02-Profeti Jona: Kuptimi i Ungjillit

Nga seria “Profeti Jona: Kuptimi, Komunikimi dhe Mishërizimi i Ungjillit”

Javën e kaluar ne filluam një studim të shkurtër e të shpejtë të librit të profetit Jona. Qëllimi ynë për këtë studim është që të inkurajohemi dhe instruktohemi se si të ndajmë ungjillin me këtë botë që vuan nën shtypjen e mëkatit. Pamë që edhe pse një nga metodat më të përdorura dhe Biblike për ungjillëzim është përdorimi i Ligjit Moral, pra i 10 Urdhëresave si një instrument për ti drejtuar njerëzit për tek Krishti, ky instrument duhet përdorur me kujdes dhe me shumë preçvizion. Arsyeja ka të bëjë me kontekstin Shqiptar. Kur ne përmendim Ligjin Moral njerëzit mendojnë se ne po u bëjmë thirrje atyre për tu bërë më të shenjtë me forcat e tyre, për të bërë thjesht një pastrim të pjesshëm apo total të jetës së tyre. Në këtë kontekst, ata jo vetëm që nuk drejtohen për ta hedhur tërë shpresën e tyre për tek Krishti për drejtësi përpara Perëndisë dhe për të pasur një marrëdhënie personale e jetike me Krishtin, por mbi të gjitha shtyhen të mendojnë se ata janë pjesërisht apo përgjithësisht të drejtë, dhe se ne po u bëjmë thirrje atyre për të reformuar edhe ato pak aspekte apo momente të jetës së tyre për të qenë plotësisht në rregull me perëndinë. Në një komb me prejardhje myslimane, ortodokse dhe katolike kjo është mënyra se si kuptohet predikimi i Ligjit. Në këtë kontekst, thamë që është më mirë që të përdoret koncepti i idhujtarisë si përkufizimi kryesor dhe frontal i mëkatit. Pra, u duhet treguar njerëzve se ata po ndjekin krijesën në vend të Krijuesit, se ata po besojnë, adhurojnë, shpresojnë apo varen nga krijesa dhe jo nga Krijuesi. Ne duhet tu tregojmë njerëzve se janë robër të idhujve të tyre, se idhujt nuk të falin, nuk vdesin në kryq për ta, përkundrazi ato vetëm sa shkaktojnë varësira dhe se të shkatërrojnë jetën.

Por përpara se sa ne të mësojmë se si përdoret koncepti i idhujtarisë për ungjillëzim, se si zbulohet idhujtaria në personin që kemi përballë, ne duhet të zbulojmë idhujtarinë në zemrat tona dhe të mësojmë se si ta adresojmë atë përmes predikimit të ungjillit ndaj vetvetes. Pra, përpara se sa koncepti i idhujtarisë të jetë një metodë që ne përdorim ndaj të tjerëve, ajo duhet të jetë më parë një metodë që ne duhet të përdorim ndaj vetes tonë. Ky është qëllimi i Librit të Profetit Jona. Libri i Jonës është një ironi. Jona u dërgua për të predikuar mesazhin e dënimit dhe të shpëtimit paganëve idhujtar, dhe në këtë proçes ai zbulon idhujtarinë brenda zemrës së tij. Përpara se sa ai të adresoje idhujtarinë e të tjerëve ai duhej të ballafaqohej me idhujtarinë e tij. Në këtë kontekst, Jona 2:9 është përmbledhja e vetë historisë së Jonës: “Ata që jepen pas kotësive të rreme braktisin hirin që u takon atyre.” Nëse ne nuk kuptojmë idhujt ne nuk mund të jemi në gjendje që të bëjmë ungjillëzim dhe mision. Idhujt na ndihmojnë për të kuptuar ungjillin.

Keqkuptimi i Jonës

Libri i Jonës më kujton filmin “Shqisa e Gjashtë” me Buce Willing. Tek shikon këtë film për herë të parë mendon se kupton se çfarë po ndodh, deri në momentin që mbaron filmi. Vetëm në fund zbulon se gjatë gjithë kohës filmi kishte një kuptim dhe drejtim tjetër nga ai që të kishte bërë të mendoje. Rrjedhimisht vetëm kur e shikon për herë të dytë apo të tretë jo vetëm që vë re detaje që të patën shpëtuar herën e parë, gjë që ndodh me çdo film, por mbi të gjitha kupton interpretimin e vërtetë të ngjarjeve të filmit, kupton që e ke keqkuptuar plotësisht filmin herën e parë dhe në fund të duket sikur ke parë një film plotësisht të ri dhe të ndryshëm nga i pari. Kjo është aftësia e shkrimtarit të atij filmi si edhe i librit të Jonës.

Në fillim Jona u urdhërua nga Perëndia që të shkonte e të predikonte mesazhin e dënimit dhe të shpëtimit një populli pagan e idhujtarë. Ai rebelohet dhe në vend që të udhëtojë drejt lindjes për tek qyteti i Ninevesë në Irakun verior ai udhëton drejt perëndimit, qytetit të Tarshish në jug të Spanjës. Pse? Supozimi i parë i njerëzve është se Jona ka frikë. Ai është urdhëruar që të shkojë drejt qyteti të madh të Ninevesë dhe do të ishte normale që ai të kishte frika nga çfarë do ti ndodhte atij atje. Ndoshta mesazhi i tij nuk do të mirëpritej, ndoshta ai do të dështonte, mund të burgosej, persekutohej, mund të kapej rob e përfundonte në skllavëri. Herën e parë që çdokush lexon librin e Jonës mendon se ai po i ikën Perëndisë sepse ka frika nga çfarë do ti ndodhë atij në Nineve. Por Perëndia e gjen atë, e bën të mendohet thellë e të pendohet në barkun e peshkut të madh, Perëndia e fal, dhe kështu Jona niset më së fundi për ti predikuar qytetit të frikshëm të Ninevesë. Dhe kështu tek Jona 3:5 ne lexojmë se “Atëherë Niniveasit i besuan Perëndisë, shpallën një agjërim dhe u veshën me thes, nga më i madhi deri te më i vogli nga ata.” Dhe përfundimi i lumtur i historisë duket sikur është Jona 3:10 ku lexojmë se “Kur Perëndia pa atë që bënin, domethënë që po ktheheshin nga rruga e tyre e keqe, Perëndia u pendua për të keqen që kishte thënë se do t’u bënte dhe nuk e bëri.” Nëse supozimi ynë fillestar mbi motivet e refuzimit të Jonës do të ishte i drejtë, atëherë këtu duhej të përfundonte historia e Jonës. Pra, Jona, me ndihmën e Perëndisë fiton mbi frikën e tij dhe populli i Ninevesë shpëtohet. Kjo është mënyra se si njerëzit e kuptojnë librin e Jonës kur e lexojnë për herë të parë, dhe madje kjo është edhe mënyra se si shumica e predikuesve e predikojnë këtë libër edhe pse e kanë lexuar më shumë se sa një herë.

Interpretimi i Vërtetë i Jonës

Problemi me këtë interpretim është se libri i Jonës mbaron me kapitullin e katërt. Jona 4 është nga ato përfundimet surprizë të historisë pasi jo vetëm që historia vazhdon, por çfarë vazhdon më tej është reagimi negativ i Jonës i cili na habit mjaft. Jona 4:1-3  thotë “Por kjo nuk i pëlqeu aspak Jonas, i cili u zemërua. 2 Kështu ai iu lut Zotit, duke thënë: “Ah, o Zot, a nuk ishte vallë kjo që unë thoja kur isha akoma në vendin tim? Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm dhe plot dhembshuri, i ngadalshëm në zemërim dhe me shumë dashamirësi, dhe që pendohesh për të keqen e hakërruar. 3 Tani, pra, o Zot, të lutem, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj”.” Shikomë këtu që Jona është i xhindosur nga inati që ka ndaj shtrirjes së mëshirës së Perëndisë. Jona thotë-ja, unë e dija që ju jeni një Perëndi i mëshirshëm, e dija, e dija. Ti je i gatshëm të falësh këdo, në çdo vend dhe në çdo kohë. E dija që ishe i tillë, që nuk të zihet besë se ti bën çtë duash me mëshirën tënde. Kështu së pari na habit reagimi i Jonës, por së dyti na habit edhe motivi i Jonës për tërbimin e tij ndaj mëshirës së Perëndisë. “Prandaj ika në fillim në Tarshish, sepse e dija që je një Perëndi i mëshirshëm.” Jona nuk kishte frikë nga dështimi i shërbesës së tij në qytetin e Ninevesë, por nga suksesi i tij atje. Jona kishte frikë nga suksesi i predikimit të tij atje. Motivi i tij nuk ishte frika por urrejtja. Ai urrente paganët, urrente idhujtarët, urrente Nineveasit që ishin pushtuesit e vendit të tij. Kështu, duke qenë se ata që e lexojnë Jonën për herë të parë nuk e vënë re frikën e tij për sukses për shkak të urrejtjes në zemrën e tij, ata edhe e keqinterpretojnë librin e Jonës. Jona, si çdo njeri normal në botë e do vendin e tij, popullin dhe të afërmit e tij, Jona ishte patriot. Por Jona kishte një patriotizëm të shfrenuar, në fakt të mëkatshëm. Ai kishte një patriotizëm idhujtar për vendin e tij, për interesat e kombit të tij, për popullin e tij. Çfarë ne kemi në këtë histori është një njeri i cili e ka kthyer në idhull interesat e kombit të tij, krenarinë kombëtare, krenarinë racore, krenarinë klasore, aq sa ai dëshiron më shumë shkatërrimin dhe dënimin e përjetshëm në ferr të krijesave të Perëndisë se sa predikimin e hirit dhe mëshirës së Perëndisë ndaj tyre. Jona do ti shikojë Nineveasit të vdekur dhe jo të gjallë pasi kështu do të ishte më mirë për Izraelin, si në aspektin politik, ashtu edhe ekonomik. Jona kishte një dashuri idhujtare për kombin e tij, ta tij lloji që përfundon në mizori sociale, në gjenocide, në luftëra ndëretnike, në holokauste apo varre masive.

Pra, Jona nuk mund të ungjillëzojë siç duhet këta paganë idhujtarë për shkak të idhujve në zemrën e tij. Kjo është ironia në librin e Jonës. Ai është në fakt idhujtari kryesor në këtë histori dhe jo populli i Ninevesë.

Aplikimi

Le ta aplikojmë çfarë u tha më sipër në jetën tonë. Le të vëmë re se si ne mund ti zbulojmë idhujt që fshihen në zemrën tonë, dhe së dyti se si mund ti adresojmë ato me mesazhin e ungjillit.

Si të Zbulojmë Idhujt që Fshihen

Së pari, vini re se si mund të zbulojmë idhujt që fshihen në zemrën tonë. “Tani, pra, o Zot, të lutem, ma hiq jetën, sepse për mua është më mirë të vdes se sa të rroj”. 4 Por Zoti i tha: “A të duket e drejtë të zemërohesh kështu?”,” (Jona 4:3-4).[1] Jona në fakt po thotë përmes këtyre fjalëve “Nëse këta njerëz vazhdojnë të ekzistojnë dhe të jenë kërcënim për interesat politike dhe ekonomike të Izraelit, unë nuk dua të jetoj fare. Hajde Perëndia, zgjidh, ose mua ose ata, dhe nëse zgjedh ata unë as nuk dua të jetoj fare.” Këtë madje ai e thotë edhe një herë të dytë tek Jona 4:9 ku deklaron se është aq i inatosur sa është gati të vdesë nga inati. Ky lloj reagimi tradhton prezencën e idhujtarisë në jetën tonë. Pse dhe si?

Është shumë e vështirë që të zbulosh se për çfarë jetojnë njerëzit nëse thjesht i pyet ata. Është shumë e vështirë të zbulosh se çfarë i shtyn përpara njerëzit në jetë. Njerëzit mund të të përgjigjen, por kjo nuk do të thotë se është përgjigja e vërtetë. Besimtarët të japin përgjigje biblike: Unë jetoj për lavdinë e Perëndisë, për ungjillin e Krishtit, për avancimin e Mbretërisë. Jo-besimtarët sigurisht që do të thonë se jetojnë dhe përpiqen për fëmijët e tyre, për familjet, për ambiciet politike etj. Në fakt, në vetvete këto përgjigje të jo-besimtarëve janë mjaft idhujtare dhe të mëkatshme, por realiteti është shumë më i thellë se kaq jo vetëm tek ata por edhe ndër besimtarë.

Mënyra më e mirë për të zbuluar se për çfarë jeton në këtë botë, se cila është ajo gjë që i jep kuptim dhe ambicie për të jetuar këtë jetë janë makthet apo ëndrrat e frikshme. Ose e thënë ndryshe: Çfarë është ajo gjë, që nëse e humbet, të bën të humbasësh dëshirën për të jetuar? Çfarë është ajo gjë që nëse e humbet, jeta nuk ka më kuptim për ty? Ai është idhulli yt, të cilin Perëndia e urren, dhe të cilin Perëndia të thërret që ta shenjtërosh e reformosh. Ajo gjë që të bën ty të ecësh përpara në jetë është Perëndia yt i vërtetë, objekti i vërtetë i besimit tënd, i adhurimit tënd, dhe madje edhe i shfajësimit tënd përpara botës.

Për shembull: Nëse ti po njihesh me dikë me qëllim për tu martuar me atë njeri, dhe nëse kjo marrëdhënie po shkon shumë mirë dhe ti po bën planë për tu martuar me këtë person, nëse ndahesh dhe ti humbet të tërë dëshirën për të ecur përpara në jetë, atëherë ti e kishe ngritur këtë person ne nivelin e Perëndisë, ky njeriu ishte idhulli yt, dhe si rrjedhim edhe mëkati yt. Si do të reagonit ju bashkëshorte apo bashkëshortë të kësaj bashkësie nëse partneri juaj do të ndërronte jetë dhe do të shkonte tek Krishti? Çfarë do të ndodhte me ju prindër nëse fëmija juaj do të vdiste përpara jush? Nëse do të ndalonit së funksionuari, nëse do të humbisni tërë vullnetin dhe dëshirën tuaj për të jetuar, për të funksionuar, për të falënderuar e adhuruar Perëndinë dhe shërbyer atij me çfarë ju ka mbetur, atëherë ju jeni idhujtarë, mëkatarë e fajtorë përpara Perëndisë, njerëz që nuk e keni kuptuar ungjillin, që nuk i keni besuar plotësisht tërë qenien tuaj Krishtit. Cila është përmbajtja e ëndrrave të këqija që ju shihni natën? Çfarë tragjedie apo humbjeje ju frikëson më shumë në këtë jetë? Familja, fëmija, profesioni, arsimimi, liria, paraja, respekti, pushteti, nderimi, shëndeti? Çfarë të bën ty të xhindosesh nga inati? Të urresh nuk është mëkat në vetvete. Perëndia urren dhe ai ende është i shenjtë. Ai urren mëkatin ashtu sic mund dhe duhet ta urrejmë edhe ne. Ai inatoset nga mëkati ashtu siç duhet të na inatosë edhe ne. Por çfarë shkakton furi e tërbim inati në ty? Çfarë është ajo që nëse e humbet, të humbet edhe dëshirën tënde për të jetuar? Çfarë të bën ty që të mbash mëri, të bëhesh idhnak apo idhnake? Çfarë është ajo gjë që nëse të cenohet, të bën të pamundur që të falësh plotësisht, menjëherë, dhe me gëzim, pasi e tillë duhet të jetë falja biblike. E plotë, e menjëhershme, dhe me gëzim. Çfarë është ajo që të bën të reagosh kështu? A është për ty dashuria për Krishtin një abstraksion apo një realitet? A e rrëfen Krishtin so Perëndinë tënd vetëm me gojë apo është një realitet i brendshëm që kontrollon dhe dominon mbi çdo ndjenjë dhe reagim që vjen nga njeriu i vjetër brenda teje?

Le ta shikojmë këtë në kontekstin e Ligjit Moral, të 10 Urdhëresave. Urdhëresa e Parë thotë “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3). Kjo urdhëresë nuk është rastësisht në krye të listës. Të gjitha urdhëresat e tjera bazohen dhe ngrihem mbi këtë. Asnjë nga nëntë urdhëresat që vijojnë nuk thyhen pa u thyer më parë urdhëresa e parë. Për shembull urdhëresa “Mos gënje,” një nga urdhëresat që thyhet më shpejt e më shpesh nga Shqiptarët. Nuk është e mjaftueshme që të themi se shqiptarët gënjejnë pasi janë mëkatarë. Kjo dihet. Por nëse njëri prej nesh gënjen, kjo do të thotë se për atë moment, për atë ççështje, diçka tjetër veç Krishtit ishte më e rëndësishme për ne. Ndoshta është provimi njerëzor, ne kemi frikë se mos na bie fytyra në tokë, ndoshta është paraja. Ne jemi gati që të kompromentojmë të vërtetën thjesht për të marrë diçka. Pse? Sepse ajo “diçkaja” është më e rëndësishme për ne në atë moment se sa Jezus Krishti. Nën çdo veprim mëkatar që bie në njërën prej nënë urdhëresave fshihet mëkati i idhujtarisë. Dhe nën çdo akt idhujtarie fshihet mungesa jonë e besimit ndaj ungjillit dhe Krishtit. Kur të kuptomë plotësisht këtë gjë, ne do të kuptojmë më mirë veten tonë, njerëzit që na rrethojnë, si dhe mënyrën se si ne bëjmë ungjillëzim. Duke u kthyer tek shembulli i dy personave që po njihen për tu martuar. Personi që e kanë lënë dhe ka humbur dëshirën për të jetuar po thotë përmes veprimeve tij apo të saj: Po, po, po Jezus Krishti, por ky personi që nuk më do më është ajo gjë që më bën të lumtur, që mi jep kuptim jetës, që më bën të jetoj.

Gjithsecili prej nesh e bën këtë gjë. Të gjithë ne jemi fajtorë për mëkatin e idhujtarisë. Të gjithë ne jemi si Jona, kuptojmë që jemi të thirrur për të predikuar hirin, kur ne vetë nuk e kemi kuptuar vërtetë hirin. Në rrëfejmë se jemi mëkatarë të shpëtuar sola gratia, vetëm nga hiri sovran i Perëndisë, ndërsa thellë brenda nesh ne besojmë në shfajësimin përmes meritave tona. Kjo është arsyeja për Jona, në fund të detit, kur po përpiqej që të kuptonte se çfarë po ndodhte me të, deklaron se “Por unë me zëra lëvdimi do të ofroj flijime dhe do të plotësoj betimet që kam bërë. Shpëtimi i përket Zotit“” (Jona 2:9). Deklarimi se shpëtimi i takon Zotit e bën Jonën 2:9 vargun qendror të tërë Biblës. Ky ëshë thelbi i mesazhit të tërë Biblës, shpëtimi i takon Perëndisë. Ne të krishterët e besojmë dhe e kuptojmë këtë gjë, të paktën deri në një farë mase, mjaftueshëm për të përfituar shpëtimin. Problemi me të krishterët dhe idhujtarit e tyre është se shumica e ungjillit qëndron në kokë dhe nuk zbret e gjitha në zemër. Vetëm kur ndodh kjo, arrihet pjekuria e besimit. Vetëm kur ndodh kjo ne shikomë jo-vetëm idhujtarinë e të tjerëve por edhe tonë shikojmë jo-vetëm lëmishten në sytë e të tjerëve por edhe trarin në syrin tonë. Dhe vetëm atëherë ne kemi kuptuar e filluar proçesin e vërtetë të shenjtërimit, vetëm atëherë jemi të gatshëm e të aftë për të ungjillëzuar të tjerët. E njëjta gjë ndodhi me Jonën, vetëm kur ai kuptoi se ai ishte një mëkatar i shpëtuar nga hiri, kur ai kuptoi ekzistencën e idhujve në zemrën e tij, vetëm atëherë ai pati pendim të vërtetë, ose të paktën një pendim në një nivel të ri më të lartë dhe më gjithpërfshirëse. Vetëm kur ndodh kjo ju jeni një nejri i ri, më i dashur, më i hirshëm, më pak gjykues, më i mëshirshëm, më pak lokalist, klasor, racist, përjashtues, më mikpritës, dhe i gatshëm për të shkuar kudo me ungjillit e hirit të Perëndisë. Përpara të bërit e ungjillëzimit vjen të qenit apo të përjetuarit e ungjillit.

Si të Përdorim Ungjillin

Së dyti, vini re si si mund të përdorim ungjillin për të adresuar idhujt në zemrën tonë. Cfarë duhet të bëjmë që ungjilli të zbresë nga koka drejt e në zemrën tonë? Kuptohet që nga mënyra se si shtrohet pyetja, që ne nuk mund të besojmë se me pak më shumë punë e vullnet ne mund të ndreqim vetveten, se mund të bëhemi të krishterë më të mirë me më pak idhuj. Cfarë ne duhet të bëjmë është ti deklarojmë ungjillin vetes, teologjinë e hirit sovran të Perëndisë. Ne duhet ti predikojmë e kujtojmë vetvetes premtimet dhe ofertat e ungjillit. Vini re parimin i cili është ky: Fuqia Zëvendësuesë e Afeksioneve të Reja. Askush nuk mund të ndryshojë apo bëjë të vdesë huqet e vjetra thjesht nga vullneti mendor. Askush nuk mund të lërë pas idhujt thjesht duke i vënë qëllim vetes. Pse? Sepse konstrukti i zemrës tonë nuk e lejon një gjë të tillë. Zemra e njeriut është e konstruktuar në mënyrë të tillë nga Perëndia, që e bën të detyrueshme për zemrën që të ketë një objekt ndjenjash. Zemra jonë ka nevojë që të dojë diçka, të mendojë natë e ditë për diçka, të jetë pasionante për diçka. Kështu jo vetëm që është e rrezikshme por është edhe e pamundur që ta lësh zemrën e njeriut pa një objekt ndjenjash. Kjo do të thotë që nëse diçka është idhull për zemrën tonë, ky idhull duhet zëvendësuar me diçka tjetër. Ose ndryshe, dashuria për këtë idhull duhet zëvendësuar me një afeksion superior ndaj një objekti superior. Zemra jonë ka nevojë për një afeksion më të fortë e më të lartë ndaj një objekti më superior se sa idhulli, dhe ky mund të jetë vetëm Perëndia. Një drogaxhi nuk mund të lërë drogën thjesht duke i thënë vetes “Lëre drogën.” Ai njeri duhet të zbulojë një objekt superior për afeksionet e tija, një objekt dashurie që do ti nxisë atij afeksione superiore, më të fuqishme se sa ato për drogën. Fuqia zëvendësuese e afeksioneve të reja është metoda e ungjillit. Që ne të superojmë dashurinë ndaj idhujve tona ne na duhet një pasion i ri më i fuqishëm e gjithzotërues. Kjo është metoda e thyerjes së fuqisë dhe tërheqjes së idhujve në jetën tonë. Të krishterë, mbani mend se çfarë nuk mund të shkatërrohet mund të shpronësohet. Për një të droguar, nëse tërheqja ndaj drogës nuk mnd të shkatërrohet plotësisht deri ditën që vdes, ajo mund të shpronësohet dhe zëvendësohet me një afeksion tjetër më të fuqishëm, me një dashuri tjetër më ta madhe ndaj një personi tjetër më të lartë. Kjo është mënyra Biblike e adresimit të idhujve. Këtë e shikon të ilustruar edhe në stadet e njeriut në jetë. Kur ishim të vegjël na pëlqente që ta kalonim kohën duke luajtur, tani na pëlqen që ta kalojmë kohën duke bërë para. Dashuritë më të forta zëvendësojnë dashuritë e vjetra. Jakobi e donte Rakelën për gruan e tij dhe ishte gati që të punonte 7 vjet për Labanin. Përse? Sepse dashuria për Rakelën ishte më e fortë se sa lodhja apo tortura që i shkaktonte Labani.

Pra së pari ne duhet të zëvendësojmë afeksionet e vjetra me afeksione të reja më të fuqishmë dhe gjithzotëruese. Por kjo nuk do të mjaftonte nëse afeksionet e reja nuk do të ishin të drejtuara ndaj Krishtit. Krishti duhet të jetë objekti i afeksioneve tona, vetëm atëhere ne do të shpëtojmë nga idhujtaria jonë, evetem atëherë do të jemi vertete të lirë nga atraksionet e kësaj bote, nga kërcënimet e kësaj bote, nga ofertat e kësaj bote, nga presionet e kësaj bote. Kjo do të thotë që ne duhet të mendojmë më shumë për Krishtin, për kush është ai, për çfarë ai bëri për ne, për trashëgiminë që ne na është dhënë si dhuratë nga Ati, për birësimin tonë dhe bekimet e përfitimet që sjell ajo. Mendoni në momentin e tundimit se si Krishti, Personi i Dytë i Trinisë, edhe përse kishte tërë botën u mishërizuar që të vdiste për ne. Ai kishte gjithçka veç nesh. Dhe kështu dashuria, dëshira që kishte për të na bërë të tijët ishte shumë më e fortë se sa tundimet e kësaj bote, më e fortë se sa ankthet e Getsemanesë, më e fortë se sa urrejtja e Perëndisë që u derdh mbi të në kryq. Krishti zëvendësoi frikëm me dashurinë. Ne ishim Rakela e tij, dhe ai ishte gati që të bënte gjithçka vetëm që të na kishte ne. Kur meditojmë mbi këtë Krisht ne jo vetëm që shikojmë shembullin e fuqisë zëvendësuesë të afeksioneve të zemrës së një personi, por mbi të gjitha shikojmë një Krisht si objektim më të lartë që mund të ekzistojë për afeksionet tona. Kur ne shikojmë këtë Krisht, kur e kuptojmë atë, kur shpenzojmë kohë me të, kur e shijojmë atë, marrëdhënien me Atin, bekimet e tij, dorën e tij mbi jetën tonë, kur përjetojmë ungjillin e Perëndisë në jetën tonë, Fryma e Shenjtë do të na mbushi me afeksione të reja, me një dashuri të re shumë më të fortë se sa çdo lloj afeksioni ndaj kësaj bote. Kur ne shikojmë këtë dashuri të Krishtit, ai bëhet para syve tonë një diçka kaq e bukur sa që të bën që ti kthesh kurrizin të gjitha gjërave të tjera. Kjo është ënyra se si ne duhet të aplikojmë balsamin e Ungjillit zemrave tona në momentin kur e shikojmë veten të tunduar nga idhujt e kësaj bote. Le të kujtohemi për Kol. 3:3-4 “sepse ju keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. 4 Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të.”AMEN.

 

Këtë e pëlqejnë %d blogues: