nga Gerard Wasick, 2018
Origjina dhe historia e saj
Besorja Athanasiane u bë besorja e tretë e një periudhe të hershme dhe ekumenike në kishat e Perëndimit. Ajo është emëruar sipas emrit të Athanasit të Aleksandrisë, njërit prej etërve të kishës së madhe të shekullit IV, i cili i doli në mbrojtje të së vërtetës së Trinisë dhe të hyjnisë së Krishtit kundër sulmeve të heretikëve. Megjithatë, Athanasi vetë nuk ishte autori i Besores që mban emrin e tij. Nuk ka asnjë gjurmë të kësaj Besoreje në veprat e Athanasit apo të literaturës së kishës së hershme lindore. Kjo besore njihet edhe si Quicunque (sipas fjalës “Quicunque” = “Kushdo”) dhe, nga vetë emri, duket se e ka origjinën në gjuhën latine. Nuk ka dorëshkrime të hershme greke të kësaj besoreje, ndërkohë që Athanasi e jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij në Aleksandrinë greke në Egjipt.
Përveç kësaj, formulimet e doktrinës së Trinisë së Shenjtë dhe të kristologjisë reflektojnë teologjinë perëndimore të Agustinit dhe të pasardhësve të tij, si dhe janë një fazë e zhvillimit teologjik më e vonshme se koha e Athanasit. Pasardhësit e Agustinit kishin shumë ndikim në diskutimet teologjike në Galinë Jugore, ndaj nuk është për t’u habitur që kopja më e vjetër e njohur e Besores së Athanasit u gjend në një deng predikimesh të Cezarit të Arlesit (një qytet në Galinë Jugore). Ajo daton rreth vitit 542. Nëse marrim parasysh lidhjet e tekstit me dokumente të tjera, kjo besore duhet të jetë shkruar midis viteve 435 dhe 500 në Galinë e Jugut. Autorët duhet të kenë pasur nderim të madh për Athanasin si kampion të mbrojtjes së doktrinës së Trinisë së Shenjtë, ndaj edhe ia atribuuan atij besoren.

Teksti i saj
Mbase disa pjesë nga teksti i Athanasit erdhën nga vepra De Trinitate (“Rreth Trinisë”) e Agustinit, e shkruar në periudhën 397–426. Edhe teksti latin ka një ngjashmëri të jashtëzakonshme me deklaratat e sinodeve spanjolle të Toledos, të mbajtur që nga viti 400. Ekzistojnë lidhje të qarta me botimet e teologëve në Galinë e Jugut në shekullin V, veçanërisht me veprën Commonitorium të Vinsentit të Lerinumit (Gali), vepër e vitit 431.
Besorja Athanasiane përmban 44 vargje. Vargjet 3–28 parashtrojnë doktrinën e Trinisë. Vargjet 29–43 rrëfejnë doktrinën e mishërimit dhe të bashkimit të dy natyrave të Krishtit në personin e Birit të Perëndisë. Pika e parë ku përqendrohet Besorja, Trinia e Shenjtë, tregon zhvillim teologjik perëndimor të mëvonshëm në lidhje me Frymën e Shenjtë që vjen nga Ati dhe Biri, siç thotë në vargun 23: “Fryma e Shenjtë vjen nga Ati dhe Biri; as i bërë, as i krijuar, as i lindur, por i buruar.” Pika e dytë, kristologjia, e vë theksin tek dy natyrat e Krishtit në një Person sipas Besores së Konstantinopojës.
Përdorimi dhe rëndësia e saj
Besorja Athanasiane është një deklaratë më e plotë e të vërtetave të Trinisë së Shenjtë dhe e Personit dhe e natyrës së Krishtit sesa Besorja e Nikesë apo e Kalkidonisë, por në të mungon thjeshtësia dhe saktësia e shprehjes së këtyre dy besoreve. Fjalët në të janë të forta, si për shembull në vargjet 1–2 dhe 44, ku thuhet: “Ky është besimi katolik (i përgjithshëm), të cilin, nëse njeriu nuk e beson me besnikëri dhe patundshmëri, nuk mund të shpëtohet.”
Shkruar me kadenca ritmike, qëllimi i kësaj besoreje mund të ketë qenë që të këndohej në adhurimin publik të kishave. Edhe pse konsiderohet e besueshme nga kishat Katolike-Romane dhe protestante (p.sh. në Rrëfimin Belg, neni 9), ky tekst tërhoqi vëmendje relativisht të vogël. Kishat Ortodokse Lindore nuk e kanë pasur këtë Besore deri në shekullin XVII, kur edhe u njohën me të.