Kush është Jezus Krishti?

Kush është Jezus Krishti?

Pyetja më e rëndësishme në botë, është ajo që vetë Krishti u bëri ndjekësve të tij: “Kush thoni ju se jam unë?” (Mateu 16:15). Kjo është në fakt pyetja më e rëndësishme e ekzistencës së njeriut për tre arsye kryesore: Së pari, sepse përgjigja e duhur do të shkaktojë në personin një transformim radikal dhe të mrekullueshëm. Së dyti, sepse përjetësia jonë varet nga kjo përgjigje. Dhe së treti, sepse përjetësia jonë që vjen në momentin e vdekjes tonë fizike, e të cilës i afrohemi me një shpejtësi marramendëse dhe që mund të na ndodhë në çdo çast.

Përgjigja e vërtetë, ajo që na jep Perëndia është si më poshtë.

Së pari, Jezus Krishti është një qenie njerëzore. Ai u lind nga një grua, në Betlehem të Judesë (Mateu 1:25), e kaloi fëmijërinë e tij dhe arriti moshën madhore në Nazaret (Luka 2:39-40). Si çdo njeri, Jezusi pati një trup njerëzor, që rritej e funksiononte si çdo trup tjetër (Luka 2:39). Ai provoi urinë (Luka4:2), fjeti (Luka 8:23), ndjeu lodhjen pas rrugëve të gjata (Gjoni 4:6). Ai mbajti zi e madje edhe qau për vdekjen e mikut të tij (Gjoni 11:35). Ai vajtoi për Jerusalemin (Mateu 23:37). Ai provoi vuajtje dhe ankthe të mëdha si në Kopshtin e Gjetsemanesë ku ai kulloi djersë e gjak nga ankthet e mëdha (Mateu 26:37-38). Po kështu ai përjetoi edhe zemërimin e drejtë ndaj padrejtësive dhe hipokrizisë si në rastin e pastrimit të Tempullit në Jerusalem (Matu 21:12).

Jezus Mesia jetoi, vdiq, u varros e madje u ngjall përsëri në shekullin e parë, në Jude, një mbretëri që pat rënë nën pushtimin dhe administrimin e Perandorisë Romane. Ekzistenca e tij provohet edhe nga burime jashtë Biblës, si nga historiani Jude dhe anti-kristian i kohës së tij Joseph ben Matitjahu, historiani Romak Suetonius, si dhe guvernatorët Romakë të kohës Tacitus dhe Plini i Riu.

Por Jezusi ishte shumë më shumë se sa një njeri i thjeshtë nga Palestina e shekullit të parë. Ai ishte profet (Mateu 21:11; Luka 7:16). Si profet, ai predikoi mesazhin e Perëndisë, dhe e bëri këtë si me fjalë ashtu edhe me vepra, duke predikuar Mbretërinë e Perëndisë, shëruar të sëmurët, ngjallur të vdekurit, e madje edhe duke demonstruar fuqinë e tij mbi mëkatin, djallin, dhe krijimin.

Sigurisht që ka pasur shumë profetë në historinë e njerëzimit, por Jezusi ishte ndryshe prej të tjerëve. Ai fliste e predikonte si një profet që në fakt vërtetë vinte nga Perëndia, që vinte me autoritetin dhe fuqinë e Perëndisë (Mateu 7:28-29). Të mohoje atë ishte të mohoje Perëndinë (Gjoni 5:19). Ti besoje atij ishte ti besoje Perëndisë (Gjoni 14:1). Ai jo vetëm që predikonte rrugën, të vërtetën dhe jetën, por ai deklaroi dhe më pas provoi përmes ngjalljes së tij prej të vdekurit dhe të tëra mrekullive të tjera që bëri, se Ai ishte në fakt Rruga, e Vërteta, dhe Jeta (Gjoni 14:6).

Por ai ishte më shumë se sa një profet. Ai ishte Mesia (Mateu 16:16). Ai është Krishti, i Vajosuri që Perëndia pat premtuar, dhe që përmes së cilit Perëndia do të shpëtonte dhe restauronte tërë njerëzimin. Titulli Mesia (në Hebraisht), apo Krisht (në Greqisht), ishte një titull Judaik. Të ishe Mesia i Perëndisë do të thotë të ishe Mbret si Davidi, ndërtuesi i Tempullit të Perëndisë si Solomoni, profet si Moisiu, e një kryeprift në tempullin e Perëndisë.

Por, pavarësisht se si dhe sa e sa herë e në sa shumë mënyra, Jezusi e provoi veten e tij të ishte Mesia që duhej të vinte, ai kishte një problem, sipas bashkëkohësve të tij. Mesia, sipas tyre nuk duhej të vdiste, ndërsa Jezus vdiq. Madje ai vdiq i kryqëzuar nga Romakët (i tradhtuar e i arrestuar në mënyrën më hipokrite nga vetë Judenjtë që e kishin problem vdekjen e tij). Për Judenjtë e kohës së tij, një Mesi i kryqëzuar ishte një kontradiktë e pakapërcyeshme. Për ta, Mesia duhej të ishte një gjeneral-Mbret-Politikan Revolucionar që do ti çlironte ata nga pushtimi Romak. Sipas tyre, Mesia duhej të shkonte në Jerusalem, të luftonte dhe të fitonte mbi pushtuesit dhe të kurorëzonte veten mbret. Por Jezusi, si Mesia i dërguar nga Perëndia kishte në mendje një lloj tjetër lufte, të cilën e fitoi duke fituar kështu për veten e tij një lloj tjetër froni mbretëror. Jezus Krishti, mori përsipër, që mbi trupin e tij, të bënte betejë me mëkatin, të triumfonte mbi ligësinë, të përjetonte vdekjen dhe të pushtonte e triumfonte mbi varrin, me qëllim që të mbretëronte me të vërtetë dhe përjetësisht. Ai do të sillte jetë për ne përmes vdekjes së tij, ngadhënjim përmes vuajtjes, lavdi përmes përuljes. Jezusi vdiq për mëkatet tona, në vendin tonë, dhe madje u ngjall të tretën ditë pas vdekjes me qëllim që ne të mund të shpëtohemi dhe çlirohemi nga mëkatet tona, nga faji i tyre dhe fuqia e mëkatit në jetën tonë, me qëllim që ne të falemi nga Perëndia për rebelimin tonë ndaj Perëndisë.

Së fundi, Jezusi në fakt është Perëndi. Ai e provoi veten e tij të ishte i tillë. Ai ishte Perëndia që pat marrë trup njeriu, me qëllim që të na afrohej ne, sepse ne nuk mund ti afrohemi atij. Ai erdhi tek ne sepse ne nuk mund të shkojmë nga vetja jonë tek Ai. Ai morri natyrën tonë njerëzore, me qëllim që duke mbuluar kështu si me perde shenjtërinë e lavdinë e Tij, që në fakt është vrasëse për ne njerëzit si mëkatarë që jemi, ai të mund të na afrohej, që njeriu ta shikonte, ta prekte e ta dëgjonte të vërtetën nga vetë goja e Perëndisë. Për këtë arsye ai ishte në fakt vetë Rruga për tek Perëndia, vetë e Vërteta e Perëndisë, vetë Jeta e Perëndisë. Në Jezus Krishtin qëndronte në formën e natyrës njerëzore e tërë plotësia e Perëndisë (Kolosianëve 2:9). Ai është Perëndia madhështor dhe Shpëtimtari i vërtetë dhe i vetëm i tërë njerëzimit. Ai është Fillimi dhe Mbarimi, Alfa dhe Omega (Zbuesa 22:31).

Kush është Jezus Krishti? Jezusi është një njeri, një profet, Mesia, vetë Perëndia i mishëruar në trup njeriu. Ai na thërret që ti afrohemi atij. Ai na thërret që ti besojmë Atij, që të pendohemi për mëkatet e mosbesimin tonë. Ai na thërret që ti besojmë lajmit të mirë të jetës, vdekjes dhe ngjalljes së tij për shpëtimin tonë, që të lëmë pas mëkatet tona dhe dashurinë tonë për mëkatin. Ai na thërret që të lëmë çdo gjë dhe ta ndjekim atë, që të vdesim për sa i përket kënaqësive e preferencave e parimeve të mëkatshme të kësaj bote, madje të vdesim për sa i përket kësaj bote dhe ta ndjekim atë. Dhe vetëm pasi ne të kemi përjetuar këtë lloj vdekjeje ne do të fillojmë të jetojmë me të vërtetë.