saj. Si rrjedhim, është e domosdoshme që anëtarët e kishës, dhe mbi të gjitha drejtuesit e saj, të jetojnë sipas një standardi të Krishterë të sjelljes dhe organizimit. Rregulli brenda kishës është i domosdoshëm pikërisht sepse është shtëpia e Perëndisë, instrumenti i zgjedhur i tij për propagandimin në të gjithë botën të mesazhit të shpëtimit dhe të zbulesës të Perëndisë-Njeri, Zotit Jezus Krisht.

Rreziku i Abuzimit me Detyrën

Së fundi, dhjaku duhet të ketë ato cilësi të domosdoshme të karakterit dhe shpirtërore edhe për një arsye tepër praktike. Së bashku me pushtetin e përgjegjësinë vjen edhe tundimi e mundësia për ti abuzuar ato. Shtatë dhjakët që do ti shërbenin kishës nën drejtimin e Apostujve do të kalonin nëpër duar shuma të mëdha parash. Këta dhjakë gjithashtu do të hynin e dilnin nëpër shtëpitë e vejushave të vetmuara, madje një pjesë prej tyre edhe në moshë të re. Këto vejusha do të kishin fëmijë, madje edhe vajza adoleshente apo jo nëpër këmbë. Hapësirat për abuzim do të ishin të shumta si nga ana financiare ashtu edhe seksuale. Nga historia disa qindra vjeçare e kishës dimë se ka pasur abuzime nga ana e dhjakëve pikërisht në këto gjëra. Sepse dhjaku ka hapje nga njerëz që janë të dobët, të sëmurë e të lënduar, ai ka hapje edhe për të abuzuar apo për të përfituar lehtësisht prej tyre. Ka pasur dhjakë në historinë e kishës që kanë përfituar prej vejushave plaka prona duke ua kaluar vetes. Ka pasur dhjakë që kanë qenë pedofilë të fshehur, dhe që kanë abuzuar me fëmijët e familjeve në nevojë. Ata kanë arritur që ti bënin këto gjëra për shkak të nevojës së madhe të kishë për krahë punë në fushën e dhjakonatës, dhe që për pasojë kanë vajosur në detyrë njerëz të pa provuar më parë.

Për këtë arsye na instrukton shkrimi “Mos i vër duart askujt me ngut” (1 Tim. 5:22). Pasi ka listuar katër cilësi kryesore të domosdoshme, Pali më pas shton, “Edhe këta le të vihen më parë në provë, pastaj ta kryejnë shërbesën e tyre po të jenë të patëmetë” (1 Tim. 3:10). Sepse do të kishin në duar shuma të madha parash dhe se do të kishin të bënim me vejusha e me familjet e tyre, Apostujt insistuan që dhjakët duhej të ishin “me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi.”

në sesionin e ardhshëm do të studiojmë në detaj se cilat janë këto cilësi që duhet me doemos që të kenë dhjakët në shtëpinë e Perëndisë.

[1] Jeromi, “Letra 52,” tek The Nicene and Post-Nicene Fathers, 14 vols., eds. Philip Schaff and Henry Wace (reprint Grand Rapids: William B. Eerdmans Publishing Company), 6:94.