Gjykimi i Hipokrizisë – Marku 11:12-14; 20-24

Gjykimi i Hipokrizisë – Marku 11:12-14; 20-24

Mrekullia që kemi për studim sot është tepër e veçantë dhe e çuditshme. Çdo mrekulli tjetër të Zotit që kemi studiuar deri tani, ka qenë një mrekulli bekuese, një akt mirësie dhe mëshire. Por mrekullia e tharjes së fikut është një mrekulli për shkatërrim dhe dënim. Ka disa studiues që mendojnë se kjo ngjarje nuk është aspak një mrekulli por një shëmbëlltyrë. Por, sipas përkufizimit se çfarë është një mrekulli, të cilën e kemi studiuar në kapitullin e parë, edhe ky veprim i Jezusit duhet klasifikuar si një mrekulli. Në të njëjtën kohë, është e vërtetë që kjo mrekulli funksionon në të njëjtën kohë edhe si shëmbëlltyrë.

Lexo Marku 11:12-14 dhe 18-22. Konteksti i kësaj mrekullie është i rëndësishëm (shiko vargjet 1-11). Ngjarja ndodhi të hënën e javës në të cilën u kryqëzua Zoti, dhe të nesërmen e hyrjes së Tij triumfante në Jerusalem, që njihet sot si E Diela e Palmave. Në mbrëmjen e asaj dite ai u kthye që të kalonte natën në Betani, një qytezë e vogël rreth 3 kilometra jashtë Jerusalemit. Në Betani ai qëndronte në shtëpinë plot dashuri për Zotin të miqve të Tij, Llazarit, Marisë dhe Martës. Praktika e Zotit gjatë javës së fundit, javës në të cilën do të tradhëtohej, kryqëzohej dhe vdiste, praktika e Tij ishte që të vazhdonte shërbesën e Tij gjatë ditës në Jerusalem, dhe në darke të kthehej në Betani. Të hënën në mëngjes Zoti po rikthehej në Jerusalem nga Betania, dhe rrugës Ai i foli fikut fjalën e gjykimit.

  • A mendon se Jezusi ishte i uritur atë mëngjes?
  • Cili ishte praktika e tij e zakonshme në mëngjes (Marku 1:35?
  • Njeriu i uritur dëshiron ushqim. Po kështu edhe Zoti ynë në natyrën e tij njerëzore. Çfarë pa dhe dëshiroi Ai?
  • Përse mendoi Ai se pema duhej të kishte fryte?

Ishte pranverë. Pema e fikut në Palestinë në fillim lidhte kokrrat dhe më pas nxirrte gjethet. Në fillim të pranverës, përpara se sa të dilnin gjethet pra, pema e fikut palestinez prodhonte një fryt jeshil shumë të shijshëm. Kështu një pemë fiku me gjethe ishte deklarata dhe ftesa e fikut se ishte gati për tu shijuar. Por kur Jezusi shkoi tek kjo pemë, ai nuk pa asnjë fryt për të shijuar, pavarësisht pamjes së saj premtuese.

  • Çfarë bëri Zoti ynë më pas (v. 14).
  • Përse bëri ai këtë deklaratë kaq të rëndë dhe solemne?

Është e rëndësishme që të kuptojmë se arsyeja që Zoti Jezus bërë atë deklaratë mallkimi ndaj asaj peme fiku nuk kishte të bënte as me urinë e Tij dhe as me zhgënjimin e Tij se nuk gjeti frytë në atë pemë. Ka shumë që nuk e kuptojnë rëndësinë apo arsyen e këtij veprimi. Për disa ky është një mallkim i dhe një shkatërrim i panevojshëm i një peme plot jetë. Por mallkimi i fikut nuk ishte një manifestim i panevojshëm dhe bosh i fuqisë së Tij hyjnore. Mallkimi i fikut ishte një akt mësimi, një leksion i një të vërtetë të thellë dhe të rëndësishme frymore, i dhënë përmes një akti parabolik.

J.C. Ryle e shpjegon kështu: “Ne nuk kemi të drejtë që të kundërshtojmë veprimi dënues të Krishtit ndaj fikut, ashtu siç nuk kemi të drejtë të kundërshtojmë ofrimin e qengjit si sakrificë nën ligjin Mosaik. Në atë ofertë, jeta e pafajshme e një kafshe merrej çdo ditë. Por qëllimi i kurbanit të përditshëm që vendosej para syve të njerëzve si një flijim për mëkatin, e justifikonte marrjes e jetës së qengjit. Po në të njëjtën mënyrë justifikohet marrja e jetës së një peme nga Zoti ynë për të na dhënë mësimin e ungjillit.”

Mësimi që Zoti na dha është rreziku i madh që shtrihet mbi personin që nuk jep fryte edhe se deklaron se beson. Zoti ynë ua ka përsëritur shumë herë me insistim dishepujve se vërtetësia e rrëfimit të besimit na zbulohet nga frytet (Mateu 7:15-20; Gjoni 15:1-17). Zoti e mallkoi dhe e dënoi atë pemë fiku sepse nga jashtë ajo deklaronte që të ishte diçka që nuk ishte me të vërtetë.

Përmes kësaj shëmbëlltyre, Zoti ynë i deklaroi Izraelit se besimi i saj vetëm formal dhe pa asnjë fryt është një rrëfim bosh besimi. Ky ishte një mësim edhe për kishën e Judenjve, për skribët e farisenjtë dhe drejtuesit e tjerë të jetës religjioze të kombit. Besimtarët judenj të asaj kohe që e shikonin veten si pasardhës të besimit të Moisiut, ishin si ajo pema, ne dukje me jetë por në të vërtetë pa fryte. Ata kishin njohje, privilegje frymore, ndriçim dhe rrëfimi besimi. Kur Mesia erdhi në mes të popullit të Tij ai kishte çdo të drejtë që të priste e kërkonte prej tyre fryte që përkonin me deklaratën e tyre të besimit. Por Ai nuk gjeti në ata atë fryt që pritej prej tyre me tërë atë njohje dhe ndriçim frymor. Ata kishin Ligjin dhe Profetët që u deklaronin Krishtin. Ata kishin parë tërë veprat e Tij që provonin se Ai ishte Profeti i Madh që duhej të vinte. Por ai nuk e gjeti ndër ta këtë fryt të besimit. E njëjta gjë vlen edhe për ata sot që thonë se janë të Krishterë por nuk kanë as frytin e mësimit të shëndoshë biblik dhe as praktikën e një jete të shenjtë. Ata janë si ai fiku që mallkoi dhe shkatërroi Krishti: Ata janë hipokritë dhe fallso.

Por mësimi që Krishti kishte për dishepujt e Tij vazhdoi edhe në rrugën e tyre të kthimit nga Jerusalemi në Betani (v. 20).

  • Në çfarë gjendje ishte pema e fikut?
  • Nga e dimë se pema e fikut ishte plotësisht e tharë?

Le të vëmë re se pema e fikut nuk u dënua sepse ishte pa fryte, por sepse deklaronte me anë të gjetheve se kishte fryte kur në fakt ishte pa fryte. Ajo nuk u mallkua se ishte shterpë por sepse fallso dhe hipokrite. Sot ka shumë kombe, rajone gjeografike apo komunitete të mëdha njerëzish që deklarojnë se janë të Krishterë por nuk lidhin fryte. A nuk bëjmë të njëjtën gjë ehe ne si individë, si besimtarë? A nuk i deklarojmë Perëndisë, Kishës dhe botës se jemi besimtarë të vërtetë nga njëra anë, dhe nga ana tjetër frytet tona janë të pakta, apo pak prej atyre që janë të krishterë kanë frytet e një shpëtimi të vërtetë. Format e jashtme, marrja e darkës së Zotit, aktivitet e kishës, pagëzimi janë vetëm gjethe të jashtme. Gjethet pa fryte ngelen vetëm gjethe, dhe pa frytin e ëmbël të shenjtërisë ato të sigurojmë vetëm dënimin dhe shkatërrimin prej Krishtit.

  • Përse është kaq e rëndësishme lidhja e fryteve të besimit, bindjes dhe shenjtërisë në jetën e të Krishterit?

Frytet e besimit, provat që vërtetojnë se dikush është me të vërtetë i shpëtuar, se po jeton jë jetë me Krishtin dhe në Krishtin janë pendimi ndaj Perëndisë dhe njeriut, besimi ndaj Jezus Krishtit si Zot dhe Shpëtimtar, dhe një shenjtëri e vërtetë në jetën e përditshme. Le të kujtojmë se Frytet e Frymës i kemi të renditura tek Galatasve 5:22-23.

Le të lutemi që Perëndia të na bekojë me dëshirën për të lidhur fryte siç i kanë hije rrëfimit të besimit tonë. Le të mos e harrojmë kurrë thirrjen dhe aplikimin personal të kësaj mrekulli dhe mësimi të Zotit për ne vetë.