Prioritetet dhe Vlerat

Adhurimi-me-qendër Perëndinë është Prioriteti ynë më i lartë

Në Kishën e Reformuar Ungjillore të Durrësit, adhurimi konsiderohet përparësia dhe privilegji më i lartë i Kishës dhe i të Krishterit. Ne inkurajon tufën të adhurojë në mënyrë të trefishtë, pra, në adhurimin publik së bashku të Dielën si bashkësi, në adhurimin familjar çdo ditë, dhe në adhurimin privat, pra në kohën personale devocionale me Perëndinë. Ne vërtetë e besojmë kredon tonë kur thotë:

“Perëndia duhet adhuruar kudo në Frymë dhe në të vërtetën; si në familje, privatisht e çdo ditë, ashtu edhe nga individët në fshehtësi çdo ditë, si edhe më solemnisht në asambletë publike, të cilat nuk duhen shpërfillur, ndjekur pa kujdes, apo braktisur, meqenëse Perëndia na thërret të bashkohemi me besimtarë të tjerë në adhurim publik.” (Rrëfimi i Besimit të Uestminsterit: XXI.6).

Ne promovojmë jetën e thjeshtë të krishterë, domethënë një ku adhurimi privat dhe familjar është qendror në jetën e përditshme shtëpiake. Adhurimi personal (devocioni personal) dhe adhurimi familjar ndihmojnë në përgatitjen e të gjithë familjes për një respektim, praktikim, dhe mbajtje më të mirë të tërë Ditës së Zotit, me qendër Perëndinë, për lartësimin e Krishtit, në mbushjen me Frymën.

Trupi i Krishtit do njëri-tjetrin

Zoti ynë Jezu Krisht thotë: “Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin ashtu si unë ju kam dashur ju” (Gjoni 15:12). Në Kishën e Krishtit ne inkurajojmë unitetin e fortë dhe mikpritjen e plot dashuri. Ne besojmë fuqimisht se ndërsa Krishti dhe Fjala e Tij mbeten qendrore, populli i Perëndisë do të qëndrojë me besnikëri për  dhe me njëri-tjetrin.

Mjetet e hirit janë qendrore

Një nga detyrat kryesore të udhëheqjes së KRUD është që të mbajë e përdorë mjetet e hirit në qendër të jetës së kishës. Mjetet e hirit (që janë Fjala, dy sakramentet dhe lutja) janë mjeti që vetë Perëndia ka caktuar dhe ka premtuar që do ti përdorë e bekojë personalisht për të realizuar shpëtimin, shenjtërimin dhe ngushëllimin e popullit të Tij (Veprat e Apostujve 2:42). Pikërisht nëpërmjet Fjalës (së lexuar dhe të predikuar), sakramenteve dhe lutjes që populli i Perëndisë bashkohet me Krishtin, dhe në Të, ata ushqehen dhe mbahen për në jetën e përjetshme. Këto mjete të hirit, në dukje tepër të thjeshta, të zakonshme, të pazbukuruara e të pa-ndihmuara nga shpikjet e ndihmesa njerëzore, konsiderohen nga bota si një humbje e pamend e kohës (1 Korintasve 1:18-21). Nga “ekspertët” pragmatistë të misiologjisë, mjetet e hirit shihen si joefektive dhe të parëndësishme. Megjithatë, ne kuptojmë nga Shkrimet e Shenjta që Fjala, sakramentet dhe lutja janë caktuar nga vetë Perëndia që të jenë mënyra me anë të së të cilës Fryma e Shenjtë bashkon mëkatarët me Krishtin dhe Kishën e Tij, përmes besimit tek Biri i kryqëzuar dhe i ringjallur i Perëndisë.

Ungjillëzimi / Misioni është i rëndësishëm

Ne jemi të përkushtuar ndaj ungjillëzimit personal dhe të përbashkët. Megjithatë, ne e kuptojmë ungjillëzimin dhe misionin për të qenë më shumë sesa thjesht një ngjarje e organizuar nga një kishë ose thjesht shpërndarja e një trakti ungjillëzues. Shpallja e ungjillit kryesisht përfshin leximin dhe predikimin besnik të Shkrimeve në adhurimin publik të mbledhur të Perëndisë në Ditën e Zotit. Adhurimi është ungjillëzim doksologjik. Ungjilli shpallet gjithashtu kur njerëzit e Perëndisë shpërndahen gjatë gjithë javës në shtëpitë, lagjet dhe profesionet e tyre dhe ndajnë ungjillin me të tjerët – duke qenë kripë dhe dritë në një botë të korruptuar dhe të errët (Mateu 5:16).

Qëllimi përfundimtar i përpjekjeve tona ungjillëzuese, qoftë në shtëpi apo jashtë vendit, nuk është thjesht që njerëzit të marrin vendime ose të bëjnë lutjen e shpëtimit. Përkundrazi, duhet të udhëheqë njerëzit për tu bërë anëtarë të përkushtuar të një kishe lokale, si dhe të përkushtuar ndaj një jetë pendimi e besimi në Krishtin nëpërmjet mjeteve të zakonshme, por jetë-transformuese të shërbesës së Fjalës, të sakramenteve dhe të lutjes.

Historia dhe Tradita e Krishterë vlerësohen

Dikush ka thënë e ardhmja nuk ka kurrë nevojë për të kaluarën më shumë se sa sot. Ne besojmë se kjo është e vërtetë veçanërisht për ne sot. Në të vërtetë, kur Kisha humb kontaktin me të kaluarën e saj, ajo lehtë harron se kush është dhe se pse ajo ekziston. Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur gjatë gjysmë shekullit të kaluar në tërë lëvizjen ungjillore kudo nëpër botë, dhe është veçanërisht në rastin më të rëndë të saj në kontekstin Shqiptar, duke qenë se Shqipëria nuk u prek nga lëvizjet Reformatore as të shekullit të 16të dhe as të shekujve të mëvonshëm. Kisha bashkëkohore ka përjetuar një humbje të vërtetë të identitetit dhe lidhjes me rrënjët e saj, dhe kjo është më e rëndë në situatën ungjillore në Shqipëri. Ky mentalitet ahistorik ka nxitur në mënyrë akute cekëtinë dhe paditurinë në lëvizjen ungjillore shqiptarë.

Meqë sipas Shkrimeve, besimi i krishterë “u është dorëzuar dikur shenjtorëve” (Juda 3) dhe si rrjedhim nuk ndryshon me çdo gjeneratë që pason, ne besojmë se ne kemi shumë për të fituar nga 2000 vjet histori dhe traditë të krishterë. Injorimi që të krishterët e sotëm i bëjnë të kaluarës së tyre të pasur dhe të bekuar teologjike dhe kishtare është një arrogancë intelektuale e shpirtërore (C.S. Leëis e quajti atë “snobizëm kronologjik”),  një rebelim dhe mosmirënjohje ndaj veprës 2000 vjeçare të Frymës së Shenjtë, dhe një vetëvrasje praktike e pastorale. Në të vërtetë, ka shumë që mund të mësojmë nga ata që na ecën para nesh dhe që u gjetën besnik nga Perëndia deri ditën kur Ai i mori në bekimin e Tij. Shërbesat e kishës sonë synojnë të kultivojnë një vlerësim më të madh për rrënjët tona protestante dhe të reformuara. Adhurimi ynë i përbashkët në Ditën e Zotit, në veçanti, është një shprehje e vlerësimit tonë për trashëgiminë e pasur liturgjike dhe muzikore që na është dhënë gjatë epokave.

Adhurimi në Kishën Ungjillore të Reformuar Durrës

Adhurimi i Perëndisë Triunë është akti plot gëzim i besimtarëve të rilindur dhe fëmijëve të tyre, në të cilën ata, në mirënjohje për plotësinë e Hyjnisë siç zbulohet në personin dhe punën e Jezus Krishtit, kërkojnë me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, t’i japin Perëndisë së gjallë, lavdinë, nderin dhe nënshtrimin për shkak të Tij, në përputhje me vullnetin e Tij, të zbuluar në Shkrimet.

Synimi i Shërbesës së Adhurimit

Shpirti njerëzor dëshiron që të njohë, të prekë, të preket dhe të adhurojë Perëndinë. Ne përjetojmë diçka që thellësisht përmbushësh kur adhurojmë Perëndinë e vërtetë në mënyrën e vërtetë, në “frymë dhe të vërtetë”, siç tha Jezusi (Gjoni 4:23). Problemi sot është që një adhurimi i tillë nuk gjendet kudo, madje edhe në shumë prej kishave ungjillore kudo nëpër Shqipëri apo botë. Në disa vende adhurimi është formal, i shurdhër dhe i vdekur. Ai përbëhet nga të njëjtat ceremoni, të njëjtat ritualet, dhe të njëjtat fjalë që përsëriten javë pas jave pas jave. Në disa kisha, adhurimi publik i Perëndisë është mjaft e gjallë, por shpesh herë degjeneron në kaos, në argëtim, ose në një eveniment me qendër njeriun dhe jo Perëndinë. As formalizmi dhe as argëtimi nuk mund ta ngopin shpirtin që kërkon të lidhet me Perëndinë, dhe aq më pak nuk e nderon dhe nuk i bindet Perëndisë që urdhëron adhurimin a Tij. Si rrjedhim, ne synojmë që ti ofrojmë Perëndisë një adhurim që është nderues, qartësisht i përqendruar te Perëndia, i rregullt dhe i kryer me dinjitet të përulur, dhe plot gëzim e dashuri në Krishtin. Shërbimet tona bashkojnë atë që ndahet aq shpesh: adhurimi nderues dhe predikimi biblik. Këtë e shohim si dobi dalluese të shërbesave tona: adhurimi i përqendruar te Perëndia dhe mësimi i Biblës në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë.

Shërbimi ynë është një shërbesë klasike adhurimi në linjën historikë e Biblike të Protestantizmit të Reformuar. Duke pasur parasysh larminë e stileve të adhurimit sot, ajo që bëjmë mund të jetë e panjohur për shumë nga vizitorët tanë. Ne ofrojmë informacionin e mëposhtëm si një ndihmë për të kuptuar kuptimin e secilës pjesë të shërbesës.

Elementet e Shërbesës së Adhurimit

Adhurimi ynë është i thjeshtë, i përbërë nga disa elementë biblikë që Perëndia i ka urdhëruar. Si rrjedhim ne:

Lexojmë dhe predikojmë Fjalën – Shërbesa jonë e adhurimit të Perëndisë është e mbushur me lexime nga Fjala e Perëndisë, si gjatë apo para predikimit, por ashtu edhe përgjatë tërë shërbesës. Zakonisht, predikimet tona janë të metodës ekspoziture të predikimit, pra, ne predikojmë Biblën, libër pas libri, kapitull pas kapitulli, varg pas vargu, në mënyrë të alternuar si nga Dhiata e Re ashtu edhe nga Dhiata e Vjetër.

Ne lusim Fjalën dhe lutemi në përputhje me modelin e Fjalës – Lutjet tona janë të ndërtuara në përputhje me modelet biblike të lutjeve që gjejmë në Shkrimin e Shenjtë, veçanërisht në përputhje me Lutjen e Zotit që vetë Zoti Jezus na e ka lënë si model lutjeje. Gjithashtu, lutjet tona janë të mbushura me vargje e shprehje biblike, me lavdërimet, rrëfimet dhe premtimet e Shkrimit. Kjo është mënyra më e sigurt për tu lutur në përputhje me vullnetin e Perëndisë, duke i kthyer Atij në lutje Fjalën që Ai na ka dhënë. Ne ofrojmë një dietë të plotë lutjeje në çdo shërbim. Si rrjedhim, Fjala penetron përmes lutjes edhe më thellë në mendjen dhe në zemrën tonë.

Ne e këndojmë Fjalën – Ne këndojmë të paktën një psalm të kthyer në himn në çdo shërbesë. Libri i Psalmeve është Libri i Himneve që Fryma e Shenjtë ia ka dhuruar popullit të Perëndisë për  ta përdorur në lutjet dhe në këngët tona. Apostulli na ka urdhëruar që ne duhet që të këndojmë psalme, himne dhe këngë frymërore. Psalmet e Dhiatës së Vjetër janë përmbushja më absolute e kësaj urdhërese (Efe. 5:10).  Ne gjithashtu këndojmë himne të pasur me mësime e përjetime biblike.

Ne marrim Fjalën e Dukshme – Në sakramentin e Pagëzimit dhe të Darkës së Zotit na bëhet e dukshme fjala e Perëndisë, dhe e perceptueshme nga shqisat tona. Këto dy sakramente janë të vetmet “drama” apo “pantonima” liturgjik që Perëndia dëshiron dhe urdhëron përgjatë shërbesës së adhurimit të tij hyjnor. Ato na janë dhënë për inkurajim tonë, për  vulosjen tonë, dhe për simbolizmin e Ungjillit të Jezus Krishtit.

Renditja e Elementeve të Adhurimit

Dizajni i adhurimit tonë nxitet nga ajo që mund të quhet “logjika e ungjillit”.

  1. Një cikël lavdërimesh (thirrja për adhurim / lutja e lavdërimit / himni i parë i adhurimit / Gloria Patri); pasohet nga …
  2. Një cikël rrëfimesh (leximi i Ligjit të Perëndisë / rrëfimi i mëkatit / deklarimi i sigurisë së faljes / mbledhja e ofertave); e cila pasohet nga …
  3. Një cikël që përdor mjetet e hirit (lutja për  nevojat e bashkësisë / sakramentet / leximi i Fjalës / predikimi i Fjalës); e cila pasohet nga …
  4. Një cikël falënderimesh dhe në fund nga deklarimi i bekimit (himni përmbyllës / bekimit)

Ky është në thelb modeli i Isaisë 6, e Lutjes së Zotit dhe i  vetë ungjillit. Duke e njohur Perëndinë e vërtetë si të shenjtë (në lavdërim), ne e njohim veten (si mëkatarë), nevojën tonë (për hirin) dhe falënderojmë për dhuratat e Tij në Krishtin. Ndonjëherë secili nga elementet është më vete, e ndonjëherë ato janë të kombinuara (si në lutjen pastorale ku rrëfimi, falja dhe peticionet janë së bashku në një “lutje të madhe”).

Rezultati përfundimtar, ne besojmë, është një adhurim i rregullt që është në “frymë dhe në të vërtetë” (Gjoni 4:23), i kryer me “nderim dhe frikë” (Heb. 12:28), dhe karakterizohet si nga disiplina emocionale, ashtu edhe nga një gëzim i shenjtë (Psa. 2:11; 1 Kor. 14:32,40).

Në këtë hapësirë dixhitale do të gjeni programin e shërbesës së adhurimit që ne e quajmë Buletini i Adhurimit, të cilën mund ta konsultoni për të parë praktikisht se si i aplikojmë praktikisht parimet e mësipërme. Jeni të ftuar e të mirëpritur që ta adhurojmë Perëndinë së bashku “në shkëlqimin e shenjtërisë së tij” (Psalmi 96:9).