Dita e Zotit – 7 Nëntor, 2022

Dita e Zotit – 7 Nëntor, 2022

Shërbesa e Adhurimit

Votum Psalmi 124:8

Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejt dhe tokën.

Përshëndetja e Shenjtë Galatasve 1:3

Hir mbi ju dhe paqe nga Perëndia Ati dhe nga Zoti ynë Jezu Krisht.

§ Thirrja për Adhurim Isaia 44:22-23

I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam shpenguar». 23 Ngazëlloni, o qiej, sepse Zoti ka vepruar. Gëzohuni, o thellësi të tokës. Shpërtheni në britma gëzimi, o male, o pyje, me gjithë drurët tuaj! Sepse Zoti ka shpenguar Jakobin dhe e ka shfaqur lavdinë e tij në Izrael.

Lutja e Invokimit & Adhurimit të Perëndisë

§ Himn Adhurimi (mëso himnin këtu)

Shpirti im lëvdoje Mbretin, N’derim bjer tek këmbt’ e Tij.

I çliruar e i falur Si të mos ofrosh lavdim?

            Lavdëroje, Lavdëroje, Mbretin e Përjetësisë.

Për mëshirën edhe Hirin, që na dha kur në nevojë,

I ngadalt’ për të dënuar, e i shpejt’ të na bekojë.

            Lavdëroje, Lavdëroje, Mbretin e Besnikërisë.

Atëror kujdeset për ne, trupin ton Ai mir’ e njeh,

Butësisht na mban në duar e na mbron kur në nevojë.

            Lavdëroje, Lavdëroje, Mbretin e Mëshirave.

Engjëj ndihmonani ju që e shikoni ball’ për ball’

Diell, Hën’, Yje e Popuj, banorë të gjithësis’

            Lavdëroni, Lavdëroni, Mbretin Perëndinë sot.

§ Rrëfimi i Besimit Rrëfimi i Besimit 8:4                   

Zoti Jezus e ndërmori vullnetarisht këtë detyrë; Ai iu nënshtrua ligjit, me qëllim që ta kryente atë, dhe e plotësoi përsosmërisht; duroi vuajtje tmerrësisht të mëdha në shpirtin e Tij dhe vuajtje të dhimbshme në trupin e Tij; Ai u kryqëzua dhe vdiq, u varros dhe mbeti nën pushtetin e vdekjes, por pa njohur prishjen. Ditën e tretë u ngrit prej së vdekurish me të njëjtin trup me të cilin vuajti, dhe me të cilin Ai edhe u ngjit në qiell, dhe atje Ai është ulur në të djathtë të Atit të Tij, duke ndërmjetësuar, dhe prej nga do të kthehet të gjykojë njerëzit dhe engjëjt, në fundin e botës.

§ Himni Triniterian Gloria Patri

Lavdia qoft’ për Atin,

dhe për të Bir’,

dhe për Frymën e Shenjt’,

siç ka qen’ dhe prej fillimit

ësht’ tash, e gjithmon’ mbetet,

bot’ e pafund, Amen, Amen.

Leximi i Ligjit & Thirrja për Pendim                          

“Jezusi i tha: Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten. Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët”.”

Rrëfimi i Mëkateve     

Perëndi i Mëshirshëm, ne rrëfejmë se kemi mëkatuar ndaj jush. Ne kemi mëkatur përmes fjalëve, mendimeve dhe veprave tona. Ne e kemi thyer ligjin tuaj në mënyrë të vazhdueshme dhe të shpeshtë. Ne nuk ju kemi dashur me të tërë zemrën, mendjen dhe fuqinë tonë. Ne nuk e kemi dashur tjetrin si vetveten. Në të gjitha këto, ne kemi trishtuar Frymën tuaj të Shenjtë. Ki mëshirë për ne o Zot. Dhe fali mëkatet tona të shumta për hir të Jezus Krishtit, Zotit tonë. AMEN.

Siguria e Faljes Hebrenjve 7:24-27

“Ai, mbasi mbetet përjetë, ka priftëri të patjetërsueshme, 25 prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta. 26 Sepse neve një kryeprift i tillë na duhej: i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i bërë më i lartë se qiejt, 27 që nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e përgjithmonë, kur ofroi vetveten.”

§ Himni Falënderimi Doksologjia

Lavd’ Zotit, me bekime plot,

gjith’ ju krijesa këtu posht’

gjith’ ju turma në qiell lart,

Lavd’ Atit, Bir’t dhe Frymës Shenjt.

Lutja Pastorale

§ Himni i Përgatitor (mëso himnin këtu)

Kur kryqin mahnitës shqyrtoj, ku Princi i lavdisë vdiq,

çdo merit’ me përbuzje l’shoj, e çdo fitim e mbaj si hiç.

Mos lejo Zot të mburrem dot, veç në vdekjen e Krishtit tim.

Pra, çdo joshje, çdo qejf të kot’ ja sakrifikoj pa pendim.

Nga koka, duart, këmb’t e Tij ra dashuri e pikëllim;

takuar për shpëtimin tim ja ferrat kurora e Tij.

Nëse ofroj krijesën mbarë, s’do t’ishte një ofert’ e drejt’.

E denj’ ësht’ kjo dashuri të marr’ gjith’ jetën, zemrën, botën krejt.

Shërbesa e Fjalës                                                       

 “..Bari thahet dhe lulja bie,

por fjala e Zotit mbetet përjetë,

dhe kjo është fjala që ju është shpallur.”–

(1 Pjet.1:24-25)

§ Himni i Përgjigjes (mëso himnin këtu)

Merrma jetën se ta lë,

ta kushtoj Ty Zot atë.

Merrmë çdo çast e çdo dit’,

le t’vërshojn’ ato n’lavdi (x2).

Merrmi duart m’i lëviz

dhe me hirin m’i ujdis.

Merrmi këmbët, mi dërgo

t’ecin veç për Ty kudo (x2).

Merrma zërin të këndoj,

për tim Mbret të ligjëroj.

Merrmi buzët mbushi plot

me mesazhet që jep, Zot (x2).

Merrmë Zot, ar dhe argjend,

S’mbaj për vete asnjë send.

merrmë mendje e fuqi,

Më përdor krejt siç do Ti (x2).

Merrma dhe vullnetin tim,

S’ësht’ më imi, Ti e prin.

Merrma zemrën, ta jap Ty

Që të bëhet fron për ty (x2).

Dashurinë, Zot e derdh,

si thesar, në këmb’ ta hedh.

Merrmë dhe do jem, o Zot

krejt për Ty përjetë e mot! (x2).

§ Bekimi 2 Timoteut 4:22

“Zoti Jezu Krisht qoftë me frymën tënd! Hiri qoftë me ju! Amen.”

Lutja në Përgatitje për Adhurim

O Perëndi i Plotfuqishëm e i Mëshirshëm, na ruaj në mirësinë tuaj bujare nga çdo gjë e ligë; me qëllim që të bekuar në trup e në frymë, të mund të përmbushim plot gëzim thirrjen tuaj në jetën tonë; përmes Jezus Krishtit, Zotit tonë. AMEN.

Katekizmi për Memorizim

Pyetja 96: Çfarë është Darka e Zotit?

Përgjigjja: Darka e Zotit është një sakrament, ku, prej dhënies dhe marrjes së bukës dhe verës, sipas përcaktimit të Krishti, shpallet vdekja e Tij; dhe marrësit e denjë të saj bëhen pjesëmarrës të trupit dhe gjakut të Tij, jo në ndonjë mënyrë trupore apo mishërore, por prej besimit, me të gjitha përfitimet e Tij, për ushqimin e tyre frymëror dhe rritjen në hir.

Pyetja 97: Çfarë kërkohet për ta marrë denjësisht Darkën e Zotit?

Përgjigjja: Prej atyre që duan të marrin pjesë denjësisht në Darkën e Zotit kërkohet shqyrtimi i vetvetes për aftësinë e tyre dalluese të trupit të Krishtit; për besimin e tyre, që të ushqehen me Krishtin; për pendimin e tyre, dashurinë dhe bindjen e re; përndryshe, si të padenjë, ata hanë dhe pinë dënim për veten e tyre.

Programi 5 Ditor i Leximit të Biblës

□         Ezekiel 16-18; Gjoni 6

□         Ezekiel 19-21; Psalmi 84; Gjoni 7

□         Ezekiel 22-24; Psalmi 134; Gjoni 8

□         Ezekiel 25-27; Psalmi 85; Gjoni 9

□         Ezekiel 28-30; Gjoni 10.