nga Gerard Wasick, 2018
Origjina dhe historia e saj
Besorja e Nikesë është besorja e parë e vendosur nga këshilli i kishës. Në të vërtetë, kjo kishë ishte Këshilli i Parë Ekumenik. Takimi u thirr nga perandori Konstandini I, i cili dëshironte të vendoste një marrëveshje universale për një çështje kontradiktore. Ky këshill u mblodh nga 20 maji deri më 19 qershorin e vitit 325, në Nike, (Iznik) Bitini, jo larg Stambollit të sotëm. Takimi i 318 peshkopëve (shumica prej tyre nga Kisha e Lindjes) u kryesua nga këshilltari i perandorit, peshkopi Hosius i Kordobës (Spanjë), dhe nga vetë Perandori.
Çështja kontradiktore ishte doktrina e Trinisë, veçanërisht lidhja e Perëndisë Atë dhe Perëndisë Bir, e ashtuquajtura polemika e Arit. Ari ishte anëtar i klerit të Aleksandrisë, në Egjipt. Ai e kundërshtonte peshkopin Aleksandër, i cili theksonte se Perëndia Atë dhe Perëndia Bir kishin natyrë të njëjtë, dhe se Biri erdhi nga Ati në brezni të përjetshme. Ari e kundërshtonte faktin se Perëndia është një dhe deklaronte se Biri qe krijesa e parë, përmes të Cilit Perëndia u bë Atë. Aleksandri e akuzoi Arin se po mohonte hyjninë e Birit. Doktrina e Arit u pranua dhe u adoptua gjerësisht jashtë Aleksandrisë, duke kërcënuar unitetin e Perandorisë.
Besorja e Nikesë u themelua për të qartësuar parimet kyç të besimit të krishterë. Në të deklarohej se Biri i Perëndisë ishte prej së njëjtës natyrë (nga e njëjta lëndë, greqisht homoousios) me Atin. Në kundërshtim me ata që deklaronin se Shkrimi nuk e përdor këtë fjalë, peshkopi Athanas i Aleksandrisë (296–373), i cili pasoi Aleksandrin në vitin 328, mbrojti faktin se përmbajtja e kësaj shprehjeje mësohej te Mateu 28:19, Gjoni 1:11 dhe 10:30, Romakëve 9:5, Hebrenjve 1:3 etj. Athanasi strukturoi një deklaratë të njohur: “Nuk ka ekzistuar kurrë një kohë, në të cilën nuk ka ekzistuar Biri.” Fillimisht, Besorja nuk pati ndonjë ndikim të madh. Madje Ari dhe të tjerë edhe u rivendosën në detyrë. Kjo shkaktoi një rikthim të debatit, me shprehje edhe më të tejskajshme nga pala e Arit. Shpejt u formuluan formula të reja besimi, shumica prej të cilave variacione të Simbolit të Nikesë, për t’i kundërshtuar këto forma të reja të arianizmit. Këshilli i Sardës (341 pas K.) kishte për qëllim të shprehte në mënyrë të përpiktë një formulim të ri, por nuk mundi të arrinte marrëveshje për të. Arianizmi u bë pikëpamja mbizotëruese në kishë.
Ndërkohë, u shfaq një konflikt për Personin e tretë të Trinisë së Shenjtë, Frymën e Shenjtë. Për t’u dhënë fund konflikteve, u mblodh Këshilli II Ekumenik në vitin 381 pas Krishtit. Ky këshill përbëhej nga 150 peshkopë. Në këtë këshill u vendos zgjerimi i origjinalit të Besores së Nikesë, viti 325 pas Krishtit me një rrëfim për Frymën e Shenjtë dhe Kishën. Ky modifikim mbeti i padukshëm në dokumentet e kishës për shtatëdhjetë vjet, derisa u pranua zyrtarisht në Këshillin III Ekumenik të Kalkidonës (451). Shpjegimi më i mundshëm për këtë është fakti se Kredoja e Nikesë është përdorur në tekstet e ndryshme që ende i përmbahen doktrinës kryesore të saj. Besorja e viti 381 në fillim konsiderohej si një modifikim i tillë, i quajtur ende si e Nikesë, derisa u bë njohja zyrtare në vitin 451 pas K. si Besorja e Nikesë-Konstandinopojës. Më vonë, versioni në latinisht, ose Kredoja Perëndimore, shtoi mbi nenin për Frymën e Shenjtë edhe “dhe Biri” (Latinisht: Filioque), një ndryshim i ruajtur në kishat Perëndimore. Kjo shtesë u bë shkas konflikti ndarës.
Teksti i saj
Nomenklatura
Saktësisht, emri Besorja e Nikesë duhet të përdoret për t’iu referuar versionit origjinal të miratuar në Këshillin I të Nikesë (325 pas K.). Shpesh i referohet versionit të rishikuar e të miratuar nga Këshilli i Parë i Konstandinopojës (381 pas K.) madje dhe në versionin në gjuhën latine, ku përfshihet fraza “Deum de Deo” dhe “Filioque” (“dhe nga Biri”). Besorja e vitit 381 dhe versionet e saj të mëvonshme duhet të quhen ndryshe Besorja e Nikesë-Konstandinopojës.
Teksti i besoreve të vitit 325 dhe 381 pas K.
Besorja e Nikesë, origjinalja, u miratua së pari në vitin 325 pas K., në Këshillin e Parë të Nikesë. Kjo besore nikease përmban disa fraza kundër Arit: “e njëjta natyrë e Atit; Zoti i vërtetë nga Zoti i vërtetë; vetëmlindur, nuk është krijuar; nga e njëjta natyrë me Atin”. Fraza e mëvonshme përmban homoousion toi patri, shprehjen e famshme greke e cila pohon hyjninë e plotë të Birit. Teksti i vitit 325 pas Krishtit përfundon me fjalët “Ne besojmë në Frymën e Shenjtë”, pasuar nga anatema të ndryshme kundër propozimeve ariane.

Besorja e Nikesë-Konstandinopojës (381 pas K.) ka si shtesa ashtu edhe pjesë të lëna jashtë, krahasuar me Besoren e miratuar në Këshillin I të Nikesë (325 pas K.). Ndryshimi më i dukshëm është seksioni shtesë: “Dhe [ne besojmë] në Frymën e Shenjtë, Zotin dhe Dhënësin e Jetës, i Cili vjen nga Ati, dhe së bashku me Atin dhe Birin adhurohet dhe lavdërohet, i Cili u profetizua nga profetët. Ne besojmë në një kishë të shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike, pranojmë një pagëzim për faljen e mëkateve, dhe mezi presim ringjalljen e të vdekurve dhe botën që po vjen.” Ka mundësi që këto shtesa të jenë marrë nga një kishë tjetër lokale.
Tabela e mëposhtme jep një krahasim më të hollësishëm të ndryshimeve kryesore të Besoreve të vitit 325 dhe të vitit 381.1
Këshilli i parë i Nikesë (325) | Këshilli i parë i Konstandinopojës (381) |
Ne besojmë në një Perëndi, Ati i gjithëpushtetshëm, Krijuesi i të gjitha gjërave të dukshme dhe të padukshme. | Ne besojmë në një Perëndi, Ati i gjithëpushtetshëm, Krijuesi i qiellit dhe i tokës dhe i të gjitha gjërave të dukshme dhe të padukshme. |
Dhe në një Zot Jezus Krisht, Biri i Perëndisë, lindur nga i Ati, i Vetëmlinduri, që është, prej substancës së Atit, Perëndi prej Perëndie, Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i lindur jo i bërë, i të njëjtës substancë me Atin; | Dhe në një Zot Jezus Krisht, Biri i vetëmlindur i Perëndisë, lindur nga i Ati, përpara gjithë epokave (æons), Perëndi prej Perëndie, Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i lindur jo i bërë, i të njëjtës substancë me Atin; |
Përmes të Cilit u bënë të gjitha gjërat [si në qiell, ashtu edhe në tokë]; | Përmes të Cilit u bënë të gjitha gjërat; |
I Cili, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti nga qielli dhe u bë mish dhe u bë njeri; | I Cili, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti nga qielli dhe u bë mish nga Fryma e Shenjtë dhe virgjëresha Mari dhe u bë njeri; |
vuajti dhe ditën e tretë u ringjall, dhe u ngjit në qiell; | gjithashtu u kryqëzua për ne nën Pontc Pilatin, vuajti dhe u varros, dhe ditën e tretë u ringjall sipas Shkrimeve, dhe u ngjit në qiell, ku është ulur në të djathtë të Atit; |
dhe do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit. | dhe do të vijë sërish, në lavdi, të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit; |
Mbretëria e të Cilit nuk do të ketë fund. | |
Dhe në Frymën e Shenjtë | Dhe në Frymën e Shenjtë, Zotin dhe Jetëdhënësin, i Cili buron nga Ati, i Cili bashkë me Atin dhe Birin është i adhuruar dhe i përlëvduar, i Cili foli me anë të profetëve. |
Në besojmë në një Kishë të shenjtë, të përgjithshme dhe apostolike; ne njohim një pagëzim për faljen e mëkateve; ne presim ringjalljen e të vdekurve dhe jetën në botën që do të vijë. Amen! | |
[Por ata që thonë: “Ishte një kohë kur ai nuk ishte”, dhe “Ai nuk ekzistonte para se të krijohej”, dhe “Ai u krijua nga asgjëja”, apo “Ai është i një natyre apo esence tjetër”, apo “Biri i Perëndisë është i krijuar”, apo “i ndryshueshëm”, apo “që ndryshon” — ata janë të dënuar nga Kisha e shenjtë katolike dhe apostolike.] |
Një zhvillim i mëvonshëm: Filioque
Nga fundi i shekullit VI, disa kisha që flisnin gjuhën latine i shtuan shprehjes “i Cili buron nga Ati” shprehjen “dhe nga Biri” [filioque]. Kjo u konfirmua në Këshillin e Toledos (589 pas K.), një mbledhje e kishave që flisnin latinisht. Gjurmë të kësaj mund të gjenden tashmë te vepra e Agustinit për Trininë. Kisha Lindore Ortodokse ka debatuar që fjalët nuk ishin përfshirë në tekst as nga Këshilli i Nikesë dhe as nga ai i Konstandinopojës. Bazuar në përkthimin në latinisht të Gjonit 15:26, shprehja e gjendur në Besoren e Nikesë-Konstandinopojës qe përkthyer si procedentem. Me kalimin e kohës, versioni latin i Besores i dha rrugë konceptit perëndimor të hyjnisë së Frymës, “del nga Ati dhe Biri”. Kështu, këto fjalë u bënë pjesë e praktikës liturgjike të Romës në vitin 1014. Filioque përfundimisht u bë një nga shkaqet kryesore të përçarjes Lindje-Perëndim në vitin 1054, në të cilën ndërthureshin argumentet kulturore, politike dhe teologjike.
Mbase formulimi më asnjanës dhe më kuptimplotë i Filioque është se Fryma e Shenjtë rrjedh nga Ati nëpërmjet Birit.
Përdorimi dhe rëndësia e saj
Të paktën nga Këshilli i Kalkidonës (451 pas K.) e ndoshta edhe më herët, Besorja e Nikesë-Konstandinopojës u bë rrëfimi standard i pagëzimit, fillimisht në rajonin e Konstandinopojës e pastaj në mënyrë graduale në të gjithë kishën lindore, më vonë edhe në kishat e Romës, ku flitej latinishtja (të paktën në periudhën 550–810).
Liturgjitë e kishave të hershme të krishterimit lindor përdorën Besoren e Nikesë-Konstandinopojës dhe asnjëherë Besoren Apostolike të Perëndimit. Gjithashtu, kjo besore zuri vend edhe në shërbimin eukaristik, jo vetëm në kishat e lindjes, por edhe në kishën latine (që nga Këshilli i Toledos i vitit 589 e më tej). Nga Spanja, Besorja arriti në Irlandë, nga ku murgjit irlandezë e çuan në perandorinë karolinjane (Gjermani, Gali).
Besores së Konstandinopojës i atribuohet edhe zhvillimi i Filioque-s të misterit të doktrinës së Trinisë: Fryma i Cili buron nga Ati dhe nga Birit, bazuar në vargje të Shkrimit si Gjoni 14:16, 26. Qëllimi i Kishës spanjolle ishte të kundërshtonte arianizmin duke pohuar hyjninë e Birit, siç shfaqet në Frymën e Shenjtë i Cili buron nga Ai, si nga Ati. Nga Spanja doktrina u përhap në kishën perëndimore. Ka plot prova se ajo ka figuruar në mbledhje kishtare në Gali e në Gjermani. Kësaj doktrine i referohen edhe shkrimtarët ortodoksë lindorë, në kuptimin se Fryma buron nga Ati nëpërmjet Birit. Rrëfimet e Reformuara iu bashkuan kësaj besoreje të krishterë, siç shfaqet nga pranimi me emër i Besores së Nikesë në nenin 9 të Rrëfimit Belg të Besimit.
Doktrina e trinisë, një Perëndi i Cili ekziston në tre Persona, u formulua plotësisht në Besoren e Nikesë-Konstandinopojës. Etërit e Këshillit të Kalkidonës (451 pas K.) e konsideronin Besoren e Konstandinopojës të vitit të 381 pas K. si një rivendosje të besimit autoritar të Nikesë, përmes zhvillimit të doktrinës së Frymës së Shenjtë. Këta etër konfirmuan mësimin e Palit se Fryma është Zot (2 Kor. 3:17), Fryma e jetës (Rom. 8:2) dhe Jetëdhënësi (Gjo. 6:63; 2 Kor. 3:6), dhe se fakti që Ai buron nga Ati është i dukshëm te Gjoni 15:26 dhe 1 Korintasve 2:12. Besorja e Konstandinopojës konfirmon fjalën e Athanasit për Frymën e Shenjtë: “I Cili bashkë me Atin dhe Birin është përlëvduar”.
Si përmbledhje, Besorja e Nikesë-Konstandinopojës shpreh të vërtetën e Shkrimit lidhur me doktrinën e Trinisë së Shenjtë. Besorja e Nikesë e vitit 325 pas K. në mënyrë të qartë afirmon hyjninë bashkekzistuese të Perëndisë Bir. Kjo besore e vitit 381 flet për Frymën e Shenjtë si Perëndi për t’u adhuruar e përlëvduar bashkë me Atin dhe Birin. Kjo Besore është e vetmja deklaratë ekumenike autoritare e besimit të krishterë të pranuar nga Kisha Ortodokse Lindore, Kisha Katolike-Romane, Kisha Anglikane, si dhe nga denominacionet kryesore protestante.
1 Burimi i skicës dhe tabelës: https://en.wikipedia.org/wiki/Nicene_Creed [06.12.2016].