Një hyrje në Katekizmin e Shkurtër të Uestminsterit

Një hyrje në Katekizmin e Shkurtër të Uestminsterit

Origjina dhe historia e tij

Për të krishterët, rritja shpirtërore varet nga një diet e shëndetshme që përfshin si “qumështin” ashtu edhe “mishin” e Fjalës së Perëndisë. Por para se të shijojmë pjesë të mëdha të doktrinës së shëndoshë, ne duhet të jemi në gjendje që të bluajmë bazat e të vërtetës biblike. Nëse jeni pastor, mësues i shkollës së të dielës, ose prind, të ndihmosh të tjerët që të shijojnë “ushqime të forta” të Shkrimit, është një nga përbërësit më të rëndësishëm të dishepullizimit (1 Kor. 1:2; Heb. 5:11–14). Kjo ishte së paku bindja e qindra teologëve të nderuar që u mblodhën në Londër rreth 350 vite më parë.

Më 1 korrik 1643, me urdhër të Parlamentit anglez, një grup prej 121 pastorësh dhe teologësh dhe tridhjetë politikanë nga të dyja Dhomat e Parlamentit, për të mos përmendur një pjesë të vogël por me ndikim të madh të përfaqësuesve skocezë, u ngarkuan me detyrën e reformimit të doktrinës, adhurimit dhe qeverisjes së Kishës së Anglisë. Fillimisht me synimin e rishikimit të 39 Artikujve, Asambleja e Uestminsterit u mblodh gjatë një kohe trazirash politike dhe fetare. Anglia, Skocia dhe Irlanda u rrënuan nga lufta civile. Në një përpjekje për të krijuar një solidaritet më të madh midis tre mbretërive, Parlamenti e udhëzoi kuvendin që të shkruante një rrëfim të ri. Sipas fjalëve të një prej teologëve më të shquar të kohës, Edmind Kalami [Edmund Calamy], rruga drejt përparimit ishte “reformimi i vetë reformimit”. Rezultati përfundimtar ishte krijimi i një serie dokumentesh konfesionale ose rrëfimore që mishërojnë kurorëzimin e arritjeve të reformacionit protestant.

Gjatë afro një dhjetëvjeçari, teologët u takuan në Kishën e Uestminsterit më shumë se 1 300 herë, ndërsa anëtarët zhvendosën edhe familjet e tyre në Londër. Puna ishte intensive. Ata diskutuan për çështje të interpretimit biblik, shqyrtuan kandidatët për shërbesë, shkruan libra doktrinarë, krijuan një manual ose udhëzues për adhurimin publik dhe privat, dhe krijuan një doracak për qeverisjen e kishës. Por dokumentet më të njohura të shkruara nga Asambleja janë një deklaratë besimi dhe dy katekizma. Të marra së bashku, Rrëfimi i Besimit, Katekizmi i Zgjeruar dhe ai i Shkurtër formojnë atë që njihet në besimin e reformuar si Standardet e Uestminsterit. Qëllimi i këtyre dokumenteve ishte që të sillnin konsensus në kishë sipas standardit suprem të Fjalës së Perëndisë.

Teologët besonin se një katekizëm i hartuar mirë ishte i domosdoshëm për të frenuar valën e rënies doktrinare dhe morale që kishte pushtuar tre mbretëritë. Asambleja filloi të përpilonte me zell një katekizëm të vetëm që mund të përdorej nga familjet dhe kishat për mësim biblik. Por, krijimi i një katekizmi të vetëm rezultoi më i vështirë sesa kishin menduar fillimisht teologët. Një qasje më e mençur dhe më pedagogjike ishte zhvillimi i dy katekizmave: një për ata që ishin më të pjekur frymërisht dhe tjetra për “foshnjat” në besim. Në vitin 1648, Katekizmi i Shkurtër u stolis me prova prej Shkrimeve të Shenjta, u përfundua, u miratua dhe ishte gati për t’u përdorur.

Ndërsa të dy katekizmat janë vlerësuar gjerësisht për përmbledhjet e tyre të sakta të doktrinës biblike, Katekizmi i Shkurtër është shquar më shumë jo vetëm midis dokumenteve të Asamblesë, por edhe midis deklaratave të tjera konfesionale të prodhuara gjatë reformacionit. Riçard Baksteri [Richard Baxter] besonte se ky ishte “katekizmi më i mirë që e kam parë ndonjëherë”. Gjenia e Katekizmit të Shkurtër gjendet në aftësinë e tij për të tendosur mendjen dhe për të magjepsur zemrën me të vërtetat biblike të shpallura. Njëri prej teologëve ka konstatuar se Katekizmi i Shkurtër nuk është shkruar në nivelin e dijes që ka një fëmijë, por sipas njohurisë “që duhet të ketë një fëmijë”. Si i tillë, ai nuk është shkruar si një ideal i lartë, por si një objektiv i arritshëm në lidhje me mësimin përmendësh dhe kuptimin e tij. Pra, është një vepër kryesisht udhëzuese, duke vendosur në mendjen dhe zemrën e fëmijës mendime të cilat sa vijnë e shtohen dhe e ndihmojnë shumë që të rritet në urtësi dhe hir.

Teksti i tij

Katekizmi i Shkurtër është një festë apo kënaqësi e vërtetë e teologjisë biblike në një formë të shkurtuar ose të përmbledhur. 107 pyetjet e saj ofrojnë një manual xhepi për tërë besimin dhe jetën e krishterë. Katekizmi mund të ndahet në tre kategori kryesore: e para trajton besimin ose doktrinën, e dyta me detyrën ose sjelljen dhe e treta me mjetet e hirit dhe të adhurimit. Por çelësi për të gjithë katekizmin, dhe për vetë jetën, gjendet në përgjigjen e parë: “Qëllimi kryesor i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe ta gjejë kënaqësinë në Të përjetë”. Në të gjendet ushqimi i fortë për rritjen e të rinjve dhe për të ruajtur besimin e më të moshuarve, si tani ashtu edhe në përjetësi.

Struktura e detajuar e Katekizmit të Shkurtër të Uestminsterit është si më poshtë.

I. Qëllimi i njeriut (1-3)

  • Qëllimi kryesor i njeriut (1)
  • Doktrina e Shkrimit (2)
  • Qëllimi i dyfishtë i zbulesës biblike (3)

II. Çfarë duhet të besojë njeriu në lidhje me Perëndinë (4-38)

  • Doctrina e Perëndisë (4-11)
  • Doktrina e njeriut (12-19)
  • Doktrina e Krishtit – Shpengimi përmbushet (20-28)
  • Doktrina e Frymës së Shenjtë – Shpengimi zbatohet (29-38)

III. Çfarë detyre kërkon Perëndia nga njeriu – Ligji i Perëndisë (39-84)

IV. Mjetet e zakonshme të hirit (85-107)

  • Besimi dhe pendimi (85-87)
  • Fjala dhe sakramentet (88-97)
  • Lutja dhe Lutja e Zotit (98-107)

Një tipar i rëndësishëm i tekstit të këtij katekizmi është struktura e tij revolucionare dhe formati i secilës pyetje dhe përgjigje, në krahasim me katekizmat e mëparshme. Të gjitha katekizmat e mëparshme përmbanin përgjigje që kishin kuptim vetëm me pyetjen e vet, apo edhe me disa pyetje të mëparshme. Pra, të gjitha katekizmat e mëparshme kërkonin që përdoruesi të mësonte përmendësh pyetjen dhe përgjigjen në mënyrë që të kuptonte doktrinën biblike të katekizmit. Duhej të mësohej përmendësh e tërë pjesa e pyetjeve dhe përgjigjeve me qëllim për të kuptuar doktrinën që trajtohej. Teologët e Uestminsterit vendosën që “pyetjet të hartohen në një mënyrë të tillë që secila prej tyre të bëhet veçmas, pa u varur nga pyetja pararendëse”. Gjithashtu, “Asambleja u kujdes që të gjitha përgjigjet të jenë fjali të plota në vetvete, pa u varur kuptimi i tyre nga pyetja paraprirëse”. Ky tipar i zgjuar i strukturës dhe formatit të Katekizmit të Shkurtër dhe atij të Zgjeruar është padyshim një nga arsyet për ndikimin e saj të qëndrueshëm në botë.

Përdorimi dhe rëndësia e tij

Si duhet të përdoret Katekizmi i Shkurtër? Në radhë të parë, përdoreni atë për adhurim personal. Studiojeni katekizmin në përqasje të Shkrimit. Pyetjet dhe përgjigjet janë menduar për reflektim. Provoni t’i shkruani ato dhe pastaj t’i lexoni me zë të lartë. Edhe nëse keni vështirësi për ta mësuar përmendësh, praktika e të punuarit me katekizmin jo vetëm do t’jua përforcojë kategoritë biblike, por do të nxisë edhe më shumë përshpirtshmëri. Së dyti, përdoreni katekizmin për dishepullizim. Nuk ka mënyrë më të mirë për të mësuar përmbajtjen e katekizmit sesa për t’ua mësuar të tjerëve. Ky katekizëm mund të përshtatet lehtësisht për adhurimin familjar, për shkollën e së dielës, për studime në grupe të vogla ose për dishepullizim një me një. Së treti, përdoreni katekizmin për të nxitur unitetin dhe llogaridhënien midis besimtarëve. Katekizmi është një mjet që mund të përdoret që kishat të qëndrojnë të mbështetur në besim, të ruajnë thesarin e shenjtë të Shkrimit dhe t’u përcjellin brezave të ardhshëm të vërtetën e Ungjillit. Po të përdoret siç duhet, Katekizmi i Shkurtër mund t’i ndihmojë të krishterët, familjet dhe kishat të arrijnë qëllimin tonë kryesor: të lavdërojnë Perëndinë dhe të gjejnë kënaqësinë në Të përjetë.

Pse është aq ndikues Katekizmi i Shkurtër?

Së pari, sepse na mëson sesi të bëjmë pyetje. Na mëson se do t’i gjejmë përgjigjet e duhura vetëm nëse bëjmë pyetje e duhura. Na mëson sesi të kalojmë në mënyrë logjike nga një përgjigje te pyetja vijuese. Na mëson sesi të mendojmë duke u përqendruar te Perëndia. Na mëson të jetojmë në një botë që ka një qëllim të lartë (një parim pa të cilin çdo shkencë bëhet e pakuptimtë). Sigurisht që disa e mësojnë këtë por e refuzojnë, ndonëse shenjat e lëna prej katekizmit janë të pashlyeshme.

Së dyti, Katekizmi i Shkurtër siguron për mendjen tonë një sistem mjetesh që na aftësojnë të kuptojmë, organizojmë, ruajmë dhe përpunojmë gjithçka që mësojmë, si në aspektin biblik ashtu edhe në aspekte të tjera. Këto mjete na aftësojnë që të rritemi ndjeshëm në njohjen tonë teksa lexohet e shtjellohet Fjala e Perëndisë.

Leximi, studimi dhe mësimi i Katekizmit të Shkurtër na ndihmon që të mendojmë mbi mësimin biblik në një mënyrë që ndërton karakter të krishterë. Vetëm përgjigjja ndaj pyetjes së parë: “cili është qëllimi kryesor i njeriut?”: “Qëllimi kryesor i njeriut është të lavdërojë Perëndinë dhe ta gjejë kënaqësinë në Të përjetë”, përmban aq ushqim shpirtëror sa mund të mjaftojë për tërë jetën, madje për tërë përjetësinë. Kjo sepse na shpie te pyetja më pak e njohur por mjaft e rëndësishme, që është pyetja e dytë: “Çfarë standardi na ka dhënë Perëndia për të na drejtuar si mund ta lavdërojmë dhe të gjejmë kënaqësinë në Të?”

Në këtë pyetje, që synon “katekizmin e atyre që kanë aftësi më të pakta” gjendet një thesar i vërtetë mësimesh biblike, të cilat, të përmbledhura në një pyetje të vetme, vlejnë më shumë se njëqind pyetje dhe, sapo të fillojmë të njihemi mirë me të, do të na japë një qëndrueshmëri të tillë besimi që do të na vlejë për gjithë jetën. Dhe po të jemi të sinqertë me veten, shumë prej nesh do ta pranojmë se jemi nga “soji i atyre që janë më të dobët”, por Katekizmi i Shkurtër do të na ndihmojë që të bëhemi të fortë në besim.

Albert J. Kona

Durrës, 2018