Besoret e Hereshme të Besimit (Kredot)

Kredoja e Apostujve (Besorja Apostolike)

Një artikull hyrës që shpjegon historinë, qëllimin, strukturën dhe përdorimin e këtij dokumenti historik teologjik do ta gjeni në këtë lidhje: https://kishareformuardurres.wordpress.com/2022/11/02/besorja-apostolik/

Unë besoj në Perëndinë Atë, të Gjithëpushtetshmin, Krijuesin e qiellit dhe të tokës dhe në Jezu Krishtin, Birin e Tij të vetëmlindur, Zotin tonë, i Cili u ngjiz nga Fryma e Shenjtë, u lind nga virgjër­esha Mari; vuajti nën Ponc Pilatin, u kryqëzua, vdiq, u varros dhe zbriti në ferr. Ditën e tretë Ai u ngrit prej së vdekurish, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Perëndisë, Atit të Gjithëpushtetshëm; prej nga do të vijë të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit. Unë besoj në Frymën e Shenjtë. Unë besoj një Kishë të shenjtë, të përgjithshme; bashkësinë e shenjtorëve, faljen e mëkateve, ringjalljen e trupit dhe jetën e përjetshme. Amen.

Kredoja e Nikeas (325 AD)

Një artikull hyrës që shpjegon historinë, qëllimin, strukturën dhe përdorimin e këtij dokumenti historik teologjik do ta gjeni në këtë lidhje: https://kishareformuardurres.wordpress.com/2022/11/02/besorja-e-nikese-konstandinopojes/

Ne besojmë në një Perëndi, Ati i gjithëpushtetshëm, Krijuesi i qiellit dhe i tokës, dhe i të gjitha gjërave të dukshme dhe të padukshme.

Dhe në një Zot Jezu Krisht, Biri i vetëmlindur i Perëndisë, lindur nga i Ati përpara gjithë epokave, Perëndi prej Perëndie, Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i lindur jo i bërë, i të njëjtës substancë me Atin; përmes të Cilit u bënë të gjitha gjërat; i Cili, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti nga qielli dhe u bë mish nga Fryma e Shenjtë dhe virgjëresha Mari dhe u bë njeri; gjithashtu u kryqëzua për ne nën Pontc Pilatin; vuajti dhe u varros; dhe në ditën e tretë u ngjall përsëri, sipas Shkrimeve; dhe u ngjit në qiell, ku është ulur në të djathtë të Atit; dhe do të vijë sërish, në lavdi, të gjykojë të gjallët dhe të vdekurit; Mbretëria e të Cilit nuk do të ketë fund.

Dhe në Frymën e Shenjtë, Zotin dhe Jetëdhënësin; i Cili buron nga Ati dhe Biri; i Cili bashkë me Atin dhe Birin është i adhuruar dhe i përlëvduar; i Cili foli me anë të profetëve.

Ne besojmë në një Kishë të shenjtë, të përgjithshme1 dhe apostolike; ne njohim një pagëzim për faljen e mëkateve; ne presim ringjalljen e të vdekurve dhe jetën në botën që do të vijë.

Amen.

Besorja e Kalkidonës

Një artikull hyrës që shpjegon historinë, qëllimin, strukturën dhe përdorimin e këtij dokumenti historik teologjik do ta gjeni në këtë lidhje: https://kishareformuardurres.wordpress.com/2022/11/02/besorja-e-kalkidones/

Prandaj, ne, duke ndjekur etërit e shenjtë, të gjithë me një mendje të vetme i mësojmë njerëzit të rrëfejnë një të vetmin dhe të njëjtin Bir, Zotin tonë Jezu Krisht, i Cili është i përsosur në natyrën hyjnore dhe i përsosur në natyrën njerëzore; vërtet Perëndi dhe vërtet njeri, me shpirt të arsyeshëm dhe me trup; i bashkëqenësishëm me Atin sipas natyrës hyjnore, dhe i bashkëqenësishëm me ne sipas natyrës njerëzore; në gjithçka është njësoj si ne, përveçse pa mëkat; i lindur përpara gjithë epokave nga Ati sipas natyrës hyjnore; dhe, në këto kohë të fundit, për ne dhe për shpëtimin tonë, u lind nga virgjëresha Mari, Hyjlindëse, sipas natyrës njerëzore; një dhe i vetmi Krisht, Bir, Zot, i Vetëmlinduri, i Cili duhet pranuar me dy natyra, të papërzieshme, të pandryshueshme, të pashkëputshme dhe të pandashme; dallimi i natyrave nuk prishet aspak nga bashkimi, por përbërja e secilës natyrë është ruajtur; këto dy natyra janë bashkuar në një Person dhe substancë të vetme, jo të ndara apo të veçuara në dy persona, por në një Bir të vetëm dhe të vetëlindur: në Perëndinë Fjala, Zotin Jezu Krisht; siç kanë shpallur profetët që nga fillimi në lidhje me të, dhe siç na ka mësuar vetë Zoti Jezu Krisht, dhe siç na e ka përçuar besorja e etërve të shenjtë.

BESORJA ATHANASIANE

Një artikull hyrës që shpjegon historinë, qëllimin, strukturën dhe përdorimin e këtij dokumenti historik teologjik do ta gjeni në këtë lidhje: https://kishareformuardurres.wordpress.com/2022/11/02/besorja-athanasiane-symbolum-quicunque/
  1. Kushdo që dëshiron të shpëtohet, para së gjithash, duhet të ruajë besimin e përgjithshëm,
  2. I cili, nëse ndokush nuk e ruan të plotë dhe të panjollosur, pa dyshim që ka për të humbur përjetësisht.
  3. Dhe besimi i përgjithshëm është ky: Që ne adhurojmë një Perëndi në Trini dhe Trininë në Unitet;
  4. Pa përzier Personat dhe pa ndarë substancën.1
  5. Sepse ekziston një Person i Atit, një tjetër i Birit dhe një tjetër i Frymës së Shenjtë.
  6. Por natyra hyjnore e Atit, Birit dhe e Frymës së Shenjtë është një e vetme, lavdia është e barabartë dhe madhështia e bashkëpërjetshme.
  7. Siç është Ati, është dhe Biri; i tillë është dhe Fryma e Shenjtë.
  8. Ati është i pakrijuar; Biri, i pakrijuar; dhe Fryma e Shenjtë, i pakrijuar.
  9. Ati është i pakufishëm; Biri, i pakufishëm; dhe Fryma e Shenjtë, i pakufishëm.
  10. Ati është i përjetshëm; Biri, i përjetshëm; dhe Fryma e Shenjtë, i përjetshëm.
  11. E, megjithatë, nuk janë tre të përjetshëm, por vetëm një i përjetshëm.
  12. Po kështu, nuk ka tre të pakrijuar; as tre të pakufishëm, por vetëm një i pakrijuar dhe i pakufishëm.
  13. Po kështu, Ati është i gjithëpushtetshëm; Biri, i gjithëpushtetshëm; dhe Fryma e Shenjtë, i gjithëpushtetshëm.
  14. E, megjithatë, nuk janë tre të gjithëpushtetshëm, por vetëm një i gjithëpushtetshëm.
  15. Kështu, Ati është Perëndi; Biri është Perëndi; dhe Fryma e Shenjtë është Perëndi.
  16. E, megjithatë, nuk ka tre Perëndi, por vetëm një Perëndi.
  17. Po kështu, Ati është Zot; Biri, Zot; dhe Fryma e Shenjtë, Zot.
  18. E, megjithatë, nuk ka tre Zotër, por vetëm një Zot.
  19. Sepse, ashtu siç shtrëngohemi nga e vërteta e krishterë që të pranojmë se çdo Person është vetë Perëndi dhe Zot,
  20. Kështu dhe ndalohemi nga besimi i përgjithshëm që të themi se ka tre Perëndi, apo tre Zotër.
  21. Atin nuk e bëri askush; Ai s’është, as i krijuar, as i lindur.
  22. Biri vjen vetëm nga Ati; nuk është, as i bërë, as i krijuar, por i lindur.
  23. Fryma e Shenjtë vjen nga Ati dhe Biri; as i bërë, as i krijuar, as i lindur, por i buruar.
  24. Prandaj, ka një Atë, jo tre Etër; një Bir, jo tre Bij; një Frymë e Shenjtë, jo tre Frymë të Shenjta.
  25. Dhe në këtë Trini askush s’vjen më parë dhe askush s’vjen më pas; askush s’është më i lartë apo më i ulët.
  26. Por të tre Personat në tërësi janë të bashkëpërjetshëm dhe të bashkëbarabartë.
  27. Prandaj, në gjithçka, siç kemi thënë më lart, duhet adhuruar Uniteti në Trini dhe Trinia në Unitet.
  28. Prandaj, kush dëshiron të shpëtohet, kështu duhet ta mendojë Trininë.
  29. Për më tepër, për të marrë shpëtimin e përjetshëm është e nevojshme që njeriu të besojë besnikërisht edhe në mishërimin e Zotit tonë Jezu Krisht.
  30. Sepse besimi i drejtë është që të besojmë dhe të rrëfejmë se Zoti ynë Jezu Krisht, Biri i Perëndisë, është Perëndi dhe njeri;
  31. Perëndi, i së njëjtës substancë me Atin; i lindur para gjithë botëve; dhe njeri, i së njëjtës substancë me nënën e vet, i lindur në botë.
  32. Perëndi i përsosur dhe njeri i përsosur, i përbërë prej një shpirti të arsyeshëm dhe mishi njerëzor.
  33. I barabartë me Atin, për sa i përket natyrës hyjnore; dhe më i ulët se Ati për nga natyra njerëzore.
  34. I Cili, ndonëse është Perëndi dhe njeri, prapëseprapë, nuk është dy, por vetëm një Krisht.
  35. Një i vetëm; jo nëpërmjet transformimit të natyrës hyjnore në mish, por nëpërmjet futjes së natyrës njerëzore në atë hyjnore.
  36. Një i tëri; jo nëpërmjet përzierjes së substancës, por nëpërmjet unitetit të Personit.
  37. Sepse, ashtu si shpirti i arsyeshëm dhe mishi përbëjnë një njeri të vetëm, kështu dhe Perëndia e njeriu përbëjnë një Krisht;
  38. I Cili vuajti për shpëtimin tonë, zbriti në ferr, u ringjall së vdekurish ditën e tretë.
  39. U ngjit në qiell, është ulur në të djathtë të Atit Perëndi të gjithëpushtetshëm.
  40. Prej andej do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.
  41. Në ardhjen e tij, gjithë njerëzit do të ringjallen sërish me trupat e tyre;
  42. Dhe do të japin llogari për veprat e tyre.
  43. Dhe ata që kanë bërë të mirën do të shkojnë në jetë të përjetshme; ndërsa ata që kanë bërë të ligën do të shkojnë në zjarrin e përjetshëm.
  44. Ky është besimi i përgjithshëm, të cilin, nëse njeriu nuk e beson me besnikëri dhe patundshmëri, nuk mund të shpëtohet.

1 Ose: thelbin, esencën.