01-IDENTITETI I TË KRISHTERIT

01-IDENTITETI I TË KRISHTERIT

Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit, të thirrurve që u deshën në Perëndinë Atë dhe të ruajtur në Jezu Krisht: 2 mëshira, paqja dhe dashuria u shumoftë në ju. (Juda 1-2)

 Si duhet të mendojë i Krishteri për veten e tij? Si duhet ta shikojë jetën e tij? Çfarë bekimesh ka derdhur Perëndia mbi jetën e një të Krishteri? Si ndikojnë këto bekime këndvështrimin tonë për veten tonë dhe misionin tonë në jetë? Me çfarë duhet ta mbushë një i krishterë jetën e tij, ose të paktën cilat janë ato gjëra që ai duhet të dëshirojë në jetën e tij? Dy vargjet e para të Judës dërguar Kishës së Jezus Krishtit kudo nëpër botë ofrojnë një përgjigje të plotë të tërë pyetjeve të mësipërme. Teksa studiojmë këto dy vargje, unë do të përpiqem që të shpalos përpara jush identitetin e një të krishteri, apo çfarë një i Krishterë është, hirin që ai tashmë i ka marrë, dhe bekimet e mëtejshme që ai duhet të dëshirojë.

ÇFARË NJË I KRISHTERË ËSHTË?

Se çfarë një i krishterë është mund të nxirret nga vargu 1 që thotë “Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit.” Kuptohet që me këto fjalë Juda identifikon dhe ia prezanton veten e tij lexuesve të kësaj letre. Është e zakonshme që autori i një letre të vërë në dukje se kush është ai që e dërgon atë, e megjithatë mënyra e shkurtër me të cilën Juda identifikon veten e tij është një shembull i bukur dhe frymëzues i këndvështrimit që ne të Krishterët duhet të kemi për vetveten dhe për Zotin Jezus Krisht. Juda ishte një emër tërësisht i zakonshëm në kohën e Krishtit në Palestinën e hershme. Ishte po aq i zakonshëm dhe i përdorur sa edhe emri Beni, Tani apo Bledi ne Shqipërinë e pjesës së dytë të Shekullit të 20të. Por ky njeri i zakonshëm me një emër të zakonshëm e identifikon veten e tij në një mënyrë të veçantë. Kjo për dy arsye: së pari pasi Juda është i veçantë për shkak të çfarë na tregon për veten e tij, dhe së dyti për shkak se çfarë ai na tregon për Zotin e tij. Ai e quan veten e tij “shërbëtor i Jezu Krishtit.” Në fakt, Juda ishte një drejtues i rëndësishëm i Kishës së Krishtit në Jeruzalem, ai ishte gjithashtu vëllai i Jakobit që ishte pastori kryesor i Kishës së Jeruzalemit, dhe si i tillë Juda ishte edhe gjysmë-vëllai i Jezus Krishtit sipas mishit. Pra, Jakobi, Juda dhe Jezusi kishin të njëjtën nënë, edhe pse me etër të ndryshëm. E megjithatë, Juda e identifikon veten e tij si shërbëtor – skllav i Jezus Krishtit. Të gjithë ne, në atë masë shenjtërie dhe hiri që kemi sot, po të ishim në vend të Judës nuk do të përmbaheshim dot pa i vënë në dukje njerëzve afërsinë biologjike me një person kaq të veçantë dhe të rëndësishëm si është Shpëtimtari, Krijuesi dhe Zotëruesi i kësaj bote në të cilin jetojmë. E megjithatë, Juda e identifikon veten e tij të jetë një

shërbëtor – skllav i Jezus Krishtit. Kjo zgjedhje fjalësh që bën Juda nën frymëzimin e Frymës së Shenjtë na jep mjaft informacion mbi këndvështrimin që kishte Juda për veten e tij, na dëshmon për përuljen e tij, për besimin e Tij në Krishtin si Biri hyjnor i Perëndisë, personit të dytë të Trinisë, dhe për nënshtrimin e tij ndaj mbretërimit dhe zotërimit të Mbretit dhe Zotit Krishtit. Jeta e Judës është në dispozicion të Krishtit. Ai e quan veten e tij “vëllai i Jakobit” edhe pse të tjerët e quajnë atë “vëllai i Zotit tonë” siç bën Pali tek letra e 1 Korintasve 9:5. Kjo përzgjedhje fjalësh dëshmon për përulësinë dhe zemrën shërbyese që çdo i krishterë duhet të ketë përpara Zotit, Kishës dhe botës. A e konsideroni veten tuaj një shërbëtor të Krishtit dhe të Kishës? A hyni në marrëdhënie me besimtarët e tjerë dhe me jo-besimtarët jashtë kësaj salle si shërbëtorë të Krishtit? Juda si një drejtues i krishterë e quan veten shërbëtor pasi përmasa e përuljes të një të krishteri është kriteri i madhështisë së tij. Këtë princip në fakt Juda e pat mësuar nga vetë Krishti që pat thënë siç lexojmë tek ungjilli i Mateu 23:12 “Sepse kush do të lartësojë veten, do të poshtërohet; dhe kush do të përulë veten, do të lartësohet.” Prandaj dhe Apostulli na inkurajon tek letra 1 Pjetrit 5:6 kështu: “Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë ne kohën e duhur.” Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe,pasi mbi të gjitha vetë Zoti ynë Krisht e zbukuroi veten e Tij duke u zhveshur siç do të bënte një shërbëtor në Palestinën e lashtë për të larë këmbët e dishepujve të tij. Tek Ungjilli i Gjonit ne lexojmë se si Krishti “u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh. Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t’ua fshinte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur” (Gjoni 13:4-5). Nëse ne duam të jemi si Krishti dhe mbajtës tw emrit të Tij, ne duhet të jemi shërbëtorë të tij dhe të njerëzve për të cilin ai vdiq. Tek Ungjilli Luka 6:40 Krishti thotë “Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.”

Por në këtë frazë “Juda, shërbëtor i Jezu Krishtit dhe vëllai i Jakobit,” ne shikojmë gjithashtu edhe këndvështrimin që Juda ka për Jezus Krishtin. Në këtë frazë Juda deklaron dinjitetin dhe identitetin e Jezus Krishtit, Njeriut-Perëndi, Personit të Dytë të Trinisë, plotësisht Perëndi, Zoti Sovran, Krijues, Shpëtues dhe Ri-Krijues i gjithësisë mbi të cilën ai Mbretëron. Kjo është dëshmia e Judës i cili e njohu Krishtin, hëngri me të, luajti me të, fjeti në të njëjtën dhomë me të, dhe tani është në të njëjtin realitet qiellor me Krishtin, por gjithmonë nën këmbët e Tij, duke i shërbyer Krishtit dhe duke e adhuruar atë. Këtu ne shikojmë edhe një nga paradokset e Krishterimit nëse mund të quhen të tilla: Shërbëtorët-skllevër të Krishtit janë gjithashtu të lirë. Në dedikimin gëzimdhënës të jetës sonë Krishtit ne gjejmë lirinë për të cilën ajo botë atje jashtë shkruan e ëndërron por nuk e përjeton kurrë. Në këtë përshëndetje hapëse të Judës në mësojmë pra jo vetëm mënyrën se si ne duhet të mendojmë për veten tonë, por edhe mënyrën se si ne duhet të mendojmë për  Krishtin. Ne jemi shërbëtorë të Krishti, ne i përkasim Atij. Ne marshojmë nën ritmin e tambures së Tij. Ne jetojmë sipas Fjalës së Tij. Ne dëshirojmë të bëjmë vullnetin e tij, të ecim ashtu siç edhe Ai eci. Ne dëshirojmë që të transformohemi sipas imazhit të Tij. Ne dëshirojmë që e tërë bota ta njohë atë dhe të jetë e lirë në të. Krishti është qendra e bashkësisë së besimit, Sovrani ynë, Zoti ynë dhe Mbreti ynë.

ÇFARË NJË I KRISHTERË KA MARRË?

Gjëja e dytë që ne mësojmë nga ky varg i parë i letrës së Judës është edhe se çfarë një i krishterë ka marrë. Në fakt aty renditen tre bekime apo mëshira që gjithsecili prej nesh ka përfituar nga Perëndia në Jezus Krisht. Vargu thotë: “të thirrurve që u shenjtëruan në Perëndinë Atë dhe të ruajtur në Jezu Krisht.

Vini re së pari hirin e parë që ju si të Krishterë keni marrë: Ju jeni të thirrur nga Perëndia. Kur Juda thotë ju jeni të thirrur ai përdor gjuhën e Dhiatës së Vjetër pwrsa i përket popullit të Perëndisë. Izraeli u thirr nga Perëndia. Abrahami u thirr nga Perëndia që të dilte nga Ur, që ishte vendi i Kaldenjasve, të dilte nga paganizmi, të dilte nga politeizmi për tu bërë shërbëtor i më të Lartit Perëndi, bashkëpunëtor me Perëndinë dhe mik i Perëndisë. Zanafilla 12:1-3 tregon se si Abrahami u thirr të dilte nga kjo botë jo vetëm për të mirën e tij por mbi të gjitha për lavdinë e Perëndisë dhe për të mirën e kombeve të kësaj bote. Abrahamit jo vetëm që ju dha një bekim nga Perëndia por edhe u thirr që të ishte një bekim për të tjerët nga Perëndia. Abrahami e gjeti veten e tij të përfshirë në një histori shumë më të madhe se sa vetja e tij. Ai u thirr që të ishte një misionar për Perëndinë dhe një bekim për të tëra kombet e botës.

Kur Juda thotë që i Krishteri është i thirrur, ai na kujton që edhe ne jemi të thirrur dhe të përfshirë në një histori shumë më të madhe se sa vetja jonë. Juda na kujton neve se arsyeja përse ne jemi në Krisht nuk është pwr ne por në Perëndinë. Njeriu është i vdekur në mëkat dhe si i tillë ai është plotësisht i rënë, plotësisht i pa-aftë për të ardhur tek Perëndia, plotësisht i pa-aftë për të dëshiruar dhe kërkuar Perëndinë, madje edhe plotësisht armiqësor ndaj Perëndisë, gjithmonë duke e urryer Atë dhe duke rendur larg prej Tij. Apostulli Pal ne letren drejtuar Romakeve 3:11 thotë “Nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një. 11 Nuk ka asnjeri që të kuptojë, nuk ka asnjeri që të kërkojë Perëndinë.” Njeriu në këtë gjendje të rënë që nga Adami nuk është në gjendje që të marrë iniciativën i pari. Jezusi tha “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (te Ungjilli i Gjoni 6:44). Perëndia jo vetëm që na ka zgjedhur e paracaktuar për shpëtim, jo vetëm që na ka tërhequr drejt vetes së Tij përmes veprës së Frymës së Shenjtë në ne në momentin e rilindjes shpirtërore, por Perëndia na ka thirrur e tërhequr që të jemi pjesëmarrës në planin e tij kozmik të shpëtimit të njerëzimit. Na ka thirrur që të jemi një mjet shpëtimi në duart e tij, një aromë erëmirë për ata që janë të destinuar për shpëtim dhe një aromë vdekjeje për ata që janë destinuar për humbje. Kjo thirrje nuk është një ftesë, por një komandë, një urdhëresë e ngjashme me thirrjen që djemtë marrin për të shërbyer në ushtri. Ne jemi të thirrur të shërbejmë në Mbretërinë e Krishtit si shërbëtorët e Tij, dhe në këtë ne kemi lirinë.

Vini re gjithashtu hirin e dytë që ju si të Krishterë keni marrë: Ju jeni të dashur në Perëndinë Atë. Ju kemi marrë dashurinë e Perëndisë. E di që Bibla që ju keni përpara thotë “që u shenjtëruan në Perëndinë Atë,” fatkeqësist ajo është një gabim. Përkthimi i vërtetë nga Greqishtja e vjetër është “të thirrurve që u deshën në Perëndinë Atë dhe të ruajtur në Jezu Krisht.” Juda deklaron në këtë varg që ndërsa ne i besojmë Jezus Krishtit për shpëtimin tonë ashtu siç na është ofruar në Ungjillin e Tij, ne jemi nën dashurinë e Perëndisë. Nëse jemi në Krisht ne jemi nën dashurinë e Atit Perëndi, objekte të zemrës së Tij atërore. Ky është premtimi i Krishtit për të gjithë ju sot që besoni në të. Në fakt Jezusi u

lut për këtë gjë, që ju të binit nën dashurinë e Atit Perëndi.

Tek Ungjilli Gjoni 17, pak para se të kryqëzohej, Krishti u lut për dishepujt e tij. Më pas ai u lut në të njëjtën lutje edhe për ata që do ti besonin Atij si pasojë e predikimit Apostolik, pra Krishti u lut edhe për kishën sot. Lutja e Krishtit tek Gjoni 17 është lutja e Zotit për ju sot në këtë sallë. Tek vargu 26 Krishti lutet: “Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta” (Gjoni 17:26). Jezusi u lut që ne të jemi pjesëmarrës të asaj dashurie të përjetshme që ekziston ndërmjet tre personave të Trinisë që nga përjetësia dhe që do të vazhdojë për të tërë përjetësinë. Kjo lutje është përmbushur në jetën tuaj, dhe do të vazhdojë të përmbushet deri sa Perëndia At, Bir dhe Frymë e Shenjtë të vazhdojë të ekzistojë. Ati Qiellor nuk ju don juve më pak nga çfarë Ai don Birin e Tij. Ky është realiteti juaj pavarësisht nga perceptimi apo përjetimi juaj. Ju jeni të dashur nga Perëndia, dhe do të jeni të tillë pasi Krishti është Jehova, Perëndia i përjetshëm dhe besnik ndaj popullit të tij dhe premtimeve të tija.

Por gjithashtu, një i krishterë thotë Juda, është i “ruajtur në Jezu Krisht.” Ju jeni të ruajtur nga fuqia e Perëndisë, për të mos humbur më kurrë as shpëtimin tuaj dhe as favoret tuaja me Perëndinë. Por mbi të gjitha, ju jeni të ruajtur për Jezus Krishtin si një nuse ruan veten dhe pajën e saj për dhëndrin që po i vjen. Jezusi i ruan në dorën e tij dhe për veten e Tij ata që Ati ia ka dhuruar Atij dhe që Ai i ka shpëtuar me gjakun e Tij.Tek Gjoni 10:28-29 Krishti thotë “dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime. 29 Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.”Apostulli Pal gjithashtu thotë që ne jemi të ruajtur nga fuqia e Perëndisë për shkak të dashurisë dhe qëllimit të tij për ne dhe lavdinë e Tij. Tek letra 2 Tim 1:12 ai shkruan “Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë.” Por mos harroni vëllezër që Krishti na ruan neve për veten kënaqësinë dhe lavdinë e tij. Pali e thotë këtë tek Efesianeve 5-27 ku shkruan “25 Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, 26 që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, 27 që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.”

Pyetja që duhet të bëhet në këtë kontekst është kjo: Si e influencon, madje ndryshon jetën tuaj fakti që Ati ju ka thirrur, ju ka dashur dhe ju ruan nga forca e Tij, për qëllimin e Tij, dhe për lavdinë e Birit të Tij? A e reflekton jeta juaj këtë realitet të mrekullueshëm shpirtëror? A e kuptoni ju përmasën a rëndësinë e këtij hiri që ju është dhënë? A shkakton ky hir kaq madhështor mirënjohje në ju?

ÇFARË NJË I KRISHTERË DËSHIRON?

Vini re së fundi edhe se çfarë një i Krishterë duhet të dëshirojë si pasojë e një hiri kaq të madh. Vargu 2 thotë: “mëshira, paqja dhe dashuria u shumoftë në ju.” Këtu Juda na rendit tre bekime që çdo i krishterë duhet ti dëshiroje dhe të lutet për to. Ne duhet të dëshirojmë mëshirën e Perëndisë, Paqen e Perëndisë, dhe dashurinë e Perëndisë.

Së pari Juda thotë mëshira e Perëndisë u shumoftë në ju. Në Bibël ne lexojmë për hirin dhe për mëshirën e Perëndisë. Mëshira dhe hiri ndryshojnë nga njëra-tjetra. Hiri është favori i pamerituar i Perëndisë ndaj njeriut mëkatar. Mëshira është mirësia dhe dashuria e Perëndisë ndaj nevojtarit. Pra, mëshira e Perëndisë është favori apo hiri i pamerituar që Perëndia ka ndaj atij që e shikon veten në nevojë për hirin dhe mirësinë e Perëndisë. Kur Juda thotë “mëshira u shumoftë në ju” ai thotë që ne të gjithë nuk duhet që për asnjë moment të harrojmë që kemi nevojë për Perëndinë, që ne në vetvete jemi të pafuqishëm për asgjë, dhe që në çdo rast dhe për gjithçka duhet të ndjejmë dhe shpallim nevojën dhe varësinë tonë ndaj Perëndisë si i vetmi burim mirësie dhe bekimesh. Kur Juda thotë “mëshira u shumoftë në ju” ai deklaron se ne duhet të jetojmë një jetë me qendër Perëndinë dhe në varësi të Perëndisë, atëherë favori i pamerituar i Perëndisë do të mbulojë jetët tona. Të kuptosh varësinë njerëzore ndaj Perëndisë Sovran është një bekim shpirtëror që pak veta e kanë, ky është një hir, një dhuratë që vetëm të krishterët janë bërë të aftë për ta kuptuar, dhe që të krishterë gjithmonë e më shumë duhet ta përvetësojnë në jetën e tyre. Sa më shumë ne kuptojmë si shpirtërisht por edhe e Seria:

përjetojmë praktikisht nevojën tonë për mirësinë e Perëndisë në jetën tonë, aq më shumë Perëndia do të na bekojë ne. Pra sa më shumë nevojtarë, aq më shumë mëshirë në ne, aq më shumë bekime mbi ne. Krishti tha tek Mateu 5: “3 “Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. 5 Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën. 6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen.” (Mateu 5:3-6).

Së dyti Juda thotë paqja e Perëndisë u shumoftë në ju. Kur Perëndia na hap sytë për nevojën tonë, kur Perëndia na jep këtë mëshirë dhe na ul në gjunjë për të kërkuar hirin e tij, shpëtimin me anë të Birit të tij, pastrimin me anë të gjakut të Krishtit, atëherë paqja vendoset ndërmjet njeriut dhe Perëndisë. Paqja është restaurimi i një marrëdhënie të prishur. Kështu kjo paqe nuk është vetëm heqja e armiqësisë ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, por mbi të gjitha miqësia e Perëndisë me dhe ndaj njeriut në kontekstin e besëlidhjes së Hirit në Krishtin Jezus. Kjo paqe përfshin sigurinë, mirësinë dhe lumturinë dhe të gjitha këto janë një dhuratë e Krishtit. Pali uron për paqe në ne tek Filipianet 4:7 “Dhe paqja e Perëndisë, që ia tejkalon çdo zgjuarsie, do të ruajë zemrat tuaja dhe mendjet tuaja në Krishtin Jezus.” Por thotë që kushti për të marrë këtë paqe është nëse ne si nevojtarë për këtë paqe, ia rrëfejmë nevojën tonë Perëndisë në lutje plot falënderime, dhe Perëndia do të na japw ne paqe, që është edhe mëshira e Tij për të cilën folëm më lart. “Mos u shqetësoni për asgjë, por, në çdo gjë, ia parashtroni kërkesat tuaja Perëndisë me anë lutjesh dhe përgjërimesh, me falënderim” (Filip 4:6).

Së treti Juda thotë dashuria e Perëndisë u shumoftë në ju. Pra, jo dashuria jonë për Perëndinë u shumoftë në ne, edhe pse kjo gjë është e domosdoshme, jo dashuria jonë për njerëzit u shumoftë në ne, edhe pse kjo është e urdhëruar nga Krishti, por dashuria e Perëndisë ndaj nesh u shumoftë në ne. Mëshira jep paqen me Perëndinë, dhe paqja me Perëndinë prodhon dashuri. Juda dëshiron që ne të mund të kuptojmë dhe përjetojmë gjithmonë e më shumë, gjithmonë e më thellë dashurinë e Perëndisë për ne të gjithë. Kjo ka rëndësi praktike për Judën pasi kjo letër që ai i drejtoi të Krishterëve të shekullit të parë i gjente këta lexues në presione të tmerrshme. Kisha ishte e sulmuar si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Nga brenda, siç do të shikojmë në javët në vazhdim, kisha ishte e sulmuar nga apostuj dhe mësues të rremë e mësime heretike. Nga jashtë ajo kishte filluar të ndjente forcën persekutuese të Perandorisë Romake që do ti hidhte të Krishterët si ushqim luanëve. Kisha e hershme kishte nevojë që të sigurohej për dashurinë e Perëndisë, dhe të qëndronte e rezistojë në këtë dashuri në bindje të urdhëresës së Krishtit që i pat thënë tashmë tek Mateu 10:28 “Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund të vrasin shpirtin.” Kisha e hershme kishte nevojë të dinte e të sigurohej se dashuria e Perëndisë vepronte për ta madje edhe në mes të persekutimeve, dhe se Ati i Krishtit do të ishte gjithmonë edhe Ati i tyre. Kjo është çfarë Juda dëshironte për lexuesit e tij, dhe kjo është edhe se çfarë besimtarët sot duhet të dëshirojnë në lutjet e tyre. Le ti bejmë pyetje vetes: A i dëshirojmë këto bekime të Perëndisë më shumë se çdo përfitim tjetër që vjen prej Tij? A lutemi kështu për njeri tjetrin? A është mëshira, dashuria dhe paqja e Perëndisë që zotërojnë jetët tona apo janë elementet e kësaj bote së bashku me efektet e saj që sundojnë jetën tonë. A jeni skllevër të satanit dhe kurtheve të tij apo shërbëtorë të lirë të Krishtit Jezus? Perëndia At, Bir dhe Frymë e Shenjtë themeloftë dhe ndërtoftë zemrën dhe jetën tonë në mëshirën, paqen, dashurinë, dhe ruajtjen e Jezus Krishtit teksa i shërbejmë Atij dhe lavdisë së Tij, tani dhe përgjithmonë. Amen.