PESË CILËSITË KRYESORE TË DHJAKUT

PESË CILËSITË KRYESORE TË DHJAKUT

“Gjithashtu dhjakët duhet të jenë dinjitozë, jo me dy faqe në fjalë, të mos jepen pas verës së tepërt, të mos lakmojnë fitime të paligjshme, 9 dhe ta ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër.” – 1 Timoteut 3:8-9

Apostujt, si të Dymbëdhjetë ashtu edhe Pali, insistojnë që ata që i shërbejnë kishës zyrtarisht, ata dhe duhet të përmbushin disa kritere morale dhe shpirtërore (Veprat 6 dhe 1 Tim 3). Ashtu siç asnjë njeri në këtë botë nuk ia beson fëmijët dhe paratë një njeriu t panjohur dhe të paprovuar më parë, ashtu edhe kisha nuk duhet që t’ia besojë pasuritë dhe nevojtarët e saj njerëzve të panjohur dhe të paprovuar më parë. Kriteret morale që Pali i kërkon si të domosdoshme për çdo dhjak janë:

Apostujt, si të Dymbëdhjetë ashtu edhe Pali, insistojnë që ata që i shërbejnë kishës zyrtarisht, ata dhe duhet të përmbushin disa kritere morale dhe shpirtërore (Veprat 6 dhe 1 Tim 3). Ashtu siç asnjë njeri në këtë botë nuk ia beson fëmijët dhe paratë një njeriu t panjohur dhe të paprovuar më parë, ashtu edhe kisha nuk duhet që t’ia besojë pasuritë dhe nevojtarët e saj njerëzve të panjohur dhe të paprovuar më parë. Kriteret morale që Pali i kërkon si të domosdoshme për çdo dhjak janë:

(i) dinjitozë

(ii) jo me dy faqe në fjalë

(iii) të mos jepen pas verës së tepërt

(iv) të mos lakmojnë fitime të paligjshme / turpshme

(v) të ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër

Ne mund ti përmbledhim këto kritere duke thënë se dhjakët duhet të jenë njerëz me integritet dhe vet-kontroll të cilët jetojnë në përputhje të plotë me mësimin biblik. Duke përdor terminologjinë e Veprave 6, dhjakët duhet të jenë “burra me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi.” Që do të thotë, se ata duhet të jenë burra të kontrolluar e sunduar nga Fryma e Shenjtë e Perëndisë- jo nga paraja, alkooli apo një gjuhë e shfrenuar. Jetët e tyre duhet të shpalosin Frymën e Shenjtë. Përse? Sepse vetëm ata burra të mbushur me Frymën e Shenjtë mund të jenë të ndjeshëm ndaj nevojave të bashkësisë, parimeve të Perëndisë dhe drejtimit të Frymës së Shenjtë. Vetëm ata mund të shpalosin e reflektojnë dashurinë dhe mëshirën e Krishtit. Vetëm ata nuk do ta turpërojnë kishën duke shfrytëzuar nevojtarët dhe të dobëtit duke menduar për reputacionin, idetë dhe avancimin personal. Le ti studiojmë këto pesë kritere me radhë.

Dinjitozë: I denjë për Respekt

“Gjithashtu dhjakët duhet të jenë dinjitozë…”– 1 Timoteut 3:8

               Kriteri i parë për të qenë dhjak është të qenit dinjitoz. Termi në greqisht është diçka i vështirë për ti gjetur ekuivalentin në shqip, por e parafrazuar, mund të themi se dhjaku duhet të jetë një burrë që e meriton apo është i denjë respektin e bashkësisë së tij. Ai duhet të jetë fisnik e shpirtmadh. Ai duhet që të ketë kujdes që të mos kthejë çdo gjë në shaka, dhe të jetë serioz për gjërat serioze dhe të rëndësishme. Stefani, një prej të Shtatëve, na është përshkruar si një njeri i nderuar dhe i respektuar prej të gjithëve në bashkësinë e Jerusalemit, siç lexojmë tek Vep 6. Që të jetë i tillë, dhjaku duhet të jetë i paturpëruar për shkak të jetës që bën. Nëse dhjaku mund të akuzohet me të drejtë për një mëkat të rëndë publik, ai nuk e meriton apo nuk është i denjë për nderimin e njerëzve, dhe bashkësia nuk do ta respektojë. Bashkësia duhet të ketë dashuri e admirim për dhjakun.

            Kështu, kriteri që cakton Pali për dhjakun, “të jenë dinjitozë,” korrespondon me kriterin që patën vënë të Dymbëdhjetë tek Vep. 6:3, me dëshmi të mirë. Kjo dëshmi ishte për shkak të karakterit të tyre të mirë, perëndishmërisë personale, dhe aftësive të tyre për të administruar siç duhet familjet dhe popullin e Perëndisë. Në thelb dëshmia është diçka publike. Pra karakteristikat e tyre të mira duhej të ishin të çertifikueshme nga dëshmia publike. Veprat 6:3 shton se dhjakët duhet të jenë “me urtësi.” Njerëzit që kanë urtësi janë ata që të imponojnë respekt. Një burrë që nuk reflekton urtësi në jetën, fjalët dhe veprimet e tij nuk mund të jetë dhjak.

            Urtësia për të cilën bëhet fjalë nuk ka të bëjë me volumin apo me tonin e zërit, me aftësinë për të mos shkaktuar sherre apo me mungesën e dëshirës për të bërtitur nëpër ambientet e kishës apo të shtëpive ku shërben. Urtësia në Bibël ka të bëjë me gjykimin e mirë në të tëra çështjet shpirtërore dhe praktike. Tek 1 Kor. 6:5, Pali e përkufizon urtësinë me aftësinë për të gjykuar mirë. Të ndihmuarit e njerëzve kërkon shumë urtësi, shumë gjykim të mirë për të vendosur me drejtësi se kush duhet të përfitojë ndihmën nga kisha, në cfarë mase, në cfarë mënyre dhe për sa kohë. Nga njëra anë dhjaku duhet të ndihmojë ata në nevojë, por nga ana tjetër as nuk duhet që ndihma që jep të shkaktojë varësi ndaj kishës nga ana e të varfërve apo abuzim prej të tjerëve. Problemet e të varfërve dhe të lënduarve të kësaj bote janë komplekse, dhe është e lehtë për ti thjeshtësuar gjërat kur në fakt nuk duhet. Është e vështirë për të qenë në të njëjtën kohë edhe i drejtë edhe bujar, edhe praktik edhe i përgjegjshëm.

            Një prej pastorëve dhe teologëve të parë Ungjillor apo Protestant që rizbuloi dhe artikuloi mësimin biblik të dhjakonatës ishte Reformatori i famshëm në Gjenevë, Xhon Kalvin. Ai shërbeu si një prej pastorëve të qytetit në një kohë kur Qytet-Shtetin e Gjenevës e kishte pllakosur varfëria, sëmundjet dhe refugjatët që kishin dyfishuar e madje trefishuar popullsinë e qytetit. Duke i njohur mire dhe personalisht problemet pastorale të kishës dhe sfidat e dhjakëve të tij, ai shkroi:

Është e rëndësishme që dhjakët të jenë të bekuar jo vetëm me hiret e tjera të Frymës, por sigurisht që edhe me urtësi, sepse pa të, detyrave  tyre nuk mund të kryhet me sukses. Dhjakët duhet të ruhen jo vetëm ndaj mashtruesve dhe hileqarëve, që për shkak të përtacisë duan të thithin pasuritë e të tjerëve dhe të parazitojnë në kurriz të tyre, duke marrë ato gjëra që mund tu shkojnë të varfërve të vërtetë, por ata duhet të ruhen edhe nga ngatërrestarët, akuzuesit dhe thashethemexhinjtë që e kanë për zakon që të bëjnë pa pushim komente për të tjerët edhe kur nuk ka arsye për të folur. Sepse detyra e dhjakut, është jo vetëm e vështirë, por edhe e ekspozuar ndaj ankesave dhe llafeve të kota.

Jo me dy faqe në fjalë

“Gjithashtu dhjakët duhet të jenë…jo me dy faqe në fjalë…”– 1 Timoteut 3:8-9

Asgjë nuk e shkatërron bashkësisë e Krishterë më shpejtë se sa mungesa e të vërtetës, bollëku i gënjeshtrave, e fryma e mashtrimit që shkakton mosbesim e përçarje në mes të besimtarëve. Për këtë arsye, shërbëtorët e besuar me administrimin e financave dhe me dhënien e ndihmës ndaj nevojtarëve dhe të varfërve, duhet të jenë njerëz të sinqertë, dhe të besueshëm. E përkthyer literalisht në shqip, termi në origjinal dilogos (di-dy, logos-fjalë) përkthehet “me dy fjalë.” Pali ndalon jo thjesht të folurin me dy kuptime, por gënjeshtrën, mashtrimin, manipulimin dhe pandershmërinë në të folur. Prapa një gjuhe mashtruese fshihet një mendje mashtruese dhe një zemër e ligë.

Fatkeqësisht, shumë drejtues të Krishterë kanë demonstruar se nuk mund tu marrësh asnjë fjalë për bazë, veçanërisht kur bëhet fjalë për financat. Sipas standardit të Perëndisë njerëz të tillë nuk kualifikohen për të qenë peshkopë apo dhjakë në kishë. Dhjaku duhet të jetë njeri i besës dhe i fjalës që jep. Ai duhet të bëjë atë që thotë. Le të jetë fjala “po” me të vërtetë “po,” dhe fjala “jo” me të vërtetë “jo!” Pali u tha të njëjtën gjë Korintasve, edhe pse në kontekstin më të gjerë të shërbesës apostolike, Pali insistoi se dëshmia e tyre ndaj kishave, fjala e tyre kishte qenë po aq e besueshme dhe po aq besnike sa edhe premtimet e Perëndisë ndaj njeriut: “fjala jonë ndaj jush nuk ka qenë po dhe jo” (2 Kor. 1:17-20). Jezusi i urdhëroi ndjekësit e tij që të mos ishin “me dy fjalë” kur u tha: “Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu” (Mat. 5:37).

Kuptohet që duhet të diferencojmë pamundësinë nga pandershmëria. Dhjaku mund të premtojë diçka, por për shkak të Providencës së Perëndisë, të vështirësive të jetës së përditshme dhe të gjërave të papritura që janë aq të shpeshta në Shqipëri, ai të mos arrijë që të përmbushë detyrën apo një premtim apo plan të bërë. Kjo është ndryshe nga neglizhenca e pajustifikueshme dhe e shpeshtë e detyrës. Kjo lloj neglizhence, lënia e qëllimshme në rrenë e të tjerëve, mashtrimi e premtimet boshe e shkualifikojnë një burrë për detyrën dinjitoze të dhjakut.

Të mos jepen pas verës së tepërt

“Gjithashtu dhjakët duhet të…mos jepen pas verës së tepërt…” – 1 Timoteut 3:8

Në Greqishten e vjetër, teksti në origjinal thotë se dhjaku nuk duhet t’ia përkushtojë veten, apo ta okupoje veten me verën e tepërt. Pali përdor të njëjtin term tek 1 Tim. 4:13 ku thotë, “Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.” Pali dëshiron që Timoteu ti përkushtohet apo ta mbushë kohën e tij me studim e predikim.

Të njëjtin folje përdor Pali edhe këtu. Pali i thotë Timoteut se dhjaku nuk duhet të jetë i përkushtuar pas verës, apo duke e përgjithësuar, pas alkoolit të tepërt. Bibla përmban shumë paralajmërime ndaj abuzimit me alkoolin apo kundra dehjes. Fjalët e Urta 23:29 i përshkruan këta persona si ata “që ndalen gjatë pranë verës, për ata që kërkojnë verë të fortë.” Isaia 5:11, 22; Fjalët e Urta 23:30-35; Osea 4:11; etj përshkruajnë vullnetin e Perëndisë për popullin e tij për sa i përket dehjes. Fjalët e Urta 20:1 thotë se, “vera është tallëse, pija dehëse është e turbullt dhe kush jepet pas tyre nuk është i urtë.” Por dhjaku duhet të ketë urtësi, ky ishte kriteri që studiuam më lart. Dhe dhjaku i urtë nuk lejon që të dominohet nga alkooli. Kjo përfshin si rastet kur dhjaku pinë tepër rrallë, por kur konsumon alkool dehet me apo pa qëllim, ashtu edhe rastet kur dhjaku dehet shpesh, dhe kështu është praktikisht nën skllavërinë e alkoolit. Përkundrazi, Pali jo vetëm që urdhëron që asnjë prej popullit të Perëndisë nuk duhet të dehet me alkool apo çfarëdo substance tjetër dehëse apo droguese, por madje duhet të kërkojë të kundërtën. Dhjaku duhet të jetë i mbushur me Frymën e Shenjtë (Efe, 5:18), veçanërisht kur kujtojmë se një prej cilësive të detyrueshme që të Dymbëdhjetë kërkuan prej të Shtatëve ishte që ata të ishin njerëz të mbushur me Frymën (Vep. 6:3).

Dehja është mëkat, dhe në Dhiatën e Re, dehja e përsëritur kërkon disiplinimin nga drejtuesit e Kishës (shiko 1 Kor. 5:11; 6:9-10; Gal. 55:21; Efe. 5:18; 1 Pje. 4;3). Bibla nuk ndalon përdorimin absolut të alkoolit. Është Zoti vetë ai që jep verën. “Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij, 15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut” (Psa. 104:14-15). Madje Krishti vetë prodhoi verë në mrekullinë e parë që ai bëri, gjatë një dasme në Kana të Galilesë (Gjoni 2). Më pas, Jezusi do të përdorte vrën si një prej dy elementeve të Darkës së Zotit, si një shenjë dhe ceremoni që duhet përdorur seri sa të kthehet ai. Po kështu, Pali instrukton më pas Timoteun: “Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta” (1 Tim. 5:23). Shkrimi i Shenjtë shpreh bekimet e besëlidhjes së Perëndisë në këtë mënyrë; “Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; 10 hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht” (Fja.Urta 3:9-10). Vera është një prej dhuratave të Perëndisë dhe duhet përdorur për lavdinë e Perëndisë.

Por Bibla ndalon dehjen që vjen si pasojë e abuzimit të saj. Madje Shkrimi e dënon dehjen duke thënë se pijanecët nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë (1 Kor. 6:9-10). Pra, një personi që ka problem me alkoolin nuk mund ti besohet detyra e dhjakut dhe përgjegjësitë e privilegjet që rrjedhin prej saj. Një prej pasojave të dehjes së drejtuesve është harrimi, neglizhimi e abuzimi i detyrës:

Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel,

Nuk u shkon mbretërve të pinë verë,

As princave të dëshirojnë pije dehëse,

Sepse duke pirë do të harrojnë ligjin

Dhe do të shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve (Fjalët e Urta 31:4-5)

Sepse alkooli ndikon gjykimin e burrit dhe aftësinë e tij për të kontrolluar fjalët dhe veprimet e tij, Perëndia urdhëroi Aaronin dhe bijtë e tij kështu: “Mos pini verë as pije dehëse as ti as bijtë e tu, kur do të hyni në çadrën e mbledhjes, që të mos vdisni; do të jetë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, 10 me qëllim që të mundni të dalloni midis të shenjtit dhe profanit, midis të papastrit dhe të pastrit, 11 dhe të mundni t’u mësoni bijve të Izraelit të gjitha ligjet, që Zoti u ka dhënë atyre me anë të Moisiut” (Lev. 10:9-11, shiko edhe Isaia 5:20-25; 28:1, 7-8; 56:9-12, Eze. 44:21).

Dehja dhe përkushtimi ndaj alkoolit është një problem moral dhe shpirtëror. Në thelb është ose eskapizëm ose abdikim. Eskapizëm është dëshira për ti ikur realitetit ku personin ndodhet, në vend që të ketë guximin për tu ballafaquar me të dhe për ta ndryshuar atë. Për disa të tjerë, dehja është përpjekja për të mbushur atë zbrazëtirë shpirtërore që vetëm Perëndia mund ta mbushë. Për disa të tjerë, dehja është abdikim, pra pafuqia për ti rezistuar tundimit të alkoolit dhe kënaqësive të saj, që është e kundërta e kërkimit të shenjtërisë dhe e mortifikimit të gjymtyrëve të mëkatit në personin e dhjakut. Për të tëra këto arsye, themi se dehja e shpeshtë është një problem moral dhe shpirtëror dhe që kërkon disiplinimin kishtar.

Le të mos jemi naivë për sa i përket ekzistencës së dehjes ndër drejtues kishash. Ky autor ka njohur mjaft raste kur pastorë të njohur, e madje miq të afërm kanë humbur shërbesën e tyre për shkak të përkushtimit ndaj alkoolit që u ka hapur rrugën më pas problemeve të tjera morale, duke përfunduar madje edhe pas hekurave të burgut.

Dehja e dhjakut i hap rrugë problemeve, neglizhimeve dhe abuzimit, dhe eventualisht edhe turpërimit të emrit të Krishtit dhe të kishës lokale. Dhjaku, që nga detyra ka për qëllim që të demonstrojë dashurinë e Krishtit për të tjerët, duhet të jetë në kontroll të plotë të jetës së tij. Parimet dhe shpjegimet e mësipërme nuk kanë të bëjnë vetëm me përdorimin e alkoolit por edhe të çdo lloj substance narkotike. Në fakt, parimet e mësipërme i aplikohen edhe mëkateve të tjera të ngjashme me dehjen dhe që kanë të bëjnë me stomakun, siç është grykësia.

Të mos lakmojnë fitime të paligjshme / turpshme

“Gjithashtu dhjakët duhet…të mos lakmojnë fitime të paligjshme…”– 1 Timoteut 3:8

Në tekstin në Greqisht, Pali përdor një mbiemër të përbërë nga fjalët “fitim” dhe “turpshëm”. Edhe pse një nga përkthimet në shqip shkruan se dhjakët duhet të “mos lakmojnë fitime të paligjshme,” përkthimi i duhur është “fitime të turpshme.”

Le të vëmë re disa parime. Së pari, diçka mund të jetë e ligjshme por në të njëjtën kohë moralisht e turpshme sipas standardit të Perëndisë. Shembull: Është plotësisht e ligjshme sot në Shqipëri, për një mjek gjinekolog që të bëjë aborte. Por pavarësisht se çfarë thotë Shteti, Perëndia e urren abortin dhe e dënon atë që e kryen atë apo e bën të mundur atë. Si rrjedhim, një mjek gjinekolog që kryen aborte nuk mund të jetë mjek. Aktiviteti i tij edhe pse i ligjshëm me Shtetin, është i turpshëm në sytë e Perëndisë dhe të Kishës së tij. Ky është vetëm një shembull, që edhe pse në dukje ekstrem, bazohen në një rast të vërtetë nga kisha në Shqipëri. Pali urdhëron që dhjakët të mos synojnë për fitime të turpshme, dhe jo thjesht për fitime të paligjshme.

Le të vëmë re së dyti, se çfarë ka ndërmend Pali kur flet për fitime të turpshme. Një fitim i turpshëm është gjithçka që fitohet përmes mjeteve të turpshme, apo që në vetvete është e turpshme apo e ligë.

Pjetri flet për të njëjtën gjë tek 1 Pje. 5:2 ku ai i nxit pleqtë që të “ruajnë tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikëqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mire.” Pjetri thotë se motive që një burrë shërben si plak nuk duhet të jetë përfitimi i pandershëm. E njëjta gjë është edhe për dhjakun. Ai nuk duhet që të synojë që ta lartësojë veten e tij mbi tufën e Perëndisë duke përdorur detyrën dhe privilegjin e dhjakut. Ai nuk duhet që ta përdorë detyrën për të grumbulluar për veten e tij pushtet, kontroll apo autoritet mbi të tjerët, e aq më pak të mirat materialë që duhet tu shkojnë të tjerëve nga financat apo pasuritë e kishës.

Me siguri që Pali kishte ndërmend mësuesit e rremë kur ai renditi këto kritere për të qenë peshkop apo dhjak në kishë (1 Tim. 6:5; Titi 1:11). Po kështu ai mund të kishte parasysh edhe Judë Tradhëtorin, sepse ai është ilustrimi më i mirë i shprehjes “fitime të turpshme.” Si arkëmbajtësi i grupit apostolik të Krishtit, Juda fliste dhe sillej sikur ai kujdesej për të varfrit, kur në fakt ai kujdesej vetëm për lakminë e parave.

Kur Maria e vajosin Jezusin me një vaj të shtrenjtë si një mënyrë për të adhuruar Krishtin, Juda protestoi me një qëndrim moralizues, “Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t’u jepej fitimi të varfërve?” Por Gjoni na shpjegon motivet e vërteta të zemrës së tij. “ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda” (Gjoni 12:5-6). Kudo në Bibël ne gjejmë shembuj dhe paralajmërime kundra njerëzve që përdorin ofiqet religjioze për të realizuar qëllime financiare në kurriz të tjerëve (shiko Numrat 22-24; 1 Samuelit 2:13-17; 2 Mbretërve 5:20-27; Isaia 22:15-25). Madje edhe vetë Zoti ynë e konfrontoi këtë problem kur ishte në tokë dy herë kur me kamxhik në dorë pastroi oborrin e tempullit, ndërsa i akuzonte gjithashtu skribët dhe farisenjtë se villnin prej shtëpive të vejushave (Luka 20:47; 11:39). Po kështu, edh Luka, duke demaskuar drejtuesit religjiozë të Izraelit të kohës së tij, shkruante se ata “ishin shumë të dhënë pas parasë” (Luka 16:14). Por në kundërshtim me ato që bën bota, në kundërshtim me ato që bënin skribët dhe farisenjtë, Perëndia na jep standardin jo vetëm të ligjshëm, por edhe të pastër të marrëdhënies tonë me paranë dhe pasurinë: “Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni” (Heb. 13:5).

Le të theksojmë këtu që problemi nuk është me paranë por me dashurinë për paranë dhe fitimin e turpshëm. Paraja nuk është as turp e as mallkim por një dhuratë e bekim për tu përdorur për lavdinë e Perëndisë. Sipas Ligjit të Ripërtërirë 8:18, Perëndia “të jep forcën për të fituar pasuri.” Nuk është gabim, siç kanë menduar disa “super-frymërorë” që dhjaku të jetë i bekuar me mirëqenie të kësaj bote, pasi në fund të fundit, mirëqenia e kësaj bote listohet në Bibël si pjesë e bekimeve të mundshme të besëlidhjes me Perëndinë (Fja. 3:9-10; Jobi 42:12). Pra, ky kriter nuk e ndalon dhjakun që të jetë i suksesshëm në karrierën e tij civile jashtë kishës. Kriteri ndalon dhjakun që të lakmojë atë që i përket tjetrit, apo të dëshirojë që të fitojë pasuri në mënyra të gabuara. Në vend që të kërkojë mënyrat e gabuara, dhjaku duhet të mbaj mend fjalët e Palit drejtuar pleqve të kishës në Efes: “Dhe në çdo gjë ju kam treguar se, duke u munduar në këtë mënyrë, duhet të ndihmohen të lëngatët dhe të kujtohen fjalët e Zotit Jezus, i cili tha: “Ka më shumë lumturi të japësh sesa të marrësh!” (Vep. 20:35).

Në këto fjalë të Palit gjejmë thelbin e shërbesës së dhjakut. Ai ekziston që të japë dhe jo të marrë. Detyra e tij është që ti shërbejë Perëndisë duke ndihmuar pastorin dhe pleqtë e Kishës në punën e tyre, duke ndihmuar anëtarët e bashkësisë me nevojat e tyre. Detyra e dhjakut është që të japë dhe jo të marrë. Detyra e tij është që të shërbeje dhe jo rrëmbejë. Dhjaku duhet të ketë po atë mendje që kishte Jezus Krishti, i cili edhe pse ishte i pasur, për bekimin tonë u bë i varfër, me qëllim që ne përmes varfërisë së tij të bëhemi të pasur (2 Kor. 8:9).

Parimi tjetër është, që përfitimi për të cilin paralajmëron Pali mund të mos jetë vetëm material por edhe social. Dhjaku as nuk duhet që të bie në kurthin e krenarisë dhe as nuk duhet që të shërbejë në kishë për të ushqyer krenarinë e tij dhe dëshirën e tij për pushtet. Ky është një realitet tjetër i dhimbshëm ndër kishat ungjillorë në Shqipëri. Shumë prej besimtarëve duan të dalin përpara kishës, qoftë edhe për të dhënë lajmërimet e javës, vetëm e vetëm për nderimin, apo lavdinë personale, apo imazhin që ata duan të fitojnë apo të krijojnë në kishë për veten e tyre. Dëshira për lavdi, për tu njohur, për tu respektuar, për ta dëgjuar të tjerët, apo për tu ndjekur prej të tjerëve konsumon deri në palcë si kancer, shumë prej drejtuesve aktual, apo ata që dëshirojnë që të bëhen drejtues nëpër kishat ungjillore kudo nëpër Shqipëri.

Dhjaku nuk duhet që të dëshirojë fryrjen prej krenarisë për shkak të nderimit, respektit, prestigjit e bindjes që i ofrohet për shkak të detyrës. Motivi i tij për të shërbyer dhjak në kishë nuk duhet të jetë avantazhi që ai mund të fitojë përmes detyrës. Motivi i tij duhet të jetë dëshita e madhe për ti shërbyer Krishtit, për të lehtësuar dhe fuqizuar punën e pleqësisë dhe pastorit, dashuria për popullin e Perëndisë, dhe mbi të gjitha lavdia dhe kënaqësia që ai duhet ti japë Perëndisë përmes shërbimit të tij.

Të ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër

“Gjithashtu dhjakët duhet…ta ruajnë misterin e besimit me ndërgjegje të pastër.” – 1 Timoteut 3:9

Jeta e dhjakut duhet të jetë në përputhje të plotë me doktrinën e tij. Apostulli Pal e përdor termin “misterin” disa herë në letrat e tij për t’iu referuar një të vërtete e cila më parë ishte e fshehur me Perëndinë, por që tani, në Besëlidhjen e Re, na e ka zbuluar qartë përmes zbulesës së veçantë të Birit të Tij dhe të Apostujve të Birit të Tij.

Për shembull, tek Efesianëve 3:3-6 Pali shkroi: “se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë. 4 Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit, 5 që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës, 6 që jo-hebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit.” Pra, misteri që u zbulua është plani i Perëndisë për të shpëtuar jo-hebrenjtë përmes Ungjillit, dhe për ti bërë edhe ata pjesë të popullit të tij.

1 Korintasve 2:7-8, dhe 10 është një tjetër shembull i mirë: “por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë, 8 të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë…10 Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.” Misteri është Jezus Krishti, i kryqëzuar. Pra, përmbajtja e misterit që nuk dihej apo nuk u kuptua më parë ishte se Perëndia pat vendosur se do të shpëtonte botën përmes Mesisë që do të vinte të ishte Shpëtimtari, dhe se këtë vepër shpëtimi do ta bënte përmes dobësisë së kryqëzimit në kryq.

Tek 1 Timoteut 3:16 Pali gjithashtu thotë: “Dhe s’ka asnjë dyshim se misteri i mëshirës është i madh: Perëndia u shfaq në mish, u shfajësua në Frymë, u duk ndër engjëj, u predikua ndër jo-hebrenj, u besua në botë, u ngrit në lavdi.” Në këtë varg, Pali përdor termin “misteri i mëshirës” (apo “misteri i perëndishmërisë” siç e kanë përkthyer ndonjë version), për t’iu referuar besimit të Krishterë. I tërë ky varg, përmbledh shumë shkurt tërë doktrinën e Krishtit, të ngjizjes, lindjes në mish, vdekjes e ngjalljes, e madje edhe të ngritjes së tij lart. Ky varg gjithashtu përmbledh edhe doktrinën e soteriologjisë, apo të shpëtimit, si edhe qëllimin e Perëndisë për të shpëtuar tërë botën përmes ungjillit të Krishtit. Në një farë mënyre, ky varg, pra, qëndron si një përmbledhje prej 24 fjalës të tërë doktrinës së besimit të Krishterë.

Kështu, “misteri i besimit” për të cilin bën fjalë Palit tek 1 Tim. 3:9 i referohet të njëjtës gjë. Xhon Kalvin komenton mbi këtë varg duke thënë: Pali titullon në këtë varg tërë doktrinën e Krishterë me titullin dinjitoz ‘misteri i besimit,’ sepse përmes Ungjillit, Perëndia i zbulon njeriut një urtësi apo njohje që habit edhe engjëjt në qiell, sa që nuk është e habitshme nëse kjo urtësi, ky plan shpëtimi është tepër i madh për kapacitetin njerëzor.”

Dhjaku duhet të besoj besimin e reformuar ungjillor që Perëndia na e ka zbuluar në Fjalën e Tij, në Shkrimet e Dhiatës së Vjetër dhe të Re. Dhjaku duhet të mbaje e besojë pa rezerva doktrinën që na është zbuluar në Bibël. Ai duhet të ketë një besim të vërtetë jo vetëm në personin e Perëndisë por edhe në Kishën dhe doktrinën e Tij. Ai duhet ti njohë, kuptojë, dhe pranojë si të vërteta gjithçka që Perëndia ka zbuluar në Fjalën e Tij. Ai duhet që gjithashtu edhe të jetojë në bindje të vullnetit të shpallur të Perëndisë si standardi i vetëm që mund të na drejtojë se si ne mund ta adhurojmë atë dhe të gjejmë tërë kënaqësinë në të. Dhjaku nuk duhet të jetë hipokrit, që thotë se beson, por që nuk jep frytet e pendimit dhe të besimit të vërtetë në Jezus Krisht.

Fraza “ndërgjegje të pastër” do të thotë të kesh një ndërgjegje të pastruar nga faji i mëkatit përmes gjakut të Jezus Krishtit, dhe jesh i veshur me drejtësinë aktive dhe pasive të Krishtit përmes besimit. Të kesh një ndërgjegje të pastër do të thotë të jesh një i krishterë i vërtetë i rilindur. Do të thotë të jesh i shpenguar nga Krishti dhe i rilindur për të jetuar në bindje të ligjit të shenjtë të Krishtit. Hebrenjve 10:19-22 flet për këtë gjë kur thotë: “Duke pasur, pra, o vëllezër, liri të plotë për të hyrë në shenjtërore me anë të gjakut të Jezusit, 20 me anë të një udhe të re dhe të gjallë që ai përuroi për ne me anë të velit, domethënë të mishit të tij, 21 edhe duke pasur një kryeprift mbi shtëpinë e Perëndisë, 22 le t’i afrohemi me zemër të vërtetë, me siguri të plotë besimi, duke i pasur zemrat tona të lara prej ndërgjegjes së ligë dhe trupin të larë me ujë të kulluar.”

Dhjaku duhet të dijë, besojë, të kapet fort dhe të mbrojë të vërtetën, besimin e Krishterë. Ai duhet ta besoj, ta praktikojë atë sepse Perëndia frymë e Shenjtë e ka rilindur apo rigjeneruar atë, i ka dhënë atij një zemër të re, i ka dhënë pendimin dhe besimin, dhe se gjaku i tij e ka pastruar atë nga veprat e vdekura, për ti shërbyer në risinë e jetës, Perëndisë së gjallë (Heb. 9:14).

Një burrë që jeton në mëkat apo që nuk i bindet Perëndisë në një sferë të jetës së tij nuk ka dhe nuk mund ta ketë ndërgjegjen e pastër. Ndërgjegjja e pastër kërkon një jetë besimi, një jetë bindje, një jetë që i nënshtrohet vullnetarisht sundimit të Krishtit si Mbreti i gjithçkaje.

Kalvin shkroi, “është sikur Pali të ketë thënë për dhjakët, se ata duhet të shërbejnë, ‘duke mbajtur doktrinën e pastër të religjionit tonë nga zemra me një ndrojë të sinqertë ndaj Perëndisë, si burra që janë instruktuar siç duhet në besim, injorantë në asgjë që është e domosdoshme për një të Krishterë të mirë për të ditur’” (Komentari në 1 Tim. 3:9).

Si konkluzion, mund të themi se janë katër parime kryesore dalin nga ky kriter i fundit i Palit që dhjakët: (i) Dhjakët, ashtu si edhe pleqtë apo peshkopët duhet të jenë të instruktuar mirë në çështjet e doktrinës dhe praktikës së reformuar. Dhjakët duhet ti njohin shkrimet mirë, si edhe vetë Stefani, dhe se duhet që të jetojnë në përputhje me Shkrimet në çdo sferë të jetës, me aftësinë për ti aplikuar ato siç duhet në çdo rast. (ii) Dhjakët duhet të jenë të Krishterë të vërtetë, të rilindur dhe me një bindje të vërtetuar ungjillore. (iii) Edhe pse dhjakët nuk e kanë për detyrë që të japin mësim si peshkopët, Krishti kërkon prej tyre që të jenë të aftë në doktrinën e tij. (iv) Është e rëndësishme që dhjakët të njohin mirë dhe ta besojnë doktrinën e Krishterë (Heb, 5:2-14), sepse shpesh herë dhjakët do ta gjejnë veten në situata ku do tu duhet që të japin këshilla dhe instruktime, ngushëllime e inkurajime njerëzve në nevojë, e madje edhe të ungjillëzojnë ata që ata ndihmojnë. Këshillimi biblik, ngushëllimi e inkurajimi është pjese e detyrës së dhjakut ndërsa ai i shërben popullit të Perëndisë. Këshillimi e inkurajimi duhet të jetë biblik. Si rrjedhim, dhjaku duhet të jetë i shëndetshëm në doktrinë dhe urtësi. Kjo vjen vetëm përmes studimit besnik të Shkrimeve dhe të doktrinës së Kishës.