O njeri besimpak, pse dyshove? – Mateu 14:22-33

O njeri besimpak, pse dyshove? – Mateu 14:22-33

Kur ushqeu pesë mijë vetë, Jezusi u soll si Zoti i Natyrës duke shumuar pesë bukë e dy peshq për të siguruar për nevojat fizike të atyre në nevojë. Në këtë mrekulli tjetër, Jezusi sillet serish si Zoti i tërë Krijesës së Tij, duke kaluar mbi ligjet e natyrës për ti shërbyer dishepujve që ishin në rrezik.

Zoti i detyroi dishepujt që të hipnin në barkë dh të niseshin për në bregun tjetër. Më pas i i nisi turmat të cilët dëshironin që ta bënin me forcë Jezusin mbretin e tyre (Gjoni 6:15) për shkak se i kishte ushqyer ata. Sigurisht që edhe dishepujt ishin pjesë e këtij entuziazmi popullor, sepse dëshironin që edhe ata të ishin pjesë e kurorëzimit të Krishtit si mbret që edhe ata të kishin pjesën e tyre në këtë mbretëri të re. Por Zoti ynë kishte vepra më të mëdha për të bërë si Profeti i madh i Perëndisë. Ai duhej që tu zbulonte njerëzve se kush ai ishte në të vërtetë, se dhe çfarë kishte ardhur në tokë për të bërë. Dishepujt kishin ende shumë për të mësuar mbi fuqinë e vërtetë të Zoti të tyre, dhe kështu Ai i dërgoi ata në mes të stuhisë.

Hape Biblën dhe lexo Mateu 14:22-33, si dhe pasazhet paralele tek Marku 6:45-53 dhe Gjoni 6:15-21.

  1. Çfarë bëri Jezusi pasi e nisi turmën?
  2. Në cilën pjesë të ditës ndodhi kjo?
  3. Përse Jezusi, Biri i Perëndisë, kishte nevojë që të lutej?
  4. Çfarë shembulli la për ne Zoti ynë tek vargu 23?

Zoti ynë u ngjit në një prej maleve që rrethojnë Detin e Galilesë. Nga ajo lartësi Ai mund ti shikonte dishepujt që gjendeshin në mes të stuhisë dhe rrezikut fizik, dhe varkën që goditej nga dallgët e larta. Ndërkohë, me siguri, dishepujt pyetnin veten se pse Jezusi i dërgoi ata në mes të stuhisë.

  1. Përse Jezusi i dërgoi dishepujt që të lundronin atë natë?
  2. A e dinte Ai se do të fillonte stuhia?
  3. A gjendeshin dishepujt pikërisht aty ku Zoti dëshironte që ata të ishin?

Edhe pse dishepujt iu nënshtruan vullnetit të Zotit, ata e gjetën veten në mes të vështirësisë! Shumë të Krishterë mendojnë se kur e gjejnë veten në mes të vështirësive, sprovave dhe fatkeqësive, ata nuk janë në vullnetin e Perëndisë, ose se Zoti po i dënon, ose po punon kundra tyre. Por dishepujt ishin ekzaktësish aty ku Jezusi i kishte dërguar që të ishin. Ai e njihte mirë situatën e tyre. Perëndia i njeh sfidat, sprovat dhe fatkeqësitë e tua. Ai ka një arsye se përse ka lejuar që ti të shkosh përmes tyre. Ne mund të mos e kuptojmë arsyen e tyre, por Ai i ka lejuar ato qëllimisht.

  1. Sa kohë kishte kaluar që nga momenti kur Zoti ishte ndarë nga dishepujt e Tij? (Roja e katërt e natës fillonte në orën 3 a.m.)
  2. Sa larg kishin lundruar ata në det? (Deti i Galilesë është rreth 10 kilometra në këtë pikë, dhe ata kishin vozitur në gjysmë të rrugës).
  3. Përshkruani skenën tek vargu 26.
  4. Përse ishin këta dishepuj të guximshëm kaq të frikësuar?
  5. Përse menduan se personi që po u afrohej ishte një fantazmë?
  6. Çfarë provon kjo mrekulli mbi natyrën e Jezusit?
  7. Çfarë u zbulonte kjo gjë atyre mbi fuqinë e Jezusit mbi ligjet e natyrës?
  8. Çfarë bëri menjëherë Zoti për të qetësuar frikën e tyre?
  9. Çfarë ju bën të mendoni se ata njohën zërin e Tij përpara se ata të njihnin fytyrën e Tij?
  10. Cili nga dishepujt iu përgjigj Zotit i pari?
  11. Si e testoi Pjetri Jezusin?
  12. Çfarë na zbulon kjo sjellje e Pjetrit mbi karakterin e tij?
  13. Si i drejtohet ai Jezusit? (Kujto që Pjetri ishte peshkatar, dhe e njihte mirë zanatin e detarit).
  14. Zoti ynë ishte i hirshëm ndaj Pjetrit dhe nuk e qortoi atë. Çfarë i tha Ai Pjetrit?
  15. Çfarë bëri Pjetri menjëherë?
  16. Çfarë na tregon kjo për besimin e Pjetrit?

Ne jemi shumë të ngjashëm me Pjetrin. Ne gjithnjë lutemi “Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim!” (Marku 9:24). Edhe ne duam ta ndjekim Jezusin me çdo kusht, por pastaj ne bëhemi të vetëdijshëm për gjendjen tonë të vështirë dhe frikësohemi e dyshojmë.

  1. Çfarë ndodhi sipas vargut 30?
  2. Përse u frikësuar Pjetri?
  3. Kujt i thirri për ndihmë përsëri ai?
  4. Sa afër i ishte Zoti ynë Pjetrit që po fundosej?
  5. Sa shpejt veproi Jezusi në mes të këtyre vështirësive (v. 27, 31)?
  6. Sipas vargut 31, çfarë tha Jezusi se ishte problemi i Pjetrit?

Pasi Jezusi dhe Pjetri arritën në varkë, stuhia pushoi. Me të vërtetë Jezusi është Zot mbi natyrën.

  1. A mendoni se dishepujt e tjerë në varkë kuptuan se çfarë po ndodhte?
  2. Në cilin varg e zbulojmë këtë gjë?
  3. Cili ishte reagimi i dishepujve dhe reagimi i Zotit tonë?
  4. Çfarë do të thoshte për ata të pohonin se Jezusi ishte Biri i Perëndisë?
  5. Çfarë parimesh mund të zbulojmë nga kjo mrekulli i e Krishtit mbi forcat e natyrës, të cilat mund të na ndihmojnë  ne në jetën tonë?

Pyetja e parë që duhet ti bëjmë vetes kur gjendemi në mes të stuhive të jetës është nëse jemi aty ku Perëndia dëshiron që ne të jemi, dhe nëse po bëjmë atë që Perëndia dëshiron që ne të bëjmë në përputhje me urdhëresat e Tij.

Kujto që ashtu siç Jezusi i shikonte dishepujt në vështirësi që nga maja e malit, Perëndia edhe sot i di të gjitha vështirësitë tona, dhe na vjen në ndihmë në kohën e duhur.

Cili është qëllimi që Perëndia i lejon fatkeqësitë, sprovat dhe shtrëngimet të vijnë në jetën tënde? A reagon ti ndaj mëshirës së Perëndisë në të njëjtën mënyrë si edhe dishepujt në vargun 33? Çfarë do të thotë për ty vetë, ta adhurosh Atë dhe të shpallësh se Ai është Biri i Perëndisë?

Kjo mrekulli madhështore duhet të prodhojë shumë ngushëllime në zemrën tonë për disa arsye. Duhet të kuptojmë se kush është në të vërtetë Zoti ynë, dhe ne duhet që ti përulemi para Tij. Ai edhe sot bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij (Rom. 8:28). Mrekullitë pra, na zbulojnë dhe na garantojnë karakterin madhështor të Zotit tonë. Perëndia na dhëntë urtësi për ti kujtuar dhe aplikuar këto të vërteta në jetën tonë edhe sot.