nga Gerard Wasick, 2018
Origjina dhe historia e saj
Mendimi se Besorja Apostolike u shkrua nga dymbëdhjetë apostujt (me supozimin që secili prej tyre të ketë shkruar një kapitull), nuk është veçse legjendë. Ky rrëfim i ka rrënjët në shekullin e dytë. Ai është përdorur gjithnjë e më shumë në shekullin e parë si shprehje e besimit apostolik, ndaj ka këtë emër. Pranimi dhe teksti i saj nuk janë vendime të ndonjë këshilli kishe.
Sipas etërve të kishës si Ireneu, Justini, Tertuliani dhe Hipoliti (fundi i shekullit të parë – mesi i shekullit të dytë), besimi apostolik rrëfehej në ceremoninë e besimit. Zakonisht, besimtarit të ri i drejtoheshin tri pyetje që të mund të rrëfente besimin e tij në Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë (p.sh. Mt. 28:19). Ndonjëherë shtoheshin shprehje referuar Krijuesit të universit (për Atin), lindjes nga virgjëresha, kryqëzimit dhe ringjalljes (për Birin), kishën dhe faljen e mëkateve (për Frymën e Shenjtë).
Me shumë gjasa, kisha në Romë e zhvilloi këtë në atë që quhet Symbolum Romanum, një rrëfim shumë i ngjashëm por pak më i shkurtër se Besorja Apostolike që njohim. Pak a shumë i njëjti tekst është gjetur në letërkëmbimet greke të vitit 340, në dorëshkrime në Angli dhe në rrëfime të kishave në Gali (Franca e sotme), Itali dhe Afrikën e Veriut. Ka mundësi që versioni grek të jetë më i vjetër se versioni latin, meqë liturgjia latine zëvendësoi në Romë liturgjinë greke në fillim të shekullit IV.
As koha e origjinës së Symbolum Romanum-it nuk është e njohur. Konfliktet që ndodhën pas vitit 150 në Romë (mësimet e Marsionit për perëndi të ndryshëm në Dhjatën e Vjetër dhe Dhjatës e Re, mendimi se Perëndia ekziston vetëm si Atë, dhe shfaqet si Biri dhe Fryma e Shenjtë) nuk reflektohen në Rrëfim. Si rrjedhojë, pranohet gjerësisht se ky Rrëfim u adoptua në gjysmën e dytë të shekullit II, ose madje nga viti 100, jo shumë kohë pas vdekjes së apostullit të fundit. Gjithashtu, dihet se peshkopët romakë parapëlqenin të mbanin trajtat e liturgjisë tradicionale, përfshirë tekstin e rrëfimit të besimit. Duke marrë parasysh komentarin e Rufinusit për Rrëfimin romak (404), është e qartë se teksti ishte autoritar në fillim të shekullit të pestë, së paku në Romë. Në vende të ndryshme, mund të kenë ndodhur ndryshime të vogla.
Me shumë gjasa Rrëfimi romak u zhvillua në Besoren Apostolike. Teksti i Apostolicum-it siç e njohim është gjurmuar deri në shekullin gjashtë në shkrimet e Cezariusit, të Arlesit (i cili vdiq në vitit 542) në jug të Galisë, si dhe gjendet i njëjtë thuajse fjalë për fjalë në shkrime të ndryshme në Francë, Spanjë dhe Irlandë në shekujt në vijim. Në shekullin e tetë, Karli i Madh promovoi përdorimin e tij në shkolla në perandorinë e tij. Më vonë ky tekst u imponua edhe në kishën e Romës.
Teksti i saj
Ka disa elemente të jashtëzakonshme në tekstin e Symbolum Apostolorum-it. Fjalët për Zotin Jezus “që u ngjiz nga Fryma e Shenjtë, lindi nga virgjëresha Mari” janë përdorim i saktë i fjalëve nga Luka 1:35 se Ai kishte “lindur nga Fryma e Shenjtë dhe virgjëresha Mari”, siç thuhet edhe në Symbolum Romanum.
Fjalët “zbriti në ferr” nuk u shfaqën në Symbolum Romanum, por ekzistuan në rrëfimin e vendlindjes së Rufinusit, në Akuila (në verilindje të Italisë); ato janë gjetur edhe në rrëfimin sirian të fillimit të shekullit IV. Siç duket, këto fjalë u përfshinë në Apostolicum pa shumë diskutime, edhe pse më vonë kuptimi i tyre u debatua shumë.
Ndërsa Symbolum Romanum-i përmbante vetëm shprehjen “kishë e shenjtë”, në Besoren Apostolike kjo u zmadhua duke shtuar “katolike” dhe “bashkësinë e shenjtorëve”. Me shumë gjasa, pjesa fundore e fjalisë “dhe jeta e përjetshme” është shtuar nga Kisha Ortodokse e Lindjes.
Përdorimi dhe rëndësia e saj
Duket që në të dyja kishat, latine dhe greke, çdo rresht ishte i formuluar në formën e pyetjes, pas së cilës besimtari i ri duhej të jepte miratimin e tij, duke treguar që e kuptonte dhe e besonte përmbajtjen. Rrjedhimisht, stili i pyetjes dhe i përgjigjes u modifikua në formën e lutjes, ashtu siç e kemi sot. Besorja Apostolike përdoret gjerësisht nga pjesa më e madhe e denominacioneve të krishtera për qëllime liturgjike dhe katekizmi. Gjithashtu, ajo paraqet konsensusin themelor mbi përmbajtjen e besimit të krishterë.
Ka pasur debate mbi pjesët e rrëfimit të konsideruara si dytësore, të tilla si: “nën Poncin Pilat”; “zbriti në ferr”; “bashkësia e shenjtorëve”, ndërsa vihej re se asgjë nuk rrëfehej në to në lidhje me mëkatin, drejtësimin dhe shenjtërimin. Mund të arrihet në përfundimin se Besorja Apostolike fokusohet më shumë në Perëndinë dhe faktet e shpëtimit (në Krishtin) sesa në përfitimet e shpëtimit për besimtarin në këtë jetë. Nga ana tjetër, Apostolicum-i orientohet nga e ardhmja: rrëfimi çon në bekimet e shpëtimit, pra në faljen e mëkatit dhe në jetë të përjetshme.
Në përputhje me Kishën Ortodokse të Lindjes, si dhe me Kishën Katolike-Romane, reformatorët, Luteri, Zvingli dhe Kalvini, e përfshinë këtë rrëfim në katekizmat e tyre dhe në përshkrimet e liturgjisë së tyre. Katekizmi i Hajdelbergut i trajton artikujt e këtij Rrëfimi në mënyrë të tillë që tregon përfitimet e tyre për besimtarët e vërtetë.